Sábado, 23/2/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
No Data

Të ndihmojmë fëmijën të bëhet i organizuar



Të ndihmojmë fëmijën të bëhet i organizuar

Jo të gjithë fëmijët dhe jo të gjithë prindërit janë të organizuar, qoftë edhe për nga vetë natyra e tyre. Tre janë çelësat kryesorë sipas studiuesve për të ndihmuar fëmijën të jetë i organizuar në angazhimet e tij në shkollë.

1.      Përgatitja

2.      Fokusimi

3.      Përfundimi

Këto janë pika nëpër të cilat duhet të kalojë çdo angazhim apo detyrë që fëmija ka.

 

Pika e parë përgatitja, ka të bëjë me të bërit gati. Është e rëndësishme të kuptohet mirë kërkesa e detyrës që fëmija ka dhe të përgatiten gjërat e nevojshme për realizimin e saj, p.sh., në rastin kur fëmijës i është kërkuar të bëjë përmbledhjen e një libri jashtëshkollor, përgatitja konsiston në faktin se çfarë i duhet atij për të filluar këtë detyrë? Ndihmojeni atë të bëjë një listë veprimesh si:

–          Zgjedhja e librit

–          Të sigurohet që i ka të qarta kërkesat e mësueses

–          Sigurimi i librit

–          Caktimi i një dite , afati në kalendar për ta përfunduar atë





Gjithashtu është e nevojshme edhe një listë mjetesh në mënyrë që fëmija të mos shpërqendrohet kur të ketë filluar detyrën, si: libri, fletorja, stilolapsi, lista me kërkesat e mësueses etj.

 

Pika e dytë ka të bëjë me fokusimin, nënkupton të qenit strikt me vetveten. Këshillojeni fëmijën që ti qëndrojë strikt listës së mëparshme edhe pse kjo mund të jetë e vështirë kur fëmijës i dalin përpara edhe gjëra të tjera për të bërë. Mësojini fëmijëve që është e rëndësishme që ato të mësojnë t’u rezistojnë tundimeve. Mundet që gjatë kohës që fëmijët po bëjnë detyrat, u del një sugjerim tjetër përpara, ndoshta një film, ndoshta një shëtitje, ndoshta një lojë. Në këto moment është e rëndësishme që ti sugjeroni fëmijëve që gjatë impulsive të tilla të pyesin veten: A është kjo ajo që duhet të bëj?

Nëse mendoni se fëmijës i ka ardhur momenti për të bërë pak pushim atëherë sugjerojini vetë që të luajë, të shkëputet pak por me kusht që shpejt do ti rikthehet detyrave.

 

Pjesa e tretë dhe e fundit ka të bëjë me përfundimin e detyrës. Kjo pjesë nuk duhet të anashkalohet nga prindërit, përkundrazi është shumë e rëndësishme. Duhet që në fund të realizimit të detyrës së caktuar, të bëhet edhe një kontroll sigurie, që gjithçka është në rregull. Në këtë mënyrë korrigjon ndonjë gabim të mundshëm. Përveç kësaj ky është edhe një moment që duhet shfrytëzuar nga prindërit për të përgëzuar fëmijët për punën e bërë, ndoshta edhe duke e shpërblyer atë si shenjë motivimi për detyrën e ardhshme.

 

 

Përgatiti: Suada Hajredinaj