Domingo, 5/4/2020 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ndikimi i televizorit tek fëmijët

Ndikimi i televizorit tek fëmijët
By: Dr Velid Fetihi
Ndikimi i televizorit tek fëmijët

Ai ka depërtuar në çdo shtëpi dhe është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të jetës moderne. Madje është shndërruar në zëvendësues të babait dhe nënës, edhe gjatë prezencës së tyre në shtëpi. Kjo ka bërë shumë psikoanalistë që të pohojnë se tashmë nuk ka prindër që edukojnë, komunikojnë dhe atashohen me fëmijët e tyre, pasi këta janë zëvendësuar nga televizioni.

Sipas një statistike të UNESCO, një adoleshent arab i cili mbush të tetëmbëdhjetat, ka kaluar 22 mijë orë para televizorit dhe 14 mijë orë në sallën e mësimit.

Në një studim tjetër, u pa se koha që kalonte prindi me fëmijët e vet duke biseduar diçka të dobishme, nuk i kalonte katër minutat në javë. Sakaq, fëmijët kalojnë 1680 minuta në javë para televizorit.

Ky aparat, televizori, e ka ndryshuar si fëmijën, adoleshentin dhe të rriturin. Por, cilat janë anët e tij negative, ato pozitive dhe si ta përdorim televizorin me qëllim që të ruajmë fëmijët dhe veten nga efektet negative të tij?

Studimet tregojnë se ndjekja e programeve televizive nga një fëmijë nën dy vjeç ndikon negativisht në zhvillimin normal dhe të shëndetshëm të trurit të tij. Kjo përfshin të gjithë programet, edhe ato edukative.

Në një studim që përfshiu një mijë familje, me fëmijë nga mosha tetë muajsh deri në një vjeç e gjysmë, u zbulua se çdo orë që foshnja kalon duke ndjekur një program edukativ në televizor, çon në një përdorim 6-7 fjalësh më pak sesa fëmijët që e kalojnë një orë në aktivitete fizike dhe lojëra. Konkluzioni i këtij studimi erdhi krejt i kundër me pritshmëritë e prindërve dhe pretendimet e producentëve televizivë të këtyre programeve. Studimi në fjalë u publikua në revistën më të njohur mjekësore për fëmijë “The JORNUAL of PEDIATRIC”.

Por si ndodh diçka e tillë?

Truri i fëmijës në këtë stad moshor përfiton më shumë nga lëvizjet, lojërat, aktivitetet ndërvepruese dhe kreative për tu zhvilluar, sesa nga programet mediatike dhe elektronike, të çfarëdo lloji të jenë. Kjo, sepse të mësuarit në këto programe nuk është ndër-aktiv, por është thjesht marrje pasive e informacionit, pa u bërë fëmija pjesë e tij.

Një studim në të cilin skanohej truri (EEG) gjatë shikimit të programeve televizive, u pa që truri qëndronte pasiv dhe i plogësht, krejt e kundërta me rastin kur fëmija merrej me lexim dhe aktivitet ndërveprues. Diçka e tillë ndikon negativisht në koeficientin e inteligjencës dhe aftësitë kreative të fëmijëve.

Një studim i bërë nga universiteti Glaskou në Britani dhe që përfshiu 11 mijë fëmijë, u pa se fëmijët që shohin televizor në moshën pesë vjeçare, për tre ose më shumë orë në ditë, kur mbushnin moshën gjashtë vjeçare ishin më të ekspozuar ndaj zënkave, kacafytjeve, gënjeshtrës, mashtrimit dhe vjedhjes. Ky rezultat përkon me mijëra studime të tjera që janë bërë gjatë tridhjetë viteve të fundit, studime të cilat theksojnë se dhuna që përcillet nëpërmjet televizorit, e rrit nivelin e agresivitetit tek shikuesit me 10%, nga cilado shtresë që të rrjedhin ata. Madje, studimet kanë treguar se programet për fëmijë transmetojnë sekuenca dhune më shumë sesa programet për të rritur. Këtu përfshihen dhe filmat vizatimorë, të cilët transmetojnë tetëdhjetë pamje violence në orë.

Në një studim të universitetit Hertfordshire në Britani, studim i cili përfshiu fëmijë nën moshën shtatë vjeçare, u pa se shikimi i reklamave çonte në shfaqjen e disa sjelljeve të papërshtatshme, si lakmia dhe rritja me pesë fish e tendencës për konsum krahasuar me fëmijët e tjerë që nuk i shohin ato.

Studimet tregojnë se mesatarja e reklamave 30 sekondëshe që sheh një fëmijë gjatë vitit të parë të jetës, arrin deri në njëzet mijë reklama.

Efektet e lartpërmendura përfshijnë dhe adoleshentët. Në një studim të doktor Gorden Grajfmen i institutit kombëtar amerikan për shëndetësinë, tregon se sekuencat e dhunës që ndjek një fëmijë deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, arrijnë deri në dyqind mijë syresh, ndër të cilat dyzet mijë janë vrasje. Studimet tregojnë se kjo çon në ftohtësi ndaj pamjeve dhe akteve të dhunës, familjarizim me këto pamje dhe lehtësim për ti vepruar më pas.

Përgjatë njëzet e pesë viteve, studimet rreth ndikimit dhe dëmeve të televizorit kanë qenë të shumta. Ato kanë vërtetuar se mes orëve që kalohen duke parë televizor dhe obezitetit, ekzistojnë marrëdhënie në përpjesëtim të drejtë. Një nga këto studime është ai që u zhvillua me pesëdhjetë mijë gra në moshë të mesme dhe që zgjati për gjashtë vite. Rezultatet treguan se çdo dy orë në ditë që kalon gruaja duke ndjekur programet televizive, rreziku i obezitetit rritet me 23%, kurse rreziku i sëmundjes së sheqerit rritet 14%.

Është krijuar një qark i mbyllur negativ mes shikimit të televizorit dhe konsumimit të ushqimeve dhe pijeve aspak të shëndetshme për trupin, e shoqëruar kjo me aktivitet të reduktuar në maksimum.

Cili është problemi dhe përse njerëzit vazhdojnë të ndjekin programet e televizorit për orë të tëra?

Shkencëtarët që e kanë studiuar çështjen e televizorit përgjatë dekadave të shkuara dhe ndikimin e tij në sjelljen njerëzore, pajtohen se televizori është shndërruar në një lloj vartësie.

Koha që njerëzit kalojnë para televizorit është realisht e madhe. Në vendet industriale, një person shtatëdhjetë vjeçar ka kaluar plot nëntë vite para televizorit. Studimet tregojnë se mesatarja e kohës që kalon një lindor para televizorit, është shumë herë më e madhe se ajo e vendeve industriale.

Po, shumë programe televizive kanë përmbajtje të dobishme, edukative, kulturore, arsimore, dokumentare, argëtuese etj… por rreziqet janë gjithashtu të mëdha. Dobitë e këtyre programeve janë të kufizuara vetëm për njerëzit e ndërgjegjshëm, ata që dinë çfarë të zgjedhin prej tyre, përcaktojnë me rigorozitet kohët e përshtatshme dhe intervalin kohor të lejueshëm në çdo ditë.

Një imazh i caktuar, i cili i kujtohet e rikujtohet një djali e një vajze, ka ndikim më të madh në mendjen e tij dhe aftësinë për të ndryshuar sjellje, sesa qindra e mijëra leksione e kumtesa. Çdo sekuencë është një farë e mirë ose e keqe. Shumë shpejt ajo do të mbijë dhe zhvillohet në mendjen e njeriut, për ta ndryshuar atë. Prandaj, le ti përzgjedhim materialet mbi të cilat ndalen sytë tanë, i dëgjojnë veshët dhe ushqehen mendjet tona, sepse vetëm kështu do të mund të përmirësohemi dhe të ndryshojmë për mirë, në dashtë Zoti.

Thotë Zoti në Kuran:”Shikimi, dëgjimi dhe zemra, të gjithë këta mbajnë përgjegjësi.”

 

Përktheu: Elmaz Fida

(Visited 31 times, 1 visits today)
Top