Sexta-feira, 18/10/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Porositë e Mi’raxhit

Porositë e Mi’raxhit
Porositë e Mi’raxhit
Ishte afruar koha që Pejgamberi a.s. të kthehet nga Mi’raxhi në Tokë dhe të na sjellë porosinë qiellore, Fjalën e Zotit. Për vepra të mëdha, duhen inspirime të medha. Për veprën madhështore të Muhammedit – udhëtimi i Mi’raxhit natën deri tek burimi i Librit – ishte përsëri një inspirim dhe dëshmi e madhe baras me atë të Ramazanit në shpellën Hira. Ky frymëzim i Mi’raxhit ishte një garanci për Pejgamberin a.s. për ndihmën dhe suskset që do t’i ofrojë All-llahu xh.sh. në rrugën dhe misionin e tij të te shenjtë. Mi’raxhi paralejmëroi fitoren e fesë islame dhe përhapjen e saj të pandalshme. Mi’raxhi hapi dyert e shpresës njerëzore dhe mundësitë e suksesit për çdo individ veç e veç dhe për bashkësinë në përgjithësi.

Rruga e kthimit të Muhammedit a.s. nga Mi’raxhi për në Bejtu’l-Makdis po ashtu ishte frymëzuese sikur edhe ngjitja e tij. Duke u kthyer, Pejgamberi a.s. hasi në disa pamje dhe shfaqje të çuditshme që i bënë mjaft përshtypje, mirëpo kuptimin e tyre nuk e dinte. Për këtë All-llahu xh.sh. i kishte caktuar shoqëruesin – melekun Xhibril, i cili do t’i shpjegonte domethëniet e tyre. Në një hadith që e transmeton Taberaniu thuhet se Pejgamberi a.s. kaloi pranë një grupi njerëzish që mbillnin dhe të njëjtën ditë e korrnin atë që e kishin mbjellë. Posa e korrnin ajo bëhej si kishte qenë më parë. E pyeta: ç‘është kjo o Xhibril? Këta janë muxhahidët – luftëtarët në rrugën e Zotit – vepra e mirë shtatë qind herë shpërblehet. Çdo gjë që kanë sakrifikuar ajo i shoqëron, sepse All-llahu është Shpërblyesi më i mirë, iu përgjigj Xhebraili.

Pastaj thotë Pejgamberi a.s. kalova pranë një turme njerëzish, të cilët i binin shkëmbit me kokë, sa herë që i thërmonin kokat, ktheheshin në gjendjen e më parshme dhe kështu vazhdimisht, por kjo nuk ua lehtësonte vuajtjen. E pyeta: “ç‘janë këta o Xhebrail. Ai m’u përgjigj: “Këta janë ata të cilëve u ka ardhurë vështirë të falin namazin”.

Me këto dy shfaqje dhe shumë të tjera që s’mund t’i përmendim këtu për shkak të kohës së kufizuar, deshëm të tregojmë lidhjen që ka Mi’raxhi me jetën tonë të përditshme. Janë këto dy porositë më kryesore të Mi’raxhit: xhihadi – përpjekja dhe puna maksimale në rrugën e All-llahut dhe namazi – lidhja më direkte e njeriut me Zotin – krijuesin e tij.

Mi’raxhi është treguesi më i mirë se si besimtari musliman duke marrë si model të përkryer Muhammedin a.s., duhet të ballafaqohet në mënyrë heroike me jetën dhe problemet e saj, me vështirësitë dhe krizat e ventuale dhe në fund të dalë fitimtar. Mi’raxhi qe dhe mbeti pishtar dhe dritë e përjetshme për shpirtin religjioz të muslimanit. Veçanërisht me imitacionin e tij prej 5 namazeve brenda ditës që u bënë farz në Mi’raxh (Mi’raxhi i vogël). Të nderuar besimtarë, të përkujtojmë këtë natë të madhe, këtë udhëtim nate, sepse ai edhe sot e gjithëherë do të jetë forcë e lëvizje e gjallë në Islam. Vetëm se duhet të jemi të aftë e të fuqishëm shpirtërisht që të kuptojmë vertetësisht rëndësinë e vlerën e Mi’raxhit dhe t’i shfrytëzojmë në mënyrë të drejtë e konstruktive frytet e tij. Kush e kupton dhe e përjeton këtë ngjarje, mund të themi se ai ka bërë mi’raxh me Pejgamberin a.s.

(Visited 43 times, 1 visits today)
Top