Sábado, 21/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Po nuk u sigurua një mushkëri e re për të, Arta 16 vjeçe do të vdesë

Po nuk u sigurua një mushkëri e re për të, Arta 16 vjeçe do të vdesë

Arta e sëmurë rëndë, ka në Instagram rreth 25 mijë ndjekës. Ndoshta popullariteti i saj ndihmon që në ditët e ardhshme të sigurohet një mushkëri e re për të. E kjo sigurohet vetëm në rast se njerëzit të cilëve u ka vdekur dikush nga familja, përcaktohen që mushkërinë e tij/saj ta dhurojnë që të mund të jetojë Arta.

Iniciativa që u lansua dje në Zvicër, për stimulimin e dhurimit të organeve për transplantim, ka kthyer në fokus të medieve fatet e atyre të sëmurëve jeta e të cilëve varet nga vullneti i njerëzve për të dhuruar organet e tyre. Suksesi eventual i kësaj iniciative do të thotë shpëtim nga dënimi me vdekje që u ka caktuar fati i keq atyre.
Një rast i këtillë i dhembshëm është ai i vajzës 16 vjeçe, Arta Shabani nga Bazeli.

Pa një mushkëri të re (të dhuruar) Arta do të vdesë“. Ky është titulli dramatik dhe alarmues që i është vënë artikullit i cili i kushton njerëzve që presin një organ për transplantim. E rreshti i tyre është i gjatë, shumë nga ta nuk do të mbijetojnë këtë pritje në radhë, në mungesë të atyre që japin organet e tyre për të jetuar të tjerët.
Arta Shabani është e shtruar në Spitalin Universitar (Universitätspital) të Cyrihut, dhe ajo ka nevojë urgjente për një mushkëri të dhuruar. Ajo vuan nga fibroza cistike, një sëmundje e trashëguar, e cila i ka shkatërruar, hap pas hapi mushkëritë. 16 vjeçja mund të vdesë, pasi që gatishmëria për dhurim të organeve, në Zvicër ka pësuar një rënie ndrastike, por ajo nuk dorëzohet.

Në instagram, Arta tregon në mënyrë mbresëlënëse për jetën e saj të rëndë, poston fotografi. Afër 25 mijë veta e ndjekin në instagram rrëfimin e saj jetësor nën këtë „username“: @artiproblems.

Një adoleshente me sy të zi dhe vezullues, një vajzë plot ëndrra. Gjithçka që shoqet e saj e bëjnë për ditë, ajo e ka të ndaluar: të merret me sport, të dalë, të shijojë jetën. Madje as në shkollë ajo nuk mund të shkojë më, pasi që është shumë e dobët fizikisht për të përballuar një gjë të tillë. Por, vullneti i saj për jetë është i pathyeshëm.

Vetëm një mushkëri e dhuruar mund ta shpëtojë Artën. Ajo, ka dhjetë muaj që gjendet në radhën e pritjes dhe shpreson për një jetë të dytë.

Është e detyruar që të bëjë me orë të tëra fizioterapi, të inhalojë dhe të nxjerrë jashtë lëndën që e sekreton mushkëria e saj dhe që i rrezikon jetën.

Tash në youtube mund të shikohet edhe nje video prekëse, ku ajo bën ftesë për dhurim organi. Arta është shembull për shumë të rinj e të reja, është një yll, por, ajo dëshiron diçka më shumë: që e gjithë bota ta dijë se nëpër çfarë vështirësish është duke kaluar.

Vuaj shumë nga zënia e frymës. Është vërtet shumë keq“, shkruan ajo më 13 tetor. Që nga fundjava, gjendja e saj është përkeqësuar edhe më shumë. E dëshpëruar ajo paraqitet nga Universitätspital: „Jam e shtruar në stacionin e kujdesit intensiv. Gjendja ime është përkeqësuar në mënyrë dramatike“. Prindërit dhe njëri vëlla më i ri janë pranë saj për t`i dhënë zemër.

Vajza me rrënjë shqiptare, e cila me kaq pasion luan me kitarë dhe këndon, tash duhet të marrë frymë në mënyrë artificiale. Në listën e pritjes për një organ të dhuruar, ajo është fare lart. E pikëlluar por me plot shpresë, Arta thotë: „Nuk do të lëshohem nga këtu, deri sa të më transplantojnë mushkërinë“.

Edhe në gjendjen e rëndë në të cilën është, Arta mbështet iniciativën aktuale për stimulimin e dhurimit të organeve. Ajo është paraqitur personalisht në redaksinë e gazetës Blick duke thënë: Kjo iniciativë është diçka e mrekullueshme. Ajo më jep shumë shpresë mua dhe të gjithë të tjerëve që presin një organ“, ka shkruar Arta në emailin që i ka dërguar redaksisë. Dhe shton: „Sapo të kem kaluar të gjitha, unë do të ndihmoj natyrisht, për grumbullimin e 100 mijë nënshkrimeve, (sa nevojiten për të realizuar iniciativën). Ne do t`ia dalim“.

Nëse do të mbijetoj, e gjithë kjo ia ka vlejtur, pavarësisht se ku jam unë tash. Kjo më ka bërë të tillë çfarë jam dhe për këtë jam shumë mirënjohëse e krenare“. Ndërsa të gjithë atyre që tash mendojnë për të ajo u drejtohet: „Ju jeni bërë po ashtu një pjesë e jetës sime. Motivimi që më bëni çdo ditë, është i papëshkrueshëm. Falënderoj secilin nga ju veç e veç, edhe kur ajo që më shkruani është vetëm një lajm i mirë“. Fjalinë e fundit Arta e ka zbukuruar me një zemër. Dhe me këtë postim, i ka fituar edhe 5000 ndjekës të rinj.

Ndërsa tash për Artën ka vlerë me të vërtetë çdo ditë çdo orë. Po bëhet gjithnjë më vështirë për të, por shpresa vdes e fundit.

Edhe kryetari i Swisstransplant, Franz Immer shprehet i prekur nga fati i Artës, edh pse thotë se mjerisht ky nuk është rast i vetëm. Gjendja e saj është përkeqësuar aq shumë ditëve të fundit sa që është dashur që emri i saj të ngjitet urgjentisht më lart në listën e atyre që presin transplantim. „Ne të gjithë shpresojmë se ajo do ta sigurojë sa më shpejt organin e nevojshëm dhe i dëshirojmë asaj dhe familjes nga zemra shumë forcë në këtë periudhë të rëndë të jetës“.

(Visited 28 times, 1 visits today)
Top