Sábado, 20/7/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Unë dhe ti



Unë dhe ti

 

By: Dr Selman Aude

Unë dhe ti

Kështu quhet një lojë gjuhësore; Unë jam deti, kurse ti je vala, unë jam hëna kurse ti je drita, unë jam zemra kursi ti je pulsi i saj, e kështu me radhë.

I tillë është dhe integrimi dhe dialogu mes partnerëve, bashkëshortëve, kolegëve të punës, bashkëudhëtarëve etj…

Është një lojë e bukur; Ti sulmon kurse unë duroj, ti gabon kurse unë fal, ti më lëndon, kurse un e harroj!

Të gjithë e shohin rrugën e ligë, rreziqe plot

Por disa njerëz, nefsin e tyre, nuk e mundin dot.

Pa praninë e të tjerëve, nuk do të mundesh të njohësh shumë gjëra nga vetja jote. Vakti nuk të shijon kur e konsumon krejt vetëm.

Batuta nuk të bën për të qeshur, veçse në praninë e të tjerëve.

Gjuha është një institucion social, e cila kërkon praninë e dikujt tjetër, me të cilin të mirëkuptohesh dhe ta dëgjosh.

Edhe shurdhmemecët, komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet gjuhës së tyre, nëpërmjet lëvizjeve dhe të qeshurës. Ndonjëherë, ata komunikojnë me njëri-tjetrin, më shumë se të tjerët.

Një herë, më vizitoi një i verbër dhe shurdhmemec. Quhej Faiz dhe kishte një aftësi të rrallë perceptimi, të shprehuri, njohje të personave që në takimin e parë, në mënyrë të pazakontë.

Të pranosh tjetrin do të thotë të pranosh veten. “dhe mos i vritni vetet tuaja!” (Nisa, 29)

“përshëndetni vetet tuaja” (Nur, 61)

Kur orvatesh të cenosh tjetrin, ti po stimulon një veprim të tillë edhe ndaj vetes. Sakaq, kur përpiqesh ta mbrosh dhe ti ruash nderin dhe të drejtat, ti po hedh themelet e një shoqërie ku mbrohen të drejtat.

Buzëqeshja është një shprehi e ndjesisë së vetes dhe të tjetrit. Ajo fillon e shfaqet që në muajin e tretë të embrionit, ndoshta dhe më parë. Ajo ndihmon në formimin e një imazhi pozitiv ndaj vetes dhe ndaj tjetrit, si dhe formimin e një përshtypje të parë dhe të rëndësishme.

Të buzëqeshësh në mungesë:

Po bisedonte në telefon me mikun e tij, ndërkohë që distanca që i ndante ishte mijëra milje. Nga brenda, ndjeu sikur një zë po i thoshte:”Nëse dëshiron ti tregosh sinqeritetin dhe zemërdëlirësinë tënde, buzëqeshi!” Po dhe vërtet që buzëqeshi, po po, buzëqeshi njëlloj sikur ta kishte para vetes. Efekti i buzëqeshjes së tij, u pikas nga pala tjetër matanë telefonit, u shfaq në mënyrën e të folurit. Tjetri, u ndje i gëzuar dhe mirënjohës për këtë buzëqeshje. E pse jo, një person i kishte buzëqeshur spontanisht, edhe pse nuk e shihte.

Profeti Muhamed a.s thoshte:“Buzëqeshja jote para vëllait tënd është sadaka.” (Buhari, Tirmidhij, Ibnu Hiban)

Profeti Muhamed a.s, ndjesitë e tij pozitive i përkthente në buzëqeshje reale. Abdullah ibnul Harith thoshte:”Nuk kam parë njeri që buzëqesh më shumë se i dërguari i Zotit a.s.” (Ahmed, Tirmidhij)

Edhe gjatë sëmundjes nga e cila ndërroi jetë, buzëqeshja nuk i fshihej nga fytyra e tij e bekuar. Në një nga ditët e sëmundjes, ai doli në xhami dhe i pa njerëzit në rreshta duke u falur. Kur i pa në atë gjendje, Profeti a.s buzëqeshi dhe iu bë qejfi.

Me këtë, Profeti a.s hidhte bazat e një kontributi të një lloji tjetër, kontributit emocional, i cili e kapërcen materialen dhe fluturon lart në botën e shpirtit.

Më tha: Qielli me re dhe i zymtë qenka sot

I thashë: Buzëqesh, mjafton zymtia e qiellit, diellin se sjell dot





Më tha: Vajti rinia me ditët e bukura të saj

I thashë: Buzëqesh, rininë nuk e kthen të qarit me vaj

E qeshura është një tipar njerëzor i kësaj bote. Njeriu është krijesa e vetme mes gjithë banorëve të tjerë të tokës, i cili e merr dhe e jep atë.

Thotë profeti Muhamed a.s:“Buzëqeshja jote para vëllait tënd është sadaka.” (Buhari, Tirmidhij, Ibnu Hiban)

Kur thuhet para vëllait tënd, nuk ka për qëllim vetëm kur të sheh, por përfshin çdo formë komunikimi, të cilit buzëqeshja i fal më shumë bukuri dhe lezet. Ajo largon tensionin dhe ngurtësinë, si dhe u kthen marrëdhënieve çiltërsinë dhe shpirtin.

Tregon Xherir ibnu Abdullah, Zoti qoftë i kënaqur me të:”Që kur jam konvertuar në mysliman, i dërguari i Zotit nuk më është shmangur asnjëherë dhe sa herë që më shihte, më buzëqeshte.” (Buhari dhe Muslim)

Këtu, buzëqeshja është shndërruar në zakon. I dërguari i Zotit a.s i buzëqeshi Fudale ibnu Umejr, edhe pse ky kishte plan ta vrasë.

Për diçka të tillë, lipset që muskujt e fytyrë të ushtrohen gjithmonë për buzëqeshje të forta, pa hezitim dhe pa turp, edhe pse ndokush e interpreton buzëqeshjen e përhershme si tregues të mungesës së logjikës dhe autoritetit.

Ka njerëz të tjerë, që gjithë siklet mezi i lëvizin paksa buzët e tyre për të dhënë një buzëqeshje, e cila mezi dallohet, për një shkak të thjeshtë; sepse nuk janë mësuar me këtë gjest.

Përse të mos ushtrohet njeriu dhe ta provojë të buzëqeshë krejt i vetëm, të kujtojë një rast për të qeshur ose një barcoletë dhe të qeshë për të, e kur të takohet me personin, të buzëqeshë pa llogari?

Mos sill ndërmend të gjithë problemet dhe konfliktet që ke me dikë kur takohesh me të, gjë e cila të bën të vrenjtesh në fytyrë kur e takon. Mos i sill ndërmend të gjithë konfliktet metodike, ideologjike, partiake, sektare, tregtare, shkollore, xhematore dhe familjare… të cilat të privojnë dhe nga një buzëqeshje e pafajshme.

E përse të mos ushtrohesh për të buzëqeshur, ndërkohë që mjekët kanë filluar ta përdorin si bazë për strategjitë e tyre terapeutike, të cilat bazohen në teknika relaksi nëpërmjet mësimit të ushtrimeve të caktuara.

Buzëqeshja i bën mirë shëndetit psikologjik dhe atij fizik, ajo ndihmon në lehtësimin e tensionit të gjakut, aktivizon qarkullimin, forcon imunitetin ndaj sëmundjeve dhe tensioneve të përditshme të jetës, si dhe ndihmon trurin për të rezervuar sasinë e nevojshme të oksigjenit.

Përsëritja e buzëqeshjes e rehaton njeriun, e bën më të qëndrueshëm. Ajo redukton në maksimum mundësinë për tu prekur nga depresioni. Është shumë gjë e bukur kur buzëqeshja bëhet zakon dhe tipar i pandashëm i fytyrës. Profeti a.s thoshte:“… dhe të takosh vëllain tënd me fytyrë të çelur.” (Muslim)

Buzëqeshja dhe e qeshura e lehtë, ndihmon në relaksim e muskujve, normalizon pulsin e zemrës dhe ul tensionin e venave.

Buzëqeshja është një mesazh që së pari shpreh personalitetin tënd, se je njeri transparent, pa komplekse, pa probleme dhe pa depresion.

Buzëqeshja është shprehje e komunikimit direkt, e cila fillon para përshëndetjes dhe bisedës, me një person që e njeh apo nuk e njeh. Nëpërmjet saj, ti i hap udhë marrëdhënies, heq mënjanë vështirësitë e komunikimit dhe përmbush qëllimin që shpresoje dhe prisje.

Në vetvete, ajo është një dhuratë që ia bën vetes tënde së pari, pasi ajo të zhvesh nga mendjemadhësia dhe arroganca, të zhvesh nga fokusimi tek vetja dhe pesimizmi.

Ajo është një dhuratë për të tjerët, pasi duke u buzëqeshur, u fal gëzim, i çtensionon dhe i ngushëllon, sidomos kur buzëqeshja është një shprehje e asaj që ndjen në zemër karshi tyre dhe jo thjesht diçka mekanike apo shprehëse e zemëratës, qortimit apo pakënaqësisë.

Buzëqeshi vëllait tënd kur të takohesh me të.

Buzëqeshi edhe kur ti flasësh në telefon.

Le të transmetohet “epidemia” e buzëqeshjes tek të tjerët për ta veshur marrëdhënien me ta plot dashuri, miqësi, mirënjohje, mendim të mirë, përkujtim të faktorëve që na bashkojnë në vend të atyre që na ndajnë… Në fakt, faktorët që na ndajnë nuk duhet të ndikonin në vlerat morale me të cilat njeriu ndërvepron me vëllain e tij njeri.

 

Perktheu: Elmaz Fida

(Visited 36 times, 1 visits today)




Top