Segunda-feira, 11/11/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

LIGJET E JETËS PROFESIONALE DHE SUKSESIT TË PËRGJITHSHËM

LIGJET E JETËS PROFESIONALE DHE SUKSESIT TË PËRGJITHSHËM

LIGJET E JETËS PROFESIONALE DHE SUKSESIT TË PËRGJITHSHËM

Armiku i pare i suksesit është përtacia 

Përtacia nuk është armik i cili i del përpara njeriut dhe përleshet me të si
burrat. Përkundrazi, përtacia është një frikacake që merr forma te ndryshme
si trimat e tregimeve te vjetra dhe duke përdorë me mijëra dredhi mundohet
që ta mposhtë njeriun. Madhësia e rrezikut fshihet pikërisht këtu.
Përtacia nuk shfaqet para çdo kujt në te njëjtën formë. Herë merr formën e
mikut te sinqertë dhe mirëdashës, here formën e arsyetimit, si sëmundje,
lodhje, dhembje e herë duket se bën punë por në te vërtetë nuk punon asgjë,
ndërsa herën tjetër flet ëmbël dhe të mashtron…
-puna është lodhje. -jeta është një shans .-nëse ke shans ke çdo gjë. -lere
njëherë shtriu se nesër ne mëngjes e bën. -E kam shprehi, nuk mundem që tërë
vitin të endem nëpër biblioteka me libër nen sqetull, çfarë bej..! –Njëzet
dite para provimeve do te ulem, do ta lodh kokën dhe do t’i jap provimet.
Nuk e di pse mendja vetëm në provime me zgjohet.

Armiku tjetër i suksesit është edhe shoku i keq

Ai është fatkeqësia më e madhe që mund ta godasë te riun. Përtacia është në
brendinë tënde dhe të flet me gjuhën tënde, kurse shoku i keq flet me gjuhën
e vet dhe më shpejtë të tërheq kah vetja. Shoku i keq shqetësohet prej
punëtorëve dhe fshehurazi ua ka zilinë, fillon te tallet me ta dhe t’i
nënçmojë e në këtë mënyrë hakmerret ndaj tyre. Mundohet te gjeje mënyre qe
me çdo kusht te të tërheqë në greminën në te cilën ka rrëshqitur vetë. Me
fjalët dhe sjelljet e veta ta shkatërron energjinë shpirtërore dhe të lë
përballe me një lodhje shpirtërore. Po qe se bashkohen përtacia dhe shoku i
keq, atëherë shumë vështirë mund të shpëtohet nga kthetrat e këtyre dy
armiqve keqbërës.
Kushtet te cilat do t’i kërkosh te shoku yt duhet të jenë; puna, sinqeriteti
dhe mirësia. Njeriu i cili i ka këto cilësi është edhe me të gjitha cilësitë
tjera të mira. Këtë mos e harro dhe me njerëzit të cilët nuk i plotësojnë
këto kushte mos u shoqëro kurrë.
Armiku i tjetër i suksesit është shembulli i keq

KUSHTET E SUKSESIT

Ti ke dy armë të fort a me te cilat mund t’i luftosh këta armiq: PUNEN dhe
VULLNETIN
Kushti i parë i suksesit është vullneti. Arma e parë pra se cilës gjunjëzohen
përtacia e mosbindja,këto sëmundje djallëzore,është vullneti. Po qe se
vullnetin e përdorë në rrugën e së mirës, atëherë mos ki frikë…” E njerëzit
duke harruar se lumturia është në brendinë e tyre,e kërkojnë atë në
kafe-bare të natës, kafene dhe ne argëtime te ndryshme”. Ti mos rrëshqit në
këtë greminë dhe beso se edhe fshehtësia e suksesit edhe zogu i lumturisë
janë në brendinë tonë, në kafazin e artë të vullnetit tonë

-Mos prit kohë dhe ditë të qëlluara për punë. Dije se çdo orë dhe çdo ditë
është e qëlluar për punë.

-Mos kërko vend të përshtatshëm për punë. Dije se çdo skutë është vendi më i
përshtatshëm i punës.

-Assesi punën e sotme mos e lë për nesër, për arsye se çdo ditë i ka
vështërsitë dhe punët e veta.

-Ne një kohë të caktuar bëre vetëm një punë, vetëm një mësim, respektivisht
puno rreth një problemi derisa mos të dobësohen kujdesi dhe fuqia. Nëse thua
se do të bësh më shumë punë për një kohë, atëherë asnjërën prej tyre nuk do
ta mund ta bësh si duhet.

-Pa e kryer një punë, mësim, libër apo obligim që e ke filluar mos kalo në
tjetrën. Puna e mbetur përgjysmë është sikur të mos jetë nisur fare.

-Pasi ta kryesh punën e ditës së sotme, vendos se çka do të bësh nesër. Ose,
së paku para se ta fillosh punën, vendos se cilën punë do ta bësh.

-Para se te fillosh punën, mësimin ose librin pranë vetes merri të gjitha
gjërat të cilat do të nevojiten gjatë kryerjes së tyre, ashtu që mos te të
humbë kujdesi duke u ngritur pandërprerë për të marrë letër, laps, etj.

-Ne momentin kur nuk ke mundësi të përballosh një problem rreth çështjes të
cilën e punon , assesi mos bën hap prapa. Dije që lëshimi pe është përtaci e
maskuar. Duhet ta dish se dashuria ndaj punës lindet dhe forcohet përmes
përballimit të problemeve. Kënaqësia shpirtërore që paraqitet pas kapërcimit
te problemeve është e padiskutueshme. Te jesh i sigurt se ngadhënjimi në luftë
dhe suksesi në punë janë me atë që nuk kthehet prapa. Përpara këmbënguljes
problemet shkrihen dhe të pamundurat bëhen të mundshme.

-Pikësëpari ndaje problemin me të cilin do të ballafaqohesh,pastaj përpiqu
që një nga një t’i zbërthesh pjesët e tij. Pikërisht në këtë mënyrë edhe
mësimin dhe librin që e lexon ndaji në pjesë më të thjeshta dhe më të
shkurtra. Para se ta kuptosh mirë një pjesë mos kalo në tjetrën. Kalo si i
verbëri me shkop mbi te gjithë kapitujt, respektivisht mos e hedh hapin e
ardhshëm pa qenë i sigurt për të parin.

-Puno vazhdimisht dhe me kujdes, si dhe çdo ditë puno në të njëjtën kohë.
Mos e ndërpre punën në të njëjtën kohë. Mos e ndërpre punën me ndërprerje të
gjata. Nëse nuk je i sëmurë dhe i lodhur puno nga pak edhe gjatë pushimeve,
ashtu që të mos e humbësh shprehinë e punës dhe ta kesh vështirë t’i kthesh
përsëri.

-Nëse lodhesh me një punë atëherë ndërroje atë ose ngadalësoje ritmin, por
assesi mos gjej arsye për pushim. Organizimi i atij që rri kot është sikur
hekuri që nuk punohet dhe ndryshket.
-Mendo mirë dhe dije se punë nuk do të thotë vetëm të lëvizësh, të lexosh
ose te shkruash. Njeri që mendon, punon edhe më tepër se xehetari në minierë.

-Asnjëherë mos e vlerëso produktivitetin e punës me orë dhe mos thuaj mjaft.
Shihe rezultatin e punës dhe atë që e ke mësuar.

-Ne momentin kur mendon ta fillosh mësimin ose leximin e librit mos u bën i
padurueshëm. Bëhu i qetë dhe i fortë. Ec por mos nxito. Puno dhe mëso duke
kuptuar.

-Asnjëherë në punën tënde mos e nënçmo asnjë mendim. Mos harro se nga
moskujdesi dhe nënçmimi shpeshherë paraqiten pasoja të rënda.

-Kur te shtrihesh në shtrat për të pushuar bëre llogarinë e asaj që ke bërë
atë ditë dhe planifiko çka do të bësh të nesërmen.

-Çdo dite lexo me zë nga dhjetë faqe të një vepre të mirë. Në këtë mënyrë do
të zhvillohet aftësia yte e të folurit.
Mësoi përmendsh pjesët e bukura që do t’i hasesh në ndonjë libër filozofik
ose letrare. Në këtë mënyrë do te pasurohen fjalori dhe shprehjet tua si dhe
do të përforcohet mbamendja.

-Pas përfundimit të leximit të pjesëve të një libri, përsëriti ato në
kujtesën tënde dhe merr shënime. Mënyra më e mirë e përvetësimit të njësie
është pikërisht kjo.

-Pjesët dhe gjërat që i ke mësuar prej ndonjë libri më vonë diskutoi me
shokët. Në këtë mënyrë zhvillohet intelekti yt dhe do ta përfitosh
shkathtësinë e të shprehurit të qartë të mendimeve dhe ideve.

-Ki kujdes: fjalët dhe shkrimet tua le të jenë të shkurtra, të qarta dhe të
kuptueshme.

-Koha e punës mendore dhe produktiviteti i saj varen nga natyra e individit.
Për dikë kjo kohë është në orët e hershme të mëngjesit, për dikë tjetër në
orët e vonshme të natës. Provo veten se cila kohë të përshtatët më tepër për
punë dhe mos e harxho kot atë.

-Para se gjithash mëso të flasësh dhe të shkruash mirë në gjuhën amtare.
Gjëja më e rëndësishme për njeriun është gjuha e tij amtare.

-Vlera e individit është e fshehur nën gjuhën dhe në majën e lapsit dhe
shkrimit.

-Në momentin kur do të hamendesh të fillosh ose të mos fillosh ndonjë punë,
mendo për pasojat e të dy vendimeve. Zgjedhe atë nga i cili ke më shumë dobi
e më pak dëm.

– Mos gënje. Gënjeshtari është si vjedhësi i cili jeton me frikë se në çdo
moment do të kapet.

– Para se të premtosh diçka mendo mirë, por kurrë mos e shkel fjalën e
dhënë. Shkelja e premtimit është gënjeshtra më e keqe.

– Gjithnjë paraqitu si je dhe bëhu ashtu siç paraqitesh. Ai i cili mundohet
të paraqitet ashtu si nuk është, vërtet është tejet mendjelehtë.

– Mos urrej dhe mos ndjej zili ndaj suksesit dhe lumturisë së askujt, por
përpiqu që edhe ti ta arrish këtë sukses dhe lumturi. Përpjekja është kusht
i përparimit. Urrejtja dhe zilia janë dy armiqtë kryesorë të shëndetit,
qetësisë shpirtërore dhe lumturisë.

– Bëhu bujar që të kesh shumë shokë. Dije se koprraci nuk ka shokë të
sinqertë.

– Shokët fitoi në rini, meqë shokët e pleqërisë nuk janë të sinqertë.

– Edhe fuqia e verbër, “shansi” , është i dashuruar në bukurinë rinore. Mos
e harxho kot rininë, por vlerësoje ashtu siç duhet.

-Bukuria e vërtetë e pëlqyer nga çdokush është bukuria e moralit, pasi
njeriu me moral të bukur është i bukur në çdo moshë.

-Gjithmonë përpiqu ta zbukurosh moralin. Bukuria morale është pasuria më me
vlerë e njeriut.

-Shakatë që do t’i bësh edhe me shokët më të afërm, le të jenë tërheqëse.
Nga shakatë e vrazhda as kafshët nuk argëtohen.

– Bëhu shok që të kesh shokë.

-Miqësinë vërtetoje në ditë të vështira, që të kesh miq në ditë të
vështira.

-Bëhu besnik ndaj miqve, zemërgjerë ndaj armiqve dhe armikun i cili ka ra në
tokë mos e shqelmo, bëhu shpirtmirë. Shpirtmirësia dhe besnikëria janë
shtyllat kryesore të moralit të lartë.

– Ki respekt ndaj femrave. Përkujtohu se femra është nëna e njerëzimit.

-Mos i dëshpëro prindërit, pasi ai që i dëshpëron ata nuk shpëton dot.

-Shfrytëzoi përvojat e të moshuarve dhe assesi mos tento që t’i sprovosh
njerëzit me përvojë sepse pendohesh shumë.

– Ne fillim mendo mirë për punën për të cilën ndoshta do të pendohesh në
mbarim të saj. Pendimi i tillë është naivitet.

– Sillu mirë ndaj më të vegjëlve, ashtu që të kesh të drejtë që kur të
rriten të presësh prej tyre mirësi.

– Mos poho dhe mos këmbëngul në gjëra të kota. Kërko të vërtetën dhe adhuroje
atë. Dashuria ndaj së vërtetës është dashuria më e lartë për njeriun.

-Vetë vëreji mangësitë, ashtu që të kesh mundësi permisimit.

-Mos u bën mendjemadh për shkak të suksesit tënd. Dije që mendjemadhësia
është armiku më i madh i suksesit në te ardhmen.

-Behu guximtar në jetë, por ki kujdes, guximi nuk është hedhje në rrezik me
sy te mbyllur.

-Shpreh respekt ndaj mendimit dhe besimit te të tjerëve, që edhe të tjerët ta
respektojnë mendimin dhe besimin tënd.

-Mos i bën tjetërkujt asgjë që nuk dëshiron te të bëhet ty, ashtu që edhe të
tjerët të mos veprojnë ashtu ndaj teje.

-Nëse dëshiron te të bëjnë mirë, atëherë edhe vetë bën mirë.

-E mira e bërë përballë një të mirë është drejtësi. E keqja përballë një të
mire është krim. E mira përballë të keqes është virtyt e bukuri dhe është
shkalla më e lartë e humanitetit.

-Ndihmoje njeriun e shtypur, që të ndihmohesh nëse edhe vetë shtypesh.
-Fjalët tua le të jenë te ëmbla ndërsa sjelljet tërheqëse. Njeriu i
vrazhdësi qen i hutuar të cilin e gjuan me gurë çdokush.

-Veprat e këqija të bëra ndaj teje nga ana e dikujt, assesi mos te të
largojnë nga veprat e mira. Mirësia e është dhunti, kurse veprat e këqija
janë dëm për njeriun.

-Mos u bën kryelartë. Kryelarti i ngjason gojës që i vjen era e hudhrës.
Secili largohet prej tij.

-Bëhu modest. Modestia i ngjason degës plot fryte. Lëshimi i degës me fryte
deri në tokë bëhet për shkak të fryteve të shumta.

-Bëhu me vlerë si margaritari të cilin çdokush e lakmon. Mos u friko, nuk
mbetesh përtokë.

-Shikoi njerëzit që janë më poshtë se ti e jo ata që janë më lart se ti, do
të jesh i qetë.

-Assesi mos u largo nga drejtësia në punët dhe fjalët tua. All-llahu është
ndihmës i të vërtetave.

-Puno, gjithnjë puno, por qëndro larg pangopësisë, për arsye se pangopësia
është armik i punës frytdhënëse, shëndetit dhe lumturisë.

-Zgjedhe në mënyrë të vetëdijshme njeriun me të cilin do të konsultohesh për
çështjet problematike në jetën tënde. Mendo mirë, për shkak të një vendimi
te gabuar të cilin do ta zbatosh në një moment, mund të vuash gjatë tërë
jetës. Por, drita të cilën do ta fitosh prej një ideje me vend, do te të
bëjë dritë gjatë tërë jetës.

– Shoku im i ri, këto këshilla që t’i dhashë më sipër, nuk t’i dhashë që t’i
harrosh. T’i theksova që t’i kesh si vathë ne vesh dhe të me përkujtosh në
ardhmëri. Prej teje pres që të me përkujtosh për të mirë !

Pjesë të shkëputura nga libri:
” Kokë me kokë me të rinjtë”- Ali Fuad Bashgil

(Visited 49 times, 1 visits today)
Top