Terça-feira, 25/6/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Linjat e modës



Linjat e modës

Autorja Perl Buck, tregon se është njohur me vuajtjet e një vajze në shoqërinë kineze, e cila e konsideronte bukurinë e femrës tek këmba e vogël. Për këtë, kinezët e fusin këmbën e vajzës në një këpucë hekuri me qëllim që të mos rritet mbi standardin e bukurisë!

Gjithsesi, kufizimi i këmbës është më i lehtë sesa kufizimi i trurit!

Ligji i modës është aktiv në maksimum kur flitet për kriteret e bukurisë, saqë duket që njeriu sheh me pasqyrën e të tjerëve, se truri kolektiv kontrollon edhe shijet e tij. Sot, eleganca është shndërruar në obsesion për vajzat. Modelet zgjidhen pikërisht në bazë të këtij kriteri. Ndërkohë, tek disa fise arabe vlerësohet gruaja e shëndoshë.

Moda i sfidon dhe shijet personale ndonjëherë.

Moda nuk mund të konsiderohet si një zakon, pasi i mungon tipari i qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë. Por zakon është ndjekja e modës, magjepsja pas saj dhe nënshtrimi total ndaj saj. Kalimi i menjëhershëm tek e reja dhe heqja dorë nga e vjetra bëhet zakon gjithashtu.

Linjat e modës, për disa vajza tashmë janë shndërruar në qeli të këndshme, formë për shkapërderdhje të pasurisë, heqje dorë nga kënaqësitë e ushqimit dhe jetës së thjeshtë.

Po moda e shndërroi lakuriqësinë dhe shfrenimin në pjesë të kulturës së femrës në çdo vend, përveç ndonjë rasti të izoluar, saqë edhe mbulesa e femrës myslimane tek tuk përdoret për joshje dhe tundim.

Moda ka sulmuar edhe mobilimin e shtëpisë, dizenjimin e saj, kalimin e pushimeve, relaksin, detaje nga sjelljet dhe arti. Edhe vlera si liria, civilizimi dhe të drejtat, janë lidhur ngushtë me stilin e modës.

Moda është një fenomen publik që qëndron nën nivelin ez zakonit dhe traditës, nuk është e shenjtë dhe nuk ka vazhdimësi të garantuar. Në fakt, ajo është kontroverse me zakonet dhe traditat, pasi modë do të thotë diçka e re dhe kalimtare, diçka jo tradicionale.

Traditat përcillen nga paraardhësit tek pasardhësit në mënyrë vertikale, sakaq modat përcillen nga një grup tek një tjetër në mënyrë horizontale.

Traditat janë imitim i paraardhësve.

Modat janë imitim i bashkëkohësve.

Traditat janë diçka e dashur për vetë faktin se jemi familjarizuar me to, sakaq modat janë të dashura sepse janë diçka e re dhe joshëse. Çdo gjë e re ka kënaqësinë brenda.

Traditat janë të lidhura me vlera themeltare, modat janë formale.

Moda përhapet në mënyrë josistematike, disa i përvetësojnë dhe të tjerë heqin dorë.

Tradita i paraprin idesë, gjykimit dhe mendimit personal, sakaq moda është ndjekëse e tyre, ajo ndryshon me ndryshimin e mendimit, idesë dhe shijeve.

Moda e bën njeriun të ndihet i privilegjuar dhe i respektuar, i jep ndjesinë e superioritetit ndaj të tjerëve.

Ndjekja e modës është identifikim me një shtresë të caktuar, si shtresa aristokrate për shembull.

Moda mund të jetë shumë e dëmshme, si në rastin e deformimit të kafkës, fytyrës, zvogëlimit të numrit të këmbës, takat e larta, tatutë…

Femrat janë më të nënshtruara ndaj pushtetit të modës, edhe pse mund të jetë krejt larg logjikës njerëzore.

Moda është një fjalë e fjalorit të grave, sepse ajo i furnizon herë pas here me elementë tërheqës. Femra mund të durojë dhimbjet psikologjike (rasti i modeleve) dhe dhimbjet fizike, për hir të modës.





Në Evropën e lashtë u ishte shpallur luftë veshjeve që ekspozonin trupin e femrës, qe propozuar dhe një pëlhurë e cila mbështillte kraharorin dhe qafën. Për këtë qenë akuzuar për prapambetje.

Në Amerikë, moda u përball me protesta dhe demonstrata, pasi konsiderohej si një ide kundër emancipimit të femrës.

Por, përse i nënshtrohet gruaja modës?

Sepse gruaja, nga natyra e saj pëlqen të tërheqë shikimit, vëmendjen dhe të pëlqehet nga të tjerët.

Për shkak të frikës nga kritika destruktive, prapambetja dhe humbja e karvanit të përparimit.

Nëse shuhet moda, gjithçka që ka të bëjë me të, bëhet e papërtypshme.

Nëse moda fokusohet tek veshjet e gjata, çdo veshje e shkurtër shihet si perverse dhe e shëmtuar, e njëjta gjë ndodh me të kundërtën.

Moda, kur dëshiron, e bën të shëmtuarën të bukur dhe të bukurën të shëmtuar.

Burimi i modës?

Franca është burim i modës në veshje.

Në një shoqëri, zakonisht është shtresa aristokrate burim i modës, për shkak të pasurisë dhe marrëdhënieve.

Kur moda përhapet ajo e humbet vlerën e saj, shndërrohet në një stil jete normal. Ekziston një përzgjedhje natyrale e modave, që disa mbeten dhe shndërrohen në traditë.

Moda mund të përdoret si një mekanizëm me funksion social, që lejon përtëritjen, zhvillimin dhe ndërveprimin me të ndryshueshmen.

Ajo është një lloj ndryshimi social i cili ndodh dhe duhet të ndodhë, ashtu siç mund të bëhet shkak për mirëmbajtjen e strukturës sociale.

Ka ndryshim esencial mes modës si revolucioni seksual dhe mes modës si arsimimi i femrës dhe e drejta e saj për të punuar.

Sjelljet normale nuk mund të quhen modë, edhe sikur të jetë të ndryshueshme. Kur bën një përshëndetje, shkëmben urime dhe ngushëllime, organizon festa të caktuara… të gjitha këto janë veprime spontane dhe nuk kanë një pushtet zyrtar që i organizon. Ato nxiten vetëm nga pushteti i shoqërisë.

Monopolizimi i industrisë dhe mediave nga ana e perëndimit, e ka shndërruar tregun arab dhe atë islam në konsumator të artit, veshjeve, krehjes së flokëve, marrëdhënieve, gjuhës etj…

Shoqëritë tona kanë dështuar në ofrimin e një alternative që shpreh kulturën vetjake dhe që përkon me natyrën tonë, me dëshirën tonë për ndryshim, shijen tonë karshi të bukurës. Kjo, pavarësisht trashëgimisë së pasur dhe portave të hapura, sepse në këtë rast mungon vullneti.

 

Përktheu: Elmaz Fida

(Visited 21 times, 1 visits today)




Top