Sexta-feira, 23/8/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Menaxhimi i konflikteve bashkëshortore

Menaxhimi i konflikteve bashkëshortore
 Dr. Muhamed El-mehdij

Menaxhimi i konflikteve bashkëshortore

 

Ne jemi të ndryshëm në shumë gjëra, personalitet, mendimet, mënyrën e të jetuarit, marrëdhëniet me njerëzit, madje edhe në raportet me Zotin.

Po përse u martuat atëherë?!

Më magjepsi një cilësi e tij, e cila mi verboi sytë ndaj cilësive të tjera.

Kjo është ajo që kemi frikë zakonisht. Në përgjithësi, kjo është diçka që tashmë ka ndodhur dhe të qarat nuk vlejnë… por a s’më thua, cili është rezultati i konflikteve tuaja tani?

Asnjëri nuk e duron dot tjetrin dhe secili këmbëngul në të tijën.

A është ai kokëfortë?

Ndoshta, secili prej nesh mund të jemi të stresuar për shkak të personalitetit dhe dinjitetit, nga frika se mos shkelet me këmbë nga pala tjetër… Pastaj, ai çka që këmbëngul në faktin se fajin e kam unë dhe se unë duhet të ndryshoj që ti përshtatem tipit, natyrës dhe mentalitetit të tij? A nuk është kjo arrogancë dhe mendjemadhësi? Me këtë rast dua të them se unë jam më e suksesshme se ai si në punë, në jetë dhe në marrëdhëniet shoqërore, gjë e cila e streson shumë. Ai kërkon që unë ta pranoj se jam më inferiore, se jam injorante dhe duhet t’ia dorëzoj atij udhëheqjen.

Shoh që gjithçka është transformuar në një garë dhe rivalitet, duke mos qenë më thjesht një konflikt mes bashkëshortëve.

Ashtu është.

Çfarë keni menduar për fëmijët tuaj në kushte të tilla?

Ata po vuajnë më shumë se ne. Ai, kërkon ti edukojë sipas metodës së prindërve të tij, metoda primitive e cila i pëlqen shumë. Sakaq, unë rrekem të eci para me fëmijët, sipas standardeve moderne dhe bashkëkohore. Ai i edukon në të njëjtën mënyrë që është edukuar vetë. Kurse unë i edukoj sipas standardeve më të larta, e frymëzuar nga leximi i librave dhe pjesëmarrja në trajnime edukative. Sipas tij, nëna e tij edhe pse analfabete, e kishte edukuar atë dhe vëllezërit e tij si jo më mirë. Kishte qenë edukimi i saj ajo që i kishte bërë konsulentë, doktorë dhe inxhinierë  të suksesshëm. Me gjithë suksesin dhe postet që kanë, unë kam dyshimet e mia në edukimin e tyre. Sipas meje, suksesi ka të bëjë me cilësinë e jetës dhe progresin e saj. Të them të drejtën, me atë nuk më bashkon asgjë tjetër përveç frikës për të ardhmen e fëmijëve nëse divorcohemi. Edhe vetë shtratin bashkëshortor nuk e duroj dot më. Ai nuk di si ta trajtojnë një grua të brishtë dhe të qytetëruar.

Cila është zgjidhja sipas teje?

Nuk e di…. Unë i shmangem një pyetje të tillë. Mendoj se edhe ai vetë i shmanget. Kjo e shton më shumë vakumin mes nesh çdo ditë e më tepër. Pothuaj secili prej nesh nuk ndjen gjë për tjetrin.

A ia keni deklaruar diçka të tillë njëri-tjetrit?

Jo.

Përse?

Jemi ngopur dhe na është mërzitur edhe të biseduarit. Gjithmonë arrijmë në një moment ku fillojnë zënkat dhe të bërtiturat. Prandaj secili prej nesh, e shmang tjetrin.

Kjo është pika më e rrezikshme ku arrijnë dy bashkëshortët…

E çfarë duhet të bëj kur kushti i tij i vetëm është që të ndryshoj trurin dhe natyrën time, me qëllim që të përkojë me kërkesat e shkëlqesisë së tij, si dhe natyrën e nënës së tij dhe udhëzimet e babait të tij!!……

 

Ky ishte modeli i një familjeje në krizë. Konfliktet e këtij çifti, ishin shndërruar në një krizë të rëndë, të cilën e vuante çdo pjesëtar i familjes. Hapësirat e dialogut dhe bisedës ishin ngushtuar aq shumë, saqë zënkat kishin triumfuar mbi mirëkuptimin. Secili kapej fort pas qëndrimit dhe pozicionit, pa pyetur për ndjenjat dhe nevojat e palës tjetër. Shkaku i deklaruar është mospajtimi në mendime, natyrat e ndryshme dhe bekgraundi social. Por, a është e vërtetë që konfliktet nuk kanë zgjidhje, aq më tepër kur dihet se janë shumë dimensionale dhe mes dy palëve, ku secili beson se ka të drejtë dhe tjetri gabohet rëndë?

 

Dimensionet e konfliktit të një familjeje në krizë:

Vallë çfarë përfaqësojnë fjalët e mësipërme, një konflikt, një sjellje arrogante, debat, zënkë, kokëfortësi apo përleshje? A ka zgjidhje një situatë e tillë kaq e trazuar? Mos është divorci  zgjidhja përfundimtare e këtyre dy bashkëshortëve kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin, kokëfortë dhe konfliktuozë? A është e dobishme për fëmijët që kjo familje të mbetet e bashkuar qoftë dhe formalisht, me gjithë konfliktet dhe mosmarrëveshjet pafund mes prindërve? Mos duhet që palët të qëndrojnë sa më larg njëri-tjetrit, me qëllim që fëmijëve të mos u ofrohet modeli në krizë dhe negativ i familjes, nga i cili ndikohen fëmijët dhe vuajnë gjatë gjithë kohës, duke i urryer të dy prindërit dhe rrjedhimisht dhe jetën bashkëshortore, duke e marrë inat fjalën “familje”?

Për ti dhënë përgjigje të gjithë këtyre pyetjeve që shtruam më sipër, lipset të sqarojmë disa nga termat e përmendura gjatë kësaj trajtese.

Mosmarrëveshjet dhe grindjet. Ndodhin kur secili nga bashkëshortët ndjek një rrugë të ndryshme nga e tjetrit si në biseda dhe vepra.

Polemika. Janë ato debate që zhvillohen mes palëve, ku secila synon të thyejë palën tjetër. Secili nga palët në debat, kërkon ta tërheqë tjetrin drejt mendimit dhe opinionit të tij, ti imponohet dhe ta sugjestionojë. Sakaq, pala tjetër kapet fort pas mendimit të vet, nuk ka gatishmëri që as ta dëgjojë palën folëse, e jo më ta kuptojë apo ti shkojë pas. Në fakt, mendimi kundërshtar shihet si i gabuar, kurse i veti shihet si mendimi i saktë. Një qëndrim i tillë, shkakton rezistencë dhe kokëfortësi tek pala tjetër, sepse ndjen se do të humbasë lirinë e vet, vullnetin dhe zgjidhjet e tij, nëse do i dorëzohet mendimit të tij.

Grindjet. Zakonisht ndodhin kur thellohet polemika dhe nxehet debati mes dy palëve, ku secili nuk mendon më për të drejtën dhe të vërtetën. Në këtë rast, vështirësohet në maksimum mirëkuptimi apo të pajtuarit me diçka. Palët ndihen shumë larg njëri-tjetrit, si të jetonin në dy botë të ndryshme.

Kokëfortësia. Ndodh kur secili merr qëndrim krejt të kundërt nga tjetri, si për ti thënë se është ndryshe nga ai. Kokëfortësia shërben dhe për ta irrituar tjetrin, për ta xhindosur dhe tërbuar më shumë.

Konflikti. Është një gjendje lufte të ftohtë, e ndezur mes dy palëve ku secili kërkon ta lëndojë tjetrin, ta dobësojë dhe asgjësojë atë.

Besoj se është mjaft e rëndësishme që palët ta kuptojnë në cilën etapë janë, polemika, grindje, kokëfortësi apo konflikt. Kjo nuk është e dobishme dhe e vlefshme vetëm për dy bashkëshortët, por edhe për personat që kryejnë rolin e ndërmjetësit  dhe pajtuesit mes tyre. Të nuhasësh dhe piketosh nivelin e problemit, është hapi i parë drejt një zgjidhje të drejtë.

Në fund të fundit, secili prej nesh duhet ta pranojë aksiomën e cila thotë: Mosmarrëveshjet janë pjesë e pandashme e natyrës njerëzore. Kuptimi i drejtë i kësaj aksiome, shton mirëkuptimin dhe të ndryshmen e vlerëson si pasuri. Kjo është urtësia e Zotit e manifestuar në univers. Thotë Zoti në Kuran:”Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt.” (Hud, 118)

Imam Shafiu ka një thënie të artë lidhur me ndryshimet dhe mosmarrëveshjet mes njerëzve, ku thotë:”Mendimi im është i drejtë, por mund të jetë dhe gabim. Sakaq mendimi i kundërshtarëve të mi është i gabuar, por që mund të jetë dhe i drejtë.”

Kurse filozofi francez në një thënie të artë dhe ai, thotë:”Mund të kesh mendim krejtësisht të ndryshëm nga unë, por unë jam i gatshëm të jap jetën time në mbrojte të lirisë tënde për ta shprehur mendimin tënd.”

Kur i shohim mosmarrëveshjet nga ky këndvështrim dhe garantojmë një komunikim plot edukatë dhe etikë të lartë, në fakt, ne rehatojmë veten tonë dhe të tjerët, duke mënjanuar shumë konflikte të dhimbshme dhe shterpë në jetë. Kjo nuk do të thotë të stimulojmë mosmarrëveshje pafund mes bashkëshortëve, pa hapësira mirëkuptimi. Në fakt, hapësirat e mirëkuptimit dhe marrëveshjes, janë boshti i ruajtjes së mesatares në raste mosmarrëveshjesh. Bazuar në këtë, njohja dhe prezantimi gjatë fejesës është shumë i rëndësishëm për të krijuar një vizion sa më të qartë për pikat që i bashkojnë dhe i ndajnë dy palët dhe përshtatshmërinë e tyre për një jetë bashkëshortore të stabilizuar.

E nëse vërtetohet se nuk ekzistojnë hapësira të përbashkëta gjatë fejesës, përse duhet të hidhet hapi për martesë?! Përse duhet të sjellim në jetë fëmijë, të cilët do të detyrohen të jetojnë me dy pole kaq të largëta nga njëri-tjetri, pa asnjë lidhje mes tyre?!

Nëse sigurohemi se ekziston një ekuilibër mes hapësirave të përbashkëta dhe atyre kontradiktore, mbështesim të parën dhe monitorojmë të dytën në mënyrë të arsyeshme dhe të fisme, jeta bashkëshortore ka shanse të mëdha për të lundruar paqësisht. Sakaq, në rast të një menaxhimi të keq të mosmarrëveshjeve, thjesht është hedhur hapi i parë për një konflikt shkatërrues të dy palëve.

Secili nga stadet e jetës bashkëshortore ka natyrën e vet të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Për shembull, viti i parë i martesës karakterizohet nga konflikte që kanë të bëjnë me natyrën e secilës palë. Vitet në vazhdim, dëshmojnë konflikte rreth mënyrës së edukimit të fëmijëve. Në stadin e moshës së mesme, konfliktet fokusohen tek angazhimet e secilës palë me çështje jashtë shtëpisë dhe familjes, sidomos marrëdhëniet me seksin e kundërt.

Konfliktet mes bashkëshortëve ndryshojnë nga çifti në çift në vartësi të statusit social dhe ekonomik. Kështu, konfliktet rreth punës, shpenzimeve, krizave ekonomike, mënyrës së zgjidhjes etj… i hasim kryesisht tek shtresat e varfra dhe të mesme. Kurse konfliktet kulturore dhe emocionale hasen tek shtresat e larta dhe aristokrate.

 

Baza emocionale:

Shpesh herë, bashkëshortët dhe palët pajtuese mes tyre, besojnë se konflikti e ka origjinën tek diferencat familjare, materiale, ideologjike, fetare, kulturore apo dhe në mendime dhe orientime. Kështu, ata harrojnë se mbi të gjitha marrëdhëniet bashkëshortore janë marrëdhënie emocionale dhe se harmonia mes dy bashkëshortëve dhe mundësia për tu marrë vesh, bazohen tek dashuria dhe ndjenjat e ndërsjellta, të cilat nëse mungojnë vështirë të kompensohen. Prandaj shohim që bashkëshortët zhyten në imtësira pafund, sa mbyllet një konflikt hapet një tjetër. Ekzistenca e dashurisë mes dy bashkëshortëve është garant për shkrirjen e shumë konflikteve dhe të metave. Madje, shpesh herë i dashuri nuk i konstaton dot të metat e të dashurës, por edhe nëse i konstaton, i minimizon, justifikon, i mbron, madje dhe i dashuron.

E nëse baza dhe themeli emocional është inegzistent, çdo fjalë është e mjaftueshme për të shkaktuar një zënkë dhe konflikt, çdo e metë duket tepër e fryrë, çdo problem shfaqet si i ndërlikuar dhe i pazgjidhshëm. Në fjalën e urtë egjiptiane thuhet:

I dashuri i përpin shkarjet e tua, kurse armiku i uron ato

Tek shumë njerëz ekziston një bindje e gabuar, sipas të cilës dy bashkëshortët duhet të jenë të ngjashëm, aq më mirë nëse janë njësoj. E nëse konstatohet se nuk janë të tillë, që në fillim duhet të bëjnë ç’mos që të jenë dhe nëse dështojnë, rezultati është i vulosur; konflikte, zënka dhe shamata, fundi i të cilave është divorci.

Në fakt, marrëdhëniet mes dy bashkëshortëve nuk duhet të jenë të ngjashme dhe të njëllojta, aq sa duhet të jenë plotësuese për njëri-tjetrin. Kështu, dy bashkëshortë mund të jenë të ndryshëm, por që plotësojnë njëri-tjetrin dhe janë të mirë integruar. Si krahasim, mund të sjellim marrëdhëniet dallgët të detit me bregun. Ndonjëherë, dallgët e detit mund të jenë të furishme dhe plot zhurmë, por me të mbërritur në breg qetësohen dhe zbuten. Kështu, të dy ia shtojnë njëri-tjetrit hijeshinë dhe madhështinë, edhe pse janë të ndryshëm. Kufizimi i dashurisë vetëm tek ata persona që na përngjasojnë është një lloj dashurie egoiste dhe e sëmurë. Pra, në këtë rast ne e duam veten tonë aq shumë, saqë kërkojmë që edhe tjetri të na ngjajë në gjithçka. Kjo, sepse e shohim veten ideale si në bukuri ashtu dhe në përsosje.

Lloji tjetër i dashurisë është ai “hetero”, sipas të cilit unë e dashuroj tjetrin për ato tipare të cilat edhe pse ndryshojnë nga të miat, mund të ndërthuren dhe integrohen mjaft mirë, duke e pasuruar jetën dhe ekzistencën tonë.

Injorimi i konfliktit

Ndodh që njëri nga bashkëshortët ose të dy bashkë, ti injorojnë konfliktet mes tyre duke besuar se nuk ia vlen tu kushtohet rëndësi, ose sepse e shohin të pamundur marrëveshjen, sidomos nëse njëra palë insiston në të tijën.

Injorimi i konflikteve dhe dallimeve ose humbja e shpresës për një marrëveshje, mund të çojë në një akumulim negativ në nivel ideologjik dhe emocional, duke i helmuar marrëdhëniet bashkëshortore si dhe duke e zgjeruar vakumin mes tyre. Pas një periudhe gjendja mund të rëndohet aq shumë, saqë kthimi pas shihet i pamundur.

Familjarët dhe miqtë mund të rreken që ta minimizojnë rëndësinë e konflikteve, aq më tepër kur ndërmjetësojnë për ti pajtuar dy bashkëshortët. Ata mund të mjaftohet me zgjidhje të përkohshme, duke ua bërë qejfin në mënyrë sipërfaqësore, si; U kërkojnë të puthin kokën e njëri-tjetrit etj… Në një rast të tillë, ata thjesht lyejnë me pomadë një plagë të infektuar, pomadë e cila thjesht e qetëson përkohësisht plagën por nuk e shëron atë. Në të tilla raste, pasojnë kriza edhe më të rrezikshme konfliktesh.

Injorimi mund të bëhet edhe për të shmangur divorcin, pasi të dy palët ose njëra e di që hapja e një dosjeje të tillë konflikti, mund të çojë në një ballafaqim të ashpër fundi i të cilit është divorci i pashmangshëm.

(Visited 37 times, 1 visits today)
Top