Segunda-feira, 23/9/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mos u dëshpëro dhe kujtoje vazhdimisht Allahun

Mos u dëshpëro dhe kujtoje vazhdimisht Allahun

Aid el Karni

Që në fillim do të citojmë disa ajete që bëjnë fjalë për vlerën dhe nevojën e të kujtuarit të Allahut, të përmendurit e emrit të Tij, gjegjësisht dhikrit.

Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:

“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen – ndërsa zemrat vërtet qetësohen, kur përmendet Allahu!”[1]

“Më kujtoni ju Mua, edhe Unë do t’u kujtoj juve, edhe Më falënderoni, edhe mos jini mosmirënjohës ndaj të mirave të Mia!”[2]

“Muslimanëve dhe muslimaneve, edhe besimtarëve e besimtareve, edhe meshkujve të bindur e femrave të bindura, edhe meshkujve të sinqertë e femrave të sinqerta, edhe meshkujve të përmbajtur e femrave të përmbajtura, edhe meshkujve të përulur e femrave të përulura, edhe meshkujve që japin zeqat e femrave që japin zeqat, edhe meshkujve që agjërojnë e femrave që agjërojnë, edhe meshkujve që kujdesen për vendet e tyre të turpit e femrave që kujdesen për vendet e tyre të turpit, edhe meshkujve që e përmendin shumë Allahun e femrave që e përmendin shumë Allahun – Allahu, me të vërtetë, për të gjithë ata ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”[3]

“E kur të harrosh, kujto Zotin tënd dhe deklaro: Zoti im do t’më udhëzojë në atë që është më e mirë dhe më e dobishme se kjo.”[4]

“Kurse ti prite me durim vendimin e Zotit tënd, Ne edhe të shohim edhe të mbrojmë; dhe e madhëro e falëndero Zotin tënd kur të zgjohesh, edhe natën e madhëro, edhe kur yjet të shuhen.”[5]

“O besimtarë, kur ndesheni me ndonjë togë, jini të guximshëm dhe vazhdimisht përmendeni Allahun që ta arrini atë që e dëshironi.”[6]

“O besimtarë, përmendeni dhe madhërojeni shpesh Allahun, edhe në mëngjes edhe në mbrëmje madhërojeni Atë.”[7]

“O besimtarë, të mos u largojnë pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj nga të përmendurit e Allahut. Ata që bëjnë kështu do të jenë të humbur.”[8]

“Në xhamitë të cilat ngrihen me vullnetin e Allahut edhe në të cilat përmendet emri i Tij – e madhërojnë Atë, në mëngjes e në mbrëmje, njerëzit të cilët blerja dhe shitja nuk i pengojnë ta përmendin Allahun, edhe të cilët e kryejnë namazin e japin lëmoshë, edhe të cilët kanë frikë nga Dita në të cilën zemrat e shikimet do të tmerrohen, që Allahu t’i shpërblejë me shpërblim të mirë për veprat e tyre dhe t’u japë edhe më shumë nga mirësia e Tij. Ndërsa Allahu i jep kujt të dojë, pa hesap.”[9]

Në një hadith autentik thuhet: “Dallimi midis atij që e përmend Allahun dhe atij që nuk e bën këtë është si dallimi midis njeriut të gjallë dhe atij të vdekur.”

I Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), gjithashtu ka thënë: “Janë në epërsi muferridunët.”

Shokët e pyetën: “Po cilët janë këta, o i Dërguar i Allahut?”

“Meshkuj e femra të cilët e përmendin shpesh Allahun.”, u përgjigj i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).

Më pas Muhamedi, (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), thotë: “A dëshironi t’ju informoj cila vepër është më e mira, me e pastra te Zoti juaj, vepër e cila do t’ju lartësojë më lart se çdo vepër tjetër, vepër e cila është më e mirë se dhënia e arit dhe e argjendit, vepër e cila është më e mirë se lufta kundër armiqve tuaj në të cilën do t’i vrisnit ju edhe ata juve?”

“Po”, u përgjigjën shokët.

“Kjo është të përmendurit e Allahut, dhikrullah.”

Edhe në një hadith tjetër shënohet që te i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), kishte ardhur një njeri dhe e kishte pyetur:

– “O i Dërguar i Allahut, ka shumë dispozita të Islamit, kurse unë jam plakur. Prandaj më prefero një gjë me të cilën do ta kaloj pleqërinë.”

– “Ta kesh gjuhën gjithnjë të lagur nga të përmendurit e Allahut.”, u përgjigj i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).

[1] Rrad, 28.

[2] Bekare, 152.

[3] Ahzab, 35

[4] Kehf, 24

[5] Tur, 48-49.

[6] Enfal, 45.

[7] Ahzab, 41-42.

[8] Munafikun, 9.

[9] Nur, 37-40.

 

(Visited 133 times, 1 visits today)
Top