Sábado, 24/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

TRE TE MBYLLURIT NE SHPELLE

TRE TE MBYLLURIT NE SHPELLE

TRE TE MBYLLURIT NE SHPELLE

Dalëngadalë Dielli përshëndeti Tokën dhe u zhduk në horizontin e pafund. E karavani shkonte rru­gës së tij, në shkrëtëtirën e shurdhët dhe të thatë. As­gjë nuk dëgjohej, përveç goditjeve të pat-konjve të kuajve dhe hingëllimës së tyre. Në veri të shkretëtirës ishin bjeshkët e larta dhe të frikshme…

Terri që vinte e shtonte frikën dhe jorehatinë në zemrat e tre udhëtarëve, kurse bjeshkët dhe shkre­tëtira dukeshin edhe më të trishtueshme. Shu­më shpejt u ngrit një furtunë e fortë, si një det i tërbuar me va­lë të mëdha zalli, që ua mbush­te sytë me zall dhe gati sa nuk i verbronte.

IDE E MIRË, O SHOK!
Vetëtinte, bubullimat gjëmonin, qielli i kishte ha­pur të gjitha dyert e veta dhe binte shi i madh. Ishin në situatë pa rrugëdalje. Nuk dinin ku të shko­nin. Ku të strehoheshin?

Njëri prej tyre tha: “Më duket se atje është një shpellë, mund të shkojmë dhe ta kalojmë natën atje, e pastaj ta vazhdojmë rrugën!”

Menjëherë u pajtuan që të tre: “Ide e mre­ku­lluesh­me, o shok!”

Hynë në shpellë. Nga jashtë dëgjohej zëri i erës dhe rënia e shiut. I ftohti kishte filluar të kap­lonte trupin e tyre dhe u dukej se do të ngrinin…!

“MË KËRKONI, DO T’JU PËRGJIGJEM!”
Njëri prej tyre tha: “Çfarë nate!” Ende nuk e kishte kryer fjalinë e tij, kur u dëgjua një zë i trish­­tueshëm dhe një gur i madh u shfaq paprit­mas dhe ua mbylli hyrjen në shpellë. I kaploi mër­zia dhe paniku. U përpoqën me tërë fuqinë që ki­shin ta shtynin gurin, por pa sukses. Gati e hum­bën shpresën se do të dalin ndonjëherë nga shpe­lla, ndaj iu dorëzuan mërzisë së pamatur.

Pastaj, i ndërruan mendimet dhe u pajtuan se as­gjë nuk mund t’i shpëtojë, përveç Allahut xh.sh., të Cilin vendosën që ta thërrasin në ndih­më me veprat e tyre të mira dhe t’i drejtohen sinqerisht dhe të për­ulur. Ndoshta Allahu ua largon atyre këtë fatkeqësi.

Nuk kaluan as disa minuta dhe ata në mënyrë pre­­kë­se po thonin lutjet e tyre më të bukura dhe më të sinqerta, që me anë të veprave të tyre të mira t’i afro­heshin Allahut.

MUNDOHEM T’I KËNAQ
Njeri prej tyre tha: “O Zot i të gjithë botërave… Ti di dhe askush prej Teje nuk di! I kam pasur prindërit në moshë. Më kanë ushqyer dhe më kanë edu­kuar në mënyrë të drejtë. Isha gë­zi­mi i tyre dhe mun­dohesha t’i kënaqja me çdo gjë. Marrëdhëniet e mia me ta ishin ashtu si dëshiroje Ti. Mosdëgjueshmërinë ndaj prindërve Ti e konsi­deron si një nga mëkatet e mëdha… Ti e di se asgjë nuk është më e rëndësishme për mua se ata, as fëmijët, as pasuria.

Çdo mbrëmje u çoja qumësht, me këna­që­si, para se t’u jepja fëmijëve të mi, gruas dhe vetes sime… Gëzimi im nuk kishte fund kur i shihja se si pinin qumështin e mjelë me duart e mia. E kur shihja një buzë­qeshje të lehtë dhe këna­që­sinë në fytyrat e tyre, atëherë e ndieja se si fun­dosesha në gëzim, sepse e kisha bërë atë që më kishte urdhëruar Allahu xh.sh.

SË PARI PRINDËRIT E MI
Një ditë, shkova larg shtëpisë që të mblidhja ca degë. As nuk e kisha marrë vesh se sa shpejt më kish­te kaluar koha. Kur përendoi Dielli, nxi­to­va te prin­dë­rit e mi, ua dërgova qumshtin, por i gjeta duke fje­tur. O Zot, Ti e di sesa jam mërzitur kur u pa­ta vonuar! Nuk doja t’i zgjoja, e as ta pinë qumështin para tyre gruaja, dhe fëmijët dhe shërbëtorët. Mbaja një tas të mbu­shur përplot me qumësht dhe pritja që të zgjohe­shin prindërit derisa agoi dita. Rreth këmbëve të mia qëndronin fëmijët e mi të ur­itur, të cilët qa­nin, e unë thosha me vete: “Së pari prin­dërit e mi, e pastaj ju, e unë do të jem i fundit që do të pijë…”

LUTJA E MIRËBËRËSIT PËR PRINDËRIT E TIJ
E dëgjova babanë si e madhëronte Allahun dhe e falënderonte atë që e kishte ngjallur pas vdekjes (gjumit). I dhashë atij dhe nënës qu­mësht, dhe ata e falënderuan Allahun e Madhë­ruar. Vazhduan të luteshin që Allahu të më shpërblente për këtë. Ndjeva një gëzim të pa­përshkrueshëm.

O Zot, tërë këtë e kam bërë për hir Tëndin, andaj të lutem që të na e largosh këtë gur!”

Menjëherë guri lëvizi pak, por nuk mjaftonte që ndonjëri nga tre udhëtarët të dilte…, duhej që edhe ndonjë tjetër t’i lutej Allahut xh.sh. që t’i shpëtojë nga kjo fatkeqësi.

E KA MBAJTUR PREMTIMIN
U ngrit tjetri dhe tha: “Ti e di, e të tjerët nuk e dinë, se kam njohur një vajzë, të cilën e doja më shu­më se të gjithë njerëzit. Ti i kishe dhënë asaj një bukuri të papër­shkru­ar. Ishte e drejtë dhe e devotshme, nuk i bënte keq askujt. Në bren­dësi dëshiroja t’i bëja diçka të keqe, gjë të cilën nuk do të kisha dashur t’i ndo­dhë motrës a nënës sime.

Shejtani ndizte zjarrin e epshit dhe më nxis­­te në mendime të këqija ndaj saj. Mirëpo, ajo nuk e pra­noi këtë dhe më refuzoi…

Ishte e pastër, e ndershme dhe e devotshme, e kish­te mbajtur premtimin e vet ndaj meje, se nuk do të bënte atë që është e ndaluar.

URIA ËSHTË VRASËSE
Gjatë një viti të vështirë, në të cilën qielli nuk kish­­te lë­shuar shi, e as toka nuk kishte bereqet, uria e kish­te mposhtur këtë vajzë dhe gati e kishte rrëzuar. Nxitoi tek unë dhe kërkoi ndihmë kundër vështirësive të je­tës, që të mos e gjejë vdekja. Nuk kishte as një copë buke për të zbutur urinë. Babai i saj nuk i kishte lënë asnjë dinar e as një dërhem. Unë isha i pasur dhe përsëri më kapluan mendimet e këqija. Mendova se si­tuata e saj do ta detyrojë që të përkulet dhe të lë­shojë pe para asaj që i kam kërkuar…

I thashë asaj: “Do të të jap çfarë të duhet, por duhet të kryesh atë që dëshiroj prej teje!

Refuzoi dhe u kthye nga erdhi.

Uria gati po e vriste, dhe nuk kishte mun­dë­­si të kërkonte ndihmë nga askush.

LARGOHU NGA MENDIMET E KËQIJA TË SHEJTANIT
Në fund, erdhi tek unë dhe pa dëshirë pranoi atë që kisha kërkuar nga ajo. Në sytë e saj pa­­shë lotët dhe dhembjen e thellë. M’i zgjati duart dhe tha: “Të lutem! Mos lejo që mendimet e kë­qija të shejtanit të të rrëzojnë. Mos më shfry­tëzo në këtë mënyrë, por vetëm në mënyrë të nder­sh­me.Martohu me mua sipas ligjeve të Allahut dhe ta lidhim kurorën para Allahut dhe para njerëzve.

Fillova të dridhem nga frika dhe më dolën lo­tët, duke iu frikësuar hidhërimit të Allahut dhe dënimit të Tij. Ia dhashë paratë që kërkonte. I mori 120 dinarë, e lumtur dhe e reha­tuar që nuk bëra diçka të keqe dhe që e kishte ruajtur nderin e vet.

NUK DËSHIROJA ASGJË PËRVEÇ KËNAQËSISË SATE
E vazhdoi njeriu tregimin e vet: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili më udhëzoi në rrugë të drej­të! Nuk iu nënshtrova presionit të shejtanit, por e refu­zova, tërë këtë për hir Tëndin, o Zot!

O Zot, u frikësova nga Ti dhe e lashë të shkojë me paratë (edhe pse e doja pa masë). O Zot, unë u fri­kësova nga ajo ditë kur do të dal para Teje për të dhënë llogarinë. Atëherë nuk do të më shpë­to­jë e tërë pa­su­ria ime. Atë ditë nuk do të pranosh askë, përveç­se atë që vjen me bindje të pastër…

O Zot, e di se e kam bërë këtë për hir të fisn­ikë­risë Sate. Na ndihmo dhe na e lehtëso këtë situatë!”

Guri lëvizi edhe ca, por jo edhe aq sa të mund­­te dikush të dilte nga aty.

Erdhi radha tek i treti që ta luste Allahun për shpëtim.

JEPJA PUNËTORIT HAKUN!
U ngrit edhe i treti, pas lutjes së bashkudhë­tarëve të vet, dhe tha:

“O Zot, Ti di e të tjerët nuk dinë se kam pa­sur pa­su­ri të madhe dhe punëtorë. Me ta sillesha në mënyrë të drejtë dhe me nder dhe i shpër­bleja me atë që Ti ma kishe dhënë, andaj ua paguaja punën pa­ra se t’u thaheshin djersët…

Një ditë e kërkova njërin nga punëtorët e mi, por nuk e gjeta. Kishte shkuar e nuk e kishte ma­rrë më­dit­jen e tij. Që nga atëherë kishte kaluar shumë kohë dhe unë mëditjen e tij e investoja në punë të reja, kësh­tu që ky investim sillte fitim të madh. Një ditë, ai punëtor u kthye tek unë, pasi kishte rënë në vështirësi financiare. Më tha: “Dikur, moti, kam punu­ar te ju dhe nuk e pata marrë mëditjen time! Tani ajo më duhet. A mund të ma paguani atë?”

NA SHPËTO NGA KJO SITUATË!
Iu përgjigja: “Në këtë luginë, gjithë çka sheh është jotja, si rezultat i mëditjeve të tua!”

Shikoi nga lugina dhe pa deve, lopë, dele, aq shumë, saqë as që kishte mundur t’i ëndërronte. U habit dhe gjuha i përzihej, por shumë shpejt u zgjua nga gjumi i bukur që e kishte kapluar dhe tha: “Po bëni shaka, zotëri!”

Iu përgjigja: “Jo, pasha Zotin, unë mëditjen tënd e kam investuar dhe nga ajo u bë kjo pa­suri… Merri të gjitha ato që t’i ka dhuruar Allahu, me fat dhe shko i qetësuar!”

Njeriu e mori kopenë e tij nga lugina e ma­dhe duke mos u besuar syve të tij.

“O Allah, tërë këtë e kam bërë për Ty dhe për fisnikërinë Tënde. Na shpëto nga kjo fatke­qësi në të cilën kemi rënë!”

ALLAHU NUK I HUMB TË MIRAT E BESIMTARËVE!
E guri lëvizi edhe pak, por këtë herë ishte e mjaf­­tueshme që të tre udhëtarët të mund të dil­nin nga shpella.

Buzëqeshja filloi t’ua ndriçojë fytyrat e tyre dhe filluan që t’u dridhen buzët nga gëzimi…

Ia arritën të dalin nga aty dhe ta vazhdojnë rru­­gën e tyre, duke u kënaqur me fisnikërinë e Allahut, duke besuar se Ai asnjëherë nuk harron t’i shpër­blejë mirëbërësit.

O Zot, bekoji punët tona dhe le të jenë të sin­qerta vetëm për Ty, Ti i Cili u përgjigjesh lutjeve tona!

Madhërimi të takon vetëm Ty, o Zot i botë­ve!

MËSIME NGA TREGIMI
1. Muslimani gjithnjë i drejtohet Allahut xh.sh. duke e lutur Atë në të mirë, e si­do­mos kur ësh­të në raste të vështira, në më­ny­rë që Allahu xh.sh. t’ia largojë atij të këqijat, siç vep­ruan këta tre burra në shpellë.

2. Një nga kushtet e pranimit të lutjes është që muslimani ta dojë Allahun dhe t’i për­mendë veprat e veta më të mira, siç bënë tre njerëzit (në shpellë v.p.)

3. Për muslimanin kënaqësia e prindërve të vet duhet të jetë më e rëndësishme se kënaqësia e nje­rëz­ve të tjerë, qofshin edhe fëmijët e tij, si­ç veproi druprerësi, i cili nuk donte t’u jepte qumësht fëmijëve dhe gruas para prin­dërve të vet, të cilët i kishte pritur derisa ishin zgjuar.

4. Mirësia ndaj prindërve është një ndër punët më të mira. Allahu e pranoi lutjen e nje­riut të i dëgjueshëm ndaj prin­dërve të tij.

5. Muslimanit nuk i lejohet ta keqpërdorë pa­su­rinë e vet dhe varfërinë e të tjerëve, du­ke kërkuar prej tyre të bëjnë atë që është mëkat ose që i dëmton ata, siç de­shi të bënte djaloshi me vajzën e varfër.

6. Muslimani duhet ta përkujtojë Allahun, t’i fri­kësohet Atij, ta dijë se Ai është i Plot­fu­qi­shëm dhe se e dëgjon dhe e sheh atë, se do të japë llogari para Tij, edhe pse shejtani e nxit të bëjë gjëra të liga. Kjo duhet ta nda­lojë atë nga pu­nët e liga (si rasti me djaloshin, i cili i dha para vajzës pa e dëmtuar).

7. Islami i urdhëron njerëzit të jenë të besue­shëm dhe t’i ruajnë të drejtat e të tjerëve, si dhe të mos bëjnë dhunë duke ua marrë pasurinë në mënyrë të padrejtë, siç veproi edhe treg­ta­ri me bagëti, i cili e kishte ruaj­tur mëditjen e ba­riut dhe, pasi pasu­ria ishte shtuar, ia ktheu më të rritur.

8. Dorëzimi i gjërave të besuara pronarëve të tyre bën pjesë në veprat e mira. Allahu xh.sh. e kishte pranuar lutjen e nje­riut që ia kishte kthyer punëtorit mëditjen e tij pasi ishte shumëfishuar.

9. Muslimani duhet t’i zgjedhë shokët e mirë, të cilët do të jenë për të ndihmesë dhe bekim nga Allahu xh.sh. në të mirë dhe në të ke­qe. Këta tre njerëz të mirë ishin të dobi­shëm për njëri-tjet­rin kur guri ua mbylli dal­jen nga shpella.

(Visited 23 times, 1 visits today)
Top