Quarta-feira’, 17/7/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shërbimi



Shërbimi

dashuria
• TË DREJTAT E BASHKËSHORTIT • ..(06)

? Shërbimi ?
Një e drejtë tjetër e bashkëshortit është edhe shërbimi ndaj tij.
Kjo bën pjesë në të drejtat materiale. Shërbimi nënkupton ato veprime të kryera nga gruaja në dobi të burrit dhe familjes, të cilat Allahu i ka vendosur në natyrën e gruas e që ajo natyrshëm i kryen me lehtësi, si organizimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë, rritja dhe edukimi i fëmijëve, krijimi i një ambienti mikpritës dhe të ngrohtë familjar etj. Nëse burri shikon se kjo e drejtë respektohet, ai rehatohet dhe kënaqet me gruan e tij. Allahu i Lartësuar na ka treguar për këtë tërthorazi në fjalën e Tij: “Gratë kanë të drejta aq sa kanë edhe detyra, sipas asaj që është bërë e zakonshme (ma’ruf), ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësi) mbi to. Allahu është i Gjithëfuqishëm dhe i Urtë.” [Bekare:228]
E, pra, gratë kanë të drejta ashtu siç kanë edhe burrat të drejta, sipas asaj që është e njohur (ma’ruf). Fjala “el-maruf”, e përdorur në ajet, do të thotë e njohur, e mirë, e arsyeshme, traditë, ajo që është bërë zakon. Shumica e dijetarëve pohojnë se për gjëra të veçanta për të cilën nuk ka ndonjë përcaktim në sheriat, gjykohet sipas asaj që është traditë. Sipas traditës së muslimanëve të mirë të çdo kohë apo vendi është se gruaja i shërben bashkëshortit të saj, në shtëpinë e tij. Për këtë le të hedhim një sy tek nënat e besimtarëve, të cilat i shërbenin të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë me të).
Në “Sahihun” e Buhariut dhe të Muslimit transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Ne i përgatisnim të Dërguarin të Allahut misvakun dhe ujin për abdest. Allahu e ngrinte atë nga gjumi për t’u falur sa të dëshironte.”
Po kështu, në një hadith tjetër të saktë, nëna e besimtarëve Mejmune ka thënë: “Pasi i vendosa të Dërguarit të Allahut ujin për t’u larë nga xhunubllëku, ai u la.”
Dijetarët janë në një mendim se shërbimi i gruas ndaj bashkëshortit të saj është i ligjshëm. Madje në përgjithësi mendimi i tyre, me përjashtim të ndonjë kontestimi jonormal, është se gruaja e ka detyrë t’i shërbejë bashkëshortit të saj dhe gjithashtu të kryejë me kujdes detyrat ndaj tij. Këtë gjë e kanë zbatuar nënat e besimtarëve, shembulli i femrës muslimane. Ato i kanë shërbyer të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe paqja qoftë mbi të), bashkëshortit të tyre. Po kështu, edhe bija e tij, Fatimja (Zoti qoftë i kënaqur me të), i ka shërbyer dhe e ka ndihmuar bashkëshortin e saj aq shumë, saqë dora e saj u bë me plagë nga bluarja e farave.
Disa dijetarë në grupin e shërbimeve që duhen kryer kundrejt bashkëshortit kanë përmendur edhe përgatitjen e mjetit të udhëtimit, nëse kjo është traditë në vendin ku ata jetojnë. Gjithashtu në një hadith të saktë pohohet se Esma i ka shërbyer Zubejrit. Ajo dilte në arën e tij dhe ecte më shumë se tre kilometra duke qenë e ngarkuar në shpinën e saj. Diçka e tillë ka qenë e zakonshme për gratë e besimtarëve në kohën e muslimanëve të parë. Ato u shërbenin bashkëshortëve dhe familjeve të tyre. Shërbimi ndaj bashkëshortit nuk është cilësi që e ul apo e pakëson vlerën e gruas. Të tillë e ka krijuar Allahu natyrën e saj e kjo nuk ndryshon.
Ndoshta disa e konsiderojnë shërbimin e gruas në shtëpi si të parëndësishëm, por nuk është kështu sepse kur bashkëshorti del nga shtëpia e tij, ndien se në shtëpi është dikush që kujdeset. Kur ai kthehet i lodhur, e gjen shtëpinë të këndshme dhe ushqimin të përgatitur, kënaqet shpirtërisht. Kjo bën që ndërmjet tyre të ketë harmoni.
Kur gratë e braktisin këtë rol, që është i natyrshëm për to, shtëpitë e besimtarëve duken të shkreta. Bashkëshorti kthehet në shtëpi dhe e gjen atë në një gjendje të pakëndshme, rrëmujë dhe kësisoj i meket gëzimi. Duke e parë shtëpinë e tij në këtë gjendje, ndoshta ai vetë ngrihet për ta pastruar, për të larë rrobat, për të përgatitur ushqimin…
Ibn Kajimi ka thënë se është mëkat kur gruaja shikon të rehatohet ndërkohë që bashkëshorti i saj fshin e lan shtëpinë apo përgatit ushqimin. Kjo është punë e keqe. Allahu nuk e ka lejuar këtë veprim. Pra, është detyrë që gruaja të veprojë në përputhje me natyrën që Allahu ka përcaktuar për të, por shërbimi ndaj vetes dhe përkujdesja brenda shtëpisë nuk janë të natyrshme për një burrë kur gruaja ndodhte në shtëpi.
Nuk ka fjalë më të rëndë se kur gruaja i thotë bashkëshortit të saj: “Bëj ç’të duash. Nëse do, shërbeji vetes tënde.” Një fjalë e tillë kur del prej gojës së saj tregon se ajo ka dalë nga natyra e saj. Sa e keqe është ajo grua e cila sillet keq me bashkëshortin duke larguar kështu kënaqësinë e tij ndaj saj, kënaqësi e cila është prej sebepeve që gruaja të mund të futet në xhenet.
I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Gruaja që vdes duke lënë të shoqin të kënaqur prej saj, futet në xhenet.”
Në kundërshtim me natyrën e saj është edhe lënia e punëve të shtëpisë për bashkëshortin, kërkimi i rehatisë e qejfeve kur duhet të kryejë detyrimet e saj ose të kërkojë t’i shërbehet, ndoshta deri në atë formë që bëhet edhe provë për burrin. Duhet pasur parasysh se s’ka gjë të keqe në kërkimin e shërbëtoreve nëse ka arsye të cilat e bëjnë të nevojshëm shërbimin, siç veproi Fatimja, e bija e të Dërguarit të Allahut. Ajo shkoi tek Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) për t’i kërkuar që ai t’i jepte asaj një shërbëtore. Ai i tha: “A t’ju tregoj diçka që është e mirë për ju se shërbëtori?”
Ky hadith argumenton se nuk ka problem të kërkohte shërbëtor, kur ai është i nevojshëm. Mirëpo kërkimi i shërbëtorëve thjesht për rehati e mendjemadhësi, apo nga pretendimi i gruas se nuk është e krijuar për këtë dhe se këto çështje nuk i takojnë asaj është në kundërshtim me natyrën në të cilën e ka krijuar Allahu Fuqiplotë dhe në kundërshtim me jetesën normale që duhet të bëjë çdo besimtare me bashkëshortin e saj.
Gjithë sa përmendëm më sipër janë nga çështjet e rëndësishme që gruaja duhet t’i kryejë ndaj bashkëshortit. Gruaja e mirë duhet të dijë se nuk ka më të mirë se ligji i Allahut dhe nuk ka më të plotë se Feja e Tij. Ai që kënaqet me ligjin e Allahut, Allahu kënaqet me të dhe e bën të kënaqur. Çfarëdo të thuhet në thirrjet apo propagandat që lidhen me çështjet e gruas, nga ato që bien ndesh me ligjin e Allahut e që, midis të tjerash, e nxjerrin gruan nga natyra në të cilën Allahu e ka krijuar, ato kurrë nuk mund ta shpëtojnë gruan nga përfundimi i keq në dynja dhe në ahiret. Në qoftë se gruaja është syçelë, nuk bie pre e tyre, shpëton veten, familjen e saj dhe shoqërinë. Gruaja muslimane e ka modelin e saj e ky model është shembulli i nënave të besimtarëve, i grave të shokëve të të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të), të cilat respektuan gjithçka që buronte nga Islami, respektuan natyrën e gruas dhe fituan kënaqësinë e Allahut.
————————————————————–
Pjesë nga libri: “KODI I FAMILJES”
Autor: Muhamed el-Muhtar ESH-SHINKITI
————————————————————–
Vazhdojnë postimet të kapitujve tjerë, inshaAllah..





(Visited 26 times, 1 visits today)




Top