Sábado, 30/9/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
United States
+11C

Si ti parandalojmë sëmundjen e zgjerimit të venave

Si ti parandalojmë sëmundjen e zgjerimit të venave

 

Nëse në fund të orarit të punës ndjeni lodhje të këmbëve, kjo do të duhej të ishte sinjali i parë që, nëse nuk përfillet, do të mund të na ngadalësojë qarkullimin venoz dhe atë limfatik, i cili mundëson formimin e celulitit dhe venave të zgjeruara.

Shumë gra mbi moshën 30 vjeç vuajnë nga dhimbja dhe shfaqja e variceve, por vetëm duke mbajtur sistemin tretës në lëvizje, mund të gjeni çelësin e shmangies së këtij problemi. Këshilla e mjekëve për gratë është të parandalojnë shfaqjen e varikozës, duke zgjedhur ushqime të pasura me produkte të bimëve me kërcell, (fibra) gruri, orizi, etj; të cilat ndikojnë në funksionimin e rregullt të organeve të brendshme si dhe rregullojnë lëvizjen e muskujve, në rastet kur vuani nga gjymtyrët e poshtme.

*Kujdesi
Kujdesi i vogël që do t’u kushtojmë këmbëve, do të mënjanonte jo vetëm pengesat momentale, por do të ndihmonte edhe në evitimin e komplikimeve të mëvonshme serioze. Nëse kalojmë shumë orë duke punuar në tavolinë, ose qëndrojmë në këmbë pa pushuar, na ngadalësohet qarkullimi, në të vërtet na rritet sasia e gjakut që rrjedh poshtë dhe pengon kthimin lart, drejt zemrës, ku duhet të pastrohet dhe të rikthehet në cikël. Madje as personat që veshin fustane të puthitura dhe të ngushta ose pantallona të ngushta, nuk janë të liruar nga lodhja dhe nga dobësia e këmbëve, sepse venat dhe enët limfatike duhet të jenë të lira për të kryer funksionin e tyre; veshmbathja e ngushtë bënë vetëm presion në këto enë, dhe si pasojë, ngadalëson qarkullimin venoz. Po ashtu edhe ambienti tepër i ngrohtë është i dëmshëm për qarkullimin e gjakut dhe shkakton ndjenjën e rëndësisë në këmbë.

*Pengesat
Arteriet e marrin gjakun e pasur me oksigjen dhe lëndë ushqyese nga zemra dhe ua dërgojnë organeve dhe indeve. Ky këmbim bëhet në nivel të kapilarëve, kurse produktet e mbetura përmes rrjetit limfatik dhe atij venoz kthehen drejt zemrës. Kjo është e mundur vetëm nëse sistemi limfatik dhe ai venoz janë funksionalë. Për të mundësuar këtë, muskujt e këmbës me kontraksionin dhe relaksimin e tyre duhet ta ndihmojnë kthimin e gjakut “të papastër” lart, duke imituar pompën hidraulike, e cila me forcën e vetë e mposht ndikimin e gravitacionit. Në të kundërtën vjen deri te staza e gjakut, në të cilën qarkullimi limfatik dhe ai venoz nuk mund ta kthejnë drejt zemrës. Indet kështu nuk ushqehen mirë, pasi nuk marrin oksigjen të mjaftuar. Kjo gjendje shkakton ndjenjën e lodhjes dhe të dobësisë së këmbëve. Me kalimin e kohës, staza sjell deri te grumbullimi i produkteve metabolike ndërmjet kapilarëve, qelizave indore dhe enëve limfatike, zgjerimin e venave dhe ngadalësimin e qarkullimit. Pasojat: celuliti, këmbët e ënjtura dhe venat e zgjeruar.

*Këshillat
Mjekët rekomandojnë që këmbët të vihen sa më shumë në lëvizje, por lëvizjet duhet të jenë të ekuilibruara dhe të bëhen në hapësira të rrafshëta dhe jo me gurë. Nga ana tjetër sipas specialistëve që merren me këtë çështje, është e rëndësishme që femrat të mos përdorin taka më shumë se tre ose katër centimetër dhe meshkujt të mos ngrenë pesha të rënda. Për të dyja gjinitë është e këshillueshme që gjatë natës këmba të lidhet me një korse najloni, e cila nuk lejon përhapjen e gjakut nëpër të gjithë damarët. Shfaqja e venave varikoze mund të jetë e trashëgueshme, por edhe mund të ndodhë pas moshës 30-vjeçare, kryesisht tek gratë shtatzëna, pasha trupore e të cilave bëhet relativisht e madhe dhe trupi bie në qetësi, si mungesë e lëvizjeve të përditshme. Po ashtu ato mund të shfaqen pas kësaj moshe edhe tek meshkujt. Por tek këta të fundit, zhvillimi i variceve është veçse i trashëguar.

*Kapilarët
Kapilarët janë enët më të vogla të gjakut. Funksioni i tyre është shkëmbimi i lëndëve, lëvizja e lëndëve midis enëve të gjakut dhe indeve. Që të kryejnë këtë punë, sipërfaqja totale e gjithë kapilarëve është shumë e madhe (sipërfaqja e madhe lehtëson difuzionin). Si pasojë, rrjedha e gjakut në kapilarë është e ngadaltë dhe kapilarëve u duhet të prodhojnë lëndë antikoagulante për të parandaluar trombozën (rrjedhja e ngadaltë është një nga tre faktorët që predispozojnë për trombozë; dy të tjerët janë dëmtimi i endotelit, dhe rritja e aftësive koaguluese të gjakut). Muret e kapilarëve janë shumë të holla dhe mure të tilla të dobëta nuk mund ta përballojnë presionin e lartë arterial. Presioni kapilar është shumë më i vogël sesa presioni arterial. Ulja e presionit bëhet e mundur nga arteriolat. Venat rikthejnë gjakun në zemër. Që të kryejnë këtë funksion, venat janë të pajisura me valvula që nuk lejojnë kthimin e gjakut mbrapsht. Tkurrja e muskujve të gjymtyrëve i shtrydh venat dhe e shtyn gjakun drejt qendrës (pompa muskulore). Po ashtu, presioni negativ gjatë frymëmarrjes ndihmon kthimin e gjakut për në zemër.

*Parandalimi i problemeve në vanat e gjakut
Shumë kohë më parë njerëzit përdornin korse najloni për t’i mbajtur venat të shtrënguara fort. Por ilaçet kundër dhimbjeve dhe korsetë e ngushta të këmbëve ka kohë që nuk japin ndonjë rezultat të mirë. Ënjtja e venave mund të bëhet edhe shkak për bllokimin e qarkullimit të gjakut. Imazhet me ultratinguj tregojnë se në çfarë gjendjeje ndodhen këto vena. Ndërhyrja me reze thuajse nuk ndjehet fare. Rezet laser në këtë rast zëvendësojnë bisturinë e kirurgut. Kjo është edhe arsyeja, që shumë pacientë kërkojnë të trajtohen me këtë metodë. Nëpërmjet rezeve laser, venat çahen dhe pasi bëhet zhbllokimi i tyre, vendi i çarjes mbyllet përsëri. Shkencëtarët thonë se operacione të tilla me reze laser janë të suksesshme në 95 për qind të rasteve. Shkaktari i ënjtjes së venave nuk dihet dhe në disa raste kjo sëmundje është gjenetike.

*Këshilla për të shmangur variçet
– Përdorni xhel freskues për këmbët
– Mos mbani këpucë me taka më shumë se 4 centimetër
– Mos përdorni këpucë të sheshta plotësisht
– Përdorni produkte bimësh jeshile me kërcell
– Mos hiqni nga menyja orizin
– Përdorni vazhdimisht grurin
– Mos qëndroni ulur për më shumë se një orë në të njëjtën pozicion
– Mos i mbani këmbët e kryqëzuara
– Mos mbani pesha të rënda
– Përdorni korse najloni në mbrëmje/tiranaobserver/