Domingo, 20/10/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shtatë kuriozitete shumë interesante në lidhje me sadakën

Shtatë kuriozitete shumë interesante në lidhje me sadakën

1. A mund të jepet sadaka për të vdekurit?

Ashtu si edhe disa çështje të tjera në Islam të cilat shpesh janë objekt i debatit, pothuajse nuk ka asnjë imam të cilit nuk i është bërë pyetje: A mund të jepet sadaka për të vdekurit? Përgjigja është e qartë dhe kategorike, dhe gjendet në hadithet e Pejgamberit savs.
Në hadithin i cili transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi r.a. thuhet: Një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut: ‘O i Dërguari i Allahut, më ka vdekur nëna, a do të ketë dobi ajo, nëse unë për të jap sadakë?’ Pejgamberi savs i tha: ‘Po’.

2. Në cilën derë të xhennetit do të hyjë ai që jep sadakë?

Sa gjë e madhe është sadaka në Islam dhe sesa do të vlerësohet në botën tjetër flet fakti se për ata që japin sadakë do të jetë e rezervuar një derë e veçantë nëpër të cilën do të hyjnë në xhennet. Kështu, në një hadith i Dërguari i Allahut thotë:
Kush është prej atyre që falin namazin rregullisht, në xhennet do të ftohet të hyjë në derën e namazit. Kush është muxhahid, në xhennet do të ftohet të hyjë në derën e xhihadit. Kush është prej atyre që kanë dhënë sadakë, në xhennet do të ftohet të hyjë në derën e sadakës. Kush ka agjëruar rregullisht, do të ftohet të hyjë në xhennet në derën Rejjan.
Ebu Bekri r.a. kishte pyetur: A do të ftohet dikush që të hyjë në të gjitha dyert!
Pejgamberi savs i ishte përgjigjur: Po, unë shpresoj se ti, o Ebu Bekër, do të jesh nga ata.

3. Kur të jepet, sadaka i flet pesë fjalë

Hz. Aliu r.a. transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberi savs duke thënë:
Kur të del nga duart e atij që jep, i flet pesë fjalë, pesë gjëra para se ta pranojë ai të cilit i dedikohet:
– Unë isha e paktë, por ti më shumëzove,
– Unë isha e vogël, por ti më rrite,
– Unë isha armiku yt, kurse tash u bëra miku yt,
– Unë isha kalimtare, por tash jam e përhershme,
– Deri tash ti më ke ruajtur mua, kurse prej tash unë do të ruaj ty!

4. Sa shejtanë e pengojnë dhënien e sadakës?

Sahabiu u njohur Ebu Dherr el-Gaffari r.a. me një rast ka thënë: Asnjëherë në tokë nuk ndahet sadakë, e 70 shejtanë të mos përpiqen për ta parandaluar atë!

5. Marrja mbrapa e sadakës i ngjan një qeni i cili e gllabëron atë që e ka vjellë!

Babai i Zejd bin Aslamit kishte dëgjuar nga hz. Omeri r.a. duke thënë:
Një herë një njeriu në emër të Allahut ia dhashë një kalë të shkëlqyer, kurse ai ndaj tij sillej i pakujdesshëm. Desha që ta blejë përsëri atë kalë, pasiqë më thanë se ai dëshiron ta shesë shumë lirë. Për këtë e pyeta Pejgamberin savs, dhe ai më tha: Mos e blej atë, edhe nëse ta jep për një dërhem, sepse ai që e merr sadakën mbrapa, është sikurse një qen i cili e gllabëron atë që e ka vjellë!

6. Sadaka e dhënë për personin e gabuar

Tregohet se një njeri i mirë, vendosi që të japë një sadakë për hatër të Zotit. Me qëllim që këtë akt të mirë ta bëjë vetëm për hatër të Zotit, vendosi që shumën që kishte ndërmend, t’ia japë dikujt natën, që të mos e shohë askush tjetër. Për fat, ai ia jep këtë shumë një hajduti. Të nesërmen, njerëzit filluan të flasin: Mbrëmë i është dhënë një shumë e majme një hajduti…

Njeriun e mirë e kaploi frika se mos kjo vepër e mirë, nuk do i pranohej nga ana e Zotit, prandaj dhe vendosi që atë natë, të ndihmojë dikë tjetër. Doli natën dhe ia dha personit të parë që i doli para. Personit që ia dha shumën, rastisi të ishte një tregtar shumë i madh dhe i pasur. Të nesërmen, fjala kishte marrë dhënë dhe njerëzit filluan të flasin: E morët vesh? Shkon paraja tek paraja! Dikush i ka dhënë kaq e aq para filan tregtari. E ç’i duhet atij sadaka?

Njeriu i mirë u mërzit dhe u frikësua se nuk do i pranohej sadaka e dhënë. Për herë të tretë, vendosi të dalë sërish natën dhe t’ia japë shumën dikujt tjetër, ndonjë hallexhiu. Meqë e bënte vetëm për hatër dhe kënaqësinë e Zotit, doli sërish natën. Personi i parë që i doli para, i la shumë në dorë dhe u largua. Ajo rastisi një grua e pamoralshme, e cila shiste nderin e saj me para. Të nesërmen, lajmi ishte përhapur sërish dhe njerëzit filluan të flasin: Zot na ruaj çfarë ditësh kanë ardhur! E morët vesh? Sadaka mbrëmë i është dhënë një gruaje të pamoralshme….

Njeriu i mirë u mërzit dhe u dëshpërua, pasi frikësohej se kontributi i tij nuk do të pranohej nga Zoti, pasi kishte rënë në duart e njerëzve jo të përshtatshëm.
Por, një ditë më pas, ai dëgjoi diçka të gëzueshme, gjë që e bëri të kuptojë se e mira që kishte bërë, kishte zënë vend dhe i ishte pranuar nga Zoti.

Ai dëgjoi se hajduti, me të marrë shumën prej tij, kishte reflektuar dhe kishte thënë: O Zot i madh! Unë kam kushedi sa vite që vjedh, plaçkis dhe frikësoj miletin, kurse Ti vazhdon të më dërgosh njerëz të mirë që më ndihmojnë materialisht. O Zot, ji dëshmitar se unë do të pendohem dhe do të heq dorë nga vjedhja.

Tregtarit që i ra në dorë shuma e natës së dytë, kishte qenë njeri koprrac. Asnjëherë nuk kishte nxjerrë diçka nga pasuria e tij e t’ua japë nevojtarëve. Atë natë, kur kishte vërejtur shumë që dikush i la në dorë, reflektoi dhe tha: O Zot i madh, sa i dashur e dhembshur je! Kam kaq shumë pasuri dhe kurrë nuk kam dhënë as dhe një cent. Kurse Ti o Zot, më dërgon njerëz të mirë që të më japin. E kuptova mesazhin Tënd o Zot. Që nesër edhe unë do të heq dorë nga koprracia dhe do të ndihmoj nevojtarët. Jam penduar o Zot!

Gruaja e pamoralshme, që përfitoi nga sadaka e njeriut të mirë, me t’i shtënë në dorë të hollat, reflektoi dhe tha: O Zot i madh! Ka kaq vite që e siguroj jetën time dhe të fëmijëve të mi duke shitur nderin tim. Megjithatë, Ti o Zot më dashke dhe më dërgoke njerëz të mirë që të më ndihmojnë. E kuptova mesazhin Tënd o Zot. Jetesa mund të fitohet edhe me rrugë të tjera. Jam penduar o Zot, prandaj më fal dhe më prano!
Bëje të mirën, pavarësisht personit që do të përfitojë nga e mira. Ku i dihet, ajo dorë që ti i zgjat, mund ta nxjerr një herë e mirë nga rruga e gabuar.

7. Sadaka nuk mund të jepet nga pasuria haram

Allahu i Madhërishëm nuk e pranon veprën, nëse nuk është e pastër, e sidomos sadakën. Kur njeriu e fiton pasurinë në mënyrë të pa lejuar, me punë të ndyra, me haram, Allahu nga i tilli nuk e pranon sadakën të cilën e jep. Sepse si mund ta pranojë sadakën nga pasuria e papastër? Islami nuk kërkon nga ata që e kanë fituar pasurinë në mënyrë të paligjshme që ta shpenzojnë në rrugën e Allahut, por kërkon që së pari ta pastrojnë pasurinë e tyre, që t’ua kthejnë atë pronarëve dhe atyre që ju është bërë dëm.
Imam Muslimi e transmeton hadithin e Pejgamberit savs i cili thotë: Namazi nuk do të pranohet nga personi i papastër (pa abdes), dhe as sadaka nga mashtruesi.
Kështu, për shembull, kur dikush fiton pasuri në mënyrë haram, dhe pastaj dëshiron që ta shpenzojë për qëllime bamirësie, si për ndërtimin e xhamisë, minares, për të ndarë sadakë, Allahu i Madhërishëm këtë kurrë nuk do t’ia pranojë.
Ebu Derdasë r.a. me një rast i ishte thënë në lidhje me dikë që kishte vepruar kështu, ndërsa ai këtë e kishte komentuar në këtë mënyrë: Ky njeri është i ngjashëm me atë i cili e merr pasurinë e jetimit dhe me të e vesh një grua të vejë. A është e logjikshme që dikush ta merr pasurinë e dikujt në mënyrë të palejuar për të blerë rroba për vejanen.
Kur njeriu fiton pasuri haram, dhe pastaj dëshiron ta pastrojë me sadakë, kjo është e njëjtë sikur të dëshirojmë ta pastrojmë ndyrësirën me urinë, dhe dihet që ndyrësira nuk mund të pastrohet me ndyrësirë. Fitimi haram nuk ka bereqet dhe nuk pranohet te Allahu i Madhërishëm.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Visited 204 times, 1 visits today)
Top