Terça-feira, 26/3/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pagjumesia



Pagjumesia

 

Një e treta e njerëzve kanë probleme në lidhje me pagjumësinë.

Pagjumësia është dukuri mjaft e përhapur në Evropë dhe Amerikë. Dr. Everet në artikullin të cilin shtypi mjekësor amerikan e ka publikuar në vitin 1990 thotë:
”Problemi i pagjumësisë është shkaku më i madh i ankesave në ordinancat shëndetësore amerikane. Një e treta e njerëzve kanë probleme në lidhje me pagjumësinë. Nga ky shkak narkotikët dhe sedativët më së shpeshti përdoren nga shtetasit e këtyre vendeve.”

Cilat janë shkaqet e pagjumësisë?

1. Brenga dhe stresi. Janë shkaku më i përhapur i pagjumësisë. Edhe brengat vijnë nga shkaqe të ndryshme, si:
– nga lajmet e këqija të cilat i ka dëgjuar personi gjatë ditës.
– për shkak të varfërisë, kur njeriu mendon për kafshatën e bukës.
– për shkak të pasurisë, kur njeriu mendon për projektet dhe punët.
– për shkak të martesës ose pamundësisë për t’u martuar.
– pikëllimet dhe gëzimet që i sjell jeta.
2. Sëmundjet trupore. Ndër to mund të përmendim dhimbjet në shpinë, nyje, bark, dhimbja e kokës ose temperatura. Lirimi nga pagjumësia në këto raste mund të arrihet me lirimin nga këto sëmundje.
3. Ngrënia e ushqimit të rëndë para se të biem të flejmë. Kjo sjell deri te tretja e rëndë e ushqimit që shkakton pagjumësi. Pjer Floshiri ka thënë: “Një e treta e njerëzimit vdesin shumë herët ngase nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Një e treta tjetër (kjo ka të bëjë me të gjithë ata që nuk u përmbahen dispozitave islame për të ushqyerit) vdesin shumë herët ngase e teprojnë në ushqim.”
4. Pirja e duhanit. Është e ditur se nikotina që gjendet në duhan ndikon në mënyrë stimulative në tru dhe kjo mund të shkaktojë pagjumësi. Një numër i madh i dijetarëve pirjen e duhanit e kanë konsideruar haram për shkak të dëmit të madh që ia sjell trupit: problemeve të zemrës, kancerit në mushkëri, bronkit kronik, etj.
5. Mjetet dehëse dhe drogat (narkotikët). Nuk ka aspak dyshim se konsumimi i alkoolit dhe narkotikëve shkakton çrregullim të madh të gjumit.
6. Konsumimi i çajit dhe kafes para se të flejmë. Është e ditur se pirja e çajit ose kafes pas orës shtatë në mbrëmje mund të shkaktojë pagjumësi te shumë njerëz.
7. Zhurma. Disa njerëz nuk mund të flejnë në rrethinë ku ka zhurmë.
8. Fluturimet e largëta dhe punët e natës. Kjo u ndodh pilotëve dhe motrave medicinale që punojnë në periudha të ndryshme të ditës.
9. Ilaçet për gjumë. Përdorimi i ilaçeve për gjumë shkakton çrregullim të kualitetit të gjumit, por mund të shkaktojë edhe kotje gjatë tërë ditës.
10. Mosangazhimi i trupit me punë fizike. Pagjumësia është dukuri e shpeshtë te njerëzit që punojnë nëpër zyre, si dhe te njerëzit që nuk janë të angazhuar me punë fizike.





Disa këshilla për njerëzit që vuajnë nga pagjumësia:

1. Mos ha darkë shumë vonë dhe mundohu të hash më së paku tri orë para se të biesh të flesh! Mos konsumo ushqim të yndyrshëm që kërkon kohë të gjatë për tretje!
2. Këta persona duhet të kryejnë disa punë fizike gjatë ditës, që të ndiejnë lodhje në kohën e gjumit.
3. Dushin është mirë të zëvendësohet me banjo me ndejëse, ngase qëndrimi (shtrirja) në ujë të ngrohtë i relakson muskujt dhe largon tensionin.
4. Është mirë të lexohet ndonjë copë leximi e lehtë dhe e shkurtër para se të shkohet për të fjetur!
5. Nuk duhet ftohur e as ngrohur tepër dhoma në të cilën flihet! Temperatura duhet të jetë mesatare.
6. Mos pi duhan para se të flesh!
7. Le të mos kaplojë frika ose brengat nëse nuk të zë gjumi shpejt. Mundohu të relaksohesh sa më tepër!
8. Këta persona duhet t’i largohen çokollatës, kafesë, çajit dhe ushqimit me kalori, me kripë, atij djegës dhe ushqimit të konservuar.
9. Për një gjumë më të rehatshëm rekomandohen pasta, oriz, bukë elbi, vezë të ziera, mish, peshk, djathë dhe perime të ndryshme. Ky lloj i ushqimit përmban amino-acide, të cilat e inicojnë sekretimin e serotoninit-përçuesit nervor kyç në procesin e gjumit dhe të menduarit.
10. Edhe sallata, qepa, hudhra, karota dhe lakra kanë ndikim qetësues dhe mundësojnë gjumë më të rehatshëm.
11. Në ushqimin i cili e lehtëson gjumin bën pjesë edhe një gotë qumësht i nxehtë, i cili në mënyrë shumë efikase e ul shqetësimin dhe pagjumësinë, si dhe e ul thartirën në lukth.
12. Ëmbëlsira me shumë karbon-hidrate dhe një filxhan çaji me mjaltë e relakson trurin.
13. Ushqimi i thartë, siç janë sarmat me lakër apo çorba e thartë, gjithashtu mund t’i konvenojnë organizmit dhe të kenë ndikim preventiv.

Dr. Oldfildi në librin “Honey for Health” ka thënë: “Unë pagjumësinë te njerëzit e moshuar e shëroj në këtë mënyrë: një gotë me ujë të vakët në të cilën futet një lugë e madhe mjaltë dhe përzihet.” Dr. Canderi ka thënë: “Nuk ekziston materie që e përgatitë njeriun për gjumë natyror më mirë se mjalti i shkrirë në ujë të vakët.”

Tirmidhiu e ka shënuar transmetimin e Burejdes, radijallahu anhu: “Halid ibën Velidi i është ankuar të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: ‘O i Dërguar i Allahut, nuk mundem të flejë.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ‘Kur të biesh të fleshë thuaj: Allahumme Rabbes-semavatis-seb’i ve ma adhlelne, ve Rabbel-eredines-seb’i ve eklelne, Rabbesh-shejtani ve ma adlelne. (O Allah, Zot i shtatë qiejve dhe i asaj që e mbulojnë, Zot i shtatë tokave dhe asaj që ato mbajnë, Zot i shejtanëve dhe atyre që ata i kanë dërguar në humbje).”

(Visited 11 times, 1 visits today)