Sexta-feira, 19/4/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Materialet pornografike – Dr Velid Fetihi



Materialet pornografike – Dr Velid Fetihi

Dr Velid Fetihi

Materialet pornografike

Ndërkohë që një i ri ulet para kompjuterit dhe hap materiale pornografike, mendon se nuk po i bën keq askujt. Ai nuk e di se po i bën keq vetes së tij, se ai vetë është viktimë. Ai nuk e di se ka marrë tatëpjetën drejt vartësisë dhe jo çdo lloj vartësie, pasi bëhet fjalë për një vartësi të pakufizuar dhe që lë gjurmë të cilat nuk fshihen nga truri.

Ky është një fenomen i përhapur në mënyrë të frikshme, por që për fat të keq flitet shumë pak, për të mos thënë fare.

Në një seancë dëgjimi në kongresin amerikan, dr Mary Anne Layden, studiuese pranë qendrës së terapisë konjitive  në universitetin e Pensilvanisë në SHBA, u shpreh se vartësia ndaj materialeve pornografike është rreziku më i madh ndaj shëndetit psikologjik të njeriut. Madje, ajo tha se është akoma më e rrezikshme se vetë vartësia ndaj kokainës.

“Kjo vartësi, i heq njeriut shansin për të qenë ai që dëshiron dhe që mundet të jetë. Ajo e privon atë nga gjithçka që mund ti ofrojë familjes, komunitetit dhe atdheut të tij.” tha ajo.

Filmat dhe materialet pornografike janë shndërruar në mjetin më të përhapur për mësimin e edukatës dhe kulturës seksuale në vendet tona. Për shkak të mungesës së një plani të qartë dhe të duhur për mësimin e edukatës seksuale, diçka e tillë bëhet në rrugë të gabuara dhe perverse.

Ekziston një rreth vicioz i vartësisë dhe familjarizimit me gjynahun: Njeriu e justifikon këtë akt, pendohet, pushtohet nga ndjenja e fajit, heq dorë për disa ditë apo javë, pastaj i kthehet sërish.

Nëse bën një studim rreth fjalëve më të kërkuara në motorin kërkues “Google” do të zbulosh se janë ato me përmbajtje seksuale. Mbi 11 mijë kërkime për materiale seksuale bëhen çdo ditë nga fëmijët dhe adoleshentët. Për çdo sekondë, mbi tridhjetë mijë persona shohin faqe pornografike në internet. Çdo gjysmë ore regjistrohet një film pornografik në SHBA, vend i cili prodhon 89% të materialeve pornografike në internet. Industria e prodhimit të filmave pornografike sot, llogaritet në mbi 100 miliardë dollarë.

Mbi 70% e materialeve që shkëmbehen mes të rinjve janë me përmbajtje pornografike.

Lobi frontal është vatra e gjykimit dhe e frenimit të impulseve të caktuara. Stimulimi i impulsit seksual nëpërmjet shikimit të materialeve pornografike, çon në lodhje të lobit frontal dhe dëmtim të tij, gjë e cila ul aftësinë e kësaj pjese të trurit për të gjykuar drejt. Njeriu preket nga ajo që njihet me emrin “Sindromi i lobit frontal” dhe që konsiston në euforinë pa u menduar për pasojat, si dhe fokusimi tek një akt i caktuar dhe përsëritja e tij në mënyrë obsesive. Ai bëhet i brishtë emocionaisht dhe vuan nga luhatje të humorit.

Gjatë aktit seksual mes dy bashkëshortëve, prodhohen dy hormone, funksioni i të cilëve është forcimi i besimit dhe rritja e afërsisë mes tyre. Mungesa e prodhimit të këtyre dy hormoneve, gjatë masturbimit të shoqëruar me pamje të materialeve pornografike, shkakton ndarjen e seksit me dashurinë dhe mungesë të emocioneve të domosdoshme për një martesë të suksesshme. Kështu, kënaqësia e shikimit të materialeve pornografike bëhet më e madhe sesa ajo e marrëdhënieve seksuale bashkëshortore. Kjo nxit vetminë dhe demoralizimin, e për rrjedhojë shkaktohet divorci dhe ndarja.

Përvoja e Malajzisë

Malajzia ka një përvojë të pasur në këtë fushë, gjë e cila pasqyron ndjeshmërinë e shtetit ndaj fenomeneve negative që përhapen në shoqëri. Kështu, në shkollat e këtij vendi u caktua një lëndë për mësimin e edukatës seksuale në islam, gjë e cila u mbështet me gjëra alternative si edukimi fizik, mësimi i gjuhëve të huaja etj…





Veç kësaj, qeveria ndërmori projekte të shumta për të nxitur të rinjtë që të martohen në moshë të hershme, duke u dhënë stimuj materialë, lehtësuar në maksimum blerjen e një banese dhe dhënien e rrogave mujore për të sapomartuarit.

Rreziqet e pornografisë na vendosin para përgjegjësisë për tu vënë në lëvizje dhe për tu përballur me këtë fenomen. Hapat e parë që duhen marrë në këtë aspekt janë:

·         Sensibilizimi shkencor dhe mjekësor.

·         Publikimi i dëmeve në shëndetin e njeriut.

·         Stimulimi i martesës në moshë të hershme, sipas kushteve të secilit shtet.

·         Futja e lëndës së edukatës seksuale në islam, bashkë me lëndët e tjera.

·         Ngritja e mediave konstruktive dhe edukative, të cilat do të shërbejnë si imunizuese dhe rivalizues ndaj mediave degjeneruese.

·         Kanalizimi i energjive të rinjve nëpërmjet aktiviteteve sportive dhe kulturore.

·         Mbushja e kohës së lirë me aktivitete të ndryshme.

Dy fjalë drejtuar të gjithë atyre që kanë vartësi ndaj materialeve pornografike:

Të triumfosh ndaj kësaj vartësie, është fitorja më e madhe në jetën tënde. Ajo arrihet kur të dalësh para pasqyrës dhe të shohësh një njeri krenar, kryelartë dhe me dinjitet. Sakaq, nëse del para pasqyrës dhe sheh një njeri të brishtë, të dobët, pa vullnet, një rob të instinktit dhe pasionit, e ke të pamundur të triumfosh para sfidave të jetës, pasi je thyer që në origjinë, që në shpirtin tënd.

Fitorja e vërtetë fillon nga brenda, nga vetja jonë. “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa të ndryshojnë veten.” (Kuran)

Përktheu: Elmaz Fida

(Visited 13 times, 1 visits today)




Top