Wednesday, 16/1/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Tularemia



Tularemia

147_10Tularemia është një infeksion i minjve dhe brejtësve. Përhapet tek njerëzit nga kontakti me kafshën e sëmurë. Mund të transmetohet dhe nga vektorë të tillë si mizat,mushkonjat dhe këpushat. Ka marrë emrin nga vendi Tulare County,Kaliforni.

Shkaqet: Tularemia shkaktohet nga bakteri  Francisella tularensis. Njerëzit mund ta marrin sëmundjen nëpërmjet:

Kafshimit të një mushkonje ,mize kali apo këpushe.
Inhalimit të pluhurave të infektuara ose materialeve bimore.
Kontakti direkt përmes të çarave të lëkurës me një kafshë të infektuar (zakonisht nga një lepur,ketër,kastor)
Ngrënia e mishit të infektuar(rast shumë i rrallë).
Sëmundja më shpesh shfaqet në Amerikën e Veriut dhe pjesë të Europës dhe Azisë. Në SHBA kjo sëmundje është më e shpeshtë në Missouri, South Dakota, Oklahoma dhe Arkansas.

Disa njerëz mund të zhvillojnë pneumoni pas inhalimit të materialit të infektuar.

Simptomat: Simptomat shfaqen 3-5 ditë pas ekspozimit. Sëmundja zakonisht fillon menjëherë dhe mund të zgjasë për disa javë.

Simptomat përfshijnë:

Të dridhura
Irritim të syrit (konjuktivit nëse infeksioni fillon në sy)
Temperaturë
Dhimbje koke
Dhimbje muskujsh
Njolla të kuqe në lëkurë që zmadhohen dhe që ulçerohen
Përshpejtim i frymëmarrjes
Djersitje
Humbje në peshë

Ekzaminime dhe Teste: Përfshihen:

kulturë gjaku për bakterin e tularemisë.
Serologji për tulareminë
Grafi kraharori
Testi i reaksionit të polimerazës (PCR) nga një mostër nga plaga e ulçeruar.
Kjo sëmundje mund të ndikojë tek aglutininat febrile dhe tek disa teste për mononukleozën infeksioze.





Trajtimi: Qëllimi i trajtimit është kurimi i infeksionit me antibiotikë. Streptomicina dhe tetraciklina përdoren më shpesh për trajtimin e këtij infeksioni. Në vend të streptomicinës mund të merret gentamicinë një herë në ditë. Ky antibiotik është provuar se është mjaft efektiv ndaj sëmundjes por studimi është bërë në shumë pak raste sepse vetë sëmundja është mjaft e rrallë. Tetraciklina dhe kloramfenikoli mund të përdoren të vetëm por nuk janë zgjedhje e parë për këtë rast.

Tetraciklinat orale zakonisht nuk u jepen fëmijëve para se tu dalin dhëmbët e përhershëm sepse tetraciklina ndikon në daljen dhe rritjen e dhëmbëve të rinj duke i bërë ata të verdhë.

Prognoza:

Tularemia është fatale në rreth  5% të rasteve nëse nuk trajtohet dhe në më pak se 1% në rastet e trajtuara.

Komplikime të mundshme:

Infeksion i kockës (osteomielitis)
Infeksion i perikardit (cipës që rrethon zemrën)
Meningit
Pneumoni
Kërkoni ndihmë mjekësore nëse simptomat shfaqen pas kontaktit me një kafshe të ngordhur të llojit brejtës ose pas pickimit të mizave,mushkonjave.

Parandalimi: Përdorimi i dorashkave dhe shmangia e kontaktit me kafshët e ngordhura ose të sëmura./keshillamjekesore/