Sábado, 25/5/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Lumturia



Lumturia

Lumturia

Lumturia është Xhenneti i ëndrrave dhe fundi i shpresës. Çdo njeriu ia ka ëndja për ta pasur, porse atë pak njerëz e posedojnë. Edhe pse njerëzit dallojnë në jetën e tyre si nga raca, etniteti, gjuha, qëllimet e tyre, shijet e tyre mirëpo që të gjithë janë të pajtimit për kërkimin e lumturisë. E kjo nga vuajtjet e mëdha të cilat janë sfidë e jetës si dhe nga ëndja e çdonjërit që dëshiron të jetojë një jetë të lumtur, të qetë, pa brenga dhe shqetësime. Arritja e lumturisë është një dhuratë apo mirësi që gjendet në duart e të Gjithëmëshirshmit, i Cili ia dhuron atë kujt të dojë Ai nga robërit e Tij. Dikush ia arrin qëllimit dhe jeton në dunja në begatitë e saja, e dikush privohet nga ajo dhe jeton vetëm me shpresë në të. I suksesshëm është ai i cili është i udhëzuar në rrugën e lumturisë dhe i bën hapat drejt saj, vepron për të, largohet nga çdo gjë e cila ia prish lumturinë e tij.

Ku ta gjej lumturinë?

Disa njerëz mendojnë se lumturia është në mall dhe në pasuri, dikush tjetër ka gabuar duke e kërkuar atë në post dhe prestigj e dikush tjetër e ka kërkuar atë duke i realizuar dëshirat e tij edhe nëse ato janë në kundërshtim me urdhrat e Allahut, pra në harame. Pa dyshim të gjithë krijesat nxitojnë në arritjen e saj, të gjithë i kanë përveshur krahët dhe mundohen ta posedojnë atë, dikush e arrin e dikush privohet prej saj. I pafat është ai i cili e sheh lumturinë jo realisht duke i dhënë përparësi dunjasë para fesë së tij, epshit përballë ahiretit të tij, kështu që ky person mbjell në vete sëmundje, mërzi, shqetësime, trishtime, jetë të rëndë me shumë vështirësi.

Lumturia nuk arrihet dot përpos se me devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar, me respekt ndaj Tij, me respekt ndaj të Dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, me largimin nga mëkatet dhe punët e këqija. Allahu thotë: “O ju që keni besuar, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) do t’ju mundësoj të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij ai ka arritur një sukses të madh.”[1]

Shejhul-islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, është e gjithë lumturia dhe bazë e padiskutueshme e saj.”[2] Andaj jeta me gjithë mirësitë e saj nuk të sjell lumturi përderisa nuk e posedon devotshmërinë.

Poeti thotë:

Lumturinë nuk e shoh tubim pasurie,

mirëpo devotshmëria është lumturi.

Devotshmëria ndaj Allahut është më i miri depozitë,

sepse për të devotshmit tek Allahu ka çdo mirësi.

Rruga e lumturisë:

Nuk ka rrugë përmes së cilës arrihet lumturia, përveç se me respekt ndaj Allahut, prandaj kush bën sa më shumë vepra të mira, ju largohet mëkateve, ai jeton i lumtur. Madje ky është afër Zotit të Tij, i Lartësuari thotë:“Kush bën vepër të mirë qoftë ai mashkull apo femër, duke qenë besimtarë, Ne do ti japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do tu japim shpërblim më të mirë për veprat e tyre.”[3]

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Jeta e mirë i përmbledh të gjitha anët e kënaqësisë, rehatisë në çdo aspekt qofshin ata.”[4] Lumturia rritet kur njeriu e bën Teuhid – e njëson Allahun siç e meriton Ai, kur e lidh zemrën me Krijuesin e Tij, kur çdo çështje ia dorëzon Atij.

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Teuhidi hap dyert e mirësisë, kënaqësisë, lumturisë, gëzimit dhe dëfrimit.”[5]

Lumturia i forcon nyjet e saj me mirësi ndaj krijesave, duke ia bashkangjitur asaj edhe dëgjueshmërinë ndaj Allahut.

Shejhul islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Lumturia në bashkëveprim me krijesat është të bashkëveprosh me ta për Allahun, të shpresosh për këtë vepër nga Allahu e të mos i bësh ata të të duan me zor për Allahun, të kesh frikë Allahun me ta, e jo ti bësh që të të frikësohen jo për Allahun, t’ju bësh mirë atyre duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, jo që ta kthejnë një ditë atë mirësi që ua ke bërë, mos ju bën padrejtësi atyre duke pasur frikë Allahun, e jo ata.”[6]

Kush e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit e ka shijuar ëmbëlsinë e lumturisë, jeton me zemër të hapur, të qetë, të çiltër si dhe me gjymtyrë të sigurta e të qeta.

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Shejhul-islam Ibn Tejmijen e kam dëgjuar duke thënë: Dunjaja e ka një xhennet, kush privohet nga hyrja në të, nuk ka mundësi të hyjë në Xhennetin e ahiretit. Kurse në një rast tjetër më tha: Çfarë mund të më bëjnë armiqtë e mi, kur Xhennetin dhe kopshtet e saj i kam në gjoksin tim me vete, ku do që të më dërgojnë përsëri ato i kam me vete.”[7]

I privuari nga lumturia:

I pafat është ai i cili ndjek epshin duke bërë: mëkate dhe punë të këqija, duke rënë në kënaqësitë e ndaluara të dunjasë, që janë të përziera me dëme e të cilat janë shkak i jo lumturisë në dunja e në ahiret. Allahu i Lartësuar ka thënë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit tim, do të ketë jetë të vështirë.”[8] Pra në ngushtësi të madhe…

Shejhul-islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Çdo sherr, e keqe që ekziston në botë e që ka të bëjë me robin, shkaku i tij është: Kundërshtimi i të Dërguarit të Allahut ose injoranca në sunnetin e tij, kurse lumturia e njerëzimit në këtë dhe në botën tjetër është e lidhur ngushtë me ndjekjen e mesazhit të tij.”[9]

Ikja nga fatkeqësia, dështimi për lumturinë është në pendim dhe kthim tek Allahu.





Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dyert e sherrit (të keqes) mbyllen me pendim dhe me kërkim të faljes dhe istigfarit.”[10] Andaj trokit në dyert e pendimit dhe mbylli dyert e mëkateve, që ta ndiesh kënaqësinë e lumturisë. Rehatia e zemrës është në largimin e mëkateve, nëse krejt këto ne i krahasojmë me zemrën janë si shembulli i helmit, i cili në qoftë se nuk të mbyt, të dobëson. Ndërsa ai i cili zhvendoset prej në poshtërsinë e mëkatit në krenarinë e respektimit ndaj Allahut, atë Allahu e pasuron pa mall dhe pasuri, e kënaq pa shok, kurse i pafat është ai i cili largohet nga rruga e Allahut dhe i bën mëkate Atij.

Si ta kuptoj se jam i lumtur?

Kush i ka tri gjëra është i lumtur realisht: Falënderimi për begatitë, durimi ndaj sprovave dhe kërkimi i faljes për mëkatet.

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur njeriu e falënderon Allahun për begatitë e tij, bën durim në fatkeqësi, kur bën mëkat kërkon falje nga Allahu, atëherë këta tri çështje janë titull i kënaqësisë së robit, shenjë e shpëtimit të tij në dunja dhe në ahiret, prandaj nga këto të mos shmanget robi kurrë dhe asnjëherë.”[11]

Kur ti kuptosh këto gjëra e llogarit veten tënde për neglizhencën që ke, i stërmadhon lëshimet tua, ke frikë nga Krijuesi yt për rrahjet e kota të zemrës tënde jashtë bindjes ndaj Krijuesit tënd, i harron mirësitë e tua ndaj Krijuesit, të gjitha këto tregojnë se shpirti e kërkon jetën e lumtur.

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Shenjë e lumturisë së njeriut është që veprat e mira të tij ti lërë pas shpine, e të këqijat e tij ti mbajë para syve, ndërsa shenjë e fatkeqësisë, dështimit të njeriut është që njeriu ti mbajë para syve të tij veprat e mira, ndërsa të këqijat e tij ti hedh pas shpine.[12]

I lumtur është ai i cili i frikësohet Krijuesit të tij, bën vepra të mira, falënderon Allahun për mirësitë e tij dhe ata i shfrytëzon në respekt ndaj Tij. Fatkeqësitë i përballon me durim dhe shpreson në shpërblimin e Allahut si dhe e mban zemrën e tij të hapur në bindje ndaj Allahut, se Ai do ta pastrojë me këto gjëra dhe do t’ia ngrit gradat e tij në xhennet, kërkon falje nga Allahu për mëkatet e tij dhe pendohet për veprat e shëmtuara që i ka vepruar.

SHKËPUTUR NGA: “HAPAT DREJTË LUMTURISË”

[1] Ahzab: 71-72.

[2] Fetava Shejhul islam 20/193.

[3] Nahl: 97.

[4] Tefsir Ibn Kethir, 2/908.

[5] Zadul mead, 4/202.

[6] Fetava shejhul islam, 1/51.

[7] Vabilu sajib, fq. 60.

[8] Taha: 124

[9] Fetava shejhul islam, 19/93.

[10] Zadul mead, 4/202.

[11] Vabilu sajib, fq. 6.

[12] Miftahu daru seade, 2/310.

 

(Visited 46 times, 1 visits today)




Top