Quarta-feira’, 25/11/2020 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ndarja në mes të dy deteve

Ndarja në mes të dy deteve

Kur’ani ka zbritur në shkretëtirë në një kohë kur nuk ka pasur arritje shkencore. Sot, në shekullin XXI, në Kur’an e gjen veten biologu, astronauti, kimisti, oqeanografi, matematikani, gjuhëtari, sociologu dhe filozofi. Kur’ani përfshin njohuri për mbarë njerëzimin. Ai të jep bazat e pastaj të thotë “ec përpara, zhvilloje shkencën”. Disa prej ajeteve Kur;anore prekin edhe mrekulli shkencore, mrekulli të cilat arabët e asaj kohe nuk i dinin. Ata i kanë besuar se janë Fjalë të Allahut dhe janë munduar t’i kuptojnë siç ua ka marrë mendja dhe kanë thënë “Allahu a’lem”, Zoti e di më së miri, dhe një gjë e tillë ka vazhduar me shekuj.

Mbas 14 shekujsh, disa prej mrekullive Kur’anore, të cilat kanë qenë të mbuluara si thesar i fshehur, falë Allahut kanë dalë në shesh me zhvillimin e teknikës dhe të teknologjisë. Prej mrekullive që do të shtjelloja, e cila më ka ranë në sy më shumë se një herë, është një ajet që flet për një pengesë, një barrierë e cila gjendet mes çdo dy detesh. A thua, çfarë është ajo barrierë, pse është, cilat janë specifikat dhe roli i saj, si u zbulua ajo barrierë etj..

Oqeanografët, ata që merren me studimin e oqeaneve dhe të deteve, pas zhvillimit të teknikës e të teknologjisë, kohët e fundit kanë arritur të zbulojnë se në mes çdo dy detesh është një barrierë që i pengon këto dy dete për të mos hyrë njëri te tjetri dhe nëpërmjet kësaj barriere secili prej tyre ruan specifikat e veta për sa i përket temperaturës, dendësisë, kripësisë, tretjes së oksigjenit e kështu me radhë. Dy detet që janë afër njëri-tjetrit përzihen me një përzierje të ngadalshme, në atë mënyrë që pjesa e njërit det që depërton thellë në detin tjetër merr cilësitë e këtij të fundit dhe anasjelltas duke i lënë cilësitë e veta gjatë kalimit nëpër atë barrierë. Kështu, të dy detet ruajnë gjithnjë natyrshmërinë e krijuar nga Krijuesi.

Shkencëtarët bashkëkohorë kanë arritur t’i zbulojnë këto fakte përmes fazave të shumta. Për atë arsye, është shumë interesante dhe ia vlen t’i cekim fazat se si arriti t’i zbulojë njeriu këto fakte shkencore.
Oqeanografët kanë zbuluar se ka lloje të ndryshme ujërash. Ndryshe është uji në Oqeanin Atlantik, ndryshe në Oqeanin Indian dhe ndryshe në Oqeanin Paqësor. Kjo u vu re për herë të parë në vitin 1873 nga një ekip shkencor anglez, që udhëtonte me anijen HMS Challenger. Nëpërmjet këtij ekipi shkencor njeriu për herë të parë arriti të zbulojë se ujërat në dete ndryshojnë për sa i përket dendësisë së kripës, temperaturës, dendësisë së ujit dhe llojeve të shtazëve që jetojnë në ato ujëra.

Ky ekip ka shëtitur mbarë detet e botës për tre vjet radhazi pa ndërprerë dhe i ka mbledhur këto njohuri të shumta me anë të 362 aparaturave speciale të avancuara për studimin e specifikave të ujërave të deteve. Prej rezultateve të arritura janëMbushur jo më pak se 29500 faqe, në plot 50 vëllime. Këtij ekipi shkencor i janë dashur plot 23 vite për të plotësuar këto të dhëna. Përveç asaj se ky udhëtim i parë është prej zbulimeve më të mëdha shkencore, në të njëjtin kohë i jep njeriut mundësinë të nxjerrë në shesh për herë të parë fshehtësinë e madhe rreth deteve, oqeaneve dhe ujit në përgjithësi.

Në vitin 1983 është marrë një hap tjetër i ngjashëm nga një ekip amerikan në Gjirin e Meksikës. Ata kanë shpërndarë në këtë vend me qindra aparatura të avancuara për të marrë specifikat e ujit dhe kanë vërtetuar dhe kanë gjetur se një numër bukur i madh i këtyre aparaturave po jepnin njohuritë e njëjta për ujin e një vendi për sa i përket dendësisë së kripës së ujit, nxehtësisë, shtazëve që jetonin aty, tretjes së oksigjenit e kështu me radhë. Ndërkohë, një grup tjetër aparaturash po jepnin njohuri të njëjta në një vend tjetër, duke treguar se të dhënat e grupit tjetër të aparaturave ndryshonin prej atyre të parave. Kjo bëri që oqeanografët të kuptonin se qenkan dy dete të dalluara me veçori dhe specifika.

Tani kemi të bëjmë me një zhvillim të madh, pasi kuptuam se paska dy dete që dallohen mes tyre. Pasi shkencëtarët vendosën aparatura të tilla në dete të ndryshme, ata arritën të vërtetojnë se këto veçori po i dallojnë detet në mes tyre. Mirëpo, përse këto dete nuk po bashkohen, duke pasur parasysh zbaticën dhe baticën, dallgët e mëdha dhe rrymat e fuqishme? Kjo është një pyetje tepër me rëndësi që i shtyu shkencëtarët të mendojnë gjatë.

Përgjigjja e kësaj pyetjeje del në shesh vetëm në vitin 1942, kur zbulohet se mes dy deteve qenka një barrierë dhe me këtë zbulim kuptohet dhe roli i këtyre barrierave të cilat kanë për qëllim ruajtjen e specifikave të një deti dhe të të detit tjetër.

P.sh. kur takohet Deti Mesdhe me Oqeanin Atlantik, te ngushtica e Gjibraltarit, Mesdheu futet me qindra kilometra në Atlantik, por nëpërmjet kësaj pengese i humb specifikat e veta dhe merr specifikat e Atlantikut, dhe anasjelltas, uji i Atlantikut, kur vjen në Mesdhe, nëpërmjet kësaj barriere i humb specifikat e Atlantikut dhe merr specifikat e Mesdheut, sepse Deti Mesdhe është më i ngrohtë, më i kripur dhe me dendësi më të vogël. Në vitin 1962 u arrit të kuptohej hollësisht roli i këtyre pengesave në ruajtjen e specifikave të çdo deti, pasi njeriu arriti t’i fotografonte nëpërmjet satelitit, duke vërtetuar se detet janë të ndryshme. Edhe pse duken se janë një trup, detet kanë dallime të shumta në mes tyre, dallime që përmes satelitit shfaqen nga ngjyrat e ndryshme. Një dijetar musliman i Katarit, me emrin Muhamed Ibrahim, u përgatit ta vërtetonte këtë në praktikë.

Ai ishte profesor në Fakultetin e Shkencave në degën e oqeanografisë në Universitetin e Katarit. Ai ndërmori një rrugë të ngjashme me delegacionet e mëhershme me një anije të pajisurme aparatura të mjaftueshme dhe për dy vjet ka lundruar dhe ka matur cilësitë dhe specifikat e ujit të Gjirit Arab dhe të ujit të Gjirit të Amanit. Pas dy vitesh, 1984-86, ai arrin të nxjerrë në shesh se këto dy dete dallojnë dhe kanë specifika e cilësi të ndryshme.

Pra, shkencëtarëve iu desh gati një shekull që të arrinin të zbulonin dhe të kuptonin realitetin e këtyre pengesave. U deshën me qindra e qindra shkencëtarë dhe studiues si dhe shumë e shumë mjete që të vërtetohej kjo mrekulli që na e sqaroi Kur’ani i Madhëruar jo më pak se XIV shekuj më parë.

Le ta lexojmë se çfarë thotë i Madhi Allah, Njohësi i së fshehtës dhe i së dukshmes në suren Rahman 19-22:

“Ai i lejoi dy detet të puqen ndërmjet vete. Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë. E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni? Prej atyre të dyve nxirren margaritarë e diamantë.”

Allahu në suren En-Neml, në ajetin 61 thotë:

“…dhe në mes dy deteve bëri ndarje…”

Rreth këtyre ajeteve janë ndalur komentatorët e Kur’anit dhe pjesa dërmuese e tyre kanë thënë: se fjala “berzah”, e cila është cekur se gjendet në mes këtyre dy deteve, është një perde, barrierë, pengesë, e cila nuk shihet. Këto ajete Kur’anore na tregojnë qartë sekretet dhe fshehtësitë e shkencës së deteve, të cilat janë zbuluar sot. Kush e ka ditur më herët se detet e kripura dallojnë nga njëri-tjetri, edhe pse në shikim të parë janë të njëjtë.

Si të dallohen kur takohen njëri me tjetrin? Është gjë normale se për sytë e njeriut kur takohen dy lloj ujërash, ato përzihen. Nëse merret një gotë ujë i kripur dhe një tjetër jo i kripur dhe përzihen në një gotë të tretë, uji bëhet as i njelmët e as i ëmbël, eshtë ligj i natyrshëm ky, por ajeti po tregon se bashkimi në mes dy deteve po ndryshon njëri prej tjetrit, sepse po të mos ndryshonin do të kishte qenë një det dhe Allahu nuk do të kishte thënë dy dete. Allahu ka thënë se janë dy dete, pastaj se këto dy dete takohen dhe futen njëri te tjetri. Ai që lexon ajetin 19 të sures Rrahman mendon se një përzierje e madhe po bëhet në mes dy detesh, saqë i humbin specifikat e tyre kur takohen, siç thamë se është ligj fizik kur përzihet uji me ujë. Por kur lexon ajetin 20 të sures Rahman:

“Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë”, 

…Habitesh nga fakti se edhe pse ujërat përzihen, takohen, pengesa nuk mund të kalohet dhe uji i secilit det ruan specifikat e veta. Si ndodhe kjo?

Përgjigjen njeriu arriti ta zbulojë falë Allahut e pastaj falë zbulimit të shumë mjeteve moderne. Në të vërtetë, kur uji takohet, kjo perde e pengon që njëri ujë të marrë specifikat e tjetrit dhe që të përzihen ndërmjet tyre. Duke qenë kështu, shkencëtarët kanë zbuluar një ujë të tretë, që është ndarës ndërmjet dy deteve, i cili ndryshon prej atyre të dyve dhe se kjo pengesë “berzah” është një zonë përmes së cilës ujëratkaluese filtrohen, i humbin cilësitë që kanë pasur dhe marrin cilësitë e ujit tjetër. Shumica e komentuesve të Kur’anit kanë menduar se kjo pengesë që i ndan këto dy dete është një pengesë që Allahu xh.sh. e ka krijuar dhe se nuk ekzistojnë mjete për ta zbuluar atë.

Ata janë munduar t’i nxjerrin ajetet Kur’anore nëpërmjet kuptimeve gjuhësore, domethënieve të ajeteve nga ana e gjuhës, se është një perde dhe nuk dimë më shumë. Po një numër tjetër komentuesish të Kur’anit janë ndalur, nuk kanë dhënë koment, duke thënë “Allahu alem”.

Këtu Allahu po thotë se dy dete po takohen dhe se nuk mund të takohen mes tyre. Nëse takohen, përzihen. Ajeti (citati,verseti) në të njëjtën kohë po thotë se nuk përzihen në mes tyre dhe këtë problem e ka zgjidhur shkenca sot, e cila ka nxjerrë në shesh rolin e kësaj perdeje, kësaj barrikade.

Cilat janë mrekullitë Kur’anore në këto ajete:

1. Kur’ani i Madhëruar, i cili ka zbritur para 1400 vitesh, ka përmbledhur në vetvete njohuri shumë të holla, të cilat kanë të bëjnë me specifikat e deteve, njohuri që janë zbuluar fare vonë nëpërmjet mjeteve shumë precize. Allahu thotë:

“Ai i lejoi dy detet të puqen ndërmjet vete. Ndërmjet atyre të dyve është një pengues që ata të dy nuk e kapërcejnë.” (Er-Rahman:19-20)

2. Zhvillimet historike dëshmojnë se më herët nuk ka pasur njohuri të detajuara në lidhje me detet përpara udhëtimit Challenger të vitit 1873, e lëre më në kohën kur ka zbritur Kur’ani, para 1400 vitesh. Edhe Pejgamberi i Zotit, paqja qoftë mbi të, jetoi në shkretëtirë dhe në jetën e vet nuk ka shkuar kurrë në det.

3. Shkencat e deteve kanë ecur përpara vetëm në dy shekujt e fundit, XIX dhe XX, në veçanti në gjysmën e dytë të shekullit XX. Para kësaj kohe, deti ka qenë një botë e fshehtë dhe frikësuese. Njerëzve u ka interesuar të shpëtojnë prej të ligave të detit dhe nuk kanë menduar ndonjëherë se këto dete ndryshojnë në mes tyre, deri në vitet 30-të të shekullit XX, kur njerëzit vendosën aparatura të shumta nëpërmjet të cilave arritën të zbulonin dallimet në mes deteve.

4. Njeriu ka arritur të fitojë njohuri rreth këtyre ndarjeve që përmend Allahu para 1400 vitesh vetëm pasi vendosi aparatura të ndryshme dhe studioi specifikat e çdo uji në veçanti.

5. Njeriu nuk e ka ditur se uji i dy deteve është i ndarë, por e mësoi vetëm pasi bëri këto studime shkencore. Por çështja është se a thua Pejgamberi ynë salallahu alejhi ue selem ka pasur aparatura moderne për të zbërthyer dhe për të zbuluar specifikat e ujit? A ka bërë ai ndonjë udhëtim në dete për t’i studiuar ato?

Realiteti është se ai kurrë në jetën e vet nuk ka shkuar në det. Kjo dije dhe dritë me të cilën ka zbritur Kur’ani përfshin njohuritë më të imëta në atë kohë, kur ka qenë e pamundur që njeriu të arrijë ta dijë këtë të vërtetë. Kjo dëshmon qartazi se Kur’ani burimin e ka prej të Madhit Allah, prandaj Allahu thotë:

“Thuaj: “Atë e shpalli Ai, që e di të fshehtën në qiej e në tokë, Ai është që fal shumë, është mëshirues”. (Furkan: 6)

Kjo mrekulli shkencore e vërtetuar shkencëtarisht tregon se Muhamedi (a.s.) është Pejgamber i Zotit dhe se Kur’ani është i vërtetë. Thotë Allahu:

“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë.” (Fusilet: 53)

Pra, kjo është njëra prej mrekullive që dëshmon se Kur’ani është i vërtetë dhe se Pejgamberi (a.s.) ka folur atë për të cilën e ka inspiruar Allahu:

“Shoku juaj (Muhamedi, që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij.Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.”
 (En-Nexhm: 2-4)

Ky Kur’an mbetet mrekulli e Pejgamberit nga ana e Allahut. Mrekulli shkencore Kur’anore janë zbuluar me emrin e Allahut dhe do të zbulohen edhe më tej, derisa të jetë kjo botë, pasi me zhvillimin dhe përparimin do të zbulohen mrekulli të tjera që do të pohojnë vërtetësinë e Kur’anit të Madhëruar.

Shkruar nga Dr. Shefqet Krasniqi

(Visited 182 times, 1 visits today)
Top