Quinta-feira, 20/6/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Unik në llojin e vet!



Unik në llojin e vet!

By: Dr Selman Aude

Unik në llojin e vet!

Të thuash “Unik në llojin e tij” është një lëvdatë dhe vlerësim, që do të thotë se ai nuk ka shok në vlerat që përfaqëson. Këto fjalë janë thënë edhe për Omer ibnul Hatabin nga vetë Aisheja, Zoti qoftë i kënaqur me të dy, e cila transmetohet të ketë thënë:”Pasha Zotin ka qenë unik në llojin e tij.”

Vetë hazreti Omeri e pati përdorur këtë fjalë për të vlerësuar Amir ibnu Sad Ensarij pasi e admironte për aftësitë që kishte.

Kuptimi i këtyre fjalëve vlerësuese është se Zoti s’ka krijuar një të dytë në modelin e tij. Por kjo nuk do të thotë se personi i vlerësuar me këto fjalë prevalon ndaj të gjithë njerëzve, përfshirë edhe profetët, pasi lëvdata kuptohet në kuadrin e saj logjik.

Përveç mesazhit gjuhësor dhe konfirmimit të rëndësisë së vlerësimit, unë kuptova se çdo njeri në realitet është unik për nga lloji i tij.

Çdo njeri ka shenjat e veta të gishtave, gjë e cila nuk kufizohet vetëm tek gishtat, por edhe tek sytë, zëri, hunda, vija të caktuara në trup etj… të cilat e dallojnë nga çdo person tjetër, qoftë dhe nga babai, nëna apo binjaku i tij. Përveç këtyre shenjave fizike, kemi dhe shenja të tjera mendore dhe shkencore që e  bëjnë njeriun të ndryshëm nga të tjerët. Nëse çdo krijesë mbi faqen e tokës, e fokuson vullnetin tek lënia pas e gjurmëve dhe përjetësimi i emrit të vet, do të kishim një lum idesh, teorish dhe krijimtarish të barabartë me frymëmarrjet e të gjithë krijesave mbi tokë.

Çdo njeri që lind dhe jeton në këtë botë, është i aftë dhe i pajisur me kapacitete për të qenë i suksesshëm në këtë botë, ai lind me predispozitën për të prehaluar mbi të tjerët në një profil të  caktuar.

Në shpërndarjen e dhuntive ndihet drejtësia hyjnore, pasi secili është pajisur me dhunti të ndryshme nga një tjetër. Njeriu është në sprovë për ato që i janë dhënë dhe me ato me të cilat është privuar.

Të gjithë njerëzit kanë në pronësi diçka, ose e kanë pasur, ose do e kenë në të ardhmen. Të tilla janë dhe dhuratat virtuale, talentet, kapacitetet dhe energjitë e brendshme që posedon secili prej nesh.





Ajo që bën diferencë është fuqia shpirtërore që mban me jetë këtë trup dhe e vë atë në lëvizje. Kështu, ai që ka vullnet guxon dhe nuk vetëmbyllet, ai është plot besim tek Zoti dhe tek aftësitë e tij. Zoti dhe Krijuesi perfekt nuk ka lënë askënd pa talente dhe aftësi, me të cilat mund ti shtojë diçka kësaj jete.

Misioni i një reformatori të vërtetë është motivimi dhe stimulimi i këtyre talenteve, është zgjimi i shpirtit që të brofë dhe ti këpusë vargonjtë iluzional apo dhe të vërtetë, të cilët qëndrojnë si pengesë në rrugën drejt suksesit.

Ajo që e bën njeriun të dorëzohet dhe të heqë dorë nga vazhdimi i rrugës së përmbushjes së ambicieve të tij, janë pengesat psikologjike, hallet, depresioni, kujtimet e dhimbshme … prandaj dhe flet shpesh për to, si për tu justifikuar, ose për t’ia hedhur fajin të tjerëve.

Nëse njeriu konfrontohet me veten, tregohet i hapur me të dhe beson tek kapacitetet e veta, jo duke  u shtirë, do të zbulojë se distanca për përmbushjen e qëllimeve dhe synimeve, është më e shkurtër se sa mendonte.

Më ndodh shpesh që bijve e bijave të mia, që janë plot ambicie për më shumë kreativitet, sukses dhe arritje, tu ofroj një këshillë të vyer dhe të përmbledhur në një fjalë “Durimi” dhe nga durimi në përgjithësi, unë përmbledh “durimin me veten”. Vetja ka nevojë të menaxhohet dhe kontrollohet me urtësi, durim, maturi, optimizëm dhe shpresë. Mos u dekurajo edhe sikur të përballesh me një mijë pengesa dhe vështirësi! Mos u demoralizo edhe sikur të dështosh një mijë herë! Jo, mos u demoralizo edhe nëse dështon një milion herë! Ngrihu sërish dhe nisja nga e para!

Besimi yt i palëkundur tek ky koncept, nëse i beson, është sekreti i suksesit tënd. Zoti do të jetë me ty dhe nuk do të zhgënjejë asnjëherë.

 

Përktheu: Elmaz Fida

(Visited 7 times, 1 visits today)




Top