Sábado, 30/9/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
United States
+11C

Pyetje – përgjigje rreth cështjeve mjekësore të Ramazanit

Pyetje – përgjigje rreth cështjeve mjekësore të Ramazanit

1.Pyetje:
Dhurimi vullnetar i gjakut, a e prish agjërimin apo jo? Nëse i sëmuri ka nevojë për gjak, a i lejohet agjëruesit që t’i dhurojë gjak?

*Përgjigja:
Po, nxjerrja e gjakut me shumicë për t’ia dhënë të sëmurit në rast emergjence, ose dhurimi gjak për raste të nevojshme e prish agjërimin pa dyshim, ngase hixhamja (kjo është një lloj nxjerrje gjaku nga trupi i njeriut, që bëhet vetëm nën lëkurë.) e prish agjërimin, sikurse ka ardhur në hadithin e saktë: “E prish (agjërimin) hixhamebërësi dhe atij që i bëhet hixhamja”, ngase nxjerrja e gjakut nga trupi i njeriut konsiderohet si ushqim dhe forca e tij dhe se nxjerrja e gjakut dhe agjërimi nuk mund të bashkohen, sepse kjo është e dëmshme.
Nxjerrja e gjakut me shumicë, qoftë nëpërmjet hixhames apo me mjete mjekësore e prish agjërimin. Po nëse kjo gjë duhet bërë patjetër, sikurse në rastin kur ka nevojë i sëmuri dhe nevojitet gjak dhe mosdhënia e gjakut rrezikon jetën e tij i bëhet detyrim kujt ka mundësi t’i dhurojë gjak, sepse këtu është në pyetje jeta e një myslimani. Kjo gjë është njësoj si shpëtimi i dikujt nga fundosja apo zjarri, ai detyrohet ne këtë rast t’i lejojnë që t’i marrin gjakun dhe ai do ta kompensojë këtë ditë, sepse ai e ka prishur këtë ditë agjërimi me arsye dhe se ai do të shpërblehet për këtë veprim, sepse kjo gjë llogaritet prej mirësisë.

2.Pyetje:
Pikat e gjakut që merren për analizat e gjakut, a e prishin agjërimin? Po nëse kjo përsëritet më shumë se një herë në ditë?

*Përgjigja:
Gjaku i paktë që nxirret për analiza nuk i përngjan hixhames, e cila është bazë në këtë çështje. (d.m.th.: nuk e prish agjërimin).

3.Pyetje:
Nëse ndodh që i sëmuri ka gjakderdhje duke qenë agjërueshëm, a e prish agjërimin në këtë rast, pa marrë parasysh se sa i shumtë apo i paktë është ky gjak?

*Përgjigja:
Gjakderdhja pa dashje shumë apo pak nuk ndikon tek agjëruesi (që t`ia prishë agjërimin) pasi kjo ndodh pa qëllimin e agjëruesit. Kjo është njësoj sikur të lëndohet diku apo pas nxjerrjes së dhëmbit ka gjakderdhje dhe është njësoj, se është bërë pa dashjen e tij. Agjërimi prishet kur bëhet nxjerrja e gjakut me vetëdashje, si p.sh.: hixhamja apo dhurimi i gjakut.

4.Pyetje:
Disa injeksione kanë në përmbajtje përbërje vitaminash, të cilat i japin fuqi sistemit nervor, por nuk ndikojnë në fuqizimin e trupit. Cila është përgjigja juaj?

*Përgjigja:
Injeksionet që përmbajnë vitamina konsiderohen ushqyese dhe kjo ndikon tek agjëruesi. Ai nuk lejohet që t’i përdorë duke qenë agjërueshëm, përveç nëse ka nevojë për injeksionet, i përdor ato dhe e kompenson atë ditë (sepse këto injeksione e prishin agjërimin).

5.Pyetje:
Disa injeksione intravenoze (që futen në vena) apo intramuskulare (në muskuj), të cilat i japin të sëmurit një lloj fuqizimi në trup, a llogariten se janë ushqyese dhe a prishet agjërimi?

*Përgjigja:
Për injeksionet që i jepen agjëruesit është folur mjaft rreth tyre dhe është konstatuar se injeksioni, i cili është ushqyes e prish agjërimin, pa kurrfarë diskutimi, pasi ai e zëvendëson ushqimin dhe pijen, prandaj për këtë gjë edhe e prish agjërimin.
Ndërsa injeksionet intravenoze, por që nuk janë ushqyese, të cilat merren nëpërmjet venave, kjo është çështje diskutimi ndërmjet dijetarëve bashkëkohorë. Disa thonë se e prish agjërimin, ngase përzihet me gjak dhe ecën nëpër trup dhe i jep fuqi trupit. Ndërsa të tjerët thonë nuk e prish agjërimin, sepse nuk është ushqyese dhe meqë nuk është ushqyese, ajo nuk ndikon në prishjen e agjërimit.
Ndërsa injeksioni intramuskular që jepet në muskuj dhe që nuk është ushqyes nuk ka problem, sepse nuk ndikon tek agjëruesi, pasi nuk depërton në gjak apo në brendësi të trupit, por është vetëm nën lëkurë. Injeksionet intramuskulare që jepen në muskuj (nën lëkurë) nuk e prishin agjërimin.

6.Pyetje:
Disa barëra e kanë kohën e caktuar të përdorimit, sepse nëse përdoren jashtë kësaj kohe ato e humbin efektin e tyre ndikues tek i sëmuri, a lejohen të përdoren kur sëmundja, e cila për shkak të saj merret ilaçi mund të jetë sëmundje e rëndomtë e jo diçka e rrezikshme?

*Përgjigja:
Po, lejohen të përdoren duke qenë agjërueshëm (duke e ndërprerë agjërimin), nëse barërat kanë kohën e vet të caktuar të përdorimit, sepse nëse nuk përdoren në kohën e caktuar, humb efekti i tyre. P.sh.: gjatë ditës së Ramazanit, nëse nuk i përdor humb efektin e saj dhe i sëmuri ka nevojë për të, kjo sikurse thotë Allahu aze ue xhel: “Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme.” Një person i tillë e përdor ilaçin dhe e kompenson atë ditë pas Ramazanit, pasi ai është i sëmurë dhe hyn në fjalën e Allahut kur thotë: “Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme.” Edhe nëse sëmundja nuk është shumë e rëndë ose e rrezikshme Allahu aze ue xhel e ka lejuar ilaçin dhe e ka lejuar për të sëmurin që të hajë, nëse agjërimi shkakton dobësimin, ose ndikon tek ai. Ndërsa sëmundja e rëndomtë sikurse dhimbja e kokës, dhëmbit, kjo nuk përbën arsye që mos të agjërohet dhe nuk i lejohet që ta prishë agjërimin.

7.Pyetje:
Disa të sëmurë kanë nevojë për operacione të lehta, që nuk i bëjnë dëm të sëmurit që ta shtyjë pas muajit Ramazan, por disa nga të sëmurët e refuzojnë një gjë të tillë. Si është puna me këtë gjendje, kur ata e refuzojnë një gjë të tillë, sepse ne mjekët jemi të sigurt se ky vonim nuk i bën dëm të sëmurit?

*Përgjigja:
Kjo është më mirë të vonohet (të shtyhet) pas Ramazanit, meqë një vonim i tillë nuk i sjellë të sëmurit ndonjë dëm. Çështja është njësoj në Ramazan apo jashtë Ramazanit, kjo është më e mirë dhe më e dobishme, që ta vonojnë deri pas Ramazanit.

8.Pyetje:
Nëse operacioni nuk është emergjent dhe mund të vonohet deri pas Ramazanit, a i ndalohet mjekut që ta kryejë një operacion të tillë gjatë ditëve të Ramazanit?

*Përgjigja:
Kjo është siç e përmendëm më parë. Është më mirë dhe më e dobishme të vonohet deri pas Ramazanit, porse nëse i sëmuri e kërkon një gjë të tillë mjeku e kryen duke iu përgjigjur dëshirës së të sëmurit. Ndërsa për sa i përket mjekut nuk ka ndonjë gjë për të, porse duhet që ta këshillojë të sëmurin dhe ta lajmërojë se kryerja e saj në Ramazan nuk është e domosdoshme.

9.Pyetje:
Disa nga të sëmurët në rast se ia lejon ta prishin agjërimin -Allahu na ruajt- përdorin duhan, ç’thoni ju për këtë?

*Përgjigja:
Duhani është i ndaluar (haram), nuk lejohet, as për të sëmurin, as për të shëndoshin, qoftë gjatë ramazanit apo jashtë tij. Një gjë të tillë e dinë edhe mjekët, si dhe rrezikun që sjell ai. Ky person duhet të këshillohet, që mos ta sëmurë veten edhe me një sëmundje tjetër përveç asaj që ka. Të këshillohet, t’i bëhet i qartë rreziku nga ai, dhe të kenë frikën Allahun, dhe të mjaftohet me atë që Allahu e ka lejuar.

10.Pyetje:
A e prishin agjërimin pikat që hidhen në sy?

*Përgjigja:
Është pyetje diskutimi në mes dijetarëve, duke u bazuar tek syri, a është syri grykë qarkullimi, i cili përcjell për në brendësi të trupit apo nuk është grykë qarkullimi? Prej tyre ka që e lejojnë dhe thonë se syri nuk është grykë qarkullimi dhe prej tyre ka që thonë, se syri është grykë qarkullimi përcjellëse, me argumentin që nëse e vendos një pikë në sy e gjen shijen e saj në fyt. Ky është argumenti i tyre, që syri është grykë qarkullimi dhe duke u bazuar në këtë thonë se e prish. Çështja është në dilemë mes dijetarëve dhe në këto çështje muslimani detyrohet t’i largohet asaj që ka dilemë dhe të dalë nga kjo duke marrë rezervat, nëse pikat nuk janë të detyrueshme, por nëse janë të detyrueshme patjetër gjatë ditës së Ramazanit e merr duke pasur kujdes, që mos t’i shkojë në brendësi të trupit, nëse e ndjen shijen e saj të mundohet që ta kthejë dhe ta ndërpresë kalimin e saj në fyt. Kjo nëse e ka të domosdoshme, e nëse jo, e vonon përdorimin e saj deri në mbrëmje.

11.Pyetja:
Pastrimi i veshkave për agjëruesin, i sëmurë, i cili është i varur nga pastrimi i veshkave (dializa) dhe është gjithmonë i lidhur me terapinë për pastrimin e veshkave, dhe mundet që i sëmuri të jetë agjërueshëm: a e prish agjërimin?

*Përgjigja:
Pastrimin e veshkave e shoqëron uji, i cili depërton në brendësi të trupit dhe tërheq materiale, e kjo e prish agjërimin. Për ketë ka dalë edhe fetva nga Komisioni i Përhershëm i Fetvave në Arabinë Saudite, në Riad, se pastrimi i veshkave e prish agjërimin, pasi e shoqëron uji dhe materiale, të cilat futen në fyt të agjëruesit dhe nxirren.

12.Pyetje:
A lejohet ai që ka nevojë për barëra të mos i përdorë, duke parë se mund të bëjë durim, a është mëkatar në këtë rast?

*Përgjigja:
Përdorimi i barërave është i lejuar (mubah) e jo i detyruar (vaxhib) e as i pëlqyeshëm (mustehab) dhe ai nëse nuk e përdor atë (ilaçin) ka lënë një gjë që është e lejueshme, e nuk ka lënë diçka që është vaxhib (për këtë ai nuk është mëkatar).

13.Pyetje:
Nëse ndonjë mjet mjekësor nuk futet nëpërmjet fytit, por nga ana e zorrës së trashë, apo nga ana e organit, a vlen e njëjta dispozitë?

*Përgjigja:
Po, të gjitha metodat (e përdorimit) janë njësoj, pa marrë parasysh anën se nga futen ato, e prishin agjërimin, pasi lëndët që përmbajnë ato depërtojnë në brendësi, në damarë dhe zorrë dhe kryhet nëpërmjet tyre prishja e agjërimit (normalishte nese jane lende ushqyese apo ilaqe ushqyese).

14.Pyetje:
Nëse orari i punës së mjekut është natën në muajin e Ramazanit, për sa i përket namazit të natës: a është më mirë për të të kërkojë leje dhe të dalë që të falet me xhemat në namazin e teravive, kur dihet se qëndrimi i tij nuk është i domosdoshëm në vendin e punës, apo të falet vetëm nëse i mundësohet kjo?

*Përgjigja:
Nuk duhet që ta lerë punën e tij, puna e tij është vaxhib (e detyrueshme), ndërsa shkuarja në taravi është sunet, e nuk lihet vaxhibi për sunetin, por duhet të qëndrojë në vendin e punën së tij e nëse i mundësohet që të falet natën në fillim, në mes ose në fund të saj, le të falet.

15.Pyetje:
Disa femra përdorin barëra për ndalimin e menstruacioneve, me qëllim që ta agjërojnë muajin e Ramazanit të gjithë. A lejohet një gjë e tillë?

*Përgjigja:
Mjekët tani janë të pranishëm, nëse thonë se një gjë e tillë nuk e dëmton shëndetin, nuk ka problem të përdoren, për shkak të agjërimit të Ramazanit pa ndërprerje.

Marrë nga libri: “Fetva të fikhut rreth çështjeve mjekësore të Ramazanit” nga dijetari i mirënjohur Shejh Salih Feuzan