Domingo, 8/12/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Përse agjërojmë?

Përse agjërojmë?

Pas një viti të mbushur me punë, lodhje, përgjegjësia, studime, orare, telefonata, rutinë profesionale, strese dhe mëngjese me zgjim herët, pas një viti gjithkush kërkon si minimum një muaj pushim, që të çlodhet dhe të rimarrë energji. Një muaj pushim pas një viti “vrapim”.

Gjatë muajit të pushimeve, njeriu arrin vetëm të largohet nga puna dhe lodhjet e saj, por jo nga objektivat dhe qëllimet e punës. Prapë se prapë preokupimi i natyrshëm mbetet tek ushqimi i përditshëm dhe komoditetet trupore.

Por fatmirësisht, ka edhe një tjetër muaj për t’u prehur. Përveç muajit të pushimeve, një miliard njerëz në botë, për thuajse një muaj rresht, pushojnë së konsumuari ushqimet, pijet dhe kënaqësitë trupore, për disa orë në ditë- nga fillimi i agimit të diellit deri në perëndimin e tij.

Gjatë këtij muaji ata përpiqen të ndiejnë më shumë të vërtetën thelbësore të qenies njerëzore; faktin se janë krijesa të larta të cilat Zoti i ka krijuar jo thjesht për të ngrënë e për t’u shumuar.

Gjatë këtij muaji, përmes agjërimit- largimit disa orësh nga kërkesat e trupit,-  njeriu zbulon spiritualitetin e vet, forcon solidaritetin njerëzor me të varfrit dhe duke e kuptuar më mirë gjendjen e tyre, priret t’i ndihmojë si dhe gjithashtu kalit vullnetin e tij për të përballuar vështirësitë e të papriturat e jetës.

Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Me të vërtetë, Allahu i Madhëruar është Bujar ndaj dhe e do bujarinë.  Ai është dorëdhënës dhe e do shpirtmadhësinë.” Tabarani

Agjërimi nuk është ndonjë akt i mundimshëm, e provë për këtë është fakti se prej shekujsh, pa ndërprerë agjërojnë qindra njerëz të moshave të ndryshme, pleq e fëmijë. Dhe jo vetëm ata që sot njihen si muslimanë.

Të gjithë besimet e drejta të mëparshme e kanë praktikuar agjërimin. Feja nuk e inkurajon agjërimin e të sëmurëve, të të miturve e tepër të moshuarve. Sigurisht që parakushti për të agjëruar është që njeriu të besojë se vetëm Zoti e meriton adhurimin dhe bindjen, dhe se Muhamedi është i Dërguari i Zotit, i frymëzuar me shpallje nga I Plotfuqishmi për të na treguar çka na afron në rrugën e drejtë për në mirësinë e përhershme. Por gjithsesi , largimi i vullnetshëm nga kërkesat e trupit sa për të medituar mbi të vërtetat e qenies njerëzore, do të ishte një mesazh shumë i vlefshëm edhe për ata që nuk e dinë a besojnë vërtet.

Cili është qëllimi i agjërimit?

Allahu i Madhëruar në Kur’an na thotë: ““O ju që keni besuar: Ju është urdhëruar agjërimi, siç u është urdhëruar edhe atyre përpara jush, me qëllim që të bëheni të Devotshëm.” Bekare: 183

Me këtë ajet Kur’anor, Allahu e ka bërë detyrë agjërimin për besimtarët.
Po ta lexojmë me kujdes këtë ajet, do të shohim se qëllimi i bërjes detyrë i agjërimit, është “…me qëllim që të bëheni të devotshëm.”
Të bëheni të devotshëm, ky është qëllimi i agjërimit dhe i të gjitha adhurimeve të urdhëruara nga Allahu i Madhëruar.
Për namazin Allahu na thotë: “Në të vërtetë namazi (falja e tij) parandalon nga El Fahsha (çdo vepër e papëlqyer, e ulët, e keqe) dhe nga El-Munker (veprat e shëmtuara dhe nga gjynahet).”  Ankebutë 45.
Me fjalë të tjera themi se qëllimi i namazit është adhurimi dhe lidhja me Zotin si dhe largimi nga çdo gjë që na e ka ndaluar Ai, pra devotshmëria.
Allahu, kur na flet për haxhin në suren Bekare 196-197, pasi tregon veprimet në haxh, e mbyll këtë ajet me fjalët: “Dhe kijeni shumë frikë Allahun (jini të devotshëm) dhe dijeni se Ai është i ashpër në ndëshkim” 196 “Dhe përgatituni për udhëtimin, por përgatitja më e mirë është devotshmëria. Kështu pra, m’u frikësoni Mua, o ju (njerëz) që kuptoni” 197.
Gjithashtu dhe qëllimi i kurbanit është arritja e devotshmërisë. Zoti na thotë: “Nuk është as mishi dhe as gjaku i tyre (bagëtive për kurban) që arrin tek Allahu, por devotshmëria juaj.”  Haxh 37.

Në ajetet e mësipërme pamë se te të gjitha adhurimet, qëllimi qenka arritja e devotshmërisë, që do të thotë se nëse nuk arrihet kjo devotshmëri, ky adhurim nuk e ka realizuar qëllimin për të cilin është urdhëruar.
Por që të arrihet kjo devotshmëri duhet me patjetër që njeriu të agjërojë vetëm si bindje ndaj urdhrit të Krijuesit të tij e jo për arsye shëndetësore, edhe pse këtë e përfiton, e as thjesht për ta provuar pa pasur si qëllim bindjen ndaj Zotit. Ndaj themi që shikojeni qëllimin pse po agjëroni që të mos e humbisni shpërblimin e madh Zoti ka përgatitur për agjëruesit.

Po ç’është në vetvete devotshmëria, bindja ndaj Allahut?

Ibën Rexhepi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Esenca e devotshmërisë është të vendosësh një mburojë (e cila të ruan) kundrejt hidhërimit të Allahut të Madhëruar. Kjo mburojë është t’i bindesh urdhrave të Allahut dhe t’u përmbahesh ndalesave të Tij…” Xhamiju-Ulum uel Hikam: 190/191

Agjërimi ka tri nivele: agjërimi i përgjithshëm, agjërimi i veçantë dhe agjërimi tepër i veçantë.
Për sa i përket agjërimit të përgjithshëm ai kryhet duke ndaluar trupin të ushqehet si dhe të kryejë aktin epshor.
Agjërimi i veçantë kryhet duke ndalur shikimin, dëgjimin, gjuhën, dorën, këmbën dhe të gjitha organet e trupit që të mos kryejnë gjynahe.
Agjërimi tepër i veçantë është agjërimi i zemrës dhe i mendjes nga çdo pasion i ulët, dhe çdo mendimi të keq që të largon nga Allahu, ai është gjithashtu; largimi me shpirt nga kjo botë dhe veçim me Allahun.

Si i shpërblen Zoti agjëruesit?

Vlerat e agjërimit janë të shumta, ato tregohen në hadithet e Muhamedit (alejhi selam, paqja qoftë mbi të), ku ndër të tjerat thuhet se agjërimin Allahu e ka zgjedhur për Vete, Ai shpërblen për të dhe ia shton shpërblimin pa llogari. Muhamedi (alejhi selam), thotë në një hadith Kudsij se Allahu ka thënë: “Agjërimi është për Mua dhe Unë e shpërblej për të, ai i largohet kënaqësive dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit, tek Allahu është më e mirë se era e miskut.” Buhariu
Ibën Haxher El-Askalani, dijetar i njohur, thotë: “Megjithëse të gjitha veprat e adhuruesve janë vetëm për Allahun, Ai veçon agjërimin, sepse agjërimi nuk është lloj adhurimi e përkushtimi që mund të bëhet për t’u dukur. Agjërimi është i fshehtë dhe askush veç Allahut nuk mund ta dijë nëse dikush agjëron apo jo. Prandaj agjërimi është vepër e pastër vetëm për Allahun e që nuk mund të njolloset me hipokrizi”. (Fet’hul Bari Vëll.5 Faqe.10)
Gjithashtu thotë: “ Lutja e agjëruesit nuk refuzohet” Bejhakiu
Agjërimi ndërmjetëson tek Allahu Ditën e Gjykimit ku thotë: “O Zoti im! Unë e largova atë prej ushqimit dhe dëshirave, prandaj pranoje lutjen time për të.” Ahmedi
Agjërimi është mburojë nga Zjarri:“Agjërimi është një mburojë që të mbron nga Zjarri.”  Ahmedi
“Ai i cili agjëron një ditë duke kërkuar Fytyrën e Allahut të Madhëruar i vuloset hyrja në Xhenet.” Ahmedi
“Ai që agjëron Ramazanin, me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), atëherë i falen gjynahet që ka bërë.” Buhariu dhe Muslimi
“Vërtet në Xhenet është një portë që quhet er-Rajjan. Ditën e Gjykimit, ata që agjëruan, do të hyjnë nëpër të, përveç tyre nuk hyn asnjë, dhe kur të hyjë i fundit (agjërues), ajo do të mbyllet.”   Sahih. transmeton Ibën Huzejme
“Në muajin e Ramazanit, çdo ditë e natë, ka nga ata të cilët Allahu i liron prej Zjarrit, dhe për çdo musliman ka një lutje, të cilën ai mund ta bëjë dhe do t’i pranohet.” Sahih transmeton El-Bazari dhe Ahmedi
Mjafton si vlerë e agjërimit dhe vetëm përmendja se në këtë muaj ka zbritur Kur’ani që është dritë dhe udhëzim për mbarë njerëzimin. Në këtë muaj gjendet dhe nata e kadrit e cila është më e mirë se një mijë muaj, natë në të cilën përcaktohen rrizqet, caktohet se kush do ta bëjë haxhin atë vit etj.
E veçantë tjetër e këtij muaji është dhe se në ramazan njerëzit janë më të qetë dhe më afër veprimeve të mira sepse në këtë muaj lidhen dhe djajtë më agresivë, që i nxisin njerëzit për punë të këqija.
Megjithatë, si çdo element tjetër i fesë islame, agjërimi mbart një dimension të shumëfishtë dobish që shtrihen nga rrafshi shpirtëror, ai mendor dhe trupor, deri tek ai shoqëror, gjithënjerëzor.

Disa nga dobitë shëndetësore të agjërimit:

Prej shekujsh agjërimi është aplikuar si teknikë kurative për shumë sëmundje, ndërsa shkollat më të mira të terapisë sot në botë e këshillojnë agjërimin si hapin e parë të çdo trajtimit, madje si formë mbështetëse qysh në fazën e përcaktimit të diagnozës.
Në traditën e mendimit shkencor mjekësor, qysh nga lashtësia, sëmundja është shikuar si e ndërlidhur me psikikën dhe sot në epokën moderne, kjo bindje është forcuar edhe më.
Shkollarët e shëndetësisë thonë se dobitë e agjërimit për shëndetin e njeriut dhe formën e tij trupore janë shumë të mëdha. Agjërimi ndihmon në mënyrë efektive në shërimin e shqetësimeve psikike dhe të atyre erotike, forcon vullnetin e agjëruesit, sensibilizon e zbut ndjenjat e tij, i forcon dashurinë ndaj të tjerëve dhe e largon nga grindjet, ngacmimet dhe tendencat për veprime agresive ndaj të tjerëve, i kalit atij ndjenjën e shpirtmadhësisë, etj. Në këtë mënyrë agjërimi forcon dhe mbështet personalitetin e njeriut, e bën atë me të fortë për të përballuar problemet dhe vështirësitë e jetës. Të gjitha këto, pa asnjë dyshim, pasqyrohen në mënyrë të vetvetishme në shëndetin e njeriut.
Ana tjetër e dobisë së agjërimit është se ai ndihmon në shërimin e shumë sëmundjeve trupore të stomakut, shqetësimet e zorrës së trashë, sëmundjet e mëlçisë, të mostretjes si duhet të ushqimeve, etj.
Po ashtu ai ndihmon në mjekimin e dhjamosjes (obozitetit), të trombozave dhe sklerozimit të enëve të gjakut, në uljen e tensionit të gjakut, të frymëmarrjes, etj.
Mjeku zviceran Barsilius ka shkruar se dobia e urisë në mjekimin e disa sëmundjeve e kalon shumë herë dobinë e përdorimit të barnave mjekësore.  Ndërsa mjeku Hilab ua ndalonte ushqimin të sëmurëve të tij për disa ditë me rradhë dhe vetëm pas kësaj fillonte t’u jepte porcione ushqimore të lehta.
Agjërimi ndihmon gjithashtu në shkatërrimin e fibrave të sëmura e të panevojshme, kjo ndodh gjatë fenomenit të agjërimit, por që rindërtohen të reja përsëri pas marrjes së ushqimit. Ky është shkaku që i ka bërë disa shkencëtarë, midis të cilëve edhe Bashutin, të thonë se agjërimi ndihmon në kthimin e rinisë.
Profesori rus Nikolev Vanikov, në shkrimin e tij me temë “Liria për hir të shëndetit”, citon se agjërimi luan një rol domethënës në pastrimin e organeve të trupit të njeriut nga papastërtitë, mbeturinat dhe lëndët helmuese. Ai çon në zhdukjen e tërë qelizave të dobëta që kanë rrethuar organin e tretjes dhe ndihmon në sekretimin dhe shkatërrimin e papastërtive nga stomaku dhe zorrët.
Në të njëjtën kohë, agjërimi është i efektshëm në kurimin e sëmundjes së ulcerës dhe të puçrrave që dalin në sipërfaqen e lëkurës. Ndalon depërtimin në mëlçi të sasive të dëmshme të acideve, sheqernave e kripërave që përfitohen nga ushqimet dhe lëngjet. Gjithashtu agjërimi ka efekt dhe në kurimin e sëmundjes së sheqerit, duke çuar kështu uljen e përqindjes së tij në gjak dhe pastrimin e tij si dhe ka efekte në shërimin e reumatizmin.
Shkencërisht është vërtetuar se ai ka fuqi shëruese në çrrënjosjen e tumoreve në trup e stomak dhe ndihmon gjithashtu në shpërbërjen e gurëve në veshka dhe precipitateve gëlqerore, duke i shkrirë ato një e nga një.
Një tjetër mjek shprehet në lidhje me disiplinën që ushtrohet në agjërim.
“Dobia që arrihet prej ushqimit të pakët, duke u konsumuar me rregull, është më i vlefshëm se dobia që arrihet prej ushqimit të tepërt i konsumuar pa rregull. E kjo disiplinë nuk vihet re veçse në agjërimin Islam.”
Është e natyrshme se agjërimi mund t’u shkaktojë edhe dëm disa individëve. Prandaj Zoti i Madh i ka çliruar ata prej tij. Njëkohësisht duhet të kihet parasysh se dobitë më të mëdha të agjërimit lidhen me zbatimin si duhet të edukatës së agjërimit, siç është vonesa e suhurit (ngrënia në agim) dhe afrimi i iftarit (ngrënia në perëndimin e diellit), mos tejkalimi i normës së ushqimit, qoftë në sasi, qoftë në cilësi, shmangia e shumëllojshmërisë së gjellëve, etj. ”

Mbyllje

Ne e falënderojmë të madhin Zot që ka caktuar për ne adhurime të tilla ku njeriu ka mundësi të përsosë shpirtin e tij por dhe trupin njëkohësisht. Nga ky këndvështrim ne kuptojmë universalitetin e fesë së Zotit të zbritur për të mirën e njerëzimit.
Zoti me anë të agjërimit, veç të tjerash do t’i tregojë njerëzimit se adhurimet që Ai i ka vendosur janë për të mirën e njerëzve, që ata të përsosen shpirtërisht e moralisht, por nuk i ka lënë mënjanë dhe dobitë trupore.
Agjërimi e edukon njeriun që të jetë në gjendje t’i zotërojë dëshirat, të jetë në gjendje që veprat e tij të priren nga logjika e shëndoshë, e bazuar në baza fetare, dhe jo nga dëshirat momentale. Me fjalë të tjera mund të themi, se ai që edukohet në shkollën e agjërimit, është në gjendje t’i shmanget me lehtësi veprimeve të ndaluara nga Allahu, si droga, prostitucioni, vjedhjet dhe krimi etj., jo vetëm në ramazan, por edhe jashtë tij.
E kundërta ndodh me ata që nuk e dinë vlerën e agjërimit. Të tillët, sa herë që epshi ia dëshiron diçka edhe pse e dinë se është në të keqen e tyre, siç është rasti me drogën, alkoolin, duhanin, nuk e gjejnë forcën për t’u larguar nga veprime të tilla, sepse dëshirat e tyre nuk njohin pengesë dhe ndjenjat e tyre nuk janë edukuar nga agjërimi.

(Visited 64 times, 1 visits today)
Top