Segunda-feira, 20/3/2023 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
No Data

KULTURA E SJELLJES NË MARTESË

KULTURA E SJELLJES NË MARTESË

martesa

Martesa është themeli i familjes. Pa martesë nuk ka familje ndërsa pa familje nuk ka as bashkësi njerëzore. Vetëm me martesë sigurohet zhvillimi normal i bashkësisë njerëzore. Për këtë, Allahu xh.sh., institucionin e martesës e ka bërë të obliguar, me qëllim që lloji njerëzor të vazhdojë normalisht rrugëtimin e tij.  Allahu i Madhërishëm e krijoi llojin njerëzor prej burrit dhe gruas, dhe e bëri që njëri pa tjetrin nuk mund të jetojnë, duke ia bërë me dije Muhamedit s.a.v.s: “Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë.”1 Duke i krijuar njërin prej tjetrit dhe duke e ditur se nuk munden njëri pa tjetrin, Ai urdhëron martesën si mënyrë e vetme natyrore e bashkimit të tyre:

“… atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë…” 2 Në një ajet tjetër Ai nxitë: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit)…”3

I Dërguari i All-llahut gjithashtu në shumë hadithe të tij na ka nxitur në bashkimin e personave të gjinisë së kundërt për lidhje martesore. Madje na tërheq vërejtjen se mos praktikimi i martesës është një lloj i mos praktikimit të sunnetit dhe largim nga ai, nga drejtimi i tij.

Në hadithin të cilin e transmeton gruaja e tij e ndershme Aisha r.a., në mënyrë të thuktë thuhet: “Martesa është nga sunneti im. Kush nuk e praktikon sunnetin tim, nuk më takon mua! Martohuni, sepse unë do të krenohem me numrin e ummetit tim ndaj të tjerëve! Kush ka mundësi- le të martohet, e kush nuk mundet- le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje!4

Posaçërisht martesa, siç na bën të ditur i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., në mënyrë preventive ndikon në shiqim dhe organet gjenitale. Abdullah ibn Mesudi r.a., përcjell se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: “O të rinjë, kush ka mundësi le të martohet, sepse ajo është më mirë për nderin dhe më e ndershme për organin gjenital. E kush nuk ka mundësi, atëherë le të agjërojë, sepse agjërimi është  mburojë!”5

I Dërguari Muhamed s.a.v.s. duke e ditur rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni, ka ndaluar celibatin /beqarinë e përhershme. Këtë qartë e vërejmë në transmetimin e Sa’d ibn Ebi Vekkasit r.a. ku thuhet: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ia ka refuzuar celibatin/mosmartesën e Othman ibn Madh’unit, i cili këtë e kërkoi nga ai (nga i Dërguari s.a.v.s.)!”6

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka paralajmëruar se nëse lihet pasdore martesa, do të paraqitet amoraliteti dhe anarkia në shoqëri, të cilën më së miri mund ta vërejmë në kohën e sotme me ç’rast janë shtuar shumë sëmundje të pashërueshme si pasojë e mosrespektimit të ligjit të Allahut dhe paralajmërimeve të Muhamedit s.a.v.s. Në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hatim El-Muzeni r.a., ai tërheq vërejtjen: “Kur t’ju vjen dikush në fenë dhe moralin e të cilit jeni të kënaqur-martone! Nëse këtë nuk e bëni, do të paraqitet në tokë anarkia dhe amoraliteti!”7

Martesa nuk ka qenë praktikë vetëm e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s., por ka qenë sunnet i të gjithë të Dërguarve, salavatullahi’ alejhim exhmeinë, duke veçuar Isanë a.s., për të cilin thuhet se këtë sunnet do ta plotësojë kur të paraqitet në ahiri-zeman (kohën e fundit), me ç’rast do të ketë edhe trashëgues.8 Se martesa ka qenë praksë e të gjithë të Dërguarve të mëhershëm, më së miri ilustrojnë fjalët e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s.. Ebu Ejubi r.a. transmeton se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Katër gjëra janë sunnet i të dërguarëve: turpi, aromat, misvaku dhe martesa!”9

 

1 Kur’ani: Rra’d, 38
2 Kur’ani: Nisa’ë, 3
3 Kur’ani: Nurë, 32
4 Ibn Maxhe, Sunnen: 9-Kitabu-n-nikah, 1-Babun ma xhae fi fadli-n-nikah, hadithi nr. 1864. Këtë hadith muhadithët e njohur Muhammed Fuad Abdulbaki dhe Muhammed Nasiruddin Albani e konsiderojnë autentik. (Krahaso: Ibn Maxhe, Sunnen,1/592, Botimi: Daru-l-hadith, Kajro, 1994 dhe Albani, Sahihu-l-Xhami’i-s-sahihi ve zijadetuhu, 2/1151, hadithi nr. 6807)
5 Buhariu, Sahih: 67-Kitabu-n-nikah, 3-Babun men lem jesteti’i-l-baete fe-l-jesum, hadithi nr. 5066; Muslimi, Sahih: 16-Kitabu-n-nikah, 1-Babu istihbabi-n-nikah, hadithi nr. 1400; Tirmidhiu, Sunen: 9- Kitabu-n-nikah, 1-Babun ma xhae fi fadli-t-tezvixhi ve-l-hassi’alejhi, hadithi nr. 1081 dhe e konsideron si hasen-sahih.
6 Buhariu, Sahih: 67-Kitabu-n-nikah, 8-Babun ma jukrehu mine-t-tebettuli ve-l-hisai, hadithi nr. 5073; Muslimi, Sahih: 16- Kitabu-n-nikah, 1-Babu istihbabi-n-nikah, hadithi nr. 1402; Nesaiu, Sunen: 26- Kitabu-n-nikah, 4-Babu-n-nehji ‘ani-t-tebettul dhe Tirmidhiu, Sunen: 9-Kitabu-n-nikah, 2- Babun ma xhae fi-n-nehji’ani-t-tebettul, hadithi nr. 1083 dhe e konsideron si hasen-sahih.
7 Tirmidhiu, Sunen: Kitabu-n-nikah, 3-Babun ma xhae idha xhaekum men terdavne dinehu fezevvixhuhu; hadithi nr. 1085 dhe e vlerëson si hasen-garib. Imam Tirmidhiu shënon se transmetues i këtij hadithi është sahabiu Ebu Hatim el-Muzeniu r.a., i cili përveç këtij hadithi nuk ka transmetuar asnjë hadith tjetër, dhe për këtë shkak Tirmidhiu e vlerëson përveç hasen edhe garib.
8 Për këtë shih: Gazaliu, Ihjau ‘ulumi-d-din, 2/97. (Botimi i: Darul-l-Kitabi-l-‘arebi, Bejrut).
9 Tirmidhiu, Sunen: 9 – Kitabu-n-nikah, 1-Babun ma xhae fi fadli-t-tezvixhi ve-l-hassi ‘alejhi, hadithi nr. 1080 dhe e vlerëson si hasen garib.