Quinta-feira, 21/11/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

NJERËZIT JANË SI MINERALET

NJERËZIT JANË SI MINERALET

Një burrë i mençur jetonte në pallat mbretëror dhe deshi t’ia mësonte princit të ri një mësim jetësor.

Ai pyeti: “Zotëri, cili metal (mineral) të fascinon dhe të tërheq më shumë?”

Princi i ri u përgjigj pa menduar shumë: “Ari, natyrisht.”

Burri i mençur: “Përse ari?”

Princi: “Sepse është i çmuar dhe i shtrenjtë, dhe ai është metali që u përshtatet mbretërve”.

Burri i mençur heshti një moment, pastaj shkoi te një shërbëtor dhe i tha atij që t’ia bëjë dy figura në formë të njëjtë, por që njëra të jetë nga ari i pastër, kurse tjetra nga gëlqerja dhe që këtë të fundit ta ngjyrosë me ngjyrë ari, në mënyrë që të duket si ari i pastër.
Dy ditë më vonë, burri i mençur erdhi me princin e ri përballë figurave të cilat ishin të mbuluara. Kur hoqi mbulesën nga figurat, princi u impresionua nga bukuria e tyre.

Burri i mençur e pyeti princin se çka mendonte për figurat që ishin para tij, kurse princi u përgjigj: “Këto janë dy figura madhështore nga ari i pastër.”

Burri i mençur e pyeti: «Zotëri, a po vëreni ndonjë ndryshim midis këtyre figurave?»
«Jo», iu përgjigj princi.
“A je i sigurt?” Përsëri e pyeti burri i mençur.
Princi me zemërim i tha: “Unë ju thashë, nuk kam vërejtur asnjë ndryshim.”
Atëherë burri i mençur i sinjalizoi shërbëtorit, i cili po mbante një kovë me ujë, që sa më fortë ta derdhte ujin mbi figura, të cilën gjë ai edhe e bëri.
Pas kësaj, princi i ri qeshi kur i pa ngjyrat e arit se si zhdukeshin nga figura e gëlqeres. Duke e vërejtur këtë, burri i mençur e shfrytëzoi rastin dhe i tha:

“Zotëri, të tillë janë edhe njerëzit. Kur i godet sprova e madhe dhe shtrëngimi, tek njerëzit që janë si ari, edhe më shumë vjen në shprehje cilësia e tyre dhe shkëlqimi, sikur kjo figura prej ari, që shkëlqeu edhe më shumë pasiqë u lag me ujë, ndërsa tek njerëzit që janë si figura nga gëlqerja, zhduket shkëlqimi i rremë sikur të mos kishte qenë kurrë.”

Prandaj, mos të na mashtrojë ana e jashtme, sepse kulmi i budallallëkut është të gjykohen njerëzit në bazë të pamjes së jashtme.
Në kohën tonë, kryesisht, më të shtrenjtat nga ajo që posedojnë njerëzit, janë rrobat e tyre, kurse gjëja më e vlefshme që ata kanë janë orët e shtrenjta, zinxhirët e arit dhe argjendit dhe telefonat celularë.

Gjithashtu, në asnjë mënyrë mos i gjyko njerëzit në bazë të fjalëve të tyre, sepse lehtë është të flitet për trimërinë larg nga fushëbeteja, lehtë është të flitet për dëlirësinë dhe moralin larg nga sfidat dhe fitnet, lehtë është të flitet për drejtësinë dhe paanësinë larg nga arena politike dhe pushteti.
Dhe sikur që njerëzit mund të krahasohen me metalet ose mineralet, ata gjithashtu mund të krahasohen edhe me pemët.
Njerëzit janë pemët, kurse ngjarjet dhe goditjet e fatit janë erërat. Ka pemë degët e së cilës era i bartë si një kashtë, pastaj i thyen dhe i nxjerr nga rrënjët, por ka pemë që mbeten të forta, të qëndrueshme e të pathyeshme edhe nga erërat dhe stuhitë më të forta.

Dhe mos i gjykoni njerëzit derisa t’i provoni ata në situatat më të vështira.
Halifi Omer ibn Hattabi (r.a.), në një rast pyeti se a e njeh dikush filan njeriun, meqë rast u ngrit një nga muslimanët e pranishëm dhe i tha:
“O udhëheqësi i besimtarëve, unë e njoh atë.”
Omeri (r.a.) tha: “Ndoshta ti e njeh sepse e ke fqinj dhe fqinjët njihen më së miri?”
“Jo”, u përgjigj burri.
Pastaj Omeri (r.a.) i tha: “Ndoshta e njeh sepse keni bërë tregti me të. Dinarët dhe dërhemët më së miri i zbulojnë sekretet në shpirtrat e njerëzve.”
“Jo”, u përgjigj burri përsëri.
“A mos e njeh ti atë sepse keni udhëtuar bashkë. Me të vërtetë, udhëtimi e zbulon kualitetin e secilit njeri”, tha halifi Omer (r.a.).
Kur burri tha se ai nuk kishte udhëtuar me të, Omeri (r.a.) e pyeti: “A mos ndoshta e ke parë në xhami duke u falur me përkushtim?”
“Po”, u përgjigj ai. Me atë rast, Omeri (r.a.) i tha: “Ulu, ti nuk e njeh atë.”

Përshtati: Miftar Ajdini

(Visited 229 times, 1 visits today)
Top