Sábado, 7/12/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Melcia e dhjamosur, shkaqet dhe kurimi

Melcia e dhjamosur, shkaqet dhe kurimi

Mëlçia e dhjamosur është grumbullimi i yndyrnave në qelizat e mëlçisë dhe është një nga arsyet më të shpeshtë që në rezultatet laboratorike dhe në testet rutine të bëra rezulton me rritje të enzimave të mëlҫisë. melciaMëlҫia është shumë aktive në zbërthimin dhe shpërndarjen e yndyrnave, ajo i përthith ato nga qarkullimi i gjakut, i ripërpunon dhe pastaj i sekreton dhe i shpërndan në forma të ndryshme. Një ҫrregullim i balancave në mes të krijimit, djegies dhe sekretimit të yndyrnave, krijon procesin e depozitimit të tyre në qelizat e mëlҫisë dhe si pasojë kemi dhjamosjen e saj. Kur kjo dhjamosje shoqërohet edhe me inflamacion, atëherë kemi paraqitjen e sëmundjes së steatohepatitit, që mund të jetë alkoolike ose jo alkoolike.

Prevalenca e paraqitjes ndryshon në shumë vende të botës dhe Evropës. Në Evropë prevalenca e steatozës (dhjamosjes) jo alkoolike është për 20-30% të popullatës së përgjithshme dhe 3-12% të popullatës pediatrike, kurse steatohepatiti (inflamacioni i mëlҫisë) mendohet të jetë rreth 4% në popullatën e përgjithshme.

Mëlçia kryen shumë funksione të rëndësishme në organizmin e njeriut si psh.:

Zbërthimin e ushqimeve dhe vitaminave, hekurit dhe mineraleve, gjithashtu prodhon proteina dhe lëngjet biliare që janë të nevojshme për tretjen e ushqimit. Shkatërrimin dhe zbërthimin e shumë produkteve të dëmshme siҫ janë alkooli, medikamentet e ndryshme dhe helmet.

Çfarë e shkakton dhjamosjen e mëlҫisë?

Janë një mori faktorësh të ndryshëm që shkaktojnë dhjamosje të mëlҫisë. Më së shpeshti dhjamosja paraqitet tek personat me obezitet dhe diabet tip-2. Disa medikamente mund të nxisin dhjamosjen. Faktorë shumë i rëndësishëm në dhjamosjen e mëlҫisë është rezistenca ndaj insulinës. Ulja e ndjeshmërisë ndaj insulinës mund të shtohet nga obeziteti, mosha dhe historia familjare me diabet tip 2.

Dr. Arber Veliu
Njerëzit me peshë të lartë trupore dhe me shtim të dhjamit në trup dhe rreth abdomenit (zonës së barkut) janë më të prirur të shfaqin rezistencë ndaj insulinës sesa njerëzit që dhjamosjen e kanë të shpërndarë në pjesët e tjera të trupit. Si pasojë e kësaj uljeje të ndjeshmërisë, rritet nevoja për insulin, dhe duke u rritur niveli i insulinës, rritet edhe tensioni arterial, rriten trigliceridet dhe dhjamosja e mëlҫisë.

Alkooli i tepruar është faktori tjetër kryesor që krijon dhjamosje si pasojë e ҫrregullimit të rrugëve të djegies dhe shkatërrimit të saj në mëlҫi.

Faktorë të tjerë të dhjamosjes janë:

Dislipidemia (ҫrregullimi i yndyrnave), hipertensioni arterial i gjakut, kequshqyerja dhe sidomos uria ose humbja e shpejtë e peshës trupore me dietë ose në mënyrë kiurgjikale, ҫrregullimet metabolike, medikamentet e ndryshme (amiodarone etj), shtatzënia, hepatiti B dhe C etj.

Disa individë të ndryshëm mund të bëjnë dhjamosje të mëlcisë edhe pa pasur asnjë nga situatat e sipërpërmendura.

Cilat janë simptomat (shenjat) e dhjamosjes?

Mëlçia e dhjamosur në të shumtën e rasteve nuk shkakton problem shëndetësore. Nëse fillon rritja ose zmadhimi i saj si pasojë e deponimit të shtuar të yndyrnave, atëherë do të fillojnë shqetësimet e lehta në anën e djathtë të sipërme të abdomenit, një dhimbje jo e fortë, e topitur, jo e vazhdueshme, e shoqëruar nganjëherë me lodhje, dobësi trupore, posaçërisht në gjendje të uritur dhe në mungesë të nevojshme të proteinave dhe vitaminave.

Zakonisht dhjamosja identifikohet aksidentalisht nga analizat rutinë të gjakut dhe mëlҫisë ku vërehet një rritje e lehtë e nivelit të enzimave (AST dhe ALT).

Nëse dhjamosja është e shkallës më të rëndë, atëherë mund të kemi edhe zmadhim të mëlҫisë e shoqëruar me mungesë rehatie në anën e djathtë të abdomenit (barkut).

Kur kemi zhvillim të cirrozës, atëherë kemi edhe paraqitjen e rritjes së lienit me edema në këmbë dhe ascit (lëng i lirë në kavitetin abdominal).

A e dëmton mëlҫinë dhjamosja e tepërt?

Afërsisht 80% e personave të prekur nga dhjamosja e mëlҫisë nuk kanë ankesa shëndetësore dhe nuk kanë dëmtime të strukturës së saj. Nëse individët obezë zvogëlojnë peshën trupore ose alkolistët kronikë zvogëlojnë sasinë e konsumuar të alkoolit, për një kohë dhjamosja mund të tërhiqet dhe mëlҫia rikthen funksionin e saj normal.

Përqindja tjetër e individëve me dhjamosje të mëlҫisë për një periudhë të gjatë mund të zhvillojnë forma më të rënda të dhjamosjes të shoqëruar me inflamacion dhe fibrozë, duke krijuar steatohepatiti dhe më vonë edhe cirrozë dhe insuficieincë të mëlҫisë.

Si diagnostikohet?

Ultrazëri (eko) abdominal është një metodë e lehtë, e shpejtë dhe mjaft e saktë në diagnostikimin e hershëm të dhjamosjes së mëlҫisë. Struktura e saj është mjaft “ekogjenike” dhe dense përballë valëve ultrasonike.

Analizat e gjakut tregojnë rritje të lehtë të enzimeve si ALT dhe ALT. Tek personat alkoolistë kemi edhe rritjen e gama-glutamil transpeptidazës(GGT), enzim tjetër i mëlҫisë. Koha e protrombinës dhe trombinës janë të ulura tek sëmundja kronike dhe paraqitja e cirrozës.

Biopsia e mëlçisë është metodë tjetër e diagnostikimit të dhjamosjes dhe ajo është metodë konfirmuese dhe përfundimtare.

Biopsia është teknika e marrjes së disa qelizave prej mëlҫisë, procedurë e cila kryhet me gjilpërë të veçantë dhe me anestezi lokale. Më pas qelizat e marra ekzaminohen me mikroskop nga mjeku specialist i histopatologjisë. Kjo metodë diagnostike nuk ndryshon skemën e trajtimit të dhjamosjes. Ekzaminime të tjera janë: tomografia e kompjuterizuar apo rezonanca magnetike.

Si trajtohet?

Nuk ka ndonjë trajtim specifik për dhjamosjen e mëlҫisë. Trajtimi i saj varet nga shkaktarët që e nxisin. Tek personat me obezitet rekomandohet humbja graduale në peshë (deri 1 kg në javë), dieta duhet të jetë me raport adekuat protein : kalori, kufizimi i yndyrnave dhe gjimnastika e shtuar aktive dhe ditore. Kontrolli dhe mjekimi i mirë i diabetit mund të reduktojë dhjamosjen e mëlҫisë. Abstinenca nga alkooli është i domosdoshëm tek të gjitha llojet e dhjamosjes dhe inflamacionit të mëlҫisë

Ulja e triglicerideve me dietë ose përmes terapisë me omega-3 acid yndyrore,

Të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme dhe të balancuar, duke zvogëluar marrjen e karbohidrateve, lëngjeve të gazuara dhe të pasura me fruktozë, stop dieta e tipit ”fast food”.

Terapia me vitaminë E 800UI/ditë në disa raste përmirëson stukturën e mëlҫisë tek dhjamosja e lehtë e saj, gjithashtu edhe vitamina C 1 gr në ditë së bashku me vitaminën E, Atorvastatina tek dislipidemitë.

Parandalimi i paraqitjes së steatohepatitit është i mundur duke bërë kontrolle të vazhdueshme të pacientëvë me risk të lartë për dhjamosje, duke i edukuar ata përmes dietave të ndryshme, gjimnastikës aktive dhe ndërprerjes ose mjekimit të varshmërisë ndaj alkoolizmit përmes programeve të veçanta në komunitet./shendeti.com.al/

(Visited 377 times, 1 visits today)
Top