Quinta-feira, 18/4/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

O njeri



O njeri
O njeri, mos të ka qëlluar ndonjëherë të dëgjosh njerëz që flasin për ëmbëlsinë e namazit?
Apo mos ndoshta ti vetë e ke shijuar ëmbëlsinë e tij?
Kujtohu njëherë! Kujtohu!
Kujto ato çaste, kur i je drejtuar vetes tënde: “Ki kujdes sepse ky mund të jetë dhe takimi i fundit me Zotin tënd!”
Duke qëndruar në këmbë, ke hedhur çdo gjë pas krahëve dhe je munduar ta përgatisësh zemrën për një takim madhështor. Ke ndjerë fërkimin e kockave, që sa nuk kanë thyer njëra-tjetrën! Ke ndjerë një drithërimë, që të ka përshkruar çdo qelizë të trupit. Ç`mrekulli!
A nuk e di ti se për çdo qelizë që dridhet, Allahu të jep shpërblime të begata si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër! Po vallë a e di ti, se sa qeliza ke në trup?
Sa miqësor dhe sa madhështor është takimi me Zotin tënd! Aty e ndjen më së shumti dobësinë dhe vogëlsinë e vetes dhe aty zemra lutet pafundësisht për falje dhe mëshirë.
Sa me shumë shkrihesh në këtë lloj ndjesie, aq më shumë e ndjen nevojën dhe dëshirën për të vrapuar drejt Zotit tënd, drejt Atij që të krijoi e përsosi!
Zemra kërkon ta përmendë, ta përmendë, ta përmendë pa reshtur!
Nga thellësia e shpirtit dalin emrat më të bukur, me të cilët i Gjithëfuqishmi e ka përshkruar veten e Tij.

Rreze që të ngrohin, rreze që të ndriçojnë, depërtojnë anembanë zemrës.
Nuk e braktis Allahu robin e Tij, jo!
Ai nuk e do humbjen tënde dhe kënaqet pa masë, kur ti i kthehesh Atij!
Madje ajo gjë që e kënaq më tepër, është rënkimi i zemrës së penduar!
Dije se asnjëherë nuk është vonë për t’i kthyer shpirtrat nga Zoti i Madhëruar!
Kjo ndjenjë të mban peng dhe nuk të lë të shkëputesh nga namazi yt!
Madje nuk merr dot as guximin të përshëndesësh engjëjt, që i ke në të majtë dhe në të djathtë! Aq shumë të ka pëlqyer biseda me Zotin tënd, sa nuk mund të largohesh dot!
Por ja që nga larg vijnë ca tinguj, vijnë ca thirrje…janë thirrjet e jetës, zërat e fëmijëve…Duhet të largohesh patjetër nga ai vend… të pret puna, të presin njëqind punë!
Por mos u tremb, se ato lutjet e sinqerta do të lehtësojnë gjithçka!
Nuk është e mundur që t’i lutesh sinqerisht Allahut e Ai të mos i përgjigjet lutjes tënde!
Lëri punët e hallet të jenë në duart e tua e jo mbi kokën tënde!
Kështu deshi Zoti i Lavdishëm ta ndërtonte jetën, të bukur, të gjallë e të larmishme!
Çdo fushë balancon tjetrën dhe të gjitha i shërbejnë një qëllimi të vetëm, kënaqësisë së Zotit!
Mos harro se jeta është e tërësishme dhe gjithëpërfshirëse, prandaj mos e ngushto e mos e zvogëlo veten vetëm në një drejtim të caktuar. Mos e shiko botën vetëm me një sy!
Sa bukur dyzohen këto ndjenja me fjalët e Zotit në Kuranin Fisnik:
Thuaj: ‘Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun Zotin e botëve!’”

Së fundi po e mbyll me një lutje profetike:
“O Allah, le të jetë fundi ynë pjesa më e bukur e jetës sonë, fundi i çdo vepre kënaqësia Jote dhe dita më e bukur nga të gjitha ditët tona le të jetë dita në të cilën do të takohemi me Ty!” 
A M I N





 

(Visited 7 times, 1 visits today)




Top