Domingo, 19/5/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shtëpia që ka dashuri ka sukses dhe pasuri



Shtëpia që ka dashuri ka sukses dhe pasuri

Një grua doli nga shtëpia e saj dhe i pa tre burra të vjetër me mjekra të gjata e të bardha të cilët ishin ulur në oborr. Ajo nuk i njohu ata, andaj iu drejtua me këto fjalë:

“Unë nuk po ju njoh juve, por ju me siguri jeni të uritur, andaj ju lutem urdhëroni hyni në shtëpi që t’ju jap për të ngrënë.”

Ata e pyetën: “A është nikoqiri në shtëpi?”

Gruaja u përgjigj: “Jo, ai ende nuk është kthyer nga puna.”

“Atëherë ne nuk mund të hyjmë në shtëpi” – thanë të moshuarit.

Në mbrëmje, kur burri i saj u kthye në shtëpi, ajo i tregoi atij se çka i kishte ndodhur. Kur e dëgjoi këtë, burri i saj i tha: “Shko thirri ata le të vijnë të hyjnë në shtëpi.”

Gruaja doli dhe përsëri i ftoi ata në shtëpi, kurse ata thanë: “Ne nuk mund të hyjmë në shtëpi të gjithë së bashku.”

“Pse?”, i pyeti ajo.

Njëri prej tyre ia sqaroi: “Emri i tij është Pasuri”, i tha duke treguar me dorë kah njëri nga shokët e tij, kurse emri i atij tjetri është Sukses”, dhe tregoi kah shoku i dytë, kurse emri im është Dashuri.

Ti kthehu përsëri në shtëpi dhe pyete burrin se cilin prej nesh ai dëshiron ta mirëpresë në shtëpinë e tij.”

Gruaja hyri në shtëpi dhe ia shpjegoi bashkëshortit të saj se çfarë po ndodhte, kurse ai, me plotë kënaqësi, i tha:

“Sa mirë qenka kjo! Megjithatë, unë do ta thërrasë të vjetrin me emrin Pasuri, dhe le ta mbushë shtëpinë tonë me pasuri dhe bollëk.”





Gruaja nuk u pajtua me propozimin e burrit të saj, kështu që tha: “I dashur, pse mos ta ftojmë Suksesin?”

Krejt këtë bisedë po e dëgjonte edhe reja e tyre (nusja e djalit), e cila ishte në një dhomë tjetër, kështu që nxitoi që edhe ajo ta paraqet propozimin e saj, duke thënë:

“A nuk do të jetë më mirë që ta thërrasim të vjetrin që quhet Dashuri, dhe shtëpinë tonë ta mbushë me dashuri?!”

Atëherë nikoqiri i tha gruas së tij: “Le të dëgjojmë këshillën e resë sonë. Shko dhe thirre të vjetrin Dashuri, le të hyjë në shtëpi.”

Gruaja doli dhe pyeti: “Cili prej jush është Dashuria? Le të hyjë në shtëpi që të jetë mysafir i ynë.”

I vjetri Dashuri u ngrit dhe u nis kah shtëpia, por pas tij u nisën edhe ata dy të tjerët. Gruaja u habit kur i pa ata, kështu që ju tha:

“Unë e ftova vetëm Dashurinë. Pse edhe ju të dy po shkoni me të?”

Dy burrat e vjetër u përgjigjen:

“Nëse do ta kishe ftuar Pasurinë apo Suksesin, dy të tjerët do të qëndronin jashtë. Por, pasi që ti e ftove Dashurinë, kudo që shkon Dashuria, edhe ne shkojmë me të. Kudo që ka dashuri, aty është edhe suksesi edhe pasuria!”

Përshtati: Miftar Ajdini

(Visited 39 times, 1 visits today)




Top