Sábado, 6/3/2021 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Musai a.s dhe Hidri

Musai a.s dhe Hidri

Musai a.s dhe Hidri

Një ditë, Musai a.s mbajti u foli me fjalë prekëse popullit të tij. Në një moment, ngrihet një burrë dhe e pyet:”O Musa! Kush është njeriu më i ditur mbi faqen e tokës?” Duke qenë se ishte profet dhe i dërguar i Allahut, Musai a.s u përgjigj:”Unë.” Zoti e kritikoi për këtë dhe i tregoi se ishte dikush tjetër më i ditur se Musai a.s. I habitur, Musai a.s e pyeti Zotin se kush ishte ky burrë dhe ku mund të takohej me të, që të përfitonte nga dijet e tij. Zoti i tha se mund ta gjejë tek vendtakimi i dy detrave. Musai a.s i kërkoi Zotit një shenjë se si ta dallojë Hidrin nga njerëzit e tjerë. Zoti i lartësuar i tha se do të humbasë peshkun para se të takojë Hidrin.

(Kujto) kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.”(Kehf, 60)

Djaloshi që shoqëronte Musain a.s, ishte Joshua, për të cilin shumica e dijetarëve myslimanë mendojnë se ka qenë profet. Është pikërisht Joshua ai që udhëhoqi Benu Israilët pas vdekjes së Musait a.s dhe Harunit a.s.

Musai a.s e zgjodhi Joshuan si shoqërues të tij në udhëtimin për tu takuar me Hidrin.

Vendi ku bashkohen dy detet që  ceket në ajetin e mësipërm, është vendi ku bashkohen dy degët e detit të kuq.

“Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel.” (Kehf, 61)

Musai a.s dhe Joshua kishin përgaitur për drekë një peshk të skuqur, të cilin e kishin vendosur në një enë. Ndërkohë që Musai a.s flinte dhe Joshua qëndronte i ulur pranë tij, peshku i skuqur kërcen nga ena dhe duke u përpëlitur hidhet në det. Mandej, Musai a.s u zgjua por Joshua harroi t’i rrëfejë se çfarë kishte ndodhur.

“Kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet: “Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë”. (Kehf, 62)

Në këtë çast, Joshuas i kujtohet ndodhia e peshkut që kërceu nga ena në det dhe i tregon.

“Ai u përgjigj: “Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!”(Kehf, 63)

Musai a.s e kuptoi se ai ishte vendi ku do të takohej me Hidrin kështu u kthyen sërish duke ndjekur gjurmët nga kishin ecur.

(Musai) tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë”. Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta, dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije. Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (Kehf, 64-66)

Burri që gjetën ishte pikërisht Hidri, për të cilin shumica e dijetarëve mendojnë se ka qenë profet.

“Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”? (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Kehf, 67-69)

Edhe pse Musai a.s hyn tek profetët dhe të dërguarit më të mirë, demonstronte një modesti të lakmueshme para njerëzve më të ditur. Kjo, edhe pse të gjithë dijetarët mendojnë se Musai a.s gëzon vlera më shumë se Hidri. Njeriu sado i mirë, i ditur dhe i ndershëm të jetë, para më të diturit manifeston modesti.

(Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (Kehf, 70)

Hidri a.s e pranoi Musanë a.s si shoqërues dhe nxënës, por me një kusht: Të mos ndërhyjë në veprimet e tij, sado të çuditshme dhe të papranueshme t’i dukeshin. Musai a.s e pranoi këtë kusht dhe e urdhëroi Joshuan të kthehej tek Benu Israilët. Të dy, Musai a.s dhe Hidri u nisën për rrugë. Udhëtimi do të bëhej me anije, gjë të cilën e përmend Zoti në Kuran:“Dhe kështu, u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë.” !” (Kehf, 71)

Pronarët e anijes e morën Hidrin dhe Musanë a.s në anije pa pagesë. Gjatë rrugës, Hidri e merr Musanë dhe të dy zbresin në pjesën më të poshtme të anijes, ku me anë të një hekuri Hidri fillon menjëherë të shpojë një vrimë. Marinarët dhe punonjësit e ndjenë defektin që ishte shkaktuar dhe menjëherë filluan të marrin masat për të shpëtuar anijen nga mbytja. Musai a.s vështronte i befasuar nga veprimi i Hidrit a.s dhe nuk duroi pa i thënë:”(Musai) tha: “Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe”.

(Hidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?”

Ai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (Kehf, 71-73

Musai a.s i kërkoi falje Hidrit nga kjo ndërhyrje dhe Hidri e fali. Me të kaluar në bregun tjetër, Hidri a.s iu afrua një djaloshi të njomë, e shtriu përtokë, nxori një thikë dhe e therri. Ishte një krim monstruoz që Musai a.s e pa me sytë e tij. Kjo e bëri të ndërhyjë dhe t’i thotë gjithë nervozizëm:

Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. Tha (Musai): “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme”! Ai u përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?”(Kehf, 74-75)

Musai a.s e kuptoi se kishte gabuar sërish dhe i kërkoi falje duke thënë:

(Musai) tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!” (Kehf, 76)

Hidri a.s e fali sërish dhe e prano kushtin dhe të dy u nisën sërish për rrugë derisa arritën në një fshat. Të dy ishin të uritur dhe në bazë të zakonit të mikpritjes, u drejtuan në shtëpitë e fshatit që dikush t’i ushqente. Asokohe ishte e drejtë e udhëtarit që banorët e një fshati apo qyteti ta mirëpresin dhe ushqejnë për tri ditë. Këtë të drejtë e gëzon udhëtari edhe në islam, ku nëse një udhëtari i harxhohen ushqimet dhe furnizimet për rrugë, gëzon të drejtën të qëndrojë për tre ditë tek çfarëdo familjeje. Nëse refuzojnë ta ushqejnë, konsiderohen gjynahqarë.

Edhe pse Hidri dhe Musai a.s vajtën si mysafirë dhe ishte e drejta e tyre, banorët e fshatit refuzuan t’i pranojnë. “Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë.” Duke parë këtë, Musai a.s dhe Hidri u nisën të largohen nga ky fshat. Në të dalë, vunë re një shtëpi të rrënuar, të cilës i kishte mbetur vetëm një mur pa u shembur, por edhe ai ishte anuar dhe gati për të rënë. Menjëherë, Hidri a.s përveshi llërët dhe i hyri punës për ta drejtuar dhe rregulluar këtë mur. “Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi.”  Sakaq, Musai a.s e shihte gjithë habi. E çfarë i duhet Hidrit të rregullojë një mur që gati po shembet?! Kujt i hyn në punë ai mur?! Aq më tepër që ndodhej në një fshat aspak mikpritës. Prandaj, vendosi t’i tërheqë vëmendjen për këtë:(Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” (Kehf, 77)

Nëse ke vendosur ta rregullosh dhe drejtosh këtë mur, të paktën bëje kundrejt një shpërblimi. Përse u dashka tu rregullosh murin një populli që nuk e meritojnë dhe pa asnjë shpërblim për punën?!

“Ai tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh.” (Kehf, 78)

Tashmë është koha të të tregoj lidhur me ato gjëra për të cilat ndërhyre dhe nuk e përmbajte dot veten.

“Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë.” (Kehf, 79)

Në atë rajon, ndodhej një mbret zullumqar i cili përvetësonte dhe konfiskonte anijet që gjente në det. Dhe me të vërtetë, me të kaluar Hidri dhe Musai a.s, vjen mbreti me ushtarët ta konfiskojnë anijen ku kishin qenë. Me të konstatuar të çarën, ata e lanë dhe u nisën për tek anijet e tjera.

“Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.” (Kehf, 80)

Në dijet e pafund të Zotit, ky djalosh do të rritej dhe do të shndërrohej në një bishë të dhunshme ndaj shoqërisë dhe prindërve të tij. Ishte dhembshuri e Zotit ndaj dy prindërve, që ky djalosh të vdiste para se të rritej dhe të ushtronte dhunë ndaj njerëzve dhe prindërve. Menjëherë pas vdekjes së këtij fëmije, prindërve u lindi një djalë tjetër i cili ishte i dashur dhe respektues ndaj prindërve.

“E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt.” (Kehf, 82)  

Pra, muri që rimëkëmbi Hidri a.s ishte pjesë e një shtëpie e cila u përkiste dy jetimëve. Babai i tyre kishte qenë njeri i ndershëm dhe i mirë. Ai kishte fshehur një thesar nën murin e fundit që mezi mbahej në këmbë, për ditë të vështira. Nëse do të rrëzohej dhe ai mur, thesari do të zbulohej dhe do të grabitej padrejtësisht nga njerëzit, duke i lënë jetimët me gisht në gojë.

“Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë” pra, e gjithë kjo ndërhyrje hyjnore bëhej për shkak se babai i dy jetimëve ishte njeri i mirë dhe i ndershëm. Shohim që veprat e mira nuk ndjekin vetëm personin që i vepron ato, por edhe familjarët dhe pasardhësit e tij. Prandaj, kushdo që i do të mirën fëmijëve dhe familjarëve të tij, le të jetë i devotshëm me Zotin. Devotshmëria ka efekte pozitive për personin gjatë jetës së tij, por edhe pas vdekjes, të cilat shtrihen mbi fëmijët.

Muri që fshihte thesarin e dy jetimëve u rrëzua vetëm pasi ata ishin rritur dhe pjekur, ku ata gjetën thesarin dhe e shfrytëzuan për nevojat e tyre.

“prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt.” (Kehf, 82)  

Mandje, Hidrin pohon të vërtetën në bazë të së cilës kishte ndërmarrë gjithë ato veprime të papranueshme për Musain a.s:

Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” (Kehf, 82)  

Asgjë nuk kishte ndodhur sipas vullnetit të Hidrit a.s, por sipas udhëzimeve të Zotit. Kështu, dijet që posedonte Hidri a.s ishin dije që kishin të bëjnë me botën e padukshme, gjë të cilën ia kishte mësuar Zoti i lartësuar. Diçka e tillë mund t’u ndodhë vetëm profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Asnjë nga njerëzit e thjeshtë, sado të ditur të jenë nuk mund ta gëzojnë këtë privilegj. Pas kësaj ndodhie, Musai a.s u kthye në mesin e popullit të tij.

Për dyzet vite me radhë, Benu Israilët vazhduan të humbur në shkretëtirë. Gjatë kësaj periudhe vdes Haruni a.s dhe varroset në shkretëtirë. Dy vite më pas, vdes dhe Musai a.s.

Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, thuhet se Ebu Hurejre ka thënë:”U dërgua meleku i vdekjes tek Musai a.s për t’i kërkuar leje që t’i marrë shpirtin. Me ta dëgjuar, Musai a.s e goditi fort dhe meleku i vdekjes u kthye sërish tek Zoti dhe i thotë:”Më ke dërguar tek një rob që nuk e dëshiron vdekjen. Zoti i thotë:”Shko tek Musai dhe i thua të vendosë dorën mbi shpinën e një kau. Për çdo qime nën dorën e tij, do i japim një vit jetë.” Menjëherë meleku i vdekjes u kthye tek Musai a.s dhe i tregoi mbi afatin zgjedhjen që i kishte dhënë Zoti. Musai a.s pyeti:”Po pas këtyre viteve, çfarë do të ndodhë?” Zoti iu përgjigj:”Vdekja.” Musai a.s tha:” Atëherë le të ndodhë tani më mirë.”

Para se t’i merret shpirti, Musai a.s e luti Zotin që ta afrojë me Jerusalemin sa distanca e hedhjes së një guri. Ebu Hurejre thotë se i dërguari i Zotit a.s na tha:”Nëse do të ndodhesha atje (në Jerusalem) do ua tregoja varrin e Musait a.s. Ai ndodhet anës rrugës që të çon për në Jerusalem, tek duna e kuqe.”

(Visited 281 times, 1 visits today)
Top