Sexta-feira, 22/3/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

SOFRA E JETËS



SOFRA E JETËS

SOFRA E JETËS
Në sofrën e jetës dijetarët ushqehen dhe ushqejnë
Udhëtojnë në zemrat e tyre dhe paqen aty e gjejnë
Ata nuk të mësojnë çfarë duhet por si duhet të mendosh
S’të flasin për paqen po veç për pengesat që drejt saj s’të lënë të shkosh
Të mësojnë se ta kërkosh paqen tek vetja nuk është gjë e lehtë
Por ta gjesh atë tek të tjerët është e pamundur përjetë
Merr nga kjo sofër çfarë të hahet dhe mos e përbuz atë që s’të shijon
Ajo që për ty mund të jetë e pakëndshme, për tjetrin është ilaç që shëron
Me Ujin e Mëshirës Hyjnore në këtë sofër dituria gatuhet
E vërteta që shkakton turbullira, më mirë është të mos thuhet
Ajo ka kohën e saj, gruri i papjekur nëse bluhet, për çfarë duhet?
O ti që më do dhe më thua se flas mrekullueshëm
Ne mund të jemi të ditur por jo edhe të pagabueshëm
Nëse i njoh nëntë gjëra mund ta gaboj të dhjetën
Por ti për shkak të një gabimi mos braktis të vërtetën
Ai që nuk mëson nga të mençurit ka një arsye të fortë:
Për fëmijën diamanti është një gur si gjithë gurët në botë,
Ai që nuk mëson nga budallenjtë, është budallai vetë,
Askush si budallenjtë s’na kursen nga gabimet në jetë
E Vërteta është Një e dëshira ka aq sa ka zemra në tokë
Po s’i deshën gjërat e njëjta, dy veta nuk bëhen shokë
Dëgjo!
Këtu nuk erdhëm veç për t’u mësuar, por për t’u zbuluar
Nëse mësimi s’është zbulim, më shumë të vërtetën ka për ta mbuluar
Ai që tek njerëzit e mençur sheh veç gabimet, është më i madhi gabimtar
Por ç’e do që të metat tona te tjetri i vërejmë në shikim të parë
Mos lakmo të jesh si dikush tjetër që koha të të mos vejë kot
Vetën do ta humbasësh e si tjetri nuk bëhesh dot
Secili një herë kemi ardhur në botë e si ne s’vjen i dyti
Ti mund ta marrësh farën e kosit nga tjetri, por qumështi duhet të jetë yti
Merr nga sofra e jetës ku dijetarët ushqehen për jetë të jetëve
Merr e mos ngurro se ata janë trashëgimtarë të profetëve
Ata shohin me Dritën e Qiejve dhe Tokës
Ata të tregojnë si të mësosh nga gjithë krijesat e botës
Si ruhet një zemër prej tjetërsimit, këtë mësoje nga bleta
Ajo merr nektar nga gjithë lulet e prapë mbetet vetvetja
Vështroje merimangën e tek gjahu i huaj shpresa mos mbaj,
Ajo ushqehet veç me insektet që bien në rrjetën e saj.
Shtazët më fort se njerëzit shikimet i përqëndrojnë
Por me bisht të syrit nuk dinë të shikojnë
Veç gjuhës, gjithë pjesët e trupit ndjejnë nevojë të pushojnë
Le të pushojë dhe gjuha që zemrat në paqe të jetojnë
Ulu në sofrën e jetës dhe ushqehu me fjalët që kurrë nuk mbarojnë!
Fatmir Muja





(Visited 3 times, 1 visits today)