Quinta-feira, 8/6/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
United States
+11C

Përfundon operacioni serb, në shkollën shqiptare në Raincë u konfiskuan 5 mijë libra

Përfundon operacioni serb, në shkollën shqiptare në Raincë u konfiskuan 5 mijë libra

Ka përfunduar aksioni i Inspektoratit serb në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Rainc të Preshevës, duke konfiskuar të gjitha librat, rreth pesë mijë copa, sa ishin të vendosur aty. Lidhur me këtë ka reaguar menjëherë edhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku e cila ka thënë se do ta ngris këtë çështje urgjentisht në instancat ndërkombëtare.
Të gjithë pesë mijë librat kanë qenë të vendosur fillimisht në shkollën “Zenel Hajdini” që më pas prej aty të shpërndahen nëpër shkolla të tjera shqipe, ndërsa librat të hartuar sipas plan programeve të Kosovës dhe të shtypur nga botuesit kosovarë kanë qenë për nxënësit e klasës së parë, të dytë, të tretë dhe të katërt.

presheva

Librat e konfiskuar kanë qenë dhuratë e Ministrit të Arsimit të Kosovës, Ramë Buja për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Të gjithë librat sipas kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafës janë dërguar në stacionin policor të qytetit të Preshevës.

Përpos kësaj Drejtori i shkollës, Shukri Ymeri dhe sekretari i shkollës, Begzad Iljazi janë shoqëruar për në stacionin policor të Preshevës për tu intervistuar. Këtë lajm e ka konfirmuar për “Zërin” kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Gjatë këtij operacioni, ekipi i Radio Televizionit të Preshevës është kërcënuar nga inspektorët serbë.

Ndërkohë prindërit e nxënësve kanë thënë se do t’i ndalin fëmijët nga shkolla pas provokimeve të vazhdueshme të forcave serbe.

Qeveria e Serbisë në të gjitha mënyrat po vazhdon që tu bëjë jetën më të vështirë qytetarëve të Preshevës.

Akti i fundit ka ndodhur sot në fshatin Rainc të Preshevës ku inspektorati serb ka hynë në shkollën fillore “Zenel Hajdini” dhe u ka konfiskuar të gjitha librat që janë nga klasa e parë deri në klasën e katërt.

Sipas kryetarit të Preshevës, Ragmi Mustafa, nxënësit, drejtori dhe mësuesit e asaj shkolle janë terrorizuar nga sjellja e inspektorëve serb të cilët po vazhdojnë të qëndrojnë atje.

“Inspektorët serb me urdhër të prokurorisë kanë hyrë në shkollën fillore “Zenel Hajdini” të fshatit, Rainc të komunës së Preshevës, për t’i konfiskuar librat prej klasës së parë deri në klasën e 4-të”, shpjegon Mustafa.

“Sipas tyre arsyetimi i këtij veprimi ka të bëjë me atë se librat nuk janë të harmonizuara me plan programin e ministrisë së arsimit të Serbisë. Pra janë libra të plan programit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka folur me asnjë institucion serb pasi që sipas tij me ta nuk mund të flitet. “Ata janë jashtëtokësorë dhe me ta nuk mund të flitet. Nuk ka bisedime me serbët. Ku ka ma tmerr se sa në shekullin e 21-të, të terrorizohen fëmijët dhe mësuesit dhe të ndalohet mësimi. Ku ka ma tmerr se sa tu merren fëmijëve librat nga dora”, ka thënë Mustafa.

Ai ka apeluar te Qeveria e Kosovës që të marrë qëndrim sa më të shpejtë rreth kësaj çështje e poashtu edhe të ndërprenë bisedimet me Serbinë.

“Ky është një akt shumë qyqar i Qeverisë së Serbisë e cila po tregon edhe njëherë se mund të bëjë çfarë të dojë në Preshevë dhe në Kosovë. Unë lus që qëndrimi i Qeverisë së Kosovës të jetë shumë i ashpër dhe të ndërpresë bisedat me Dacicin pasi që me ta është e kotë të flitet”, ka përfunduar Mustafa i cili për momentin është rrugës duke shkuar në Raincë në vendin e ngjarjes.

Pas këtij lajmi ka reaguar menjëherë edhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku e cila ka thënë se do ta ngris këtë çështje urgjentisht në instancat ndërkombëtare.

“Para pak ditësh kam qëndruar në Preshevë dhe kam parë me sytë e mi shkallën e shtypjes dhe mungesës së investimeve dhe zhvillimi atje. Komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës është padyshim komuniteti më i diskriminuar në Evropë dhe qeveria e Kosovës do ta ngris  menjëherë dhe pa vonesë këtë çështje në instance ndërkombëtare”, ka përfunduar Çitaku. /Zëri/

————————————————————

Preshevë, policia serbe konfiskon librat shqip

Policia serbe ka organizuar një aksion të madh të konfiskimit të librave shqip në shkollën fillore të fshatit Raincë në komunën e Preshevës.  Aksionin e ka konfirmuar për KTV-në, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.

“Kanë ardhur forca të shumta policore dhe kanë hyrë nëpër klasë për të konfiskuar librat shqip, duke përfshirë Abetaren mbarëkombëtare. Kjo është e palejueshme, skajshmërisht e kundërshtueshme, që ky tmerr të ndodhë për ne. Ne nuk mësojnë dot cirilikë, më parë do të mësonim anglisht ose gjermanisht”, ka thënë në një deklaratë për KTV-në, Ragmi Mustafa.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi që të flasë me Dacicin dhe të ndalojë aksione të tilla, sepse ne nuk mund të paguajmë dhe të ndalojmë aksione të tilla, sepse ne nuk mund të paguajmë çmimin për pavarësinë e Kosovës.