Sábado, 24/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

MILINGONA

MILINGONA

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ndoshta kush e ka parë dhe ka lexuar titullin e kësaj teme është habitur, shumë vetë ndoshta në vetvete mund të kenë thënë: Përse një titull i tillë! Çfarë do të na flasë hoxha për milingonën!

Ndërsa unë do të mundohem ta shuaj këtë habi dhe kureshtje, por më parë u drejtohem atyre që janë habitur: A nuk lexoni ju librin e Allahut? A nuk shikoni sesi Allahu në të ka vendosur një sure të cilën e ka emërtuar me këtë emër?!

“Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”! En-Neml, 18.

Padyshim se emërtimi i një sure të tillë me këtë emër ka një domethënie dhe urtësi të madhe.

I nderuar lexues! Unë mendoj se kjo temë ka një rëndësi të veçantë dhe këtë e them pa ekzagjerim. Ai i cili shikon në jetën e këtij insekti; ai që lexon se ç’kanë thënë komentuesit për ajetin e milingonës, madje ai që njihet me atë që kanë thënë biologët për këtë insekt, nuk i mbaron habia as një herë rreth këtij insekti.

Kështu që tema jonë, nuk do të jetë e përqendruar vetëm në atë se çfarë është thënë për suren Neml; po, unë do ta filloj me të, porse padyshim që kjo është një temë shumë e gjatë.

Përse flasim pikërisht për Milingonën?!

Po, vërtet ajo është një krijesë e vogël, porse: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”. Taha, 50.

Milingona, nuk them se ka një histori, por ajo ka shumë histori, dhe Allahu në fillim ose në fund të këtyre historive ka thënë: “Në tregimet e atyre ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar,” Jusuf, 111.

Përse e kam zgjedhur këtë temë? E kam zgjedhur këtë temë sepse kam arritur në një përfundim dhe rezultat, të cilin dëshiroj ta arrijnë shumë prej muslimanëve.

Lexues i nderuar! Kur të lexosh në lidhje me hapin e parë të kësaj teme, dua prej teje një gjë të vetme. Krahasoje veten dhe vëllezërit e tu me bashkësinë e milingonës! Nëse vërtet je realist, sigurisht do të shohësh se ne vërtet jemi shumë larg nga kjo milingonë e vogël!

Do të gjesh se milingona ka bërë aq shumë hapa përpara, saqë do të dëshirojnë shumë prej nesh që të arrijnë tek ajo.

Por, le të fillojmë me atë që gjendet në Kuranin Famëlartë: “Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”! En-Neml, 18.

Do të japim në lidhje me këtë ajet disa shkëndi dhe të mençurve i mjaftojnë disa shkëndi për të kuptuar urtësinë që përmban ajo.

Kur arritën në Luginën e Milingonave”.

Përse u quajt ajo lugina e milingonave? U quajt kështu sepse shumica e banorëve të saj ishin milingona.

Kur Sulejmani alejhi selam, vjen me ushtrinë e tij në këtë luginë, shfaqet çështja. “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”!

Allahu Ekber! Në momentin që ajo ndjeu rrezikun e madh për kombin e saj thirri me të madhe: Po vjen rreziku. Shpëtoni veten tuaj që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”

Sa madhështore kjo milingonë, ajo mbarti mbi shpinë merakun për kombin e saj, në momentin e rrezikut, ajo kuptoi përgjegjësinë e saj ndaj dhe thirri me të madhe: Po vjen rreziku. Shpëtoni veten tuaj.

Shiko në këtë milingonë lexues i nderuar! A mos vallë ajo u largua duke vrapuar që të shpëtonte veten? Mos vallë tha: Çfar të bëj? Unë jam një milingonë e dobët, ç’të bëj përballë kësaj ushtrie gjigande?

Atëherë pyetja na drejtohet ne: Rreziku që i kanoset ymetit tonë a nuk është më i madh sesa rreziku që i kanosej këtyre milingonave? Sa nga ne ndiejnë atë që ndien kjo milingonë, dhe të përpiqet që të shpëtoj ymetin? Kush nga ne fle dhe zgjohet e mbart shqetësimin e rrezikut që i kanoset ymetit majtas e djathtas? Vallë shqetësimi i ymetit është në krye të listës tek ne, apo është shqetësimi i pasurisë, shtëpisë e shqetësimi i ymetit renditet andej nga fundi. Në realitet për të qenë të sinqertë me vetvetet të pakët janë ata të cilët e vënë në krye të çdo shqetësimi, shqetësimin për ymetin dhe rreziqet që i kanosen atij.

Të nderuar lexues! Ejani me mua të shohim përsëri në këtë ajet Kuranor: “një milingonë tha” Allahu këtu na e sjell milingonën në trajtë të pashquar, pra ajo ishte një milingonë e zakonshme në këtë luginë të gjerë, megjithatë ajo nuk e nënvleftësoi veten e saj, porse bëri atë që kërkohej prej saj; ndërsa ne shpesh herë pyesim njëri-tjetrin: Çfarë bëri filan hoxhë? Po filan dijetar çfarë bëri? E kështu me radhë, ndërsa unë të drejtohem ty i nderuar vëlla musliman! Pasha Zotin më thuaj ti çfarë ke bërë?

Ajo ishte një milingonë e vetme dhe shpëtoi një popull, ishte vetëm një milingonë e përsëri ajo jetoi me shqetësimin e popullit të saj.

Vëllai im! Motra ime! Është shumë e lehtë t’ia ngarkosh përgjegjësinë e ymetit të tjerëve, por le të jemi realist dhe të guximshëm përpara të vërtetës: Ne çfar kemi bërë?

Ajo ishte thjesht një milingonë dhe bëri gjithë këtë mirësi, ndërsa ti nuk po mundesh të kryesh atë që bëri kjo milingonë me popullin e saj?

Por le të qëndrojmë me pikën e fundit në lidhje me këtë ajet: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”!

Mos vallë ajo u ul dhe po komentonte qëllimet dhe brendësitë? Mos vallë tha: Sulejmani po ju shpërfill, sepse ju jeni një ushtri e dobët? Jo, ajo e shfajësoi atë e tha: “duke mos ju parë” Edhe pse ajo u frikësua se mos i shtypnin dhe i shfarosnin, përsëri i justifikoi: “duke mos ju parë” Por eja e të shohim në realitetin tonë! Në mesin tonë gjen që i akuzojnë thirrësit dhe i vendosin epitete të ndryshme, disa i akuzojnë se duan pozitë; disa se duan dynjanë apo karrjerë, ndërsa profeti salallahu alejhi ue selem i thotë të dashurit të tij –Zejdit-: “A mos ja çave gjë gjoksin?” Muslimi

Ne sot po përpiqemi ti çajmë zemrat njëri-tjetrit, ndërsa milingona ishte më e kujdesshme se ne në këtë aspekt. Ajo nuk i la shkak popullit të saj që të fliste apo mendonte diçka për Sulejmanin. Nëse ajo do të thoshte: “që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij” dhe do të heshte, do të ishte e larë, por nuk do të heshte populli i saj. Çfarë kërkon Sulejmani ke ne? A nuk gjeti luginë tjetër, etj? Porse ajo e mbylli këtë derë duke thënë: “duke mos ju parë”.

Milingona i thotë këto fjalë edhe pse ata mund ti dëmtonin, po si i vete halli që ne i hapim zemrat e vëllezërve, ndërkohë që ata përpiqen për të mirën tonë. A mos vallë iu drejtuan milingonat shoqes së tyre duke i thënë, ti kërkon pozitë, apo pushtet? Jo nuk iu përgjigjën kështu, por menjëherë e dëgjuan thirrjen e saj dhe hynë në strofkat e tyre.

Nga cilësitë e milingonës, është durimi dhe këmbëngulja

Milingona është e habitshme në durimin dhe vendosmërinë e saj, ah sikur ndonjë nga ne ta kishte durimin dhe vendosmërinë e milingonës, qoftë për të mësuar fenë e Allahut e qoftë në thirrjen e njerëzve në këtë fe.

Meditoni në jetën që bën milingona; imagjinoni përpjekjen që ajo bën për të hipur në ndonjë mur. Mundet që ky mur të jetë i lëmuar, kështu që ajo ngjitet e bie, përpiqet andej e këndej, e ndodh që një gjë e tillë të përsëritet më shumë se dhjet herë.

Ndodh që ndonjëri prej nesh ndërmerr ndonjë projekt, apo ndonjë punë, një herë, dy apo tri herë, më pas s’mbrapset. Më i miri ndër ne është ai që arrin në përpjekjen e tretë, ndërsa milingona, nuk resht së përpjekuri.

Shikoni këtë shembull që e përmendin historianët: Timor Lank, komandanti i një ushtrie një herë hyri në një luftë dhe shumë shpejt e humbi atë. Ushtarët u shpërndanë dhe ushtria u shpërbë. Mos vallë ky komandant shkoi në vendin dhe perandorinë e tij? Jo, ai nuk shkoi atje, porse ashtu i mërzitur e i brengosur hipi në një mal e po qëndronte atje. Duke qëndruar ashtu i zhytur e duke menduar për humbjen e luftës, sheh një milingonë e cila donte të hipte mbi një gurë të lëmuar, ajo herën e parë rrëzohet, po kështu edhe herën e dytë e të tretë e kjo vazhdoi kështu plot shtatëmbëdhjetë herë. Herën e shtatëmbëdhjetë ajo ngjitet, ai duke parë këtë ngjarje tha: Kjo milingonë e vogël arriti ku donte pas herës së shtatëmbëdhjetë, ndërsa unë dashkam ta fitoj luftën që në herën e parë!  Menjëherë u kthye në vendin e tij e formoi ushtrinë përsëri dhe bashkë me ushtarët vendosën që të mos e linin luftën sa të ishin gjallë, kështu hymë në luftë me këtë qëllim dhe e fituan atë.

E shikon lexues i nderuar! Nëse dobësohesh kujto milingonën dhe përpjekjet e saja. Kujto milingonën dhe seriozitetin që ajo ka në punë! A e ka parë ndonjëri prej jush milingonën të rrijë rrugëve, apo që të rrijë kot pa asnjë angazhim? Një gjë e tillë nuk ndodh kurrë, përkundrazi ajo angazhohet e punon seriozisht.

A nuk e keni parë milingonën kur mban farat? Ajo mban shumë më tepër se pesha e saj dhe përshkruan me të distanca të mëdha dhe në relieve të vështira. Vërtet ne kemi shumë nevojë për një seriozitet dhe këmbëngulje të tillë, sidomos në çështjen e kërkimit të dijes.

Ka prej dijetarëve Islam të cilët janë ende gjallë që e fillonin kërkimin e dijes që mbas namazit të sabahut e deri në namazin e jacisë pa ndërprerje, ndërsa ne lodhemi kur dëgjojmë një mësim apo ligjërat nga akshami e deri në jaci.

Nga cilësitë e milingonës është besnikëria

Në bashkësinë e milingonës gënjeshtra nuk ka vend, si mendoni për një gjë të tillë? Në mesin e tyre nuk njihet gënjeshtra e pastër apo e papastër. Imam Ibën Kajim el-Xheuzije tregon një histori e cila e vërteton një gjë të tillë: Një burrë duke ndenjur vendos një thërrime ëmbëlsire në tokë, e gjen atë një milingonë dhe i dërgon sinjal shoqeve të saj, kur vinë ato afër vendit, ky burrë e ngre këtë thërrmijë ëmbëlsire, ato kërkojnë andej këndej, e pasi nuk e gjejnë largohen. Ky burrë e vendos përsëri këtë thërrmijë ëmbëlsire dhe milingona përsëri i dërgon sinjal shoqeve të saj, kur vinë ato afër vendit, ky burrë e ngre prapë atë dhe ato nuk gjejnë gjë. Kjo ndodh ndodh tre herë, herën e tretë ato e venë këtë milingonë në mes dhe e shqyejnë, pjesë pjesë, duke e akuzuar si gënjeshtare.

Si mendoni nëse këtë e aplikojmë me vetvetet tona? Vallë a i kalon ndonjërit prej nesh java e ai të mos gënjejë? Nëse je vërtet i tillë atëherë e ke meritë që të përgëzohesh, por ne e kemi liruar perin në këtë pikë dhe jemi shumë të shkujdesur ndaj saj, ndërsa bashkësia e milingonës nuk e njeh gënjeshtrën.

Nga cilësitë e milingonës është bashkëpunimi, ato nuk janë egoiste

Nëse shikon një grumbull milingonash, a gjen që ato të ecin gjithë e kush në qejf të vet? Është e pamundur. Ato ecin në një vijë edhe nëse rruga nuk është e përshtatshme. Po ashtu është pohuar nga biologët se nëse një milingonë sëmuret atëherë milingonat e tjera nuk e lënë atë porse ato bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për ta transportuar në fole që më pas ta kurojnë.

Bashkëpunimi i milingonave është i habitshëm, kur ato gjenden përpara një villari me ujë a e dini sesi ia bëjnë për ta kaluar atë. Vjen një grup milingonash, hynë në ujë dhe me shpejtësi e çajnë atë dhe ndërtojnë një urë mbi të cilën kalojnë milingonat e tjera. Edhe pse shumë prej milingonave të cilat hynë në ujë mbyten përsëri ato sakrifikojnë për të shpëtuar milingonat e tjera.

A nuk është kjo vërtet e habitshme? A nuk e shikojmë se sa shumë që kemi nevojë ne për shembuj të tillë të sakrificës të cilat sot po na i mëson milingona?!

Shoqëria e milingonave nuk njeh rrëmujë

Kjo krijesë kaq e vogël që ne nuk na e mbush mendjen ka një rregull dhe sistem të habitshëm drejtues në vetveten e saj. Tek ato nuk ka rrëmujë. Çdo njëra prej tyre e din funksionin dhe detyrën e saj. Foleja e milingonave ka mbretëreshën që merret me vezët dhe mbretërinë, ushtarët që ruajnë folenë nga armiqtë, punëtorët që hapin tunele dhe transportojnë ushqimin, grupi i zbulimit që merret me gjetjen e ushqimit dhe informacionin e tij. Është vërtet një shoqëri shembullore me një rregull preciz. Të gjithë atje punojnë të barabartë, nuk gjen të privilegjuar e as milingona që mbahen me hatër. Po ne në punët që bëjmë a mbajmë me hatër dhe a kemi të privilegjuar?

Milingonat janë bashkësi e pastër

Shkencëtarët kanë vërtetuar se disa milingona në disa raste e pastrojnë veten më tepër se njëzet herë në ditë. Ndërsa ne themi: Ai që e pastron veten çdo të xhuma Allahu e shpërbleftë, sepse ka njerëz që rrinë dy apo tre javë pa larë, mund të hyjë në xhami e njerëzit nuk munden ti rrinë dot afër. Ndaj nëse bëhesh dembel dhe përton të pastrohesh, menjëherë kujto milingonën.

Milingona është bashkësi që e lartëson dhe i bën tesbih Allahut

Një gjë e tillë është pohuar në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre se profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Një profet e pickoi një milingonë dhe ai e dogji të gjithë folenë e tyre, ndërsa Allahu i shpalli. A e dogje një popull që lartësonte dhe i bënte tesbih Allahut, a nuk të mjaftoj të digjje vetëm atë që të pickoi”. Buhari dhe Muslimi.

Çdo gjë e lartëson Allahun ndërsa krijesat që e lartësojnë më pak atë jemi ne njerëzit, janë dhe xhinët.

Le të shohim tek vetet tona: Sa e përmendim ne Allahun? Më i miri ndër ne është ai i cili e plotëson tesbihun mbas çdo namazi.

Por në përfundim po e mbyll me një lloj tjetër të milingonave, një lloj që ndryshon nga ai që kemi folur deri tani. Ajo është milingona e bardhë. Ky insekt përfaqëson një pjesë të mirë të shoqërisë sonë në të cilën ne jetojmë. Shembulli i saj është si shembulli i munafikëve, të cilët shfaqin besimin dhe fshehin mohimin. Dhe milingona për të cilën ne flasim, punon gjithmonë në fshehtësi. Milingona e bardhë gërmon thellë në tokë, ajo mund ta ndërtojë folenë e saj në një thellësi prej 45 m, ndërsa milingona nuk hyn në tokë vetëm se disa centimetra. Shikoni sa dallim kanë ato nga njëra-tjetra.

Shoqëria islame është shoqëri e pastër, e shëndoshë dhe e drejtë, ajo gjithmonë punon punë të qarta, nuk ka të fshehta, ndërsa milingona e bardhë shihni sa thelë hyn, sepse kështu ajo mund ti realizojë planet dhe qëllimet. Kështu janë dhe hipokritët -munafikët-, Allahu tregon për munafikët ku thotë: “Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura” El-Munafikunë, 3.

Tani dëgjoni se ç’thotë Allahu për këtë lloj milingone dhe shikoni a nuk është i vërtetë ky krahasim?“Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhindet të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar.” Sebe, 14.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

(Visited 39 times, 1 visits today)
Top