Domingo, 15/12/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Të veçantët duhen duruar dhe përkrahur në mënyrë të veçantë

Të veçantët duhen duruar dhe përkrahur në mënyrë të veçantë

Tregimi 25
Të veçantët duhen duruar dhe përkrahur në mënyrë të veçantë
“…Vetëm ata që janë të durueshëm kanë shpërblim të pakufizuar.” (Kuran, ez-Zumer: 10)
Gjatë një darke të shtruar për grumbullimin e fondeve për një shkollë për fëmijë me aftësi të kufizuara, një nga prindërit e fëmijëve që ndiqnin shkollën, mbajti një fjalë rasti, e cila pati ndikim të madh tek të gjithë pjesëmarrësit.
Pasi përshëndeti shkollën dhe stafin e saj, ai tha: “Biri im nuk mundet t’i mësojë gjërat në të njëjtën mënyrë që i mësojnë fëmijët e tjerë të zakonshëm. Ai s’mund t’i kuptojë temat që të tjerët i kuptojnë. Pyetja që më vinte ndërmend që në fillim, ishte: ”Gjithçka përreth është e mrekullueshme dhe perfekte. Por, përse biri im nuk është pjesë e sistemit të rregullt? Përse ai është me të meta?”
Më vonë fillova të besoj se, kur vjen në jetë një fëmijë si biri im, i cili ka mangësi trupore dhe mendore, perfeksioni¬zmi dhe madhështia e krijimit shfaqet në mënyrën se si e trajtojnë njerëzit e tjerë atë. Më saktë, po jua tregoj një ndodhi e cila ka lënë gjurmë tek unë dhe familja ime: Një ditë, unë dhe biri im kaluam pranë një fushe, ku dy grupe fëmijësh të së njëjtës moshë me djalin tim po luanin bejzboll. Për njerëz si puna ime, që nuk dinë si luhet kjo lojë, rezultati më i lartë shënohet kur një lojtar arrin të kalojë në katër pika rreth fushës për t’u kthyer te pika ku nisi. Duke i parë, im bir më tha: “A thua më lejojnë që të luaj dhe unë me ta?”
Isha i sigurt se fëmijët nuk do të dëshironin të kenë në skuadër një fëmijë me aftësi të kufizuara si djali im. Megjithatë, si baba, e dija që nëse do ta lejonin të luajë, do ta bënin të përjetojë ndjesinë e përkatësisë, dhe do t’i falnin goxha besim te vetja, do ta bënin të ndihej i pranuar nga të tjerët, pavarësisht të metave fizike.
Megjithë hezitimin, iu afrova fëmijëve dhe pavarësisht se nuk prisja shumë prej tyre, e pyeta njërin prej tyre nëse biri im mund të luante bashkë me ta. Djali i hodhi një shikim birit tim dhe pa e zgjatur shumë m’u përgjigj: “Janë gjashtë gola para nesh dhe jemi në raundin e tetë, megjithatë besoj se mund ta fusim në raundin e nëntë dhe t’i japim një shkop bejzbolli.”
Im bir gati sa nuk fluturoi. Duke ecur me vështirësi ai vajti tek stoli i rezervave dhe veshi fanellën e skuadrës me një buzëqeshje rrezatuese. Unë e ndiqja me sy që më lotonin nga gëzimi dhe një ngrohtësi në zemër të papërshkru¬eshme, gjë të cilën fëmijët e tjerë e vunë re kollaj dhe u entuziazmuan.
Pozitat e skuadrës së djalit tim u përmirësuan në raundin e tetë, megjithatë skuadra kundërshtare vazhdonte të kryesonte me tri gola.
Me fillimin e raundit të nëntë, tim biri i dhanë dorëza dhe i caktuan të qëndrojë në anën e djathtë të fushës. Pavarësisht se topi nuk mbërriti kurrë tek ai, gëzimi dhe zelli i tij ishin të papërshkrueshëm. Buzëqeshja nuk i shqitej nga fytyra, ndërkohë që unë ia bëja me dorë nga stoli.
Skuadra e birit tim shënoi dhe një pikë tjetër duke e ngushtuar rezultatin, gjë e cila e bënte fitoren të mundshme. Tashmë ishte radha e tim biri të kapte shkopin. Mos mendoni se do të pranonin fëmijët e tjerë që t’ia linin tim bir ta humbasë këtë shans të vyer për t’iu afruar më shumë fitores?!
Për çudinë time ia dhanë shkopin, pavarësisht se të gjithë e dinin se im bir e kishte të pamundur të shënojë pikë, ai as shkopin nuk e kapte dot siç duhej, jo më të qëllonte topin.
Duke iu afruar rrethit të lojës, skuadra kundërshtare e kuptoi që skuadra e tim biri po e sakrifikonte lojën për një qëllim më madhor, prandaj dhe gjuajtësi i topit, bëri dhe disa hapa dhe e hodhi topin krejt lehtë, me qëllim që im bir të arrinte ta prekte me shkop.
Im bir u orvat ta godiste topin me një lëvizje tepër të ngathët, duke e kthyer sërish tek gjuajtësi.
Këtu menduam se do të ishte fundi i lojës.
Mbrojtësi i skuadrës kundërshtare e kapi topin ngadalë dhe shumë kollaj mund t’ia kalonte shokut të tij në pikën e parë, gjë që do ta nxirrte tim bir nga loja menjëherë, por, në vend të kësaj, ai e hodhi topin larg shokëve të tij. Të gjithë tifozët filluan të brohorasin dhe ta nxisin tim bir që të shkojë dhe ta marrë topin te pika e parë. Pavarësisht lëvizjeve të ngathëta të tim biri, ai arriti tek topi, i shoqëruar nga brohoritjet e tifozëve dhe motivimi i lojtarëve të dy skuadrave. Ishte hera e parë që im bir kishte vrapuar aq shumë. Me sytë e zgurdulluar dhe trupin që i dridhej, im bir arriti te pika e parë.
Të gjithë tifozët brohorisnin: “Vrapo te pika e dytë!”
Im bir arriti te pika e dytë, sepse lojtarët kundërshtarë, në vend që ta pengonin, e drejtonin dhe ndihmonin drejt pikës së dytë, duke i dhënë zemër dhe kurajo.
Të gjithë i brohorisnin që tashmë të nisej për te pika e tretë.
Im bir mori frymë thellë dhe u nis duke çaluar drejt pikës së tretë, ndërkohë që fytyra i shkëlqente nga gëzimi dhe shpresa. Pasi mbërriti te pika e tretë, lojtarët e dy skuadrave formuan një korridor duke e drejtuar tim bir për tek pika e katërt, që ishte dhe pika e fitores për tim bir dhe skuadrën e tij. Ai vrapoi gjithë zell drejt pikës së katërt nga ku kishte filluar dhe e shkeli me këmbë rrethin. Të gjithë brohoritën dhe e përshëndetën duke i thirrur: “Kampioni!” i cili i kishte dhënë fitoren skuadrës së vet.
Ata fëmijë i falën tim biri shkëndija shprese dhe dashurie të sinqertë. Kur vajtëm në shtëpi, iu hodh së ëmës në krahë dhe i rrëfeu lojën dhe fitoren që i kishte dhuruar skuadrës së tij.
Im bir nuk arriti ta shihte me sy verën tjetër, pasi ndërroi jetë atë dimër. Por gjer ditën e vdekjes ai jetoi me gëzimin e fitores së asaj dite të veçantë.”
● Është obligim për të gjithë që të kenë durim të mirë me njerëzit me nevoja të veçanta, sidomos është obligim për prindërit, sepse kur prindi e mirëkupton dhe sillet me të me durim, butësi e urtësi, edhe të tjerët do t’i përkrahin më shumë ata. Përkrahja e prindit për ta është gjithçka, prandaj nuk duhet të hezitojnë për të bërë atë. As ata nuk dëshiruan të ishin në atë gjendje, po ja që caktimi i Zotit ishte i tillë, që t’i testojë ata, prindërit e tyre dhe shoqërinë se si po sillen me ta. Sprova nuk është e lehtë, por edhe shpërblimin tek Allahu është i madh nëse prindi duron me një durim të bukur, ashtu siç u përmend fjala e Allahut të fillim të tregimit.
Nga libri  Prindërit_e_Suksesshëm

(Visited 33 times, 1 visits today)
Top