Sábado, 30/9/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
United States
+11C

Nata e Israsë dhe Miraxhit

Nata e Israsë dhe Miraxhit

univesi dhe yjet

Israja dhe Miraxhi

Israja është udhëtimi që Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri brenda një nate prej Mekës deri në Shtëpinë e Shenjtë23. Miraxh është ngjitja e tij, po atë natë në botën e lartë qiellore. Këtë udhëtim Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë me trupin e tij të nderuar dhe me shpirtin e tij të pastër. Israja është përmendur në Kuran, në suren “Isra”.

Allahu thotë: “Larg të metave është Ai, që e kaloi robin e vet në një pjesë të natës prej Mesxhidil Haramit (Qabes) gjer në Mesxhidil Aksa (Bejtul Mekdis), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar (ia bëmë këtë udhëtim Muhamedit), për t’i treguar atij disa nga argumentet tona. Vërtet, Ai (Allahu) është Dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), Shikuesi (i punëve të Muhamedit).” (17:1)

Sipas disa dijetarëve Miraxhi është përmendur në suren “En Nexhm”, prej ajetit të shtatë deri në ajetin tetëmbëdhjetë.

Dijetarë të tjerë kanë thënë se në këtë ajet nuk është përmendur Miraxhi, por diçka tjetër.

Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme për kohën kur ka ndodhur Israja dhe Miraxhi. Disa kanë thënë se ka ndodhur në vitin, kur Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u bë profet.

Dikush ka thënë se është bërë në vitin e pestë të profetësisë. Eshtë thënë edhe se kjo mrekulli ka ndodhur më 27 të muajit Rexhep, në vitin e 10-të të profetësisë. Dikush ka thënë që ka ndodhur më 17 të Ramazanit, në vitin e 12-të të profetësisë.

Sipas një mendimi tjetër kjo ka ndodhur në Muharrem; dikush tjetër ka thënë, më 17 të Rabiul Euelit, në vitin e trembëdhjetë të profetësisë.

Sipas versioneve të vërteta, ngjarja ndodhi kështu: Xhebraili erdhi në Mesxhidi Haram, me një kafshë pak më të madhe se gomari dhe më të vogël se mushka.

Kafsha e hidhte thundrën aq sa mund të arrijë shikimi i njeriut. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i hipi asaj dhe bashkë me Xhebrailin vajtën te Shtëpia e Shenjtë. E lidhën kafshën aty, ku e kishin lidhur edhe Profetët e tjerë. Pastaj Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri në xhami dhe fali 2 rekatë namaz dhe u bë imam i të gjithë profetëve të tjerë.

Pastaj Xhebraili i solli një enë me verë dhe një enë me qumësht dhe i la Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të zgjidhte. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) zgjodhi qumështin dhe Xhebraili i tha: “Zgjodhe të natyrshmen. Ti dhe Ymeti yt u udhëzuat për në rrugë të drejtë. Sikur të kishe marrë verën, do ta kishe çuar në humbje tërë Ymetin tënd.” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me Xhebrailin u ngjitën për në qiellin e kësaj bote. Xhebraili kërkoi të hapej dera. Dera u hap dhe Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pa Ademin, babanë e njerëzimit. E përshëndeti atë me “Selam!”. Ai ia ktheu përshëndetjen dhe e mirëpriti me shumë respekt dhe pranoi se Muhamedi ishte Profet. Në të djathtë ishin ca hije, të cilat, kur Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i shikonte, qeshnin; këta ishin shpirtrat e të gëzuarve. Në të majtë ishin ca hije, që, kur i shikonte,qanin;këta ishin shpirtrat e atyre që kishin bërë atë, që nuk duhej ta bënin.

Pastaj u ngjitën në qiellin e dytë. Xhebraili kërkoi t’u hapeshin dyert dhe ato iu hapën. Aty Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pa Jahjanë, birin e Zekeriasë dhe Isanë, birin e Merjemes, nënat e të cilëve ishin motra. I përshëndeti me “Selam!” dhe ata ia kthyen përshëndetjen, e pritën shumë mirë dhe pranuan se Muhamedi ishte Profet.

Në qiellin e tretë Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) takoi Jusufin, të cilit i kishtë rënë hija e mirësisë. E përshëndeti me “Selam!”. Ai ia ktheu përsëndetjen, e priti shumë mirë dhe pranoi se Muhamedi ishte Profet.

Në qiellin e katërt Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) takoi Idrisin. E përshëndeti me “Selam!”, ai ia ktheu përshëndetjen, e priti shumë mirë dhe pranoi se Muhamedi ishte Profet.

Në qiellin e pestë Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) takoi Harunin, birin e Imranit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e përshëndeti edhe atë me “Selam!”. Ai ia ktheu përshëndetjen, e priti shumë mirë dhe pranoi se Muhamedi ishte Profet.

Në qiellin e gjashtë, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u takua me Musanë, birin e Imranit (paqja qoftë mbi të!). E përshëndeti me “Selam!”. Ai ia ktheu përshëndetjen, e priti shumë mirë dhe pranoi se Muhamedi ishte Profet. Kur Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kaloi qiellin, ku ishte Musai (paqja qoftë mbi të!), Musai qau. Dikush nga melekët i tha: “Përse po qan?” “Qaj,- tha Musai, sepse nga ymeti i një djali, që u dërgua profet pas meje, do të hyjnë në Xhenet më shumë sesa nga ymeti im.”

Pastaj Xhebraili me Profetin Muhamed (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngjitën në qiellin e shtatë. Atje Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) takoi Ibrahimin (paqja qoftë mbi të!). E përshëndeti me “Selam!”. Ai ia ktheu përshëndetjen, e priti shumë mirë dhe pranoi që Muhamedi ishte Profet. Ibrahimi e kishte mbështetur shpinën te “Bejtul Ma’muri”, ku hyjnë çdo ditë shtatëdhjetë mijë melekë. Ata hynin aty një herë të vetme.

Më pas, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngjit tek Sidretul Munteha (Pema e Vetmuar). Gjethet e saj ishin si veshë elefanti, frutat e saj si shtamba të mëdha. Aty erdhi një dyshek prej ari. Me urdhrin e Allahut, Pemën e mbuloi diçka e çuditshme. Ajo ndryshoi krejtësisht e asnjë krijesë e Allahut nuk mund ta përshkruajë bukurinë e saj. Pastaj, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngjit drejt Allahut të Madhëruar. U afrua tek Ai dy kutë a më shumë. Dhe, Allahu i shpalli robit të Vet. I caktoi detyrë atij dhe Ymetit të tij pesëdhjetë namaze, në një ditë dhe natë. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye nga Musai (paqja qoftë mbi të!). Ky e pyeti: “Për çfarë të urdhëroi Zoti yt?” Ai i tha: “Më urdhëroi të fal pesëdhjetë namaze.” Musai i tha: “Ymeti yt nuk ka mundësi ta kryejë këtë detyrë. Prandaj kthehu te Zoti yt dhe kërkoji që t’i pakësojë.” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye nga Xhebraili, i cili ia bëri me shenjë të shkonte, në qoftë se dëshironte. Atëherë, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye tek Allahu dhe Ai ia zbriti dhjetë namaze. Pastaj Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kaloi nga Musai (paqja qoftë mbi të!) dhe ky e pyeti.

Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tregoi, por Musai i bëri përsëri shenjë që të kërkonte prapë prej Allahut pakësim të namazeve. Kështu, vazhdoi Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke shkuar nga Musai tek Allahu i Madhëruar, derisa Allahu i caktoi pesë namaze. Më pas Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kaloi përsëri nga Musai (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili i bëri shenjë përsëri që të shkonte tek Allahu dhe t’i kërkonte edhe më pakësim të namazeve. Musai tha: “Unë i kam provuar Benu Israilët për detyra edhe më të lehta se pesë namazet, por u treguan të dobët dhe i braktisën.” “Kam turp nga Zoti im t’i kërkoj të m’i pakësojë edhe më namazet,- i tha Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Jam i kënaqur dhe i bindur.”

Pasi, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u largua, iu bë thirrje nga Allahu: “E kam caktuar përfundimisht detyrën për ju. Ua kam lehtësuar robve të mi detyrën fetare. Unë i caktova atyre të falin pesë namaze në një ditë dhe natë, por shpërblimin do ta kenë sa për pesëdhjetë. Fjala ime nuk ndryshohet më!” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye brenda asaj nate në Mekë. Në mëngjes i njoftoi njerëzit për çfarë i kishte treguar Allahu nga argumentet e Tij të mëdha. Mirëpo, idhujtarët e përgënjeshtruan edhe më shumë dhe i shtuan mundimet e fyerjet ndaj tij. Dikush prej tyre fishkëllente, e dikush vinte dorën në kokë i çuditur. Disa të tjerë shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë çfarë u kishte treguar Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ebu Bekri u tha: “Nëse Profeti ka thënë ashtu, është plotësisht e vërtetë.” – A e beson ti këtë?,- iu kthyen ata. -Unë i besoj atij për gjëra edhe më larg mendjes se kjo. Unë i besoj atij për Zbulesën që i vjen nga qielli mëngjes e mbrëmje. Atëherë, Ebu Bekri u quajt “Es Siddik” (që është shumë i çiltër).

Femohuesit nisën ta provonin Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ata i kërkuan që t’ua tregonte pamjen e Shtëpisë së Shenjtë, të cilën ai nuk e kishte parë kurrë më parë. Allahu ia çeli pamjen e ai filloi t’u tregonte atyre për të. Ai ua përshkroi atyre xhaminë derë për derë dhe vend për vend. Kështu, ata nuk mundën ta përgënjeshtronin, prandaj thanë: “Përsa i përket përshkrimit, tha të vërtetën.” Idhujtarët e pyetën Muhamedin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për një vargan, që do të vinte nga Shami dhe ai ua tregoi me saktësi numrin e deveve që ishin në atë vargan, për kohën kur do të vinte vargani në Mekë dhe devenë që ecte përpara. Dhe ashtu qe vërtet, por idhujtarët nuk deshën tjetër veç mohimit. Në mëngjes erdhi Xhebraili dhe i mësoi të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mënyrën e faljes së pesë namazeve dhe kohët e tyre. Më parë namazi ka qenë dy rekatë në mëngjes dhe dy rekatë në mbrëmje.

Autor: Safijurrahman el-Mubarekfur
Përgaditi: Qendrim Xhema