Domingo, 25/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mos u dëshpëro, Allahu është Falës, qofshin mëkatet tua edhe sa kodrat, Ai të falë…

Mos u dëshpëro, Allahu është Falës, qofshin mëkatet tua edhe sa kodrat, Ai të falë…

“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Kur’an, 39:53)

Mos u dëshpëro, Allahu është më i mëshirshëm se edhe e ëma jote që të mbajti me mund, të lindi, të ushqeu e të rriti. Për ty e ëma brengoset, por Allahu është Ai, që e krijoi atë ndjenjë ndaj teje, që ti të ndihesh i dashur, i sigurt dhe fatlum.

Mos u dëshpëro, Allahu është Falës, qofshin mëkatet tua edhe sa kodrat, Ai të falë, po, vetëm Atij mos i bën padrejtësi. Mos i shoqëro askënd në adhurim. Ai krijoi gjithçka, edhe ty, e si të të mos falë, kur mëshira e Tij kapërceu hidhërimin e Tij.

Mos u dëshpëro, thuaji vetvetes t’i nënshtrohet vetëm Allahut, ta dëgjojë Atë, sepse kush e dëgjon dhe respekton urdhrat e Tij, gjithnjë do të jetë i lumtur, dhe jo vetëm në këtë jetë kalimtare.

Mos u dëshpëro, ndjehu i sigurt, se Allahu është Ai që ty të siguron nga çdo e keqe, nuk mund kush të të bëj asnjë grimcë keq, edhe sikur të mblidheshin të gjitha krijesat kundra teje.

Mos u dëshpëro, ti je krijesë që u nderove, Allahu nuk e thyen premtimin, nëse ti me mendimet dhe veprat tua, e përçmove këtë nderim që t’u bë, e ke bërë nga padituria, vetëdijesohu, se Allahu për ty, njeri, është Pendimpranues dhe ka përgatit Jetë Pabrenga dhe të Lumtur.

Mos u dëshpëro, ti nuk je vetëm, edhe sikur të gjithë të të kthenin shpinën, ke Allahun, Ai është i Butë, i Mëshirshëm, Atë kurrë nuk e merr as gjumi e as nuk kotë.

Mos u dëshpëro, Allahu të udhëzon prapë, vetëm ti kërkoje udhëzimin e Tij sinqerisht, dhe Allahu të udhëzon, sepse Allahu është aq i mëshirshëm saqë do të turpërohej sikur të të mos i përgjigjej lutjes tënde.

Mos u dëshpëro, edhe nëse ti je i shqetësuar e i mërzitur, e jeta të duket e pakuptimtë, dije se, jo gjithçka ndjejmë a shohim është ashtu, jo, njerëzit që jetojnë nën hijen e mëshirës së Allahut nuk ndihen ashtu, janë të rehatuar e plot gëzim.

Mos u dëshpëro, çdo herë që sheh errët dhe ndihesh i pashpresë, drejtoju Atij që është i Gjallë, Atij që prej Tij jeta filloi, dhe hapja kraharorin gjerësisë së qiellit, e merr frymë lehtë, e thuaj: o Allah, më ç’robëro nga robërit e Tu, që të jem vetëm rob i Yti, i jep dritë udhëzimi syve të mi e më forco bindjen ndaj Teje.

Mos u dëshpëro, pse disa njerëz shfaqin urrejtje dhe të fyejnë vetëm pse thua: “Zoti im është Allahu dhe unë jam musliman!”, dije se ata njerëz, në thellësitë e tyre sa shumë dëshirojnë që ty të ta rrëmbejnë qetësinë dhe qëndresën që ke në këtë jetë, e sikur ta dinin edhe çfarë begatish i pret besimtarët e devotshëm në Jetën Tjetër, do të të luftonin me forcë për të, mbahu se shpërblime të mëdha të presin, dashtë Allahu.

Mos u dëshpëro, edhe pse sheh mëkatarë, mos u lut kundër tyre, por lutu që edhe ata të pendohen e të përmirësohen, ndoshta janë mëkatarë sepse zemra e tyre është e mbushur me errësirë, e ti reflekto dritë në zemrat e tyre.

Mos u dëshpëro, edhe pse vëllezër në Islam janë të mangët në përgjegjësit e tyre, mos ua kthe shpinën, por buzëqeshu dhe shprehe dashurinë ndaj tyre, le ta kuptojnë se sa shumë i do për hir të .

Mos u dëshpëro, qëndro afër njerëzve që nuk dinë për rrugën e Allahut dhe duan të dinë, mos të të mërzisin fjalët e tyre prej paditurie, këshilloi e përmirësoi, ndoshta prej tyre mund të dalin njerëz edhe më të mirë se sa mund të mendojmë.

Mos u dëshpëro, në pushtetin e Allahut qëndron gjithçka: jeta dhe furnizimi e dituria e pasuria, askush kurrë nuk mund të rrëmbej atë që është e jotja veçse nëse për ty më hajr është të mos ishte e jotja.

Mos u dëshpëro, Allahu për ty, njeri, veçoi ditë e net, që ti të ndryshosh e të përmirësohesh; e bëri Muajin e Agjërimit, ramazanin, një muaj, ku prijësit e së keqes u vunë në pranga, që ti të kesh kohë të pendohesh, të përmirësohesh dhe t’i kthehesh Zotit tënd, Allahut!

“Tha: “Askush nuk e humbë shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”. 
( Kur’an, 15:56)

E, ti inshAllah nuk je prej të humburve, pra, mos humb shpresën në mëshirën e Zotit tënd, Allahut të Plotmëshirshëm!

Sa Falës që je o Zoti ynë! Sa Bamirës që je o Zoti ynë! O Allah, tek Ti pendohemi, prej Teje falje kërkojmë, ndriço mendjen dhe zemrën tonë me udhëzimin Tënd!

(Visited 46 times, 1 visits today)
Top