Sexta-feira, 18/10/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

KUR’ANI PRIJTAR I SHKENCES

KUR’ANI PRIJTAR I SHKENCES

KUR’ANI PRIJTAR I SHKENCES

Kur’ani famëlartë është mrekulli e përhershme në duart tona deri në Ditën e Kiametit. Shkencëtarët e shekullit tonë gjejnë në Kur’an dituri hyjnore nga të gjitha sferat shkencore. Kur’ani fisnik është si një oqean.

Njerëzit më pak të ditur mbledhin nga brigjet e tij guaca dhe guralecë sikurse fëmijët. Njerëzit e ditur dhe shkencëtarët, sikurse zhytësit e margaritarëve, gjejnë në to urtësinë, filozofinë kulminante dhe rregullat e përkryera të mënyrës së jetesës.
Kur’ani famëlartë fton njerëzit që të hulumtojnë natyrën dhe në të vërejnë argumentet e All-llahut të Madhërishëm. Të gjitha qeniet e gjalla në univers janë përplot shenja të cilat demonstrojnë fuqinë, diturinë dhe urtësinë e Krijuesit

Meqë Zoti është Krijues i të gjitha diturive, mesazhi i Kur’anit famëmadh është i vërtetë dhe shkencor dhe mund t’i bëjë ballë sfidës së shkencës në të gjitha kohët.
Shembull tejet interesant dhe të shkëlqyer për shkencëtarët hasim në kaptinën Ankebut (Merimanga).
“Shembulli i atyre, të cilët veç All-llahut morën mbrojtës (zota idhujsh), është si shembulli i merimangës që thurë shtëpi, e sikur të dinin ata, më e dobëta shtëpi është shtëpia e merimangës.” (El Ankebut: 41)

Rrjeta e merimangës është njëri prej argumenteve më mahnitës dhe të çuditshëm të krijesave të All-llahut të Madhërishëm. Përbëhet prej fijeve të mëndafshta tejet të ndjeshme të cilat formohen nga sekreti i gjëndrave të merimangës. Ekzistojnë shumë lloje të merimangave dhe rrjetave të tyre. Ekzistojnë rrjeta apo fole në formë gypi me një ose dy dyer, vërtetë banesë e ngrohtë familjare. Më tej ekzistojnë rrjeta të merimangave për ne të njohura me një pikë qendrore dhe vija rrezore, të cilat lidhin fije tërthorazi në mënyrë rrethore rreth qendrës. Ky është një instrument gjuetie. E tërë struktura është shembull i ekonomisë në kohë, material dhe renditjen e fijeve.

Menjëherë, posa ndonjë insekt arrin në rrjetë, merimanga ndien vibrimet dhe vie për ta mbytur gjahun. Nëse insekti është shumë i madh dhe i fuqishëm, merimanga përdor gjëndrat e saja helmuese. Në fijet e merimangës ekzistojnë mrekulli të veçanta. Fija e merimangës me diametër më të vogël se e mijta pjesë e milimetrit është pesë herë më e fortë se fija e çelikut, më e fortë dhe më elastike se fija e mëndafshit. Çeliku, i cili special prodhohet në industri, është një prej materialeve më të fuqishme. Por, megjithatë merimanga, në trupin e saj edhe pse në dukje insekt i vocërr, mund të prodhojë fije më të forta se çeliku. Dhe përderisa njeriu prodhon çelikun, ai përdor një dituri dhe teknologji shekullore. Por, a thua cilën dituri dhe teknologji të përsosur përdor merimanga derisa i bënë fijet e saja? Siç vërehet, të gjitha mjetet tekniko-teknologjike, të cilat i ka në disponim njeriu, ngecin pas merimangës.

Po përse vallë Kur’ani fisnik thotë: “… e sikur ta dinin ata, më e dobëta shtëpi është shtëpia e merimangës.”
Këtu fshihet një mister biologjik. Sot u zbulua se merimanga femër (edhe në arabisht, por edhe në gjuhën shqipe ekziston vetëm gjinia femërore) është ndërtuese e shtëpisë së saj. Ajo ndërton rrjetin e saj dhe dominon në rrethin ku jeton. Pas mbarësimit merimanga e mbyt menjëherë mashkullin dhe ushqehet me të. Pra i ngjason mjaft “familjes moderne”, në të cilën për çdo gjë vendos femra. Të vegjlit, posa dalin nga vezët, e hanë njëri-tjetrin.

Fjala tejet e qëlluar arabe “vehnun” do të thotë: dobësi, lodhje, rraskapitje deri në maksimum. Pra, të gjithë ata që kërkojnë dhe marrin mbrojtës tjetër, e jo All-llahun, d.m.th. të gjitha ideologjitë apo izmat që ishin apo do të vijnë pas nesh dhe që nuk kanë bazë dhe mbështetje në All-llahun e Madhërishëm, i përngjajnë merimangës, karakterit të saj grabitës, por edhe shtëpisë së saj, e cila është më e dobët, pa mure, transparente dhe zhduket menjëherë posa ta prekësh.

Pra, verseti kur’anor mund të kuptohet si parabollë. Fijet e merimangës nga aspekti i saj janë të fuqishme, por nga aspekti i njeriut ato janë të dobëta të cilat fare lehtë i bartë era. Kështu është edhe me fuqinë njerëzore kur bazohen në mjetet materiale, të cilat sado që në pamje të parë duken të bukura dhe të sofistikuara në pikëpamje relative, kundruall realitetit të amshuar nuk paraqesin asgjë. Struktura e tejndieshme ndërtuese e një merimange nuk mund t’i kundërvihet lëvizjeve të dorës njerëzore.

Një pyetj është e vërtetë, të cilën shumica e njerëzve e harrojnë dhe anashkalojnë.
Mendojnë se janë të sigurt nëse mbështeten në pasuri, fuqi, dituri etj, pra në forcën e jashtme. Por, me këtë rast harrojnë Forcën e Cila i ka krijuar të tëra.
Të gjitha janë fuqi të rrejshme dhe pa vlerë, sikurse janë edhe personaliteti, shoqëria, shteti apo të ngjashme, kundruall fuqisë të All-llahut të Plotfuqishëm, mu sikur rrjeta e merimangës – e dobët e thyeshme e paqëndrueshme, të cilën një fshesë e lehtë e zhdukë menjëherë.

Kur është fjala për Kur’anin famëmadh, duhet të kemi parasysh gjithë atë thesar të diturive universale, sepse është libër universal, i përhershëm hyjnor. Vetëm syri i gjenive mund t’i shohë hollësitë mikroskopike të Kur’anit fisnik, siç informon verseti në vijim:
“O ju njerëz, ja një shembull, veni veshin pra: Vërtetë ata që po i adhuroni në vend të All-llahut, ata nuk mund ta krijojnë as një mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të, e po ashtu, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj, i dobët është edhe lutësi edhe i luturi.” (El Haxhxh: 73)

Edhe pse në dukje krijesë e thjeshtë, e vocërr e dobët, miza është mjaft e komplikuar që e nxitë njeriun në hulumtim.

Ç’është karakteristikë për mizën?

1. Shikimi panoramik nëpër njëmijë thjerrëza.
Thjerrëzat e syve të mizës kanë formë heksagonale, e cila i mundëson një zonë shikimi të madh, se sa me një thjerrëz. Tek disa miza, sipas zbulimeve shkencore, numri thjerrëzave mund të arrijë deri në pesë mijë.
Përveç kësaj, struktura sferike e syve i mundëson për të parë shpinën e saj, çka i jep përparësi në krahasimin me armikun.

2. Pompa absorbuese e mizës.
Një karakteristikë tjetër e mizës është mënyra e tretjes së ushqimit. Për dallim nga shumë organizma të tjerë të gjallë, mizat nuk e tretin ushqimin në gojë, por jashtë trupit. Ato nga trupi i tyre tajojnë një lëng special në ushqim, që e bën të përshtatshëm për thithje.
Me pastaj miza atë ushqim e thithë me pompën absorbuese e cila ndodhet në grykën e saj. Miza femër ka madhësi 5-7mm dhe bën 600-2000 vezë, të cilat zhvillohen pas 8-10 ditësh. Edhe pas zhvillimit të hovshëm shkencor e teknologjik, ky shembull është ende fshehtësi për shkencën dhe për shkencëtarët. Kush është në gjendje të krijojë mizën? Nëse kjo mizë privon njeriun nga jeta përmes sëmundjeve ngjitëse, kush mund ta kthejë në jetë? Nëse rrëmben një pjesë të glikogjenit nga ushqimi ynë, të gjithë kimistët botëror nuk mund ta rikthejnë. Miza me shpejtësi mahnitëse me enzimat e saja e zbërthen glikogjenin në glukozë. Pra, sa i dobët është ai shkencëtar apo dijetar që adhuron shkencën e tij e jo Krijuesin e përsosur.

Miza në këtë verset mahnitës paraqitet si një gjë e vocërr e parëndësishme. Por, secili idhull të cilin idhujtarët e adhurojnë nuk është në gjendje të krijojë një send si miza. Krijimi i mizës me anë të mjeteve tekniko-teknologjike është i pamundur, sikurse krijimi i devesë apo elefantit. Sepse tek të gjitha krijesat fshihet sekreti i cili nuk mund të imitohet, sekreti i jetës.

Pra, edhe idhujt edhe adhuruesit e tyre janë qenie të dobëta dhe të pa afta.
Andaj, kur tregon për një të vërtetë shkencore, Kur’ani famëmadh ka metodën e vet të paraqitjes së gjërave që dallon nga metodat tjera. Ai nuk e shtjellin sikur do ta shtjellonte një shkencëtarë mirëfilltë, apo siç bën biokimisti apo fizikani që i paraqet gjërat në hollësi.

Kur’ani fisnik e tregon të vërtetën shkencore me shenja (isharet), simbolikisht, me metaforë, parabollë, me shpejtësi rrufeje, me shpejtësi e cila përshkon intelektin me shkëlqim të rrufeshëm. Kur’ani famëmadh herë-herë përdor ndonjë fjalë të cilën bashkëkohësit nuk janë në gjendje ta kuptojnë apo ta shpjegojnë, por All-llahu i Madhërishëm e di që brezat e ardhshëm do ta shpjegojnë, siç bën aluzion verseti kur’anor:

“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në vetën e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë!” (Fussilet: 53)

Një dituri specifike e parashtruar në Kur’anin famëmadh, shumë shekuj para zbulimeve shkencore, është ajo lidhur me përbërjen e atmosferës. Tani është e njohur që sa më tepër që ngjitemi kah qielli, hasim më pak oksigjen dhe vështirësi në frymëmarrje.

Në kohën e shpalljes së Kur’anit fisnik në shekullin e VII-të, askush nuk e ka ditur se ngjitja kah qielli shkakton shtypje dhe dhembje në kraharor, siç e përshkruan me stil mahnitës Kur’ani:

“Atë që All-llahu dëshiron ta udhëzojë ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë sikur të ngjitej në qiell. Kështu All-llahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë.” (El En’amë: 125)

Faktet shkencore mbi gjendjen e njeriut në lartësi të mëdha

1. Shtresa atmosferike dhe efektet e tyre fiziologjike te njeriu

a. Niveli i mjaftuar fiziologjik për njeriun është nga niveli detar deri në 10.000 milja mbi sipërfaqen e detit. Oksigjeni në këto shtresa atmosferike është i mjaftueshëm që njeriu të mbijetojë.

b. Niveli fiziologjik i pamjaftueshëm është në mes 10.000 deri në 50.000 milje. Në këtë zonë ekziston mungesë e oksigjenit, përveç rënies së shtypjes atmosferike. Kjo rezulton me simptome fiziologjike në trupin e njeriut dhe paraqiten simptomat e hipoksisë (mungesë oksigjeni) dhe desparizmit (shtypja e ulët atmosferike).

c. Kozmosi i afërt, mbi 50.000 milje. Nga aspekti fiziologjik njeriu nuk mund të jetojë në lartësitë më të larta se 50.000 milje, qoftë edhe nëse thithë oksigjen 100%. Ai do të bartë rroba kozmike për shkak të rënies së shtypjes atmosferike dhe deficiencës së oksigjenit.

2. Simptomat e fazës së hipoksisë

a. Nga niveli detar e deri te lartësia 10.000 milje simptomat e hipoksisë nuk ekzistojnë.

b. Prej 10.000 deri në 16.000 milje sistemi fiziologjik i njeriut pengon paraqitjen e simptomave të hipoksisë, përveç nëse periudha e ekspozimit është e gjatë frymëmarrja shpejtohet dhe është më e thellë, pulsi dhe tensioni i gjakut ngriten.

c. Në lartësinë prej 16.000 deri 25.000 milje sistemi fiziologjik nuk funksionon dhe nuk mund të ushqejë indet me sasi të mjaftueshme të oksigjenit dhe simptomat e mëparshme janë më të theksuara. Në këtë gjendje hasim qartë shpjegimin e ngushtimit në gjoks i cili përjetohet në këto lartësi (Kur’ani, 6:125).

d. Momenti kritik është në mes 16.000 dhe 25.000 milje dhe më lartë. Në këtë lartësi njeriu tërësisht e humb vetëdijen për shkak të çrregullimit të sistemit nervor. Ndryshimet që ndodhin në gjoks arrijnë maksimumin në këtë lartësi dhe tërësisht çrregullohet funksioni fiziologjik i zemrës dhe frymëmarrjes.

3. Rënia e shtypjes atmosferike

Kur njeriu i ekspozohet shtypjes së ulët atmosferike në lartësi të mëdha (e kjo ndodh te udhëtarët në aeroplan kur sistemi për mbajtjen e shtypjes prishet), paraqiten disa simptome si rezultat i ekspansionit të gazrave dhe rritjes së tyre në trupin e njeriut. Gazrat e robëruar në hapësirat e organizmit të njeriut, siç është barku, kur zgjerohen, bëjnë presion në mushkëri duke shkaktuar pengesa dhe vështirësi gjatë frymëmarrjes dhe dhembje në gjoks.

Efekti i parë i hipoksemisë në organizëm është zvogëlimi i aftësisë së të parit në errësirë. Zvogëlimi më i vogël i ngopjes së gjakut arterial me oksigjen dobëson funksionin e kunjëzave në retinë.

Ventilimi i mushkërive zakonisht nuk rritet deri në lartësinë 2500m. Në këtë lartësi ngopja e gjakut arterial me oksigjen bie në afro 93%, dhe ky është niveli kur reagojnë kemoreceptorët. Mbi 2500m. mekanizmi i stimulimit nëpërmes kemoreceptorëve gjithnjë e më tepër rritë ventilimin, përderisa arrihet lartësia në afro 5000 deri 6000m. Në këtë lartësi ventilimi arrin vlerën maksimale në afro 65% mbi normalen. Rritja e mëtejme e lartësisë nuk rritë më aktivitetin e kemoreceptorëve.

Nga ndikimet e tjera të hipoksisë të cilat paraqiten në lartësinë 3500m. janë kokëdhembja, gjumësia, rëndimi, lodhja mentale dhe ndonjë herë euforia. Shumica e këtyre simptomave rritet në lartësitë më të mëdha. Sidomos kokëdhembja, dhembje të ashpra në gjoks, simptomat cerebrale, rriten deri në stadin kur paraqiten konvulsionet, dridhjet e trupit dhe përfundojnë me gjendjen komatoze në lartësinë afro 7000m.

Njëri ndër ndikimet më të rëndësishëm të hipoksisë është aftësia e zvogëluar e gjykimit, kryerja e lëvizjeve të stërholluara motorike dhe të menduarit.

Nëse njeriu është i ekspozuar hipoksemisë një kohë të gjatë, aftësia e tij mentale, e përcaktuar me kohën e reaksioneve, të shkruarit dhe testeve të tjerë psikologjik, mund të zvogëlohet për 20% nën vlerat normale, bile edhe në lartësinë prej 3300m.

Nëse njeriu qëndron në lartësi 4500m. një orë, aftësia e tij mentale zakonisht zvogëlohet 50% nën vlerat normale, ndërsa pas 18 orëve të kaluara në atë lartësi zvogëlohet për 80% nën vlerat normale.

Dhe kur njeriu ndodhet në gjendjen e hipoksisë së rëndë d.m.th. në stadin e komës, deficiti metabolik në neuronet e qendrës për frymëmarrje shkakton për disa minuta depresionin e kësaj qendre dhe vdekjen momentale.

Nga e tërë kjo që u cek më lartë mund të konkludojmë se All-llahu i Gjithëfuqishëm do t’ua zbulojë njerëzve disa nga argumentet e Tij, që t’ua bëjë të qartë se Kur’ani fisnik është prijatar i shkencës dhe civilizimit.

Me të vërtetat e gjithësisë – universit, të cilat njerëzit do t’i zbulojnë pas qindra apo mijëra vjetësh duke aktivizuar intelektin e tyre, ata do të shohin se Kur’ani ka dhënë sinjalet për këto, se Kur’ani fisnik përmban të fshehtat të cilat njeriu do t’i zbulojë një ditë.

Pra, jemi në një shekulli të ri, në shekullin e përqafimit të fesë me shkencën, asaj shkence të mirëfilltë dhe fesë së vërtetë, mes të cilave nuk mund të ketë kundërshtime as kontradikta.

Përkujtojmë duke medituar thellë për versetin e Kur’anit famëmadh:

“Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, por këta nuk i kupton kush pos dijetarëve.” (El Ankebut: 43)

PRIM.DR.MED.SC. ALI F. ILJAZI

(Visited 33 times, 1 visits today)
Top