Domingo, 15/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ndihmojeni atë që i bëhet padrejtësi

Ndihmojeni atë që i bëhet padrejtësi

Nga Enes ibën Maliku – radijallahu anhu – transmetohet se i Dërguari i Allahut – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – ka thënë: “Ndihmoje vëllanë tënd kur bën padrejtësi dhe kur i bëhet e padrejtë!” Një njeri tha: “O i Dërguar i Allahut, e ndihmoj nëse i bëhet e padrejtë, por si ta ndihmoj kur ai bën padrejtësi?” I Dërguari tha: “Ta ndalosh nga padrejtësia, kjo është ndihmë për të.”

Këtë hadith e shënojnë Buhariu dhe Tirmidhiu. Ky është citati i Buhariut.

Domethënia e hadithit

Allahu i Lartësuar ia ka ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e ka bërë të ndaluar ndërmjet robërve të Vet. Andaj, nuk i lejohet ndonjë njeriu t’i bëjë padrejtësi tjetrit, e nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë ai musliman, i cili ka mundësi detyrohet ta ndihmojë atë të cilit i bëhet e padrejtë, ta largojë padrejtësinë prej tij dhe ta ndalojë zullumqarin nga padrejtësia që ua bën të tjerëve, siç përmendet në hadithin e mësipërm: “Ndihmoje vëllanë tënd kur bën padrejtësi dhe kur i bëhet e padrejtë”.

Sahabët, radijallahu anhum, e dinin se si duhet ndihmuar ai, të cilit i bëhet padrejtësi, po ashtu e dinin se nuk duhet ndihmuar zullumqarin duke e përkrahur në padrejtësi, pra si mund të jetë atëherë?

Pejgamberi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – ua bëri të qartë atyre se kjo bëhet duke e ndaluar atë nga zullumi, sepse zullumi që ai ua bën të tjerëve është njëkohësisht zullum ndaj vetes së tij, sepse me këtë ai zhytet në mëkatin e padrejtësisë, për të cilin e dënon Allahu. Prandaj, ndalimi i tij nga ky mëkat është ndihmë për të.

Dobitë e hadithit

  1. Ndalimi i çdo lloj zullumi ndërmjet njerëzve.
    2. Ndihma ndaj atij që i bëhet padrejtësi dhe ndalimi i zullumqarit është detyrë për çdo musliman që ka mundësi ta bëjë këtë.
    3. Islami është fe e drejtësisë dhe e mëshirës.

Përktheu: Jusuf Kastrati

(Visited 137 times, 1 visits today)
Top