Segunda-feira, 27/3/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
No Data

Nëse burri e ndalon gruan e tij që të fusë në shtëpinë e tij babanë apo vëllanë e saj pa qenë ai i pranishëm, a duhet t’i bindet ajo?

Nëse burri e ndalon gruan e tij që të fusë në shtëpinë e tij babanë apo vëllanë e saj pa qenë ai i pranishëm, a duhet t’i bindet ajo?

pyetje pergjigje
• TË DREJTAT E BASHKËSHORTIT • ..(11)

? Pyetjet e pjesës së parë ?
Pyetje:
Allahu ju shpërbleftë, shejh i nderuar! Nëse burri e ndalon gruan e tij që të fusë në shtëpinë e tij babanë apo vëllanë e saj pa qenë ai i pranishëm, a duhet t’i bindet ajo?
Përgjigje:
Për sa i përket atij bashkëshorti që kërkon një gjë të tillë, ai ka kundërshtuar Allahun. Nëse ai e ndalon gruan e tij të fusë në shtëpinë e tij babanë apo vëllanë e saj, atëherë ai e ka shkëputur këtë grua nga lidhja me të afërmit e saj, ndërsa Allahu mbi shtatë qiej ka porositur që ai t’i druhet largimit nga të afërmit. Nuk lejohet që burri ta ndalojë gruan e tij të fusë prindërit, vëllezërit apo të afërmit e saj në shtëpinë e tij për ta vizituar atë sepse një gjë e tillë domosdo sjell shkëputjen e lidhjeve me të afërmit.

Ndërsa sa i përket faktin që ajo t’ia hapë apo jo derën, nga sa duket, ajo duhet të mos e hapë derën e shtëpisë pasi nuk është shtëpia e saj dhe mëkati bie mbi burrin sepse ajo nuk është pronare e kësaj shtëpie që t’i takojë asaj e drejta e hapjes apo jo të derës për miqtë. Pikërisht për këtë arsye, një gjë e tillë nuk konsiderohet mëkat për gruan. Mëkat për gruan konsiderohet kur burri e urdhëron atë për diçka që është pronë e saj apo e drejtë e saj. Gjithsesi për gruan mbetet detyrë që ajo të përpiqet të lidhet me prindin e saj, ta qetësojë burrin e saj e të përpiqet të rregullojë marrëdhëniet e dëmtuara.

Kur Esma (Allahu qoftë i kënaqur me të) shkoi tek i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) dhe i kërkoi leje për të vizituar nënën e saj, ai e lejoi që ta vizitojë atë dhe e porositi të sillej me mirësi ndaj saj, ndërkohë që nëna e Esmës nuk ishte myslimane. E ç’mund të themi atëherë për ata prindër që janë myslimanë? Pa dyshim që ata meritojnë më shumë.

Disa dijetarë në këtë problem kanë përjashtuar rastin kur prindi i vajzës apo vëllai i saj është i njohur për shthurjen e tij ose nëse futja e tyre në shtëpi sjell dëme e të këqija. Në një rast të tillë, kur dihet e keqja që mund të prekë si gruan ashtu edhe fëmijët e tij, atëherë bashkëshorti ka të drejtë që të mos e lejojë gruan t’i fusë ata në mungesë të tij. Por, nga ana tjetër, ai duhet të lejojë që ata ta vizitojnë vajzën apo motrën e tyre në prani të tij. Kur është në shtëpi, ai i mbikëqyr veprimet e tyre, i ndalon ata nga gabimi duke përmbushur kështu detyrat që ka ndaj të afërmve dhe ndaj Allahut. Allahu e di më mirë!
————————————————————–
Pjesë nga libri: “KODI I FAMILJES”
Autor: Muhamed el-Muhtar ESH-SHINKITI
————————————————————–