Sexta-feira, 14/8/2020 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ndjeshmëria e fëmijës, angazhon respektimin e tij

Ndjeshmëria e fëmijës, angazhon respektimin e tij

Vëllezër dhe motra, selam alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu…

Jemi të kënaqur të takohemi sërish së bashku në këtë trajtesë të re, ku po vijojmë të flasim mbi rregullat e edukimit dinjitoz të fëmijës, përmes hapave të edukimit pozitiv.

I nderuar prind edukator! Një tjetër rregull shumë i rëndësishëm në edukimin pozitiv të fëmijëve tanë është rregulli:

“Fëmija është shumë i ndjeshëm, ndaj duhet trajtuar me respekt dhe konsideratë”.

Ky rregull ka stadin e tij të lartë në lëmin e edukimit. Po deshëm që të arrijmë ta perfeksionojmë siç duhet edukimin e fëmijëve tanë dhe orientimin e tyre, duhet medoemos të startojmë nga ky stad, nga stadi se fëmija im nuk është një njeri i vogël që s’kupton. Përkundrazi, fëmija yt është një njeri, që posedon një humanizëm të kompletuar, që ashtu sikurse ti, edhe ai ka ndjenja, provon emocione dhe lypset të trajtohet me respekt dhe konsideratë. Fëmija yt dëshiron të respektohet prej teje, ashtu siç do ti që të respektohesh prej tij.

Nëse për ty nuk tregohet respekt dhe të cenohet personaliteti, është normale që ti do mbrohesh dhe do luftosh që ta vendosësh sërish në vend të drejtën tënde, që të është nëpërkëmbur.

Pas këtij aludimi, natyrshëm lind një pyetje: “Po fëmija, si mbrohet dhe si arrin ta vërë në vend respektin e tij të nëpërkëmbur, kur nuk respektohet”?

Shumë prej nesh e mendojnë fëmijën e vogël thjesht një krijesë të vogël, që nuk kupton, nuk di gjë, nuk ndjen, nuk provon emocione, nuk impresionohet dhe ndikohet, etj.

Kushdo që ka këtë mendësi, le ta dijë pa më të voglin dyshim se është gabim. Në realitet, periudha e fëmijërisë është periudha më e ndjeshme, më e brishtë, më impresionuese, më sensible dhe më influencuese. Në këtë periudhë vendosen treguesit dhe parametrat e personalitetit të njeriut, si dhe skicohet e ardhmja e tij.

Po qe se prindi e përçmon dhe përqesh fëmijën e tij të vogël, sidomos nëse e tepron së përbuzuri atë, atëherë fëmija medoemos do t’i takojnë njërës prej dy gjendjeve në vijim:

Gjendja e parë: Përbuzja do të ndikojë tek personaliteti i fëmijës në një formë të tillë, që fëmija do preket nga dështimi, plogështia, dobësia, zmbrapsja, ngujimi dhe kapitullimi. Kjo vjen si pasojë e bindjes së rrënjosur tek fëmija se “Ai s’është gjë tjetër, veçse një njeri i dobët, i dështuar dhe i paaftë”. Kjo gjë brumoset tek fëmija, dhe kjo vjen si pasojë e trajtimit nënçmues dhe përbuzës që ka marrë nga prindi i tij. Për pasojë kemi të bëjmë me një fëmijë, i cili nuk ka besim në vetvete, që është i mbyllur, i vetmuar, i strukur, frikacak, i dekurajuar, etj. Ky është dhe impakti i parë i përbuzjes së fëmijës.

Gjendja e dytë: Fëmija nuk pranon dhe nuk pajtohet me faktin, që të jetë viktimë e përbuzjes, përçmimit dhe talljes që ushtrohet mbi të, edhe në qofsh prindi i tij. Për këtë ai orientohet drejt rebelimit kundrejt çdo norme dhe rregulloreje që buron prej teje si prind, por edhe kundër rregullores së shkollës ku mëson dhe normave e kanuneve të pashkruara të shoqërisë ku jeton. Kjo ndodh, sepse ai ka një karakter të fortë dhe nuk dorëzohet, sidomos karshi teje që gjithmonë e përbuz, e poshtëron, e përçmon dhe zbraz mbi të gjithë sa ke.

Pra kur fëmija yt trajtohet prej teje si prind me përbuzje dhe nënçmim, ai ose do ligështohet ose do rebelohet. Ne si prindër dëshirojmë, që të dyja këto gjëra të mos jenë evidente tek fëmijët tanë.

Megjithatë duhet pranuar, se rebelimi është e keqja apo dëmi më i vogël. Personi rebel dhe agresiv mund të restaurohet dhe ristrukturohet, duke ia ngritur moralin si dhe duke treguar për të respekt dhe konsideratë. Ndërsa pyetja sfiduese është: “Si do arrish ta korrektosh dhe ndreqësh fëmijën e gjendjes së parë, një person i cili ka humbur besimin në vetvete, ka personalitet të dobët, kapitullon dhe dorëzohet menjëherë, është i strukur, i trembur, frikacak, e që ka të tubuar në personalitetin e tij të aspektet më negative? Si do arrish ta ndreqësh këtë person? Sa seanca do të duhet ta ulësh atë tek psikologu për ta kuruar?”

Në krahun tjetër fëmija rebel dhe kokëfortë ka problematikat e tij të mprehta, që vendosen si barriera të forta përbri ndreqjes së tij, prej të cilave përmendim refuzimin e këshillës, rregullave, normave, direktivave, qoftë edhe në formën e këshillës, që i vijnë atij si nga prindi i tij ashtu edhe nga çdo edukator tjetër. Fëmija i tillë lufton dhe rivalizon në maksimum, që të theksojë dhe proklamojë pavarësinë dhe sovranitetin e tij. Rezultati është se ky fëmijë shndërrohet në shembullin tipik të fëmijës kryeneç, mistrec në kulm, rebel ndaj rregullave dhe normave familjare dhe shoqërore, i gatshëm për t’iu qepur pas çdo rebeli, të devijuari dhe shkelësi të ligjit.

Të dy këto gjendje apo raste përfaqësojnë njeriun e padëshiruar në shoqëri, dështak dhe jodisponibël për të pranuar përgjegjësi edukative dhe për pasojë të pakualifikuar për të kontribuar në reformimin e shoqërisë. Nevojitet një mund i madh dhe kohë jo e vogël për të riorientuar dhe kualifikuar një person të tillë. Shkaku i kësaj është përçmimi, tallja dhe neveria, që prindi ka derdhur mbi të, kur ai ishte veç një fëmijë i vogël. Në miturinë e tij, ky fëmijë pati për pjesë një nënë apo baba, që nuk treguan respekt dhe konsideratë për të, që u treguan neglizhent në edukimin e fëmijës së tyre, si pasojë e mendësisë së gabuar se fëmija është një njeri që s’kupton, nuk di gjë, me të mund të bësh ç’të duash dhe ta trajtosh si të duash.

Kurrsesi, fëmija nuk është një mekanizëm pa arsye dhe ndjenja, por ai është një njeri me personalitet, karakteristika personale, karakter, temperament, emocione dhe ndjenja edhe më të fuqishme se ato të të rriturve.

I nderuar prind edukator! Prej këtu dalim në konkluzionin e qartë, se shkaku kryesor i devijimit të fëmijëve, mbylljes së tyre në vetvete, etj, janë gabimet edukative të prindërve, të cilat manifestohen nëpërmjet përçmimit, talljes dhe mosrespektimit të personalitetit të fëmijës.

Prandaj kërkohet prej prindërve, që t’i trajtojnë dhe të sillen me fëmijët e tyre me të gjithë respektin dhe konsideratën e duhur, të dialogojnë me ta sa më me edukatë, t’i kuptojnë mirë idetë, ndjesitë dhe emocionet e tyre, duke pasur për pikënisje në gjithë këtë këndvështrimin e fëmijës dhe jo atë të prindit, pasi ajo që një të rrituri mund t’i duket gjë e pavlerë, për të voglin mund të përbëjë një arritje të përmasave gjigande.

I duruar prind edukator! Bëjë fëmijën tënd pjesëmarrës në jetën familjare, përfshije në të duke u konsultuar me të, duke ia marrë atij mendimin në çështje të caktuara, bëje atë të ndihet i rëndësishëm brenda familjes, sillu me elasticitet me të, bëj kujdes mbi zhvillimin e tij fëmijëror të shpejtë e gjithmonë në ndryshim dhe transformim, largoje atë nga atmosferat e konflikteve dhe grindjeve bashkëshortore, që mund t’i shkaktojnë atij mundime të dhimbshme, që e ngarkojnë me brenga të cilat ai zakonisht i mban përbrenda. Asnjë njeri i arsyeshëm nuk ka dyshim, se tensionimet dhe acarimet bashkëshortore që ndodhin brenda familjes, influencojnë për keq tek sjelljet e mëvonshme të fëmijëve, tek arsimimi i tyre, ana e tyre psikologjike dhe formimi i tyre shoqëror.

Duke shpresuar të kontaktojmë sërish në një trajtesë të ardhshme, u lë në garancinë e Allahut.

Deri atëherë “Es Selamu Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu”.

Perktheu: Altin Torba

(Visited 38 times, 1 visits today)
Top