Quarta-feira’, 27/9/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
United States
+11C

Namazi dhe vlera e tij në Islam

Namazi dhe vlera e tij në Islam

namazi

Padyshim namazi ka një pozitë madhështore në Islam dhe një vlerë të madhe tek Allahu,tek i dërguari i Tij dhe tek besimtarët, për vetë faktin se është shtylla e dytë e Islamit menjëherë pas shehadetit (dëshmisë).

Allahu i ka nxitur besimtarët që ta kryejnë atë sa më mirë, në ajete të shumta, për shembull fjala e Tij:

“Të kthyer tek Ai, kijani frikën Atij, kryejeni më së miri namazin dhe mos jini nga idhujtarët të cilët e përçanë fenë duke u ndarë në grupacione ku çdo palë i gëzohet idesë së tij” (Rrum 31);

dhe thotë:

“E nuk qenë të urdhëruar për diçka tjetër përveçse ta adhurojnë Allahun sinqerisht me përkushtim vetëm ndaj Tij ta falin më së miri namazin, ta japin zekatin. Kjo është feja e drejtë” (Bejineh 5);

dhe ka thënë:

“Thuaju robërve të Mi të cilët kanë besuar: ta falin namazin dhe të japin nga ajo që Ne i kemi furnizuar, të japin fshehtas dhe haptas para se të vijë ajo ditë ku nuk ka shitblerje dhe as lidhje të ngushtë” (Ibrahim 31).

Nga lutjet e të dashurit të ngushtë të Mëshiruesit, Ibrahimit ishte:

“O Zoti im më bëj mua falës të namazit, po ashtu dhe pasardhësit e mi, o Zoti ynë na e prano lutjen” (Ibrahim 40).

Allahu e ka obliguar namazin për çdo musliman të shëndoshë mendërisht. Namazi është ligjëruar si edukativ për të vegjlit siç thotë Profeti:

“Mësojuni fëmijëve tuaj namazin kur janë shtatë vjeç dhe goditini nëse nuk falen pasi të mbushin dhjetë vjeç”. Allahu ka urdhëruar që namazi të falet në kolektiv (me xhemat) në xhamitë, shtëpitë e Allahut.

Allahu e ngre lart pozitën e xhamive nëpërmjet atyre që falen në to, tregon cilësitë e tyre të lavdërueshme dhe shpërblimin e përgatitur për ta, Allahu tha:

“(Ajo dritë) gjendet në shtëpitë e Allahut për të cilat Ai ka lejuar të ngrihen dhe të përmendet emri i Allahut në to. Aty i bëjnë madhërim në mëngjes dhe mbrëmje, burra që nuk i pengon shitblerja nga përmendja e Allahut, falja e namazit dhe dhënia e zekatit. Ata i frikësohen një dite në të cilën do rrotullohen (tronditen) zemrat dhe shikimet. Allahu do t’i shpërblejë me shpërblim më të mirë sesa ajo që kanë vepruar dhe do tu shtojë nga mirësia e Tij. Vërtetë Allahu e furnizon pa llogari atë që dëshiron” (Nur 36);

dhe ka thënë:

“Në të vërtetë gjallërimin e xhamive e bën ai që i ka besuar Allahut, ditës se fundit, e fal namazin, e jep zekatin dhe nuk i frikesohet askujt veç Allahut. Këta janë ata të udhëzuarit” (Teubeh 18);

dhe ka thënë:

“Thuaj:Zoti im ka urdhëruar për drejtësi, t’i kthehemi kibles për çdo namaz dhe lutjuni Atij me sinqeritet dhe përkushtim të fesë vetëm ndaj Tij. Ashtu siç e ka filluar krijimin tuaj do u rikthejë përsëri” (Araf 29)

pra, i urdhëroi robërit të mbajnë drejtësi dhe t’i drejtohen kibles në çdo xhami që të jenë. Allahu ka thënë:

 “O bijtë e Ademit stolisuni për çdo namaz (duke u veshur), hani pini e mos e teproni. Vërtetë Ai nuk i do shpërdoruesit” (Araf 31).

Qëllimi me stolisje të përmendur në këtë ajet është mbulimi i auretit (pjesët e turpshme) gjatë namazit në xhami me xhemat apo vetëm sepse mbulimi i auretit është detyrë në çdo rast: “Allahu është më i merituari për të pasur turp prej Tij”.

Të gjitha këto ajete na përftojnë rëndësinë e xhamisë për të cilat Allahu urdhëron që të ngrihen me qëllimin e faljes kolektive në to. Xhamitë janë nga simbolet më madhështore të Islamit, po ashtu nga këto simbole është falja kolektive dhe thirrja (ezani) për në to ndërsa mos prezantimi në këto falje kolektive është një nga shenjat e hipokrizisë, Zoti na ruajt. Allahu për namazin ka thënë:

“Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz, kjo është diçka e madhe përveçse për të devotshmit të përulurit të cilët janë të bindur se do e takojnë Zotin e tyre dhe se do kthehen tek Ai” (Bekareh 45-46).

Ebu Hurejra tha:

Po të doni (vërtetimin e kësaj) lexoni ajetin: “Dhe leximi i mëngjesit ( falja) vërtetë leximi i mëngjesit është i prezantuar (nga engjëjt)” transmeton Buhari 648 dhe Muslimi: 649.

Transmetohet nga Ibn Umeri se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë:

“Namazi kolektiv është më i mirë se namazi vetëm njëzet e shtatë shkalle (grade) më shumë” Buhariu: 645 dhe Muslimi: 650.

Transmetohet nga Ebu Hurejre se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë:

“Namazi që personi kryen me xhemat shumëfishohet njëzet e shtatë herë në krahasim me namazin që fal në shtëpinë e tij apo në pazar. Ky (shumëfishim) nëse e përsos abdesin e tij dhe del nga shtëpia duke pasur vetëm namazin si qëllim (parësor) çdo hap që hedh e ngre një gradë lart dhe i shlyen një të keqe. Për sa kohë që ky person qëndron në vendin ku është falur, engjëjt luten për të: O Allah mëshiroje atë, o Allah ço salavate për të. Ai që e pret namazin është në namaz” Buhariu: 647 dhe Muslimi: 649.

Namazi t’i shlyen të këqijat. Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë:

“Çfarë mendoni sikur para portës së ndonjërit prej jush të kishte një lumë ku lahej 5 herë në ditë a do mbetej papastërti në trupin e tij?! Ky është dhe shembulli i namazeve të cilat Allahu shlyen mëkatet” Buhariu: 528 dhe Muslimi: 667. Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Shembulli i pesë namazeve është si shembulli i një lumi të rrjedhshëm para derës së ndonjërit prej jush në të cilin ai lahet pesë herë çdo ditë” Muslimi: 668.

Së fundmi them: Nga ndikimet e namazit i cili falet në përputhje me sheriatin ku përmbushet kushti i sinqeritetit dhe plotësohen kushtet dhe shtyllat e tij me frikë-respekt është shpëtimi dhe arritje e gjësë më të madhe që kërkohet nga Allahu, thotë i Lartësuari:

“Janë të shpëtuar besimtarët ata të cilët janë të kujdesshëm me frikë-respekt në namazin e tyre, të cilët janë larg të kotës dhe që e japin zukatin”.

Nga ndikimet e këtij namazi është frenimi nga veprat e ulëta dhe të ndyra, është merita e përmendjes nga Allahu në parinë e lartë, thotë i Lartësuari:

“Vërtet namazi të largon nga veprat e ulëta dhe të ndyra. Përmendja e Allahut është gjëja më e madhe. Allahu e di çfarë veproni”.

Qëllimi im me këtë fjalë të shkurtër ishte të përkujtoj vëllezërit e mi muslimanë me rëndësinë e madhe të namazit dhe vlerën e tij në Islam, t’i nxis ata ta kryejnë në shtëpitë e Allahut, t’i nxis për diçka që e shoh se i kushtohet pak rëndësi si nga imamët ashtu edhe nga xhemati, bëhet fjalë për drejtimin e safeve, bashkimin e këmbëve, plotësimin e boshllëqeve që i shfrytëzon shejtani, gjëra që shokët e Profetit u përmbaheshin duke zbatuar urdhrat e tij dhe porositë që jepte. Kam parë shumë nga ata që falen që neglizhojnë në këto dhe që nuk i kuptojnë pasojat që vijnë duke i dhënë mundësi shejtanit të mbjellë përçarje, urrejtje dhe shkëputje, ku shkaku kryesor i këtyre problemeve është mos pasimi i udhëzimit profetik dhe i shokëve të tij në lidhje me mënyrën e kryerjes së namazit ashtu siç e sqaroi dhe që na tërhoqi vërejtjen nga kundërshtimi i kësaj.