Segunda-feira, 27/6/2022 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

MENDJA E SHËNDOSHË KUNDËR DUHANIT

MENDJA E SHËNDOSHË KUNDËR DUHANIT

duhani

MENDJA E SHËNDOSHË KUNDËR DUHANIT

Shkruan: Agron KURTISHI

 

Ndërsa numri i duhanpirësve në shumë vende perëndimore, si p.sh., në SHBA etj., me anë të punës së madhe bindëse që bëhet kundër duhanit dhe me anë të fushatave të ndryshme reklamuese anti-duhan ka arritur të ulet, konsumi i duhanit te muslimanët për fat të keq është shtuar dhe ka arritur të shndërrohet në një fenomen të pakuptueshëm negativ.

Nga fundi i shekullit XIX Universiteti i Az’harit ka nxjerrë një vendim juridik, që duhani (për shkak të aromës së keqe që mbart me vete)  të llogaritet siMekruh (e urryer). Sot ky vendim llogaritet si i vjetruar, për shkakun se: së pari, konsumimi i duhanit në atë kohë nuk ka qenë fenomen masiv dhe së dyti, pasojat e dëmshme të duhanit nuk ishin hulumtuar akoma.

Ndër të tjera janë edhe këto shkaqet, që nga shumica absolute e dijetarëve muslimanë, duke futur këtu edhe dijetarët e Universitetit të Az’harit, të llogaritet pirja e duhanit si haram. Për një musliman të mirëfilltë, i cili ndjek rrugën e Allahut edhe vendimi si mekruh do të ishte i mjaftueshëm dhe këta persona do të duhej të distancoheshin nga duhani. Ata muslimanë që kanë frikërespekt ndaj Allahut kjo gjë nuk do t’ua lente ndërgjegjen e qetë, por do të përpiqeshin gjithsesi për shpërblimin, për mosbërjen e ndonjë mekruhi.

Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Vërtet hallalli është i qartë dhe harami është i qartë. Ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Kush mbrohet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar veten në pikëpamje të besimit dhe nderit, ndërsa kush ka rënë në gjërat e dyshimta, veçse ka rënë në haram, ngjashëm si bariu, i cili e ruan kopenë rreth një vendi të ndaluar, ku në çast kopeja mund t’i ikë dhe të kullotë në të. Çdo sundues i ka kufijtë e tij, kurse kufijtë e Allahut janë haramet e Tij”.[1]

Po të shikojmë pas kësaj që thamë numrin e të sëmurëve, që sipas disa statistikave vetëm në Gjermani vdesin mbi 140.000 njerëz në vit nga përdorimi i duhanit dhe numrin e shumtë të sëmundjeve që vijnë si pasojë e përdorimit të duhanit, si dhe të gjithë ato aspekte negative që ka duhani në shoqëri do të mendonim se këshilla mekruh për duhanin është e mirëpritur dhe do të duhej ta zbatonim menjëherë.

Shpesh mund të lexojmë nëpër gazeta, revista e mediume të tjera, që cigarja nuk është edhe aq e dëmshme dhe ndikon në qarkullimin e gjakut etj., por duhet të jemi të sigurt, që në rrethana të njohura dhe sipas disa zbulimeve del se shumë kompani, që merren me prodhimin e cigareve, kompanive shëndetësore, të cilat merren me analizën e gjërave të ndryshme shëndetësore,  ju dhurojnë miliona vetëm e vetëm, që të shkruajnë një efekt pozitiv, që mund të ketë një cigare. Dhe më e keqja është kur duhanpirësi e gjen veten e tij, d.m.th., identifikohet me shkrimin që duhani përmban vetëm një “të mirë”.

Tymi i duhanit përmban përveç nikotinës më shumë se 4000 elemente kimike. Mbi 40 prej tyre përmbajnë elemente kancerogjene, si p.sh., dyoksid karboni, aromatizues, benzol dhe lidhje të ndryshme metalesh të rënda.  Përveç kësaj duhani i një cigareje përmban substanca helmuese, si p.sh., monoksid karboni, karbon azotik, acid të kaltër dhe amoniak. Gjithashtu edhe vetë nikotina është një helm i rrezikshëm për enët e gjakut dhe sistemin nervor. Duhanpirësit mund ta durojnë nikotinën si helm vetëm për shkakun se ata e fusin në trupin e tyre këtë lloj helmi dalëngadalë.

Për shkak të efektit të dëmshëm për shëndetin, konsumi i duhanit mund të llogaritet, si një formë e të dëmtuarit të vetes dhe shkatërrimi i vetes do të na mjaftonte ta emërtojmë si haram. Një ajet në Kuranin Famëmadh thotë: “Dhe mos e shkatërroni veten tuaj me duart tuaja.” Një ajet tjetër thotë: “… Dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, Allahu është i mëshirshëm për ju.” (Kurani: 4: 29)

Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë në një hadith: “Kush hidhet nga një kodër (mal) dhe me këtë e vret veten e tij, ai do të hidhet në zjarrin e xhehenemit dhe atje do të qëndrojë përgjithmonë, dhe ai që fut helm në veten e tij, ai do ta mbajë helmin në dorën e tij dhe në xhehenem do ta fusë helmin në veten e tij dhe do të qëndrojë atje përgjithmonë, dhe kush e vret veten e tij me një thikë, ai do ta mbajë thikën në dorën e tij dhe në xhehenem do ta fusë thikën e tij në bark dhe do të qëndrojë atje përgjithmonë”.[2]

Përmes duhanpirjes pasive ndikohen njerëzit përreth dhe dëmtohen nga tymi i duhanit dhe ata që ndikohen më shumë janë fëmijët, që në këto situata janë tërësisht të pambrojtur, bebet dhe gjithsesi edhe fetuset.

Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos u dëmto dhe mos dëmtoni njëri-tjetrin”.[3] 

Në çastin që pihet duhani është mirë të mendojmë miliona persona nëpër botë që vuajnë nga uria, duke pasur parasysh edhe shpenzimin e të hollave të duhanpirësit, aq më shumë kur edhe burri, edhe gruaja pinë duhan; blerja e një pakete cigare është harxhim i kotë dhe harxhimi i kotë nga një anë mund të llogaritet si haram. Paratë që muslimani do të duhej t’i harxhonte për cigare mund t’i përdorte në vende më të nevojshme.

Po citoj një ajet tjetër kuranor: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.”

Po të bëjmë një llogari se në trojet shqiptare jetojnë minimum rreth 4 milionë muslimanë. Ta zëmë sikur çdo i dyti nga këta e konsumon duhanin (2 milion me nga 1 paketë në ditë) dhe ta llogarisim një paketë cigare me 1 €. Vetëm muslimanët shqiptar do të harxhonin 2 milion euro në ditë. Kjo llogari e vogël dhe e thjeshtë na tregon se  brenda vitit këta muslimanë do të harxhonin 730 milionë  €. Një shumë astronomike kjo, apo jo! Imagjinoni se çfarë mund të kishin bërë muslimanët shqiptarë me këtë shumë parash dhe e gjitha kjo vetëm për 1 vit.

Më e keqja është se paratë që mblidhen nga konsumi i duhanit ndihmohen dhe mirëmbahen fabrika dhe koncerne të ndryshme, përkrahja e të cilëve është haram më vete. Le të marrim një shembull: Shumë kompani të mëdha për ta ndaluar konkurrencën e tyre në shtetet e botës së tretë tregtojnë edhe produkte të tjera haram, siç është rasti edhe me kompaninë e njohur të duhanit Philip Morris, e cila 5 % të fitimit nga duhani i investon dhe tregton birrë (Miller-Bier) dhe kjo është një arsye edhe më shumë për një musliman të mos e përdorë duhanin.

Një arsye tjetër shumë e thjeshtë është që duhanpirësit japin një shembull të keq për të tjerët, e sidomos për muslimanët.

Shumë shpesh ndodh që cigarja përdoret për të kaluar stresin, si dhe problemet personale dhe me këtë edhe ngarkesat e ndryshme psikike. Njëlloj si tek alkoolistët, ose forma të tjera të varshmërisë, si droga të ndryshme, varshmëri për lojë,  për para, për të konsumuar diçka mundet të ketë në këtë mes një lloj të vogël shirku (t’i bësh Allahut shok, ortak), ngaqë njeriu përdor gjëra të panevojshme, si dhe të dëmshme, në vend që “testin” ta kalojë me durim dhe t’i besojë vetëm Zotit.

Gjithashtu duhanpirësit lëshojnë një aromë jo të këndshme, si për ata që e pinë, ashtu edhe për ata që nuk e pinë duhanin dhe kjo bie në kundërshtim me rregullat dhe dispozitat e pastërtisë:

Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit”.[4]

Kur një duhanpirës e le duhanin, ai në fakt ka fituar nefsin e vet, gjë e cila duhet të jetë qëllimi i çdo muslimani.

Përbërësit e një cigare ndikojnë në mënyrë negative në estetikën e një njeriu, e cila njëlloj si shëndeti është një dhuratë e Allahut subhanehu ue teala. Shkencërisht është e vërtetuar, që konsumimi i duhanit ndikon në plakjen e lëkurës, si dhe në shkatërrimin e qelizave vitale të lëkurës dhe kjo ndikon edhe në përshpejtimin e rrudhave të fytyrës.

Tek meshkujt shkenca ka zbuluar, se duhani ndikon në zvogëlimin dhe në përkeqësimin e cilësisë së spermatozoideve, si dhe stimulon impotencën.

Njeriu e ka marrë trupin e tij të mrekullueshëm dhe të pastër nga Allahu si dhuratë dhe duhet ta ketë parasysh që trupi i përket Atij. Duhanpirësit duhet t’i mundojë edhe një problem tjetër, përse ai në fund të jetës së tij e kthen trupin e vet në një formë të fëlliqur dhe të qelbosur.

Pas gjithë këtyre ajeteve, haditheve dhe mendimeve por edhe të ndërgjegjes njerëzore ngremë pyetjen, se përse pirja e duhanit disa njerëzve iu duket si tërheqëse dhe interesante, dhe ka disa të tjerë që e pinë duhanin me ëndje. Për këtë mund të lexojmë ajetin në vazhdim: “… Atyre djalli ua kishte zbukuruar veprat e veta dhe i kishte shmangur nga rruga e drejtë…” (Kuran 29: 38)

Në një hadith Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Zjarri i xhehenemit është i rrethuar me gjëra të dashura ndërsa xheneti është i rrethuar me gjëra të padëshiruara”.[5]

Disa njerëzve duhanpirja iu duket një veprim inteligjent, interesant, cool, atraktiv, veprim i guximshëm, çlodhës, erotik, ndjenjë e lirisë së vetvetes dhe një siguri e vetvetes dhe shumë gjëra të tjera. Nuk është aspak e habitshme, se pse ndodh kjo gjë. Ka të bëjë edhe me reklamën me të cilën industria e duhanit për çdo vit investon miliona euro dhe me të cilën na paraqet një pamje krejt tjetër, irracionale të cigares dhe të duhanit. Nga ana tjetër industria e duhanit harxhon shuma marramendëse parash për hulumtime të ndryshme me të cilat do të arrijë, që edhe personat që janë në një ambient me duhanpirësit, edhe pse nuk janë duhanpirës, pas një kohe të caktuar do të kenë nevojë për nikotinë.[6]  D.m.th., ndoshta e fillojnë cigaren vetëm e vetëm, sepse gjenden shpesh nëpër ambiente me tym duhani.

Nga këndvështrimi islam djalli e ka mbaruar punën e tij dhe tani e le robin vetëm me maninë e tij (nevojën e tij) dhe pasojat.

Ajeti kuranor në vijim i qartëson këto që thamë: “… siç bën djalli, i cili i thotë njeriut: “Mos beso”. Por kur ky bëhet jobesimtar, djalli i thotë: “Unë nuk kam të bëj me ty. Në të vërtetë unë i frikësohem Allahut, Zotit të Gjithësisë.” (Kuran: 59: 16)

Lexueset dhe lexuesit e këtij teksti duhet të krijojnë, në qoftë se kanë nevojë, një karakter të fortë që të kenë mundësi ta largojnë nevojën e nikotinës, ose të mos bëhen pre’ e duhanit ose e helmeve të ngjashme.

[1] Sahihul Buhari nr. 52

[2] Sahihul Buhari nr. 5778

[3]  Sahih Ibën Maxhe nr. 1910

[4] Sahih Muslim nr. 223

[5]  Sahihul Xhamië nr. 3147

[6] Shiko revistën gjermane: DER SPIEGEL, Nr. 49/03.12.01, „Händler des Todes“ (tregtarët e vdekjes), fq. 90 f; dhe gjithashtu: DER SPIEGEL, Nr. 24/12.06, „Das Ende der Toleranz“, (Fundi i tolerancës). fq. 64.

(Visited 176 times, 1 visits today)