Sexta-feira, 20/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Udhetimi i mendjes dhe shpirtit

Udhetimi i mendjes dhe shpirtit

Udhetimi i mendjes dhe shpirtit

Shkruan: Avni TAFILI

“All-llahu veçon për të (për besim të drejtë) atë që do dhe e udhëzon në të atë që i drejtohet Atij.” – Kur’an, 6:125

Meditimi është art; metodë e veçantë për t’u zhytur në thellësinë e botëve; zbulimin e të fshehtës, së panjohurës. Përpjekje për të kuptuar thelbin, dritën, energjinë e diçkaje që bën diçka tjetër të lëvizë, të jetojë. Këtu fillon përsiatja në njohjen e asaj që më së shumti na nevojitet. Njeriu nuk ka nevojë për ushqim të tokës sa ka nevojë për ushqim të qiellit. Njeriu u krijua nga toka, por toka në përbërje të saj është qiellore. Kjo në anën fizike të tij, por shpirti i njeriut nuk është as tokësore e as qiellore. Është diçka më shumë, më e veçantë, më e ngritur: është dhurim i veçantë prej Zotit të botëve. Ne e ndjejmë këtë, shpirtin, vetëm atëherë kur meditojmë me tërë qenien tonë në fillin dhe burimin e jetës. Kur udhëtojmë mendërisht dhe shpirtërisht nga kemi ardhur.

Es-salat, lutje, adhurim dhe lidhje mes njeriut dhe Zotit, ndërsa tek ne njihet me termin namaz. Kështu quhet riti që e kryejnë të bindurit ndaj Zotit pesë herë brenda natës dhe ditës. Fillon në errësirën e lehtë, pak para lindjes së diellit dhe përfundon me errësirën e plotë të natës. Errësira, ku njerëzit e devotshëm gjejnë prehje mendore e shpirtërore, është fillimi dhe mbarimi i këtij riti madhor islam. Kryerja e këtij riti, i obligueshëm për çdo të bindur ndaj Zotit, lidhet me lëvizjet e diellit, rreth të cilit rrotullohet toka, e bashkë me ne, rreth diçka më të madhe se dielli…Dielli si burim energjie e drite, e cila tërheq tokën rreth vetes, siç tërheq të eturin ndaj ujit, tërheq edhe qenien e vetëdijshme njerëzore ndaj Zotit të vet.

Në kohët më të vështira të thirrjes së ndërgjegjes njerëzore në besim të drejtë, Zoti tërhoqi njeriun e zgjedhur të Tij, Muhammedin salAllahu alejhi ve selem për të parë argumentet që për shumë njerëz mbetën të mistershme, ndërsa për pasuesit e Islamit, të vërteta. Me këtë mendja e të bindurit ndaj Zotit, megjithëse e kufizuar për të kuptuar atë që kuptoi dhe pa i Dërguari i Allahut, u ndërgjegjësuan, dhe nëpërmjet asaj që u urdhëruan të veprojnë, qoftë shpirtërisht, mendërisht a fizikisht, ndjejnë të vërtetat thellë në qenien e tyre. Mëshira e Zotit zgjodhi namazin udhëtues të mendjes dhe shpirtit njerëzor pas Muhammedit salAllahu alejhi ve selem, i cili udhëtoi me tërë qenien e tij.

Rruga horizontale dhe vertikale prej Mekës në Jerusalem, e prej aty në Gjithësi, ndodhi pikërisht atëherë kur vetmia dhe meditimi i Muhammedit a.s. kishte arrit majat e saj. Gjatë këtij udhëtimi të mrekullueshëm, pasuesve të Muhammedit a.s., iu obligua namazi pesë herë brenda natës dhe ditës. Nuk është thjesht udhëtim astronautësh – të cilët kanë zgjedhur rrugën e gabuar në zbulimin e filleve dhe burimit të jetës, – por udhëtim me udhëzim të Krijuesit të çdo gjëje.

Këtë udhëtim në hapësirat e gjithësisë me mendje e shpirt e bën pesë herë brenda natës dhe ditës një mendje e udhëzuar drejtë dhe shpirt i devotshëm, i dorëzuar dhe i nënshtruar Zotit të vet, dhe Zoti bën që këta njerëz, muslimanë, thellë në qenien e tyre të njohin fillin dhe burimin e jetës, të njohin qëllimin dhe misionin e jetës…

Udhëtimi horizontal e vertikal, trekëndëshi Meke – Jerusalem – Gjithësi, “El-Israë dhe Miëraxh”, është ndër sfidat më madhore të intelektit dhe zhvillimit mendor në historinë e njerëzimit. Këtë udhëtim i zgjedhuri i Zotit, Muhammedi a.s., e bëri në kohën kur njerëzit e ndërgjegjësuar – rreth tij,- me fjalët e Zotit, duhej të sprovoheshin; ndërsa Muhammedit salAllahu alejhi ve selem si shpërblim ndaj bindjes dhe përkushtimit, dhe mëshirë për tërë njerëzimin.

Njeriu i pa udhëzim në mendje e shpirt, vetëm atëherë kur ndodhet në vështirësi të pakapërcyeshme dhe kur t’i humb shpresat nga gjithçka, bën një udhëtim vertikal – drejtohet kah qielli, ndonëse ana shpirtërore e tij, në të cilin është e ngulitur filli dhe burimi i jetës, sepse, pasi t’i ketë ardhur ndihma, qenia e tij prapë devijon anën. Kështu që, udhëtimi i një mosbesimtari nuk është si udhëtimi i besimtarit. Besimtari musliman një udhëtim të këtillë e bën vazhdimisht dhe në çdo gjendje qoftë. Jeton me qëllimin e ekzistencës së tij. Ndjen kënaqësinë e të qenit besimtar dhe i sigurt në kthimin e tij në Jetën e Pastajme, duke qenë i bindur plotësisht Zotit të vet, Allahut xh.sh..

Zoti është i mëshirshëm, i drejtë, bujar e i urtë. Urdhëresat dhe ndalesat e Tij ndaj nesh, nuk janë veçse në saje të mëshirës, drejtësisë, bujarisë dhe urtësisë së Tij. Do që, nëpërmjet tyre – urdhëresave, të mos devijojmë anë, të jemi me Atë që jetën e krijoi, e që ne jemi pjesë e saj.

Sa i mëshirshëm që je o Zoti ynë! Ty të takon adhurimi dhe lavdërimi, askujt tjetër përveç Teje! Ti, o Allah, nëpërmjet namazit do që të të afrohemi, shpirtin tonë ta qetësojmë, sepse shpirtin Ti na e dhurove dhe vetëm te Ti gjen qetësinë e vërtetë. Ti na krijove dhe gjithçka na dhurove, e bëre sepse Ti je i Drejtë, Bujar, i Urtë, dhe ashtu si e ke cilësuar Veten Tënde në Kur’an dhe udhëzimin e Muhammedit, lavdia dhe paqja Jote qoftë mbi të.

O njeri i udhëzuar me mendje e shpirt! Falëndero Zotin tënd, Allahun, pandërprerë dhe ji mirënjohës ndaj dhuntive të Tij ndaj teje.

O njeri i paudhëzuar! Kërkoje fillin dhe burimin e jetës, sa nuk është bërë vonë, ji i ndërgjegjshëm dhe i sinqertë, udhëto me ndërgjegjen tënde lart në qiell, pendohu, e në dashtë Zoti yt dhe i çdo gjëje, të fal dhe të udhëzon.

“Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” – Kur’an, 2:2

(Visited 88 times, 1 visits today)
Top