Domingo, 20/9/2020 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Libri është miku më i mirë

Libri është miku më i mirë

Libri është miku më i mirë

Aid el Karni

Përkushtimi ndaj librit, dëshira për lexim dhe pasurimi i mendjes është një prej shkaqeve të lumturisë dhe të suksesit.

Shkrimtari i njohur Xhahidhi ka shkruar këshilla të mrekullueshme lidhur me shoqërimin me librin. Ai pohon se ky shoqërim largon të gjitha brengat dhe dhembjet. Duke përshkruar librin, ai më tej, shkruan: “Libri është mik i cili nuk do të tradhtojë, shok i cili nuk të braktis, i dashur i cili nuk do të mërzitet kurrë, fqinj i cili nuk ta zë rrugën, bashkudhëtarë i cili nuk të dëshiron të dëmtojë, kurrë nuk të bën keq, nuk është hipokrit dhe nuk të gënjen.”

Sa më shumë që shoqërohesh me librin, aq më e madhe është mirësia e Allahut ndaj teje. Libri të përmirëson karakterin, gjuhën e bën më elokuente dhe të rrjedhshme, e freskon mendjen, i bën fjalët tërheqëse, e gëzon shpirtin, i zgjeron gjokset. Libri të dhuron jetë të gjatë dhe bën që dinjitarët të bëhen miq. Për një muaj nga libri mëson më shumë se ata të cilët e kalojnë gjithë jetën në shoqëri të njerëzve të parëndësishëm. Ai të shpëton nga lypja dhe poshtërimi, për shkak të saj nuk ke nevojë të dëgjosh fjalë të kota të cilët janë më të marrë dhe më të këqij se ti, as të shoqërohesh me injorantë dhe armiq, por kjo prandaj të afron me të mëdhenjtë dhe të pasurit.

Libri natën të përcjell si edhe ditën, të dëgjon në rrugë si edhe në shtëpi. Nuk ta vjedh gjumin, nuk të jep vuajtje për të cilat nuk ke qetësi. Libri është mësues i cili nuk do të lë në baltë nëse je i varfër. Mësuesi i tillë nuk do të privojë nga asgjë nëse nuk u paguan para. Nëse e braktis, ai të ndjek edhe më. Nëse armiqtë të sulmojnë dhe poshtërojnë, ai nuk do të ndryshojë fare. Nëse je me të për ndonjë përfitim, qoftë edhe i vogël, ai është shumë i dobishëm. Nëse lidhë miqësi me të, vetmia nuk të dëmton.

Sikur vlera e tij të jetë vetëm që të ruan nga rruga dhe kotësia, kjo do të ishte mirësi e madhe. E çka të thuhet pastaj për faktin se ky mësues të paralajmëron gjithnjë për të drejtat dhe detyrat tua, ta ruan shikimin, të mbron nga fjalët e kota, njerëzit e paturpshëm, bisedave mëkatare të tyre, paditurisë së tyre, injorancës dhe shpirtit të tyre të prishur. Do të mjaftonte sikur të ruaj vetëm nga gjërat e pakuptimta. E çka të thuhet pastaj që nuk të lë të zhytesh në harresë, indiferencë dhe argëtim. Me të vërtetë, çdonjërit që e merr librin për mësues, Allahu i Mëshirshëm i ka dhuruar mëshirë të madhe dhe e ka mbuluar me të mira.

Për ata që ditët i kalojnë si bjerrakohës, kurse netët i ruajnë për ahengje boshe dhe shaka, libri është mjeti më i mirë për kthimin në jetën e vërtetë. Ky lloj i njerëzve për shkak të jetës së sëmurë që e bëjnë në libër nuk shohin asgjë. Të tillët konsiderojnë se libri nuk sjell kurrfarë të mire as në aspektin material, e as në atë shpirtëror.

Disa thënie lidhur me vlerën e librit

Ebu Ubejde transmeton se Muhelebi fëmijëve të vet ua kishte lënë amanet këshillën vijuese: “Fëmijët e mi, mos qëndroni gjatë në treg, pos te ndonjë mjeshtër i mirë apo tek ai që shet libra.”

Një mik imi më kishte treguar për librin e një dijetari nga Shami (Siri, vër. përkth.) në të cilin ky dijetar i shquar kishte thënë: “U zhdukën të gjitha gjërat fisnike, prej tyre ka mbetur vetëm libri.”

E kam dëgjuar Hasan Lulu duke deklaruar: “Tash dyzet vjet nuk kam fjetur ditën ose natën, nuk kam pushuar, e që libri të mos ketë qenë në gjoksin tim.”

Ibën Xhehmi deklaron: “Kur më molis gjumi – e më së keqi është të fle, kur kam ndonjë punë – marr një libër të urtësive. Atëherë e ndjej se si zemra të frymëzohet dhe fërgëllon, më vjen dëshira të punoj dhe të jem aktiv e i zellshëm.”

Me një rast ai gjithashtu ka deklaruar: “Kur më pëlqen një libër dhe në të shikoj shumë gjëra të dobishme dhe interesante, vazhdimisht i shfletoj fletët e tij duke shikuar edhe sa fletë kanë mbetur akoma. Këtë e bëj nga shqetësimi dhe dëshpërimi që libri së shpejti do të përfundojë, e me këtë edhe të pushojnë magjitë e tij me të cilat e kam ushqyer shpirtin tim. Sikur Kurani të kishte edhe më shumë faqe, gëzimi dhe jeta ime do të ishin më të plotë.”

Atabi e kishte përmendur një libër të huaj me fjalët: “Sikur të mos ishte aq i gjerë, do ta përshkruaja me dorë.”

Atëherë Ibën Xhehmi iu përgjigj: “Ajo që të ka luhatur ty, mua më ka gëzuar dhe më ka dhënë vullnet. Librat e mëdhenj më kanë dhënë gjithnjë më shumë dobi, e assesi dëm. Unë as që numëroj sa librat të hollë lexoj, ngase ato i mbaroj ende pa i filluar.”

Libri më i mirë dhe më fisnik është Kurani, për të cilin Allahu i Madhërishëm thotë:

“Të shpallet Libri dhe mos ki asnjë vështirësi në gjoks për të, që me të të më paralajmërosh dhe të jetë mësim për besimtarët.”[1]

Dobitë nga leximi i librave:

  1. Libri largon pëshpëritjet e shejtanit, pikëllimin dhe brengën;
  2. Ai të ruan nga fjalët e paturpshme dhe mëkatet;
  3. Ai të mbron nga njerëzit e padobishëm;
  4. Libri ta zgjidh gjuhën, të zbukuron të folurit, të ruan nga theksi i gabuar dhe të pajis me elokuencë dhe retorikë të bukur;
  5. Libri të pasuron mendjen dhe ta pastron karakterin;
  6. Me libër hyn në begatinë e diturisë, forcon memorien dhe mbamendjen;
  7. Ai të ofron këshilla të shumta për përvojën e njerëzve, për këshillat e njerëzve të ditur dhe të urtë, që është shumë e dobishme;
  8. Libri të përgatit për shkencë, të njofton me kultura dhe civilizime të ndryshme.
  9. Me lexim rritet imani, posaçërisht nga librat me tematikë Islame. Libri është këshilla më e mirë, ai është armiku më i mirë i së keqes dhe admiruesi më i mirë i së mirës;
  10. Libri ruan mendjen, pushon trurin nga vështirësitë dhe brengat. Ai është ilaç për shqetësimin e zemrës dhe nuk i lejon mikut të vet të humb kohën;
  11. Libri e forcon njeriun në shkencë, ai i ndihmon të përvetësojë materien, të shprehet në mënyrë lucide dhe të njohë sekretet e urtësisë.

Porosia më e lartë fshihet në shpirt,

në ushqim dhe në pije, o njeri, me siguri s’ka.

[1] Araf, 2.

 

(Visited 63 times, 1 visits today)
Top