Segunda-feira, 10/8/2020 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Xhindet janë krijuar nga zjarri pa tym e pa prush

Xhindet janë krijuar nga zjarri pa tym e pa prush

Xhindet janë krijuar nga zjarri pa tym e pa prush.

 

Xhindet janë krijuar nga zjarri (flaka) pa tym e pa prush. (Rahman, 55:15) Kaq është informacioni që jep Kur’ani mbi strukturën dhe entitetin e xhindeve. Por, në një vend tjetër përdoret edhe shprehja “zjarri përvëlues që hyn (në poret e trupit)”. (Hixhr, 15:27) Megjithëkëtë, entiteti dhe cilësia e xhideve është, për ne, prapëseprapë e panjohur. As teleskopët dhe mikroskopët nuk na kanë treguar gjë gjer më sot mbi një botë të tillë dhe entitetin e saj. Xhind do të thotë i mbuluar, i fshehur, i maskuar. Për t’i përshkruar xhindet përdoren shprehje të tilla si: “një rreze zjarri; një zjarr që digjet duke flakëruar, duke shpërndarë shkëndija përreth; si prush ose si qymyr i ndezur”; etj. Por nuk e di nëse shprehje të tilla janë apo jo të mjaftueshme për t’i përshkruar xhindet. Ashtu siç është mbledhur entiteti morfologjik i njeriut nga toka në gjendje koncentrati proteinash, edhe xhindet bartin veçoritë e zjarrit meqë janë marrë nga esenca e zjarrit. A është lënda e xhindeve ajër inkandeshent apo një përzjerje si flakë e ajrit me zjarrin, apo radiacion, grimcë, apo dritë diellore, nuk e dimë. Ndoshta një lëndë që përmban cilësitë e të gjitha këtyre. Apo ndoshta është si grimcat përbërëse të atomit, si rrezatimet e tyre, apo një përzjerje jonike me prejardhje nga bota nënatomike, apo një trup eterik, apo një antilëndë.

Po, xhindet mund të jenë trupa eterikë. Në lidhje me këtë, megjithëse në ajetet kur’anore nuk ka ndonjë gjë të qartë, në hadithet profetike diku thuhet se “arshi i Allahut ndodhet mbi errësirë” e, diku tjetër, “mbi ujë”. Në thënien e parë përdoret fjala “amá” që do të thotë “errësirë, verbëri”, por, që, në rastin konkret, nënkupton diçka fluide si eteri. Meqë kjo nuk është një çështje besimore, përqëndrimi i gjatë mbi të është i panevojshëm. As mosqenia e eterit është shpjeguar gjer tani, as qenia. Mund të ekzistojë si grimca më e vogël, si një lëndë aq e tejdukshme e fluide sa të mos dallohet dot. Kush e di, ndoshta atje ku materia konsumohet plotësisht, fillon eteri!

Xhindet ndoshta janë, në përmasat e kohës dhe hapësirës, qenie që s’i shohim dot brenda valëve të dritës që na e tregojnë materien. Edhe sikur të bëhen përpjekje për të thënë ca gjëra me anë të fjalëve dhe shprehjeve shkencore, arritja në konkluzione të prera për lëndën dhe përbërjen e xhindeve do të thotë të bësh komente dhe interpretime të gabuara, gjë që, për ne do të thotë të vësh në pikëpyetje revelacionin hyjnor. Sepse ne nuk e dimë ç’do të thonë fjalët “marixh”, “nar” dhe “nar-i semum” që përdoren në Kur’an. Pa shihni se ç’formë merr njeriu që e ka esencën nga toka! Atëherë, kushedi se si është zjarri nga i cili janë krijuar xhindet!

(Visited 80 times, 1 visits today)
Top