Sábado, 24/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pirja e ujit me tri frymë

Pirja e ujit me tri frymë

Pirja e ujit me tri frymë

Muslimi sjell rrëfimin e Enesit se Pejgamberi (s.a.u.s.) pinte ujë me tri frymëmarrje të ndara nga njëra-tjetra, dhe thoshte: “Kjo mënyrë e shuan më mirë etjen, është më e këndshme dhe më e shëndetshme.” Ky hadith tregon që Pejgamberi (s.a.u.s.) e largonte enën nga goja, merrte frymë, dhe pastaj pinte sërish. Në një hadith tjetër, Pejgamberi (s.a.u.s.) urdhëron që të mos merret frymë mbi enë, por ena të largohet nga goja, dhe pastaj të merret frymë. Kjo mënyrë është tepër efikase për të shuar etjen dhe më e shëndetshme, siç ka thënë Pejgamberi (s.a.u.s.). Kur uji futet në stomakun e nxehtë me tri faza, e pira e dytë shuan etjen që ka mbetur pas të pirës së parë, ndërsa e treta shuan etjen e mbetur pas dy të parave. Kjo mënyrë shërben edhe për të siguruar më mirë përshtatjen me temperaturën e stomakut, duke mos e mbushur atë menjëherë me substanca të ftohta. Po ashtu, nëse pi ujë vetëm me një frymë, etja ka për t‟u shuar vetëm pjesërisht, ndryshe nga pirja me tre çaste. Kjo mënyrë jep rezultate më të mira sesa pirja me një frymë, pasi uji mund ta zhdukë ose ta dobësojë nxehtësinë instiktive, duke dëmtuar kështu temperamentin e stomakut dhe të mëlçisë. Uji mund të shkaktojë edhe sëmundje të tjera, sidomos për ata që jetojnë në vende të ngrohta, si Jemeni a Hixhazi, e kryesisht gjatë stinës së verës. Pirja me një frymë është e rrezikshme për këta njerëz, sepse nxehësia instiktive e tyre është e dobët, veçanërisht në mot të nxehtë, siç e përmendëm më lart. Thënia e Pejgamberit (s.a.u.s.): “Kjo mënyrë e shuan më mirë etjen, është më e këndshme dhe më e shëndetshme”, është e ngjashme me thënien e Allahut në Kuran: “…shijojeni atë pa frikën e ndonjë dëmtimi.” [Nisa, 4]

Pirja me një frymë mund të shkaktojë edhe mbytje, prej sasisë së madhe të lëngut që mund të merret ashtu. Por, kur pirja bëhet me ndërprerje, duke marrë frymë, nuk ka rrezik mbytjeje. Gjatë pirjes së ujit, gazrat e nxehtë të grumbulluar në trup ngjiten dhe shkojnë përreth mëlçisë dhe zemrës, për shkak të ujit a lëngut të ftohtë që zbret në stomak. Në këtë rast, uji zbret me nxitim poshtë, ndërsa gazrat ngjiten lart, duke krijuar fryrje barku e, ndonjëherë, edhe mbytje. Njeriu nuk e shijon të pirët në këtë mënyrë. Kur uji i ftohtë arrin papritur në mëlçi, e dobëson atë, sepse i shkakton asaj ulje të temperaturës. Por, kur pirja bëhet me disa frymëmarrje, mëlçia nuk e humb ngrohtësinë e saj e, rrjedhimisht, nuk dobësohet. Në mënyrë të ngjashme, po të hedhësh ujë mbi një tenxhere që është duke vluar, nuk do t‟i bësh asaj ndonjë ftohje të madhe. Tirmidhiu shënon se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos pini me një frymë, siç bën deveja, por pini me dy ose tri ndërprerje, duke përmendur emrin e Allahut para se të pini dhe duke e falënderuar Atë pasi të keni përfunduar.” Përmendja e emrit të Allahut përpara pirjes dhe falënderimi i Tij pas saj luan një rol të rëndësishëm në përfitimet që vijnë nga pija, duke e shijuar atë dhe duke u ruajtur nga të këqijat e saj. Imam Ahmedi ka thënë: “Nëse ushqimi ka katër cilësi, atëherë ai quhet i përkryer: kur përpara se të hahet (ose pihet) është përmendur emri i Allahut, kur pasi është ngrënë (ose pirë) është falënderuar Allahu, kur ka shumë duar që hanë prej tij dhe kur është siguruar në rrugë hallall (të lejuara).”

(Visited 60 times, 1 visits today)
Top