Quarta-feira’, 24/4/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mikoza e kembeve dhe vendfaljet



Mikoza e kembeve dhe vendfaljet

Në mbarë botën sëmundjet sipërfaqësore mikotike të lëkurës janë ndër problemet më në zë të lëkurës. Këto infeksione shkaktonjë një llojllojshmëri të manifestimeve klinike, duke përfshirë tinea capitis, tinea pedis, tinea corporis, tinea cruris dhe granuloma Majocchi. Tinea pedis apo mikoza e këmbëve është sëmundja më e shpeshtë mikotike e lëkurës, e që atakon këmbët. Për shkak të ndryshimeve klimatike dhe flotës dermatofite, në vende të ndryshme të botës sëmundja shihet në periudha të ndryshme të vitit.
Në literaturë flitet për shifra që rreth 10% – 20% e njerëzve kanë rrezik që gjatë jetës një herë të atakohen nga kjo sëmundje. Edhe pse është sëmundje e shpeshtë, shenjat dhe simptomat jo shumë të ashpra bëjnë që të lihet pas dore dhe të mos trajtohet. Karakteristikë për sëmundjen është që atakon më shpesh meshkujt, njëherit edhe njihet si sëmundja e sportistëve, e vende vende edhe si sëmundja e ushtarëve dhe policëve. Shkaktar më i shpeshtë i sëmundjes (tinea pedis) në literaturë njihet Trichophyton mentogrophytes ver.interdigitale, që është një këpurdhë dematofite e gjinisë Trichophyton, e që haset në tokë, njerëz dhe kafshë, dhe është ndër shkaktarët prijës të infeksioneve të flokëve, lëkurës dhe thonjve ose dermatofitozave te njerëzit.(1) Lokalizimi më i shpeshtë është mes gishtërinjve të tretë dhe të katërt të njërës këmbë, apo edhe i të dyjave, pastaj mund të përhapet në të gjitha hapësirat mes gishtërinjve dhe të përparojë edhe në thonj (onychomycosis) dhe duar (tinea manum). Sëmundja zakonisht fillon me eritemë (skuqje), pastaj macerim, deskuamim, pastaj erozione mes gishtërinjve, dhe përcillet me kruarje.(2) Në faza të më vonshme infeksioni vazhdon drejt pjesës së sipërme dhe të poshtme të shputës. Kurse kur kaplon thonjtë shkakton deformim, trashje dhe ndryshim të ngjyrës, e që më pas përcillet me vështirësi gjatë prerjes, e ndonjëherë edhe me vështirësi gjatë ecjes, për shkak të fërkimit me këpucën. Ndër faktorët më të shpeshtë që e favorizojnë sëmundjen mund të përmendet nxehtësia, papastërtia, lagështia, djersitja, etj. Mykoza e këmbëve është sëmundje që mund të bartet nga një person në tjetrin, dhe për këtë ka rëndësi epidemiologjike në shëndetin publik. Në përhapjen e sëmundjes ndikojnë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm. Ndër faktorët e jashtëm të përhapjes së infeksionit mund të përmenden mjediset ose ambientet publike, ku këmba e zbathur bie në kontakt me mjedisin ku më parë ka kaluar një këmbë tjetër e infektuar nga myku i këmbëve. Gjithashtu edhe përdorimi i përbashkët i pantallonave, çorapeve dhe këpucëve është ndër faktorët që ndikojnë në përhapjen e infeksionit. Ndërsa si faktorë të brendshëm mund të përmenden forcat imunitare të organizmit. Në sezon vere plazhet dhe pishinat ndikojnë në shfaqjen më të shpeshtë të mikozës së këmbëve dhe formave të tjera të mykut të lëkurës. Nëpër botë mikoza e lëkurës, e veçanërisht mikoza e këmbës, ka një laramani sa i takon prevalencës apo përhapjes. Kjo laramani, sa gjeografike, është edhe mes profesionesh.
Në një hulumtim të popullatës së gjerë në Madrid të Spanjës është gjetur se mikozë të këmbëve kanë 4.2% e meshkujve dhe 1.7% e femrave moshëritura.(3) Nga një tjetër hulumtim mes ushtarëve në Izrael është gjetur se 60.1% e ushtarëve vuajnë nga mikoza e këmbëve.(4) Kurse në një studim në Adana të Turqisë është gjetur se 29.5% e atyre që i frekuentojnë xhamitë në qendër të qytetit kanë mikozë të këmbëve.(5) Dhe ky është një problem serioz nëse shihet me syrin e shëndetit publik dhe rolin që mund të kenë xhamitë në përhapjen e këtij infeksioni. E një rëndësie të veçantë, e që do ta elaborojmë në këtë shkrim është edhe roli dhe rëndësia e vendfaljeve apo xhamive, dhe vendeve të marrjes avdes (abdeshaneve), në përhapjen e mikozës së këmbëve.
Në stinë vere, me ngritjen e temperaturave shumë njerëz preferojnë që të mos veshin çorape, dhe të përdorin këpucë të hapura ose edhe sandale. Kjo në një farë forme për myslimanët është edhe një faktor rreziku për bartje dhe marrje të infeksionit mikotik të këmbës. Ngase këmbëzbathur rriten mundësitë për të marrë infeksionin.
Mykoza e këmbëve sëmundje bartëse
E kur i kemi parasysh kohët e faljes së namazit dhe thirrjes së ezanit njerëzit, e veçanërisht personat që punojnë, nuk e kanë mundësinë që gjithherë të shkojnë në shtëpi para se të shkojnë në xhami. E po ashtu nuk
është e mundur që gjithherë abdesi të merret vetëm në shtëpi, por duhet të frekuentohen edhe abdeshanet afër xhamive. Sado që të pastrohet ambienti në abdeshane, mungesa e dezinfektimit të ambientit dhe papuçeve që përdoren gjatë marrjes së abdesit gjithherë mbetet faktor rreziku për bartje të infeksionit mikotik dhe të infeksioneve të tjera bakteriale apo virale. E kështu, dashtë e pa dashtë, personi me mikozë të këmbëve duke i përdorur papuçet në abdeshane bëhet burim i infeksionit për të tjerët që i përdorin ato pas tij. Ndërsa marrja e një infeksioni me këtë rrugë do të thotë që personi i njëjtë do të ecë zbathur kur të shkojë në shtëpi, dhe në këtë mënyrë do t’ua bartë edhe anëtarëve të tjerë të familjes këtë infeksion. Dhe në një mjedis ku sëmundja dhe simptomat e saj shihen shpesh, duke u përkrahur me bisedat rreth simptomave të ngjashme mes njeri-tjetrit, mund të vijë deri te konceptimi i gabueshëm që simptomat e tilla janë normale, e të mos konceptohet si një infeksion. Përhapja e gjerë në ambientin e jashtëm, kushtet favorizuese që gjenden në lëkurën e këmbëve, higjiena jo e duhur, futja e mikrosporeve në shtresat e lëkurës, dhe trajtimi i pakujdesshëm dhe joadekuat, e bëjnë mykun e lëkurës një sfidë të vërtetë për trajtim, dhe një mundësi të shkëlqyer që infeksioni të shndërrohet në kronik, dhe të përcillet edhe me infeksione dytësore. Diagnostifikimi i sëmundjes, përveç pasqyrës klinike, bëhet edhe me analizat mirobiologjike të ekzaminimit me hidroksid kaliumi, dhe veçanërisht kultura e mostrës nga plaga e infeksionit e vërteton diagnozen. Kjo me qëllim që t’i iket keq diagnostifikimit dhe përzierjes me sëmundje që kanë simptome të ngjashme. Mjekimi i sëmundjes përveç mënjanimit të faktorëve favorizues, si lagështia, është i përgjithshëm me ilaçe antimikrobike, si dhe mjekimi lokal, me krema, pudër dhe solucione, ndërsa për infeksionet dytësore jepen antibiotikët, që të gjitha të përshkruara nga mjeku. Terapia zakonisht zgjat katër javë, e deri në katër muaj, prandaj kërkohet një disiplinë dhe vazhdimësi në trajtim, në mënyrë që të mos rikthehet infeksioni. Duhet pasur parasysh se marrja dhe përdorimi i paverifikuar i kombinimeve antifungale të kortikosteroidëve mund ta përkeqësojë situatën. Për të tre tipat e dermatofitëve:
Epidermofitet, Trichofitet dhe Mikrosporum, aplikohen ilaçe sa të ngjashëm për nga grupi, aq edhe të ndryshëm për nga spektri i veprimit. Është e rëndësishme që gjatë trajtimit të mikozës së këmbëve të trajtohen të gjithë anëtarët që kanë shenja të sëmundjes. Posaçërisht, gjatë trajtimit, çorapet para se të vishen duhet të hekurosen dhe të ndërrohen çdo ditë. Këmbët, pasi të lahen, të thahen mirë, dhe me rekomandimin e mjekut edhe të pudrosen. Mundësisht të dezinfektohen apo të lahen mirë të mbathur at, dhe këmbët të ajrosen sa më shumë, mundësisht në dritë të diellit, pasi drita dhe thatësia e pamundësojnë rritjen e mykut.
E rëndësishme sa mjekimi, e edhe më e rëndësishme se ai, është parandalimi i sëmundjes. Çfarë mund të bëhet që të parandalohet sëmundja? Fillimisht do të ishte e udhës që të kemi shifra reale për prevalencë, apo përhapjen e sëmundjes në mesin e myslimanëve që i frekuentojnë xhamitë, në mënyrë që të bëhet një qasje më adekuate. Por, në mungesë të hulumtimeve të tilla dhe shifrave të sakta për infeksionin, nuk do duhet që t’i shmangemi përgjegjësisë që të bëhet një vetëdijesim i përgjithshëm për sëmundjen. Një informim dhe vetëdijesim i përgjegjësve të xhamive për sëmundjen dhe mënyrën e përhapjes do të ishte hapi i parë në këtë drejtim. Një informim i tillë mund të realizohet qoftë në xhami ose në një vend tjetër, pra nga profesionistët shëndetësorë. Apo edhe një ligjëratë e përbashkët e profesionistëve shëndetësorë me imamin e xhamisë përkatëse dedikuar xhematit. Ngase informata e duhur të çon drejt suksesit të duhur. Pastaj angazhimi që xhamitë të mbahen më pastër, duke e pasur parasysh edhe mundësinë e bartjes së infeksioneve, gjithherë duke u thirrur në përgjegjësi personale dhe kolektive. E kur bëhet fjalë për pastërtinë, kjo është edhe ndër karakteristikat e vetë besimit Islam, dhe ndër porositë themelore të Muhamedit a.s.: “Pastërtia është gjysma e imanit.” Pra, nuk po e diskutojmë më shumë rëndësinë dhe pozitën e pastërtisë në jetën e myslimanit, pasi që ajo është edhe vetë pjesë e besimit. Edhe abdeshanet duhet të përcillen dhe mirëmbahen me kujdes, dhe në periudha të caktuara të bëhet pastrimi më detaj apo dezinfektimi, dhe njëkohësisht edhe papuçet që përdoren aty mundësisht të ndërrohen. Rekomandoj që të ndërrohen ngase edhe çmimi i tyre nuk është i lartë, ndërsa struktura dhe materiali i tyre shkaktojnë vështirësi në dezinfektim, e që po s’ u bë si duhet nuk e ka efektin parandalues të infeksioneve. Tjetër që duhet pasur parasysh në këtë aspekt është edhe ndërmarrja e një fushate senzibilizuese gjithëpërfshirëse institucionale, apo veç e veç në çdo xhami, që i gjithë xhemati që ka shenja dhe simptome të mikozës së këmbëve të lajmërohen te mjeku dhe të trajtohen mirë, dhe ta përfundojnë trajtimin deri në fund. Gjithashtu rekomandohet që në hyrje të xhamive të vendoset një shkrim ku shkruan: “Në xhami hyni me çorape!”, dhe për këtë të vetëdijesohet xhemati që ta praktikojë dhe të qortohen në mënyrë të përshtatshme ata që hyjnë pa çorape. Ngase çorapet e zvogëlojnë në masë të madhe mundësinë e përhapjes së infeksionit të mikozës së këmbëve. Kështu, me mjekimin e infeksioneve ekzistuese dhe parandalimin e infeksioneve të reja me një qasje gjithëpërfshirëse, ne edhe do të ndikojmë në përmirësimin e kualitetit të jetës.
___________________________
(1) http:/www.microbiologybook.org/Albanian/Albanian-mycoI4.htm.
(2) Prof.Ass Afërdita Krasniqi-Daka, Atllas i Dermatovenerologjisë, Universiteti i Prishtinës Fakulteti i Mjekësisë, Prishtinë 2006, f. 57.
(3) Sofia Perea, Maria Jose Ramos, Margarita Garau, Alba Gonzalez, Antonio R. Noriega, Amalia del Palacio, Prevalence and Risk Factors of Tinea Unguium and Tinea Pedis in the General Population in Spain, J. Clin. Microbiol. September 2000 vol. 38 no. 93226-3230.
(4) Cohen AD, Wolak A, Alkan Metal. Prevalence and risk factors for tinea pedis in Israelisoldiers. Int J Dermatol 2005; 44: 1002-5.
(5) llkit M, Tanir F, Hazar S, et al. Epidemiology of tinea pedis and toenail tinea unguium inworshippers in the mosques in Adana, Turkey. J Dermatol2005; 32: 698-704.

Dr. Bernard Tahirbegolli (PhDc)





(Visited 17 times, 1 visits today)




Top