Sexta-feira, 27/11/2020 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Prindërit ,fëmijët dhe edukata seksuale

Prindërit ,fëmijët dhe edukata seksuale

Prindër! Fëmijët tuaj janë, mes heshtjes tënde totale në çështjet e seksit dhe mes shfrenimit seksual që haset në internet dhe media të ndryshme. Imazhi i krijuar tek të rinjtë tanë rreth seksit dhe gjinisë tjetër, është më pranë mitologjisë sesa realitetit. Prandaj, është detyrë e prindërve që ti mësojnë, të ulen dhe të diskutojnë me fëmijët e tyre rreth kësaj çështjeje. Ndoshta, një shekull më parë, heshtja është parë si një lloj edukimi dhe kjo për shkak të rrethanave dhe mjedisit përreth. Por sot, të heshtësh në çështje të tilla, do të thotë ta marrësh fëmijën më qafë.

Që në fazën e parë të adoleshencës, prindërit duhet të bisedojnë me fëmijët e tyre dhe tu qasen tematikave seksuale në mënyrë të përshkallëzuar. Fëmijëve u duhet bërë e qartë se në çfarë stadi moshe po hyjnë. Sa më pranë fëmijëve të jesh, sa më marrëdhënie të forta të kesh krijuar, sa më miqësor të jesh dhe sa më shumë të përdorësh gjuhën e ndjenjave me fëmijët, aq më i besueshëm do të jesh teksa i ofron këtë lloj informacioni. Nëse shoqëria i tregon mite dhe legjenda mbi seksin, ti si prind ia jep këtë informacion kaq shumë të nevojshëm, në formë të qetë dhe plot dhembshuri e dashuri në mënyrë të përshkallëzuar. Nëse prindërit i kanë dhënë informacionin e duhur dhe marrëdhëniet e tyre me fëmijët janë të forta dhe të sigurta, çfarëdo lloj informacioni që do i ofrojnë shoqëria apo interneti, do të shoshitet mirë nga logjika e tyre.

Para se të befasohesh si prind, se fëmija yt bashkëjeton me dikë tjetër, duhet ta kesh edukuar dhe seksualisht atë, duhet t’i kesh folur për seksualitetin e tij dhe të gjinisë tjetër, duhet ti kesh treguar histori dhe ngjarje nga aktualiteti. Ndonjëherë mund të shfrytëzosh një fragment filmi që jeni duke parë bashkërisht dhe të bësh komentet e tua rreth tij. Një herë tjetër mund të shfrytëzosh një reklamë që është vënë buzë rrugës për të komentuar dhe ofruar një informacion. Kështu, edukatën seksuale fëmija yt e merr në mënyrë të përshkallëzuar, logjike, të ekuilibruar dhe të pranueshme. Që të mbërrijmë gjer tek edukata seksuale, siç e kemi cekur dhe më parë, babai dhe nëna duhet të kenë krijuar marrëdhënie miqësore me fëmijët e tyre.

(Visited 113 times, 1 visits today)
Top