Segunda-feira, 20/5/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shtatë tipare të rinisë shumë të suksesshme muslimane



Shtatë tipare të rinisë shumë të suksesshme muslimane

“Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre. Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më shumë ua shtuam bindjen. Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm) saqë, kur u ngritën, thanë: “Zoti ynë është Zot i qiejve e i tokës, nuk adhurojmë ndonjë zot, pos Tij, sepse atëherë do të thoshim diçka shumë mizore!” (Kur’an, 18: 13-14).

Thjesht, nuk mund t’i ikësh kësaj. Diskutimet rreth shprehive tua mund t’i dëgjosh në çdo anë: e ëma dhe i ati vazhdimisht të thonë që t’i ndërpresësh zakonet tua të këqija; mësuesit të thonë që të kultivosh shprehi të mira; shokët të nxisin që t’i përvetësosh shprehitë e tyre të mira; e edhe televizori e mediumet e tjera, në anën tjetër, janë duke ndikuar në ty që të zbulosh shprehi të reja dhe të ashtuquajtura “cool”.

“Asnjëherë nuk do të kesh sukses,” thotë një refren i përhershëm, “gjersa të mos i shembësh shprehitë e këqija, dhe të kultivosh të tjera të mira!” Në fund të fundit, e tëra (e tërë çështja) të përket ty. Pra, ti je ai që vendos se çfarë shprehish do të kesh! E, a e ke futur hiç ndër mend këtë gjë, vallë?

Nëse je gjallë e je duke marrë frymë, duhet vazhdimisht të jesh i angazhuar në përpjekje të brendshme për të kultivuar shprehi e zakone që të afrojnë më shumë te Allahu, Më i Larti. Suksesi në këtë botë është drejtpërdrejt i lidhur me fuqinë e lidhjes sate me Allahun e Madhëruar. Pra, sa më larg që njeriu është nga Allahu dhe nga mësimet e Pejgamberit, alejhi selam, aq më pak i suksesshëm do të jetë në këtë botë, dhe me siguri se edhe në botën e përtejme. Andaj, a nuk është koha që ne të mendojmë rreth mësimeve islame, që të dallojmë shprehitë e nevojshme të rinisë shumë të suksesshme muslimane?

Më poshtë keni së paku shtatë shprehi të domosdoshme për një rini shumë të suksesshme muslimane, të nxjerra nga Kur’ani Famëlartë dhe nga mësimet e Pejgamberit, alejhi selam.

Ji i çiltër!

Të qenët i çiltër nuk është gjithmonë punë e lehtë, veçanërisht kur bëjmë gabim. Ne sillemi e pështillemi se a të zbulojmë apo jo atë që vërtet ka ndodhur. Si rrjedhojë, djersitemi, frikohemi, ndihemi të nevrikosur e të paqetë. Shpesh frikohemi që, nëse e zbulojmë të vërtetën në lidhje me atë që e kemi bërë apo thënë, do të kemi probleme me prindërit a me miqtë tanë. Ndërkaq, ajo që ne e harrojmë është se, pa marrë parasysh se a e shfaqim ne të vërtetën apo jo, Allahu i Lartësuar e di hollësisht se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, madje edhe ato gjëra të cilat nuk janë manifestuar a që nuk kanë qenë të para as nga njerëzit që kanë qenë përreth nesh. Pavarësisht nga ajo se sa e vështirë mund të duket tregimi i së vërtetës, që të gjithë ne e dimë se çfarë ndjenje lehtësie përjetojmë kur e themi atë të vërtetë, edhe pse pasoja e tregimit të së vërtetës mund të jetë ndëshkim. Për sa i përket tregimit të së vërtetës dhe të ardhmen e të çiltrit, konkretisht se në të vërtetë a është ai humbës apo fitimtar, Allahu i Lartësuar në Kur’anin Famëlartë na thotë: “Kjo është dita që të drejtëve u bën dobi drejtësia e tyre. Ata kanë xhennete në të cilët rrjedhin lumenj, janë për jetë të pasosur në to. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur prej Tij. Ky është shpëtim i madh!” (Kur’an, 5: 119).

Shumë më tepër arrihet duke qenë i çiltër, krahasuar me ikjen nga ndëshkimi a përgjegjësia si rezultat i jo të qenët i çiltër. Në fakt, jo të qenët i çiltër na shpie në tatëpjetëza të rrëshqitshme, të cilat na japin garancë se, nëse themi një gënjeshtër, atëherë doemos duhet të themi edhe shumë të tjera. Pra, të qenët i çiltër për muslimanin nuk është gjë opcionale, po obligim, meqë synimi ynë me të qenët të çiltër është Xhenneti. Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se i Dashuri i Allahut të Lartësuar – Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Çiltërsia shpie në devotshmëri, e devotshmëria shpie në Xhennet! E njeriu vazhdon së foluri të vërtetën, derisa bëhet njeri i çiltër. Ndërkaq, gënjeshtra shpie në ligësi, e ligësitë shpiejnë në Xhehennem. E njeriu vazhdon së foluri gënjeshtra, derisa te Allahu etiketohet si rrenacak!” (Sahihu i Buhariut, Libri #73, Hadithi #116). Si rrjedhojë, suksesi final arrihet kur njeriu e jeton tërë jetën e vet – vitet rinore, vitet e pjekurisë dhe vitet e pleqërisë – gjithmonë duke qenë i çiltër!

Ji i besueshëm!

Në kë mbështetesh, vallë? Në Allahun sigurisht, apo jo?! Me të vërtetë Ai është Më i Besueshmi! Mirëpo, ndër njerëz, kujt i mbështetesh? Kujt i besoni që të të ndihmojë kur rastisni në situata të padëshirueshme? Vallë, a mbështeten njerëzit në ty? A konsiderohesh i besueshëm? Të përparosh në jetë e të arrish synimet përfundimtare që i ke kërkohet që njerëzit të të konsiderojnë të besueshëm dhe njeri tek i cili mund të mbështeten! E të qenët i besueshëm nuk duhet të jetë aktivitet i diktuar [nga njerëzit e tjerë apo nga rrethanat (shën. i përkthyesit)], por duhet të jetë një shprehi që e ke të zakonshme, të përditshme, ashtu që njerëzit të mund të mbështeten në ty në të gjitha rastet, qofshin ato të mëdha apo të vogla, të përshtatshme apo të papërshtatshme, të lehta apo pak më të rënda etj.

Nëse e marrim parasysh shprehjen “ta ruaj shpinën”, e cila, në kuptimin më tekstual, nënkupton se, meqë njerëzit nuk mund të shohin çfarë ka mbrapa tyre, kanë nevojë që të mbështeten te miqtë e tyre për ta mbuluar atë kënd, në rast se ngjan ndonjë kërcënim prej nga pas. Vetëm imagjino një situatë sikur një mikeshë jotja do të ngjitej në një pemë dhe t’ia mësyente një dege për të marrë një balonë, e cila të jetë rrasur aty. Ajo të pyet pastaj nëse “jeni duke ia ruajtur shpinën”. Në këtë rast, pra ajo është duke u mbështetur fare në të që të mbahet në ty, në rast se thyhet dega. E këtu nuk ka vend për të bërë hajgare a për të humbur vëmendjen: mikesha jote është duke të besuar dhe në pyetje është jeta e saj.

Nëse themi se Allahu është Më i Besueshmi, ne faktikisht pajtohemi me të vërtetën se Allahu i Lartësuar asnjëherë nuk do të na kishte poshtëruar, e as që do të na kishte lënë të vetëm. Ai, lartësuar qoftë përherë, në Kur’anin Famëmadh thotë: “Nuk ka dhunë në fe. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat, e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është Dëgjues i dijshëm!” (Kur’an, 2: 256).

Me të vërtetë, që të gjithë të Dërguarit e Allahut të Lartësuar qenë njerëz të besueshëm dhe se Allahu dëshmoi besueshmërinë e atyre (të dërguarve [shën. i përkthyesit]) për të cilët paraqitej dyshim nga ana e popullit përkatës. Për shembull, Hudi, alejhi selam, duke i bërë thirrje popullit të vet, deklaroi: “(Jam i dërguar) Që t’jua komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe unë jam këshillues i besueshëm për ju!” (Kur’an, 7: 68). Si rrjedhojë, çdo ditë praktiko shprehinë e të qenit i besueshëm. Prano (ndonjë) përgjegjësi e pastaj përmbushe atë! Dhe kur të tjerët të të besojnë (diçka), mos i tradhto!

Mund të lexosh nga biografia e mrekullueshme e Pejgamberit, alejhi selam, në lidhje me atë se si njerëzit ia besonin gjërat e tyre të çmuara, duke e ditur me plot bindje se, kur të kthehen për t’i marrë, do t’i gjejnë të sigurta dhe të padëmtuara. Zakonet e tij personale dhe biznesore ishin të lavdërueshme në atë masë saqë ai njihej në tërë bashkësinë e tij për atë (për shprehinë e të qenit i besueshëm [shën. i përkthyesit]), madje edhe para se t’i vinte Shpallja e të bëhet i Dërguar i Zotit, në kohën kur, pra një i tillë duhet doemos të jetë i sinqertë e i besueshëm.

Ji i vetëpërmbajtur dhe kije në mendje Zotin!

Mund të thuhet se sfida më e vështirë përderisa një njeri hapëron drejt adoleshencës është ndrydhja e vetes për të mos rënë viktimë e qejfeve të veta – veçanërisht ndaj dëshirave të ulëta. Suksesi ynë në jetë në masë të madhe varet nga ajo se sa ne jemi të aftë që ta ndrydhim veten, të jemi të moderuar në atë çka është e lejuar, si dhe se sa jemi të aftë për ta distancuar veten nga ajo që është e ndaluar.

Vallë, pse vetëpërmbajtja është aq kritike? Për vetë shkakun se qëllimi i shejtanit të mallkuar është që të të bëjë rob të qejfeve tua në atë shkallë sa të hash deri atëherë kur të bëheni/ndjeheni parehatshëm; në atë shkallë sa të pish aq shumë pije, pa e shikuar paraprakisht se a janë ato nga kafeina, sheqeri apo nga aromatizues artificialë; në atë se përmallohesh më shumë për gjumë sesa për namaz; dhe në atë se ke dëshirë të llahtarshme për t’i plotësuar nevojat seksuale. E të zhvillosh vetëpërmbajtjen si shprehi të detyron që ajo (vetëpërmbajtja, pra) të të bëhet natyra jote e dytë – gjë që mund të arrihet pothuaj pa menduar (aq shumë), pa aq shumë përpjekje. Allahu i Lartësuar na sjell ndër mend: “Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë!” (Kur’an, 41: 35).

Duke u orvatur për t’u bërë rini shumë e suksesshme muslimane, e kjo do të nënkuptonte një rini që meriton fatin më të mirë, është domosdoshmëri që të kultivosh vetëpërmbajtjen.

Ji tërësor!

Shiko përreth dhomës sate. Sa punë të papërfunduara ke, vallë? Kur i kryen detyrat apo mësimet që i ke për në shtëpi, a mund të ndodhë që të nxitosh përgjatë gjithë detyrës, ashtu që ta përfundosh sa më shpejt, apo do ta kaloje atë kohë sa më mirë, do t’i rikontrolloje detyrat dhe, ç’është më e rëndësishmja, a do të ishe tërësor?

Shumë shpesh mësimdhënësit e notojnë një raport (një detyrë të kryer [shën. i përkthyesit]) në bazë të asaj se sa mirë është punuar dhe në ç’masë studenti në fjalë i është përmbajtur temës së dhënë nga ai (mësimdhënësi). Të qenët tërësor nuk është shprehi që mund të fitohet brenda një nate. E e kundërta nga ajo është të jesh i pakompletuar, të jesh i pështjellët dhe të bësh punët me ngut, pa marrë në konsideratë saktësinë dhe/ose cilësinë. Sido që të jetë, Më i Përkryeri është Allahu i Lartësuar, i Cili i përsosi krijesat e Veta, i Cili e përsosi fenë e Vet, dhe i Cili e udhëzoi të Dërguarin e Vet që të jetë më i përkryeri ndër njerëz, për sa i përket sjelljes dhe karakterit.

Në Muvata-n e imam Malikut mund të lexojmë: “Më ka transmetuar Jahja nga Maliku se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të ketë thënë: “Jam dërguar që ta perfeksionoj karakterin e mirë [vlerat morale (shën. i përkthyesit)]!” (Libri #71, Hadithi #47.1.8)

Të qenët tërësor buron nga dëshira e zjarrtë për të qenë aq i përkryer sa është e mundur në suaza të natyrës njerëzore. Kërkimi që në moshë të re të përkryeshmërisë në veprimet dhe fjalimet tua të ndihmon që të krijosh e të kultivosh një sy të mprehtë, jo vetëm në të qenët i përpiktë në jetën personale, por edhe për jetën e çdonjërit prej atyre që është rreth teje. Të qenët tërësor, për shembull, në namaz të mëson që të jesh i durueshëm e të kesh mendjen në fjalët që i thua dhe në pozitat e ndryshme që ngërthehen brenda në namaz.

Ji i përqendruar!





Gjatë kohës kur je në namaz të kalojnë një mijë ide nëpër kokë. A është kështu? A je ti ky? Sinqerisht më thuaj?! Çfarë bën me ato ide? A i përpunon? Po vallë kur të jesh në klasë? A të bredh mendja andej e këndej; a ëndërron me sy të hapur; a je i aftë të përqendrohesh në ligjëratën që jepet; a do të japësh ndonjë justifikim të çfarëdoshëm për ta braktisur atë që je duke e bërë?

Zhvillimi i shprehisë së të qenit i përqendruar të jep garancë se je i zgjuar, vigjilent dhe tërësisht i motivuar për të vazhduar së punuari dhe për ta kompletuar detyrën që të është dhënë, çfarëdo qoftë të ketë qenë ajo. Të qenët i dhënë pas videolojërave që në fëmijëri dhe ndërrimi konstant i skenave e programeve në televizor flet për paaftësinë tënde për t’u koncetruar/përqendruar. Ndër mënyrat më të mira për të zhvilluar përqendrimin është praktikimi i faljes së namazit me koncetrim të thellë, në atë masë saqë pothuaj të mos jesh në dijeni se çfarë është duke ndodhur rreth teje. Allahu i Madhërueshëm në Kur’anin Famëlartë na tregon se besimtarë janë: “…ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit!”(Kur’an, 23: 2).

Përulësia që është përmendur këtu rezulton nga një përqendrim i tërësishëm për vetë faktin se në mendje qëndron dijenia se jemi në prezencë të Allahut të Plotfuqishëm, duke qëndruar përpara Tij, lartësuar qoftë përherë. Pra, jepe maksimumin për të zhvilluar përqendrimin – pavarësisht se a je në namaz, në punë akademike, në atletikë apo në ndonjë segment çfarëdo tjetër.

Ji i përpiktë!

Ndërprit së thëni tërë kohën se je vonuar për shkak të “Kohës standarde muslimane (Muslim Standard Time – MST)” ose për shkak të “kohës standarde” të vendit (shtetit) ku jeton. Gjëja e fundit që mund t’ia atribuojmë Islamit është koncepti se mësimet e tij disi na bëjnë të vonohemi, na bëjnë të jemi më të ngadalshëm e më të avashtë, si dhe gjithçka tjetër pos të qenit të përpiktë. Çfarë gjendje e mjerë e punëve është, me të vërtetë, që ne ia atribuojmë dobësitë tona fesë ose kombësisë sonë!

Individët shumë të suksesshëm, qofshin ata muslimanë ose jo, e kuptojnë dhe e çmojnë vlerën e jo vetëm kohës së tyre, por edhe kohën e atyre me të cilët bashkëpunojnë. T’i mbash njerëzit duke të pritur me orë të tëra, në fund të fundit, nuk është diçka me të cilën duhet krenuar, e as diçka që ka vend në mendimin e atij personi që mëton te jetë i suksesshëm.

Një nga shtyllat bazë të Islamit është namazi, e kurse Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi, alejhi selam, na kanë dhënë përkujtime të qarta se ne duhet të kryejmë faljen në kohë të caktuar.

Kur Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pyeti se cili ishte veprimi më i dashur te Allahu i Lartësuar, Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “Ta bësh faljen e namazit në kohën e vet të caktuar!” (Sahihu i Buhariut, Libri #10, Hadithi #505)

Nëse vërtet dita jote është për t’u konsideruar e suksesshme, atëherë ti duhet t’i kesh falur të gjitha namazet obligative në kohët e tyre të caktuara, si dhe të kesh falur edhe sa më shumë namaze vullnetare. Nëse dita jote planifikohet rreth kohëve të faljes (së namazit), ti (jo vetëm që) nuk do të falesh saktësisht në kohën kur duhet të falesh, por, nga ana tjetër, do të jetë bërë vonë për të gjitha punët e tjera. Të qenët i përpiktë është shprehi që, kur përsoset, të tjerëve ua demonstron vlerën e madhe që Islami ia jep kohës – jo vetëm tonës (kohë), por edhe të atyre me të cilët bashkëpunojmë.

Ji konzistent!

Përkundër të gjitha shprehive që u përmendën deri më tash, mbase shprehia që me siguri se të ndihmon që të bëhesh musliman i ri shumë i suksesshëm është të qenët konzistent, i qëndrueshëm, i paluhatshëm (në parime e qëndrime). Nuk mund një ditë të jesh i sinqertë, ndërsa tjetrën rrenacak, ashtu sikurse nuk mund të jesh i besueshëm në një rast, kurse totalisht i atillë që të mos mund të të besohet një çështje në një rast tjetër, si dhe ashtu sikur për të gjitha shprehitë e tjera. Muslimani fare e ka të qartë se më lehtë është të bësh diçka vetëm një herë ose vetëm kur duam ta bëjmë, porse më vështirë është të bësh diçka rregullisht dhe në mënyrë konzistente.

Nëna e besimtarëve – Ajsheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) na rrëfen se “gjëja më e dashur për të Dërguarin e Allahut ishte ajo që bëhej vazhdimisht dhe rregullisht” (Sahihu i Buhariut, Libri #76, Hadithi #469).

Veprimet e rregullta e konzistente tregojnë se një person e ka shoshitur në mendje këtë çështje, e ka pasur me plot mend atë punë, e ka planifikuar të njëjtën, pra e ka bërë.

Ne të nxisim që të jesh sa më konzistent që është e mundur, veçanërisht në ato sfera të jetës në të cilat të nevojitet përmirësim konstant, siç është namazi, agjërimi, sjellja, shprehitë e të mësuarit/studiuarit etj. Mos thuaj se do të faleshe tërë natën, do të bëje agjërim vullnetar për çdo ditë të çdo muaji ose se do të mësoje tërë natën për çdo natë, meqë punët me atë intensitet nuk mund të kryhen nga njeriu, kur flasim për një periudhë të gjatë kohore. Megjithëkëtë, thuaj se me siguri që do të lexosh një pjesë nga Kur’ani Famëlartë për çdo ditë ose se do t’u ndihmosh prindërve tu çdo ditë për, të paktën, një punë të përditshme shtëpiake ose se do të tentosh që, të paktën, të mësosh një mësim të ri për çdo javë, ashtu që të jesh në hap me planin e të mësuarit tënd personal.

Përfundim

Së fundmi, muslimanët aspirojnë t’i zhvillojnë të gjitha këto shprehi, meqë, me të bërë kështu, ne afrohemi më afër Allahut të Lartësuar. Nëse ke për qëllim të jesh pjesë e rinisë shumë të suksesshme muslimane, atëherë detyrohesh që ta reflektosh atë në jetën tënde dhe të shohësh se sa prej këtyre shprehive janë pjesë e vetes sate dhe se sa të tjera ke nevojë t’i zhvillosh më tepër apo fare t’i përbirësosh.

Do të përfundojmë me një përkujtim se zhvillimi i këtyre shprehive do të të ndihmojë të jetosh një jetë si ajo e Pejgamberit, alejhi selam. Mesazhi dhe jeta e tij janë përmbledhur fare mirë në një transmetim të Abdullah ibën Abbasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Ebu Sufjani më ka thënë se kur Herakliu i ka thënë atij: “Kur të pyeta se çfarë ju urdhëron Muhammedi, ti më the se ju ka urdhëruar ta kryeni faljen e namazit, të flisni të vërtetën, të jeni të ndershëm, të mbani fjalën dhe të çoni në vend besën.” Më pas, Herakliu shtoi: “Me të vërtetë këto janë cilësi të një profeti!” (Sahihu i Buhariut, Libri #48, Hadithi #846)

Pra, përpiqu t’i kultivosh këto shtatë shprehi të shtjelluara më sipër dhe shumë të tjera nga mësimet islame, ashtu që të jesh ndër të rinjtë muslimanë shumë të suksesshëm!

 

Autor: Eltaf Husejn (Altaf Husain)

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI

Burimi: http://www.islamonline.net/servlet/Satellite?c=Article_C&cid=1162303303319&pagename=Zone-English-Youth%2FYTELayout

(Visited 28 times, 1 visits today)




Top