Quinta-feira, 28/5/2020 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Për ta larguar shejtanin nga trupi, nevojitet shiu …

Për ta larguar shejtanin nga trupi, nevojitet shiu …

Djalli

Një prej problemeve më të mëdha me të cilin njeriu është ballafaquar qysh nga fillimi i krijimit të tij e deri në ditët tona është djalli apo më mirë të themi shejtani. Njeriu i parë, Ademi, dhe gruaja e tij, Hava alejhimu selam, jetonin në kopshtet e lumturisë. Shejtani i provokoi ata dhe më pas ata pasuan djallin e mallkuar. Shtrohet pyetja: A kishin ngrënë ata nga pema? A i ishin afruar ata pemës së ndaluar? Ç’gjynah kishin bërë? Ata kishin bërë gjynah vetëm në një çështje; ata s’i ishin nënshtruar Krijuesit të tyre dhe si rrjedhojë kishin braktisur rrugën e devotshmërisë. Veprimi i tillë ishte një turpërim.

Është turp kur njeriu sillet në mënyrë të gabuar, është turp nëse nuk pasojmë urdhrat e Krijuesit tonë dhe gjithashtu është turp kur njeriu sillet kundër bukurisë së natyrës në të cilën jemi krijuar. Ky është edhe shkaku përse disa njerëz të kapur duke kryer vepra të këqija kur kamera mundohet të mësojë të fshehtën e tyre, i shohim se si mbulojnë fytyrat: “O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë shejtani në asnjë mënyrë, siç i nxori prindërit tuaj nga xheneti, ua hoqi petkun që t’u dilte në shesh lakuriqësia. Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.”1

Ajo që duket e pakuptimtë nga ana jonë është një e vërtetë e thjeshtë se ne ende s’e kemi braktisur xhenetin; ne ende jemi duke jetuar në të deri kur ta pasojmë shejtanin.2

Shtrohet pyetja se si na afrohet shejtani. Ai gjithmonë është përreth nesh, në të gjitha format dhe përbërjet, nganjëherë në formë epshi, fuqie, pasurie, varfërie, gjithnjë duke krijuar tek ne dëshira e qejfe të gabuara, duke na pëshpëritur në zemra dhe kur të shfaqet në formën e tij të njëmendtë, atëherë ai është shumë i rrezikshëm. Dikush do të kishte pyetur se cila është forma dhe pamja e tij e vërtetë? Ajo është arroganca, mendjemadhësia. A nuk besojmë nganjëherë se jemi më të mirë se të tjerët, kur kryejmë këtë apo atë punë? Apo a na është dhënë rasti që një ditë të tregohemi drejtues e menaxherë më të mirë sesa shefat dhe menaxherët tanë e kështu me radhë? E vërteta është se ne si qenie njerëzore në të vërtetë jemi të pafuqishëm dhesa më shumë që të na dhurojë Krijuesi, aq më të përulur e modestë duhet të tregohemi. Prandaj edhe nuk jemi në gjendje që zgjuarsisë sonë t’ia japim formën dhe trajtën, koeficientin tonë të inteligjencës.

Kemi dëshirë të besojmë se jemi në gjendje t’i japim formën, mirëpo në realitet nuk jemi. Është fakt se ne nuk jemi të zotë të lëvizim madje edhe një hap në të djathtë apo në të majtë, veçse me dëshirën e Allahut! Si mund ta hetojmë kur jemi veshur me petkun e mendjemadhësisë dhe më pas ta ndreqim veten nga kjo e metë? Për të vërejtur se vërtet jemi bërë kryeneçë, mendjemëdhenj, arrogantë, më së miri e dimë kur tregohemi më të përsosur dhe më të mirë se filani; atëherë kur mendojmë se nuk kemi nevojë për Zot, kur bindja jonë merr kah të kundërt dhe besojmë se jemi të pavarur, të vetëkënaqur e çdo gjë që ndodh në gjithësi është rastësi apo ‘koincidencë’. Fjala ‘koincidencë’ është fjalë e shpikur nga njerëzit që nuk besojnë në Allahun, Krijuesin e gjithësisë. Ata mendojnë se për punët dhe veprat e tyre nuk do merren në llogari. Ç’do të ndodhë me ne nëse tregojmë kryelartësi?

Ja se ç’thotë Krijuesi ynë lidhur me këtë: “Unë do t’i zmbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, edhe nëse shohin rrugën e shpëtimit nuk e ndjekin, e nëse shohin rrugën e gabuar ata e ndjekin atë rrugë. Ata e bëjnë këtë (verbërim të tyre), ngase ata i konsideruan të rreme faktet Tona dhe ngase i lanë pas dore. Ata të cilët i mohuan argumentet Tona dhe takimin në ditën e botës së ardhshme asgjësuan veprat e tyre. A shpërblehen ata (me sevap ose me dënim) përveçse sipas asaj që kanë vepruar?”3

Ajetet e mësipërme shpjegojnë në mënyrë të detajuar shkaqet se si, kur bëjnë gabime, njerëzit asnjëherë nuk pranojnë të jenë fajtorë apo të kenë vepruar keq. Shejtani i bën të besojnë se çfarëdo që veprojnë është e drejtë. Nga mëshira e madhe e Allahut për robërit e Tij është edhe zbritja e Kuranit përmes të cilit jemi në gjendje të dimë se a veprojmë mirë apo keq, prandaj shenjat janë në të që ne të shikojmë e të bazohemi në to. Një mirësi e vogël çdo ditë është e vyer për shpirtin tonë.
Kurrsesi nuk duhet që të gremisemi në duart e shejtanit, apo të themi se për disa arsye biem në duart e shejtanit, të themi se faji është i yni apo si shkak i disa faktorëve të jashtëm; atëherë çfarë të veprojmë më tutje kur të kemi rënë në duart e shejtanit?

1) E para, përgjigja është aq e thjeshtë saqë vështirë të besohet: dil përjashtë e qëndro në shi! Po, qëndro në shi sa më shumë që është e mundur dhe sa më shpesh që ke mundësi.

Në Kuran kemi zbuluar edhe këtë mrekulli: “Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar, largoi prej jush cytjet e shejtanit, që kështu të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe t’ju përforcojë me të (shiun)këmbët tuaja.”4

Ajetet në fjalë u bënë edhe më të qarta për mua ditën kur po kërkoja përgjigjen rreth mbytjes së një personi dhjete vite më parë këtu në Malajzi. Kam dëgjuar nga disa njerëz që besojnë se personi ishte prekur nga shejtani. Duke u munduar që t’ia largojnë shejtanin nga trupi, e kishin rrahur aq shumë saqë i kishin shkaktuar vdekjen. Përgjigjja në këtë ajet është shumë e qartë. Për ta larguar shejtanin nga trupi, nevojitet shiu. Allahu është i madh, Ai na dhuron aq shumë dhe prapëseprapë kur bie shi, shohim njerëzit duke mbuluar kokat, duke vrapuar në kërkim të strehës, duke përdorur çadra etj. Shohim njerëzit e rritur duke vepruar një gjë të zakonshme, mirëpo të shikojmë fëmijët?! Ata janë në gjendje të lozin me orë të tëra në shi dhe janë tejet të lumtur të vazhdojnë në këtë gjendje.

2) E dyta: Nëse ndihemi se jemi të prekur nga shejtani, atëherë duhet të lexojmë këtë lutje të thjeshtë kuranore: “Dhe thuaj: ‘O Zot i im, unë mbrohem me Ty prej cytjeve të djajve! Dhe mbështetem te Ti që ata të mos më afrohen!”5

Këto janë fjalë shumë të thjeshta për t’u shqiptuar në raste kur ndihemi se nuk jemi plotësisht vetja. Këto dy ajete duhet të lexohen gjithashtu edhe në rastet kur në zemrat e mendjet tona hyjnë të gjitha llojet e mendimeve dhe parandjenjave negative. Duke iu mbështetur Zotit, bëhemi të sigurt nga pëshpëritjet dhe ngacmimet e shejtanit.

Haxhah Liza Abdullah
Shqipëroi: Mr. Feim Dragusha

(Visited 427 times, 1 visits today)
Top