Wednesday, 21/11/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Roli i familjes në zhvillimin e pavarësisë dhe kreativitetit të fëmijëve



Roli i familjes në zhvillimin e pavarësisë dhe kreativitetit të fëmijëve

Sado që pavarësia si cilësi e personit është e lidhur ngushtë me ambientimin në shoqëri, suksesin dhe gjeturinë në punë, marrëdhëniet me të tjerët etj., parakusht i rëndësishëm është edhe zhvillimi kreativ i individit, ngase mu nga pavarësia varet në masë të madhe liria e paraqitjes së ideve kreative, mendimeve, veprave…

Pasi që familja është mjedisi i parë shoqëror i fëmijës, ne këtu do të ndalemi në rolin e saj në zhvillimin e pavarësisë dhe kreativitetit të fëmijëve.
Para së gjithash, prindërit duhet të jenë të hapur ndaj ideve të reja, duke nxitur pavarësinë dhe vetiniciativën dhe duke trimëruar fëmijën në punën e tij. Edhe pse qëllimi i tyre është t`i ndihmojë fëmijët në punë, duhet ta lejojnë që me vetiniciativë t`i kryejë disa punë të caktuara. Fëmija, pas mundit të bërë dhe pasi që ka bërë diçka vetë, do të ndihet kompetent dhe i kënaqur me atë çka ka bërë. Do të jetë i vetëdijshëm që këtë e ka bërë me vetiniciativë, e jo si produkt i punës së prindërve të tij. Kjo, përsëri do të sjellë vetiniciativë plotësuese që të lëshohet në ndërmarrje të reja kreative.
Marrëdhëniet ndërnjerëzore në familje, gjithashtu diktojnë zhvillimin e kreativitetit fëmijëror.
“Është konstatuar se fëmijët kreativë, kanë familje të cilat potencojnë pavarësinë më tepër se varësinë nga anëtarët e familjes, që janë pak të orientuar kah fëmijët, kanë më pak të shprehura tendosje familjare, ndjenjat negative dhe konkurrencën në mes anëtarëve të familjes, të cilat rezultojnë me fuqi dhe dominim”.(1)
Natyrisht që pavarësia dhe fryma garuese nxisin kreativitetin fëmijëror, por duhet të jemi të kujdesshëm se këto forma të edukimit të mos shkojnë në skajshmëri, gjë e cila mund të shkaktojë efekt të kundërt në edukimin kreativ të fëmijës. Në anën tjetër, ndërvarësia e anëtarëve të familjes, gjithashtu mund të ketë efekte edukative të mira.
Është konstatuar se personat që arrijnë rezultate të larta shkencore, rrjedhin nga familjet, të cilat janë të lidhura, të bashkuara dhe të orientuara kah fëmijët, në të cilat identifikimi prind-fëmijë është i fuqishëm, gjë që rezulton me shkallë të lartë të motivimit për arritje dhe sukses.
Pra, vetiniciativa dhe pavarësia nga prindërit është parakusht i mirë për zhvillimin kreativ të fëmijës, ndërsa lidhja në mes fëmijës me prindërit, është parakushti më i madh për zhvillimin e mirë intelektual. Prapëseprapë, në çështjet e pavarësisë së fëmijës ndaj prindërve, më së miri është të gjejmë mesin: t’ia mundësojmë fëmijës shprehjen e lirë të ideve dhe punën e pavarur, por duke mos lejuar që fëmija të punojë tërësisht i pavarur, por kohë pas kohe të shikohet ajo që ka bërë fëmija, të lavdërohet, të ndihmohet nëse është e nevojshme dhe të trimërohet për punë të mëtejshme.
Është me rëndësi që të preket pulsi, duke vërtetuar se a thua fëmija preferon të punojë i pavarur apo me ndihmën e të tjerëve, dhe të veprohet në harmoni me këtë. Ajo që është e rëndësishme është që prindërit gjatë shprehive kreative të fëmijëve të tyre të jenë jo imponues dhe spontanë. Me rëndësi është që fëmijëve të mos ua imponojmë zgjidhjet e tyre kreative, në mënyrë që fëmijët me këto të mos udhëhiqen në punën e mëtejshme, duke “kopjuar” punën e të rriturve, e me këtë të “stopojmë“ idetë e tyre kreative.
Për të ilustruar këtë, ne do të shërbehemi me shembullin nga praktika. Një fëmijë mori si dhuratë kubëzat, por në vend që t’i hapë vetë dhe t’i shikojë, këtë e bëri babai i tij me qëllim që t’i tregojë se si renditen kubëzat. Në fund ia ndërtoi një ekskavator të madh dhe në këtë mënyrë e limitoi punën e mëtejmë kreative të fëmijës, sepse “çdo gjë që mund të rendit fëmija mund të jetë e pavlerë, në krahasim me veprën e përsosur të babait”. Babai ka vënë theksin në vepër, sukses dhe rezultat të mirë.
Krijues mund të jetë ai fëmijë, i cili me gëzim zbulon aftësitë dhe sukseset e tij, pa kufizim nga jashtë e pa imponim për qëllimin final, ndërsa fëmija duhet të ketë dëshirën që nga elementet që i ka në pronësi të krijojë diç në lojë për vete edhe për ne, ashtu siç ai mundet dhe ka dëshirë.(2)
Andaj, nevojitet që fëmija të jetë i lirë, të krijojë vetë dhe të shprehet lirshëm. Studimet sugjerojnë se faktori më i rëndësishëm i rrethit familjar, është shkalla në të cilën familja krijon atmosferën në të cilën fëmijët janë të lirë të zhvillojnë identitetin e tyre të veçantë, duke pasur mendimet e tyre individuale dhe t’i shprehin ato lirshëm. Ekziston realiteti i pranuar për individët që rrjedhin nga këto familje, që këta janë mjaft kreativë, si dhe mjaft kompetentë në punën e tyre. Këto familje kultivojnë kreativitetin dhe marrjen e rrezikut intelektual. Kështu, stili i prindërve të cilët i ndihmojnë fëmijët të gjejnë identitetin personal, para se ta konfirmojnë, haptazi lejojnë shprehjen e ideve dhe mendimeve të pavarura, zvogëlojnë identifikimin prind-fëmijë, por nuk zvogëlojnë obligimin dhe lidhjen apo dashurinë dhe ofrojnë përkrahjen në prezencën e sfidave, e kjo ndihmon në zhvillimin e talentit dhe kreativitetit, si dhe shëndetit mental të mirë. Prindërit duhet të vendosin dhe mbajnë lidhjet me fëmijët, por njëkohësisht duke u lejuar autonominë, pavarësinë dhe hapësirën psikologjike dhe emocionale. Ata mund të jenë mjaft të kyçur në arritjet e fëmijës së tyre, ta përkrahin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe aktive, por jo duke u krenuar e shfrenuar tepër emocionalisht apo shpirtërisht.
Në anën tjetër, është e rëndësishme të tërhiqet vëmendja edhe për disa metoda edukative, të cilat ia zënë frymën kreativitetit të fëmijës, në mënyrë që me kohë të ballafaqohemi me to dhe t’i eliminojmë.

Metodat edukative që pengojnë zhvillimin e kreativitetit fëmijëror

Jo rrallë herë ndodh që prindërit, shpesh duke mos ditur, ia flakin fëmijës shkëndijën kreative, duke menduar se ia lehtësojnë fëmijës kryerjen e ndonjë pune, duke imponuar zgjidhjet e tyre. Do të sjellim vetëm disa shembuj në të cilët prindërit mund ta mënjanojnë kreativitetin e fëmijës:
* Nuk i lejojnë fëmijës të vizatojë, të presë letrën, njollos duart me ngjyra, gjegjësisht “bën parregullsi” në shtëpi, në vend që të gjitha këto t`ia lejojë me kënaqësi të ndërsjellë;
* Injorojnë ose nuk i japin rëndësi krijimtarisë së fëmijës;
* Nuk interesohet për lëmenjtë në të cilat fëmija tregon afinitet;
* Nuk e nxisin fëmijën që të hulumtojë vetë, por në këtë e pengojnë;
* Mundohen që fëmija verbërisht t`i pasojë idetë, mendimet dhe qëndrimet e tyre, me ç`rast nga fëmija krijojnë konformistin e jo individin e lirë, i cili është i hapur për ide të reja;
* Nuk i japin fëmijës kohë të mjaftueshme dhe mundësinë që vetë t’i gjejë zgjidhjet e caktuara, por ua ofrojnë të vetat;
* Nuk tregojnë interes që ata vetë diç të hulumtojnë, formulojnë, të punojnë diçka kreative, por vëmendjen e tyre më me kënaqësi e preokupojnë dhe e zbrazin duke krijuar gjëra të mërzitshme.
Pra, nga marrëdhënia e prindërve ndaj kreativitetit, varet në masë të madhe edhe zhvillimi i kreativitetit fëmijëror. Mjedisi familjar dhe klima familjare janë tejet të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e kësaj cilësie. Mjerisht, ndodh që në vend të kreativitetit, prindi tek fëmija nxit sjellje të ngurtësuar.

Kushtet në mjedis që frenojnë kreativitetin, ndërsa nxisin sjellje të ngurta:

• detyrat që orientojnë individin që të fiksohet në metodën e caktuar të zgjidhjes;
• ekzistimi i burimeve të irritimit dhe streseve gjatë kohës së zgjidhjes së problemit;
• faktorët që zvogëlojnë motivimin intensiv për zgjidhjes e problemit;
• pasojat potenciale negative të mossuksesit të mundshëm në zgjidhjen e problemeve;
• përvoja e varfër individuale në sferën e zgjidhjes së problemeve;
• vënia e kufizimeve të pakufishme, pengesave dhe hutimeve (distraktorëve) në situatën problematike.(3)
Pra, të rriturit janë ata që mënjanojnë zhvillimin e kreativitetit fëmijëror, duke imponuar pikëpamjet e tyre në jetë, zgjidhjet e tyre, qëndrimet e tyre etj., e mbi të gjitha këto, edhe ata vetë janë jo kreativë. Për këtë, për të qenë në gjendje të nxisin kreativitetin e fëmijës, së pari duhet të punojnë në kreativitetin e tyre. Për fillim duhet vërtetuar shkaqet e sjelljes së ngurtë të të rriturve.
“Njëra prej pengesave më të shpeshta për të shprehur kreativitetin tonë është vështirësia që të dalim nga korniza e shprehive tona (mendimeve, veprimeve, organizimit të jetës tonë). Kjo është e përafërt me atë që psikologjia e quan “ndrysho rezistencën”, gjegjësisht tendencat që secili individ t’i ikë kundërthënieve të mendimit të vet, ndjenjës së identitetit të tij, unit të tij”.(4)
Pra, për të mundësuar rrjedhën e ideve kreative dhe shprehjes së lirë të kreativitetit, të rriturit duhet të lirohen nga egoizmi i tyre, nga normat e ngurtësuara të sjelljes, klisheve dhe stereotipit. Duhet të kuptojnë se vetëm ata gjithmonë nuk kanë të drejtë, që gjërat mund të vështrohen nga aspekte të ndryshme dhe që në pyetje të caktuara mund të jepen përgjigje të ndryshme, por përsëri të sakta. Pra, nevojitet të lirohen nga mendimi tradicional, sipas të cilit është e pamundur që dikush të jetë ndryshe nga e rëndomta.
Përveç kësaj, njëri prej shkaqeve për të cilat të rriturit nuk e shprehin lirisht kreativitetin e tyre është besimi se kjo cilësi, kryesisht është virtyt i shkencëtarëve, artistëve apo disa njerëzve të veçantë. “Besimi se kjo është lëmi e rezervuar në fushën e aktivitetit të caktuar apo njerëzve të veçantë, me siguri është një prej mënyrave me të cilën mund ta ngulfatim kreativitetin tonë”.(5)
Për këtë është edhe një arsye më tepër që të rriturit të lirohen dhe lëvizin në “aventurë” për kërkimin e kreativitetit, në vetë faktin që nga kreativiteti dhe qëndrimi i tyre ndaj tij, në masë të madhe varet edhe kreativiteti i fëmijëve të tyre.





Këshillat për prindërit që ta gjejnë kreativitetin tek vetja

Është me rëndësi që të rriturit të kuptojnë që për kreativitet nuk nevojitet mund as ushtime të veçanta të përqendrimit, por ndryshime të zakonshme të mënyrës së jetesës. Nevojitet edhe imagjinata, e cila është e lidhur ngushtë me kreativitetin, për ndryshim të logjikës dhe mendjes, sepse “eliminojnë atë që është e re, e panjohur dhe e kthejnë të bëhet e njohur në mënyrë që të mund ta përpunojnë.”(6)
Gjithashtu, është me rëndësi që prindërit të kuptojnë se kreativiteti është brenda tyre dhe mund ta gjejnë nëse vërtet këtë e dëshirojnë dhe mundohen ta gjejnë. Me rëndësi kyçe është të kuptojnë se sa është i rëndësishëm kreativiteti në jetën e secilit individ dhe që t’i kushtojnë vëmendje dhe rëndësi të veçantë. Deri te idetë kreative nuk arrihet me punë mentale të mundimshme, por për këtë nevojitet të lirohet shpirti dhe të lejohet që ato të vijnë vetë. Përveç kësaj, është me rëndësi që prindërit të shohin çfarë janë idetë kreative. Ndonjëherë, vetëm lënia e mënyrës së rëndomtë të jetës, rutinës, veseve të përsëritura, paraqet shprehje kreative. Kjo vërehet në mënyrën e veshjes, dekorimit të enterierit dhe eksterierit, mënyrës së përgatitjes dhe ofrimit – shtrimit të ushqimit, rregullimit të vitrinës së librave, klasifikimit të tyre, e deri te secila formë e krijimtarisë së përsosur. Kreativiteti vërehet edhe në komunikimin me njerëzit e tjerë, mënyrës së tejkalimit të situatave kundërthënëse, zgjidhjes së problemeve… Thjeshtë, nuk ekziston fushë e veprimit njerëzor, e cila nuk mund të vështrohet nga aspekti kreativ. Por, gjithashtu nuk ekziston vetëm një zgjidhje kreative. Sa më shumë ka, aq më afër jemi në përsosjen e ndjenjave tona për kreativitet. Aq më të mira janë rezultatet.
Vetëm kur prindërit të kuptojnë disa urdhra themelore për kreativitetin dhe bëhen vetë kreativë, do të munden që këtë cilësi të rëndësishme ta nxisin dhe zhvillojnë edhe te fëmijët.

_______________________________

1. (Olszewski-Kutilius, P. : The social and emotional development of gifted children: what do we know? Prufrvek Press page … 205-212)
2. (Grupa autora: Treæi kolokvij o slobodnom vremenu mladih. Kreativnost mladih u slobodno vrijeme –
3. Centar za vanškolski odgoj, Zagreb, 1972, faqe, 98)
(kreativiteti, www. znanje.org)
4. (Dominique Pir, La cre`ativite`, domaine reserve`? www.doctissimo.fr)
5. ibid
6. ibid

Përgatiti: Prim.med.dr.sci. Ali Iljazi