Segunda-feira, 11/12/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
United States
+11C

Vajza ime ka një personalitet të dobët

Vajza ime ka një personalitet të dobët

Vajza ime ka një personalitet të dobët

Çelësat e edukimit, Edukimi i suksesshëm, Gabime të dendura të edukatorëve.

Pyetje: Vajza ime është tetë vjeçare dhe problemi i saj ka të bëjë me paaftësinë dhe mungesën e besimit në vetvete. Për shembull, unë vërej se ajo gjithmonë u nënshtrohet shoqeve të saj dhe bën pasuesen me moshataret e saj. Një shembull konkret i këtij kuadri është rasti i një të afërmes sonë, që është në moshën e saj dhe të cilën ajo e ka shumë shoqe dhe duhen shumë, por problemi është se vajza ime nuk i thotë kurrë “jo” asaj, qoftë në gabim, qoftë në të mirë dhe puna arrin deri në atë gradë, sa shoqja e saj ia zgjedh shoqet dhe vajza ime vetëm sa e pason. Ndodh që vajza me të cilën kemi lidhje gjaku, të marr zët ndonjë shoqe dhe ta largojë prej saj edhe vajzën time. Vajza ime shkon me të sipas tekave të saj, bën ato aktivitete që bën ajo dhe nuk ka ndodhur asnjëherë, që të dyja të bëjnë gjëra që vajza ime i dëshiron. Gjithmonë është vajza ime ajo që bën lëshime, pastaj, për shembull pasi mbaron koha e lojës, vajza ime kërkon prej meje që unë ta lejoj të bëjë atë që do, pasi shoqja e saj nuk ia pati dhënë shansin të bënte atë çfarë vajza ime donte të bënte…

Sigurisht që unë dua ta ruaj lidhjen tonë të gjakut dhe më gëzon fakti i dashurisë që dy vajzat kanë për njëra-tjetrën, por në krahun tjetër dua që vajza ime të gëzojë një personalitet të dorës së parë. Po kështu edhe në shkollë, vajza ime vazhdon të ketë këtë lloj sjelljeje dhe komunikimi me shoqen e saj në fjalë. Mësuesja e vajzës më ka thënë, se ajo ka konstatuar që vajzës time i mungon besimi në vetvete dhe nuk ndërvepron si duhet në aktivitetet dhe punët në grup. Unë vetë si prind, kam vënë re se vajza ime hallakatet shumë dhe gjithmonë ka nevojë që të kujtohet për atë që i duhet të bëjë.

Habia qëndron në faktin, se unë kam konstatuar se vajza ime ka tendenca të shoqërohet me fëmijët që janë më të vegjël se ajo në moshë, të cilët në fakt i duron shumë, kalon me ta shumë kohë duke lozur dhe sillet shumë butësish me ta, ndaj dhe të vegjlit e duan atë shumë. A është normale kjo gjë? Me këtë nënkuptoj faktin, që ajo është e suksesshme më së shumti në raportet e saj me më të vegjlit!!!

Gjithsesi, ajo është e gatshme të heqë lehtësisht dorë prej motrës së vet të vogël, kur vjen puna për të respektuar shoqen e saj për të cilën bëra fjalë më parë, për shkakun se shoqja e saj nuk do, që motra e vogël të qëndrojë me ta…

Ky është vetëm një shembull nga shumë të tillë…

Ndoshta më duhet të pranoj, se ne kemi bërë shumë gabime në edukimin e saj; konkretisht më vinë ndërmend këto çështje:

– Unë nuk kam shfaqur shumë interes për të përgjatë vitit të saj të parë, nuk kam folur dhe biseduar me të, si dhe nuk kam qenë e aftë në këtë gjë. Unë si natyrë kam qenë e qetë dhe si i thonë “në hallin tim”. Vajza në të shumtën e rasteve lozte e vetme në shtëpi dhe nuk përzihej me fëmijët e tjerë. Më vonë unë vendosa t’i jap zgjidhje këtij problemi dhe e dërgova atë në kopsht, kur ajo sapo kishte kaluar vitin e parë të saj. Në kopsht ajo kalonte katër orë në ditë, por disa herë bënte mungesa.

– Kam lexuar nga ju, se zhvillimi i tipareve personale nis që me mëkimin dhe shkëputjen nga gjiri dhe së dyti vjen ushtrimi i fëmijës, që të arrijë të kontrollojë vetveten. Por ne dështuam në këtë të fundit, pasi s’e ke idenë sesa shumë na lodhi vajza jonë. I ati i saj gjithmonë është treguar i dhunshëm dhe i padurueshëm me të, deri në atë gradë saqë e shante atë dhe i drejtohej duke i thënë edhe kafshë! Unë, duke qenë se kisha lexuar, që nervozizmi ndikon në humbjen e vetëbesimit tek fëmija për gjithë jetën, mërzitesha dhe e refuzoja këtë sjellje, megjithëse unë jam dëshmitare se vajza derisa iu afrua të tretave të moshës së saj, nuk është disiplinuar fare dhe na ka lodhur aq sa nuk mund të imagjinohet.

Sa për dijeni, vajza kurrë nuk është treguar kokëfortë, por vetëm se nuk ishte e aftë të disiplinohej si dhe ishte shumë e vonuar. Shoqet e mija më thonë, se kjo ndodh, për shkak se unë nuk e shtrëngoj sa duhet, ndërsa i ati përkundrazi, tregohet ekstremisht nervoz me të, përsa i përket kësaj çështjeje.

– Sa i përket mbështetjes në vetvete; vajza e bënte çdo gjë vetë, saqë kur ishte vetëm tre vjeç ajo e hapte vetë edhe frigoriferin dhe përgatiste për veten e saj gjëra të lehta si për shembull racionin e kakaos me qumësht; gjë që e lumturonte vërtet shumë. Asokohe ishim të distancuar nga familjarët tanë, por sapo u bëmë njësh me ta, erdhën edhe problemet nga disa të afërm (që nuk dua t’iu përmend linjën e lidhjes familjare për arsye objektive). Ata ndërhynin në çështjen e edukimit të vajzës sime dhe e llastonin atë aq sa nuk mbante; për shembull kur unë e orientoja vajzën për diçka, ata më kundërviheshin dhe e llastonin atë duke i ndenjur gati që të bënte çfarë të donte.

Ata i jepnin asaj të hante me dorën e tyre, duke i ndihmuar në gjëra që ajo duhet t`i kryente vetë, ndërkohë që unë refuzoja që të bëja ato gjëra, të cilat vajza duhet t`i bënte vetë. Kjo e bëri atë shumë të llastuar dhe të varur, saqë ajo nuk kishte qejf më të bënte diçka vetë dhe kujtoj se asokohe ajo i kishte kaluar pesë vjeç dhe kishte raste që nuk e hante drekën vetë dhe me dëshirë, saqë mua më duhej ta ushqeja, duke i bërë marifete që të hapte gojën dhe i vihesha pas nëpër gjithë shtëpinë për çdo kafshatë që kapërdinte.

Balta u bë edhe më e madhe, kur i ati i saj nuk duronte t’i shihte familjarët të vepronin kështu me vajzën dhe ngaqë nuk arrinte ta duronte këtë përkëdheli të tepruar të vajzës, e shfrynte inatin mbi vajzën. Nga ana tjetër ai e bënte diçka të tillë, që t’u dërgonte një mesazh të fshehtë atyre, mirëpo ata vazhdonin në të tyren. Unë isha shumë e mërzitur me të gjithë ata, përfshirë këtu edhe babanë e saj dhe e gjitha kjo ndodhte në sytë e vajzës.

Ndërsa në shkollë mësueset e saj ankohen, se ajo është shumë e mbyllur dhe nuk ka besim në vetvete. Pasi dështuan të gjitha metodat e qeta, që unë përdora për bindjen e familjarëve që të heqin dorë nga sjellja e tyre negative, jam detyruar të reagoj me forcë dhe prerazi, saqë për pak provokova një problem familjar, por falënderuar qoftë Allahu, ata më së fundi hoqën dorë. Tanimë nuk u lejoj më të ndërhyjnë në edukimin e fëmijëve të mi, duke falënderuar Allahun që më dha sukses në këtë.

Pas kësaj vajza filloi sërish të mbështetet tek vetja e saj dhe të respektojë rregullat, mbi të cilat binim dakord. Unë e përfshiva atë në aktivitete të ndryshme shoqërore dhe ajo u përmirësua ndjeshëm. Edhe mësueset e saj e vërejtën një gjë të tillë, por vajza ende tani që po ju përcjell këtë shqetësim, nuk ka arritur atje ku duhet. Ajo akoma qëndron më poshtë se shoqet e saj. Ajo siç i themi ne në dialektin tonë, ende “fle brenda vetes” dhe personaliteti i saj nuk është i klasit të parë.

– Në vitet e para të moshës së saj ajo u lidh shumë me të atin, saqë mua më trajtonte me urrejtje. Unë e dija se këto ishin veprime fëmijësh. Gjithashtu e dija se ishte diçka normale, që vajza të lidhej me të atin, sidomos duke qenë se unë isha e preokupuar me motrën e saj të vogël, si dhe për faktin se i ati i saj kujdesej shumë për të, duke i qëndruar pranë kur sëmurej apo në raste të tjera. Shkurt ai ishte bërë shoku më i ngushtë i saj. Por në momente të caktuara ai e trajtonte atë me dhunë dhe nervozizëm, për shkak të përkëdheljes së saj të tepruar, trysnisë që kishte dhe sepse mendonte se ishte në të mirën e vajzës që ta përballonte një gjë të tillë. Ndërsa unë gjithmonë mërzitesha dhe nuk isha dakord me të dhe në fakt i fola shumë për këtë gjë.

Ai tani ka ndryshuar shumë me fëmijët, por s’ka dyshim se tanimë ka humbur shumë nga e shkuara. Tani ai në përgjithësi sillet qetësisht me dy vajzat, por nuk duron dhe është i thatë me ta. Ai luan me to, por përdor nofka tallëse. I trajton ato si të ishin djem dhe jo vajza!!! Ai gjithmonë e vë vajzën në lojë, kur merret me flokët dhe pamjen e saj, duke i thënë: “Një ditë kam për të t’i prerë ato flokë”.

Problemi qëndron, se këto fjalë nganjëherë e mërzisin vajzën, por ai këmbëngul që ajo të mësohet me metodën e tij, ndërsa unë nuk dua që ajo të mësohet ashtu. Nganjëherë, kur ajo dështon në diçka, ai i thotë asaj ndër sy dhe në prani të të tjerëve se ajo s’di gjë dhe nuk kupton, dhe këtë e bën për t’u zbavitur dhe për të qeshur me të, jo për tjetër, por unë nuk jam dakord me këtë.

Shkurtimisht unë shoh se ai ka shkaktuar gabime edukative të shumta dhe unë dua t’i rregulloj të gjitha këto.

Desha t’ju pyes për mënyrën, metodologjinë, ose hapat që më duhet të ndjek, me qëllim që të fshihen dhe eliminohen të gjitha gabimet edukative, disa të së shkuarës dhe disa që ende vazhdojnë, me qëllim që vajza ime të bëhet një personalitet i fortë dhe i dorës së parë. Unë nuk po dua që ajo të jetë një lider, por së paku të mos jetë e varur tek askush, të mos jetë e mbyllur, por të jetë e shoqërueshme dhe aktive.

Disa më thonë se ndoshta natyra e saj është “prehja” dhe se ky atribut është një atribut i mirë tek vajzat, por unë gjithsesi e di, se kanë ndodhur disa gabime në edukim, që nuk kanë për të kaluar paq. Ndërkaq, nga një këndvështrim tjetër shoh se “prehja” nuk është cilësi e pëlqyeshme tek fëmijët dhe se ka ndryshim midis “prehjes” në njërën anë dhe “besimit në vetvete”, “gjallërisë”, “përfshirjes” dhe “suksesit shoqëror” në anën tjetër.

Desha t’ju tërheq vëmendjen kundrejt faktit, se unë përpiqem vazhdimisht që ta bëj vajzën që të mbështetet në vetvete, të përfshihet sa të jetë e mundur në aktivitetet sportive dhe sociale dhe në realitet falë kësaj ajo po përmirësohet disi, por jo aq sa duhet, pasi ajo ende vuan nga problemet që ceka në fillim…

Shpresoj të më kushtoni vëmendje dhe lus Allahun t’ju shpërblejë me të mira!

 

Përgjigjet ekspertja: Prof. Nehle Nuredin Hafidhi

Zgjidhja e problematikës:

Zonjë e nderuar, Selam Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu

[Paqja, Mëshira dhe Begatia e Allahut qoftë mbi ju!]

Lejomë të shpreh konsideratën time mbi kapacitetin tënd në çështjet e edukimit. Unë them: “Merre më shtruar, mjaft e ke fshikulluar veten dhe mjaft u ankuat mbi atë që mendon se të ka shpëtuar në edukimin e vajzës tënde. Ta them këtë pasi përsëritja e tepërt e gabimeve i bën ndjenjat e fajit dhe të dhembshurisë, mekanizmin kryesor që vë në lëvizje raportin tënd me vajzën tënde. Ndjenjat e fajit dhe dhimbjes që ti gëzon përkundrejt vajzës tënde, domosdo do arrijnë tek vajza dhe ajo do ndihet e thyer dhe e dhunuar, gjë që do t’ia thellojë asaj ndjenjat zvetënueses dhe do t’ia ulë edhe më shumë nivelin e besimit në vetvete.

Na lër të mendojmë pozitivisht, ku me mendim pozitiv unë nënkuptoj çështjet në vijim:

– Të dish se ndërtimin e personalitetit e kontrollojnë faktorët natyral të formimit dhe faktorët edukativ rrethues. Ndoshta është formimi individual i vajzës tënde, ai që e bën atë të anojë kah “prehja”, dobësia e iniciativës dhe varësia.

– Të gjitha cilësitë, të cilat ne dëshmojmë se nuk na pëlqejnë tek fëmijët tanë, është e mundur që t’i përmirësojmë me logjikë, urtësi dhe durim. Mos mendo se koha ka mbaruar. Dijetarët përmendin, se qelizat nervore të trurit kanë një koeficient të lartë elasticiteti. Ky koeficient i organizon sjelljet sipas një programi të mirëllogaritur dhe të arrirë, i cili shkakton një ndikim pozitiv, permanent dhe konstant në tru. Falë kësaj vjen dhe ndryshimi i atributeve dhe sjelljeve në vazhdimësi.

– Kemi të bëjmë me një lloj problemi në sjelljen e vajzës tënde, ndaj le ta përcaktojmë problemin, anët që duhet të bashkëpunojnë për të ndihmuar në zgjidhjen e tij dhe hapat e zgjidhjes. Kjo do të jetë ajo çfarë do trajtojmë në mënyrë të detajuar në rreshtat në vijim.

Shkaqet e varësisë mendore:

Problemi përfundimtar i vajzës është: “Varësia mentale dhe dobësia e besimit në vetvete”… Si ndodhi kjo?

Sikurse të përmenda pak më herët, kjo e ka zanafillën tek formimi mendor. Gatishmëria personale ka korresponduar me gabime edukative, që kanë përbërë një ambient pjellor, i cili ka ushqyer gatishmërinë personale të fëmijës.

Për të pasur një ide më të qartë, do të flas në mënyrë të përmbledhur mbi zhvillimin social në vitet e para të jetës së fëmijës, rëndësinë e tij në ndërtimin e besimit në vetvete dhe sesi në këto periudha të para është mëse e mundur të ndodhin defekte, që i bëjnë fëmijët të ndihen inferiorë dhe të humbasin iniciativën.

Në realitet besimi i fëmijës në veten e tij zhvillohet që në momentet e para të jetës së vet. Këtë besim fëmija e bazon tek bota përreth tij, sidomos tek dy prindërit e tij. Përmes dashurisë dhe dhembshurisë së pakushtëzuar të së ëmës dhe të atit, që shfaqet përmes mbajtjes në prehër, përqafimit, puthjes, prekjes dhe kontaktit fizik, këmbimit të shikimeve, ngopjes së nevojave kyçe si ato për ushqim, pirje, ngrohje dhe pastrim, fëmija ndjen se ai është një person i dëshiruar. Kjo periudhë vijon përgjatë dy viteve të para të moshës së fëmijës.

Pastaj vjen periudha nga dy deri në tre (2-3) vjeç; i cili është viti në të cilin fëmija ushtrohet të mësohet të shkojë në tualet. Në rast se gjatë kohës që i mësohet fëmijës se si të shkojë në tualet, shtohet dhuna dhe qortimi, kjo gjë përbën dhe bërthamën e parë të dobësimit të besimit të fëmijës tek aftësitë individuale të tij për të kontrolluar vetveten. Dobësimi i besimit në vetvete gjatë kësaj periudhe, sistematizon defekte të tjera në periudhat e ardhshme të zhvillimit shoqëror, sidomos nëse elemente të kësaj periudhe janë kritikat dhe talljet me sjelljet e fëmijës, që nganjëherë konsiderohen risi dhe të rralla.

Pasi që babai dhe nëna e kritikojnë atë, fëmija heq dorë nga iniciativa dhe preferon që të mos jetë ai që vendos. Përkundrazi fëmija sheh se me qëllim që t’i shmanget kritikës, gjëja më e mirë është që të bëhet pasues i tjetërkujt. Kësisoj çdo gabim ai do ta justifikojë duke thënë: “Nuk e kam bërë unë këtë, por filani më tha të bëj kështu”.

Pikërisht kjo është ajo çfarë ka ndodhur me vajzën tënde. Kështu formimi mendor dhe gatishmëria e saj natyrale për të mos duruar kritikën, e udhëzojnë, që të preferojë varësinë mendore tek të tjerët –sigurisht të pavullnetshme-, prej shokëve të saj me të cilët atë e lidhin lidhje të forta, gjë që e bëjnë vajzën të ndihet e sigurt. Kontradiktat në metodat e edukimit dhe qëndrimet e ndryshme që kanë ndodhur në sytë e vajzës, e kanë bërë atë të ndjejë, se ajo përbën një barrë të rëndë për familjen, gjë që e shikon edhe në faktin se anëtarët e familjes kanë pikëpamje shumë të ndryshme rreth veprimeve të saj. Për pasojë tek ajo është formuar instinktivisht ideja “Më mirë të mos reagoj fare”.

Si rezultat i këtyre gjërave, ndodh ndalimi i zhvillimit shoqëror në këtë periudhë të hershme, duke shkaktuar më pas destabilizim në personalitetin e njeriut, për të ngjarë ajo që quhet: “ndërvarësia mentale”…

Por ende është herët dhe ju, me lejen e Allahut, mund ta rregulloni çështjen.

Hapat kurues:

  1. Del si domosdoshmëri, që ti dhe i ati i vajzës të bini dakord rreth metodës dhe objektivit të unifikuar, që janë është më të dobishëm për vajzën tuaj. Unë nuk jam e opinionit, që kur vajza të ekspozohet para trysnive, i ati duhet të insistojë domosdoshmërisht e të sillet në atë formë që ti përshkruaje, pra nuk jam dakord që vajzës i duhet të durojë dhe të mësohet me metodën e të atit. Ndoshta ai është disi kokëfortë, por ka mundësi që në këtë rast inati i tij është për shkakun tënd dhe jo të vajzës, sidomos pasi ti e qorton shumë për metodat e tij. Ndaj dhe gjetja e rrugës së komunikimit dhe kontaktit me tët shoq në një mënyrë të tillë që shmang zemërimin e tij, është një çështje e domosdoshme, të cilës duhet t’i kushtosh vëmendje, po deshe që vajza të mos shndërrohet në një lodër.
  2. Shmange bisedën e drejtpërdrejtë me vajzën, sa i përket varësisë së saj ndaj shoqeve të saj apo se ajo duhet të ketë një personalitet të fuqishëm, ose t’ia përmendësh asaj faktin, se ajo nuk ka besim në vetvete dhe se asaj i del për detyrë të formojë besimin tek vetja; pasi fjalët e drejtpërdrejta në këto probleme e shtojnë mbylljen dhe vetminë e saj.
  3. Shmange kritikën dhe talljen me veprimet e vajzës, sidomos me ato veprime që asaj i pëlqejnë dhe e lumturojnë, si për shembull interesimi i saj për flokët apo paraqitjen e saj. Ajo në fakt pret të lavdërohet dhe të nxitet prej jush. Imagjino se sa shumë zhgënjehet ajo, kur përballet me kritikat tuaja në këto gjëra private të saj.
  4. Ruaj gjithmonë balancën midis dashurisë dhe përpikërisë; është një domosdoshmëri që fëmija duhet ta kuptojë dhe ta ketë të qartë, që ju e doni, por ndonjë sjellje e saj ju vë mua në pozitë të vështirë. Gjithsesi, ndëshkimi është një alternativë e mundshme, kur fëmija bie në sjellje të devijuara.
  5. Duhet shfrytëzuar rasti për të lavdëruar çdo sjellje, që e nxit fëmijën të zhvillojë iniciativën dhe lypset që këtë sjellje ta përforcojmë aty për aty, duke e motivuar me lloje të ndryshme motivimi.
  6. Duhet ta zgjerojmë rrethin e gjërave të lejuara dhe në krahun tjetër ta zvogëlojmë atë të direktivave dhe privimeve.
  7. Mos shfaq karshi vajzës depresion dhe ndjenja faji mbi gabimet edukative, që janë bërë në të shkuarën; pasi kjo gjë e përforcon varësinë e saj.
  8. Bisedo sa më shpesh dialog me vajzën tënde për çështjet tuaja të përditshme dhe bëj që ajo të ndjejë, se ti ke nevojë për opinionin e saj, si për shembull për opinionin e saj në çështjen e veshjes ose në përgatitjen e ushqimit.
  9. Nxite atë që ta përzgjedhë vetë veshjen dhe ushqimin e saj, si dhe stimuloje që të zgjedhë vetë për dhuratat, që ju doni t’i bëni ose shëtitjet në të cilat dëshiron që ju ta nxirrni.
  10. Vendose vajzën që ta sistemojë vetë shtratin dhe dhomën e saj, vaktet e ngrënies të mëngjesit dhe të darkës si dhe vëre të të ndihmojë në përgatitjen e drekës.
  11. Zbuloi pasionet e saj, si për shembull vizatimin dhe ndihmoje që t’i zhvillojë ato.
  12. Zhvilloja asaj artet e zgjidhjes së konflikteve, përmes përfshirjes së saj në trajnime speciale mbi sa në fjalë.
  13. Mësoja asaj artet e komunikimit me të tjerët, sidomos sa ka të bëjë me zhvillimin e intelektit shoqëror dhe komunikimin joverbal (si për shembull mësoi të buzëqeshë, ta shikojë tjetrin në sy kur t’i flasë, ta dëgjojë me vëmendje atë që i flet, të aplikojë shenjat shprehëse të interesimit për tjetrin, etj).
  14. Praktiko me të lojëra, që i mësojnë asaj durimin dhe këmbënguljen.
  15. Ushtroje atë në sporte të tilla si për shembull karateja, në mënyrë që ajo të mbrojë vetveten dhe ta forcojë besimin në vetvete.

Bëje gjithë sa u tha, duke u kthyer në shoqen e saj më të mirë dhe duke i treguar asaj herë pas here, se ti ke nevojë për të.

Në këtë formë me lejen e Allahut çështjet gradualisht do të përmirësohen.

Pa diskutim që duhet ta lusësh Allahun të të japë sukses në këto hapa, madje kjo luan një rol kryesor.

 

@include "";