Sexta-feira, 24/5/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Komunikimi si vlerë dhe si pergjegjësi



Komunikimi si vlerë dhe si pergjegjësi

Seid El-Huderij r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur zgjohet njeriu, të gjitha gjymtyrët e tij i kthehen gjuhës duke i thënë: “Ke frikë Allahun lidhur me ne, sepse ne jemi me ty. Nëse ti je në rrugë të drejtë, edhe ne jemi në rrugë të drejtë, e nëse ti lajthit, edhe ne kemi lajthitur” (Tirmidhiu, nr. 2407)

Komunikimi, krahas shumë begative të tjera, është një prej dhuntive të Krijuesit, e veçantë për njeriun. Ai definohet si procesi i kalimit të
informacionit, ideve apo mendimeve te personat tjerë(1). Gjuha, si dhunti e Krijuesit, e cila artikulon fjalët dhe komunikimin, e tëra është e konstruktuar nga mishi, pa eshtra. Ajo është nën komandën e plotë të njeriut, i cili e drejton sipas dëshirës së tij. Njeriu gjuhën mund ta shfrytëzojë në përmendjen e Allahut, leximin e Kuranit, leximin e librave, urdhërimit në të mirë, largimit nga e keqja, apo vepra tjera të pëlqyera, për të cilat shpreson në shpërblimin e Allahut. Krahas kësaj, njeriu gjuhën e tij mund ta shfrytëzojë në përgojime, shpifje, nxitje të urrejtjes, fyerje, nxitje të përçarjes apo gjëra të tjera, për të cilat pa dyshim se do të japë llogari para Krijuesit, Dhuruesit të gjuhës. Pra, njeriu e ka gjuhën e tij nën komandën e plotë, dhe do të japë përgjegjësi se si e ka shfrytëzuar atë.
Fjala e artikuluar mund të jetë fjalë pozitive apo edhe negative. Që të dyja i përshkruan Allahu xh.sh. në Kuran, dhe merr shembull për secilën prej tyre, duke thënë: “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë, që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, e që me vullnetin e Zotit ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. Allahu pra u parashtron njerëzve shembuj, ashtu që ata të mendojnë”. (Ibrahim, 24-25). Ashtu sikurse një pemë që është stabile në tokë dhe e dobishme, duke dhënë fruta vazhdimisht dhe pa ndërprerje, po ashtu është edhe fjala e mirë, që ngrihet te Krijuesi, kurdo që thuhet.
Gjithashtu Allahu xh. sh. jep shembullin e fjalës së keqe, duke e krahasuar me një pemë të shkulur, që nuk ka qëndrueshmëri, por njëkohësisht edhe nuk jep fruta, pra është e padobishme. Thotë Allahu xh.sh.: “Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë dhe që nuk ka të qëndruar”. (Ibrahim, 26).

Të folurit publikisht dhe pesha e tij

Pa dyshim të folurit është mjeti parësor për të transmetuar të vërtetën te njerëzit.(2) Ndërsa të folurit publik është një veçanti për një pjesë të shoqërisë. Ai i kalon përmasat individuale në drejtim të masave më të gjëra. Krahas privilegj it që ka, posedon edhe përgjegjësinë më të madhe. Dallimi mes të folurit të zakonshëm dhe atij publik qëndron në tri elemente:
Të folurit publik është më i strukturuar, ka afate të caktuara kohore. Ai duhet t’u përgjigjet pyetjeve të paramenduara nga audienca. Ky lloj i të folurit kërkon një përgatitje të mirëfilltë.
Të folurit publik kërkon një gjuhë formale, duke u kujdesur edhe për rregullat gramatikore.
Të folurit publik kërkon një metodë tjetër realizimi nga të folurit informal. Duhet anashkaluar shprehjet si: e ke parasysh; a po më kuptoni; hëm; ëëë; mmm; etj.(3)

Çfarë duhet të kihet parasysh para, gjatë dhe pas të folurit publik?

Meqë të folurit publik dallon nga të folurit e zakonshëm, doemos duhet përgatitur paraprakisht. Fillimisht duhet njoftuar me audiencën para së cilës ligjëron. Pasi ligjëruesi ta marrë vesh strukturën e audiencës, duhet provuar kredibilitetin, duke folur për tema që janë në sfondin që e zotëron.(4)
Profeti Muhamed a.s. në fillimin e misionit, porsa i mblodhi parinë mekas e në bregoren e Safasë, provoi kredibilitetin e tij, duke iu thënë: “Më tregoni, po që se jua jap lajmin se një ushtri është duke ardhur nga rrëza e këtij mali, a do të më besonit?”, të gjithë thanë: “Po”, për shkak se deri atëherë askush nga ata nuk kishte dëgjuar ndonjë gënjeshtër nga ai. Pasi provoi besueshmërinë, ai iu tha: “Po ju paralajmëroj për dënimin e ashpër që është para jush, po që se nuk besoni.” (Buhariu, nr. 4801)
Gjatë të folurit publik, patjetër duhet bazuar në burime të besueshme dhe të sakta. Përndryshe, pasojat mund
të jenë fatale. Allahu xh.sh. porosit në Kuranin fisnik: “0 ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” (El Huxhuratë, 6)
Gjithashtu, ligjëruesi duhet të mbajë kontaktin me sy me audiencën. Shkëputja e kontaktit me sy me audiencën nënkupton se ata nuk janë fokusi i ligjëruesit. Gjithashtu, ligjëruesi duhet të mbajë qëndrim fizik të drejtë e dinjitoz. Lëvizjet e duarve duhet të jenë të kontrolluara. Volumi i zërit duhet të jetë i përshtatshëm për audiencën. Ai nuk duhet të jetë vazhdimisht i ulët e as i lartë, por të ngrihet kur e kërkon nevoja. Shpejtësia e të folurit duhet të jetë e përshtatshme për t’u dëgjuar dhe kuptuar nga audienca. Krahas këtyre, duhet pasur parasysh edhe disa gjëra, për të cilat na e tërhoqi vërejtjen edhe pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s., kur thotë: ” … më i urryeri prej jush te unë, dhe më i largëti prej jush te unë, në Ditën e Kiametit, është ai që flet shumë fjalë që vështirë kuptohen, që flet shumë me qëllim të mburrjes dhe ai që e dredh zërin gjatë të folurit për mendjemadhësi.” (Tirmidhiu, nr. 2018).
Një fjalim i planifikuar mirë fillon me një hyrje të përshtatshme, mbulon dhe analizon pikat kryesore, nxjerr përfundimet e duhura, dhe kryhet brenda kohës së paraparë.(5)
Pasi të përfundojë ligjërimin, folësi publik do të ishte shumë frytdhënëse po që se do ta përcillte video-incizimin, për të ndjekur ligjërimin e tij. Kjo do t’i ndihmonte të vlerësojë gjërat që ka thënë si duhet, gjërat që eventualisht do të duhej thënë më mirë. Eventualisht do t’i ndihmonte në eliminimin e shprehjeve që mund të ishin pa vend, dhe t’ i zëvendësonte ato me shprehje adekuate.

Parime të nevojshme për një të folur publik efikas





Për të ndërtuar mesazhe efikase duhet të aplikohen parime të caktuara komunikimi. Këto parime janë të ngjashme, qoftë për të folurit publik, apo edhe për të shkruarit. Këto parime mund të përmblidhen si vijon:
Tërësia. Pranuesi i mesazhit dëshiron informacion të plotë për atë që i intereson. Dëgjuesit mund të jenë të ndryshëm, prandaj fjalimi duhet të plotësojë pritjet dhe pyetjet eventuale të secilit prezantues në fjalim.
Konciziteti është të shprehurit e asaj çka duhet thënë me sa më pak fjalë të jetë e mundur, pa lënë diçka mangët. Një mesazh konciz eliminon fjalët e panevojshme dhe mundëson kuptimin e ideve të rëndësishme. Gjithashtu kursen pranuesin e mesazhit nga ngarkesat e panevojshme. Konciziteti është thuktësia.
Konsiderata do të thotë që mesazhi të përgatitet duke pasur parasysh pranuesin e mesazhit. Kjo nënkupton që duhet fokusuar në shprehjen “JU”, në vend të shprehjes “NE”, pastaj theksimi i fakteve pozitive dhe të kënaqshme etj.
Konkretësia nënkupton të komunikuarit konkret, në mënyrë specifike, dhe jo në mënyrë të përgjithshme. Kjo gjithashtu ngërthen në vete nevojën e përdorimit të fakteve, statistikave specifike, si dhe përdorimin e fjalëve të gjalla dhe imazhndërtuese.
Qartësia nënkupton nxjerrjen e kuptimit nga mendja e individit dhe transferimi i tij në mendjen e dëgjuesit.
Kjo është një problematikë në vete, prandaj kërkon mjeshtri të veçantë, duke pasur parasysh se secili njeri ka një interpretim unik, ide personale, eksperiencë personale etj. Të gjithë pejgamberët ishin dërguar në gjuhën e popullit të tyre, në mënyrë që populli i tyre ta kuptonte mesazhin. Thotë Allahu xh.sh.: “Ne asnjë nga të Dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm se në gjuhën e popullit të vet, ashtu që ai t’ua shpjegojë atyre (në atë gjuhë).” (Ibrahim, 4)
Kortezia (Courtesy) nënkupton jo vetëm marrjen në konsideratë të mendimeve të të tjerëve, por edhe ndjenjat e tyre. Kortezia përfshin edhe sjelljen e matur dhe vlerësuese të të tjerëve, përdorimin e shprehjeve që tregojnë respekt, zgjedhjen e shprehjeve jodiskriminuese etj. Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s. ishte i kujdesshëm ndaj shokëve të tij, por edhe porosiste vazhdimisht shokët e tij që të ishin të kujdesshëm dhe mos të lëndonin ndjenjat e besimtarëve.
Transmeton Imam Ahmedi, se Muhamedi a.s. thotë: “O ju që keni shprehur besimin me fjalë, por besimi nuk ka depërtuar në zemrat tuaja, mos i lëndoni ndjenjat e besimtarëve dhe mos hulumtoni për gabimet e tyre!” (Tirmidhiu, nr 2032). Zaten, këto dy veprime duken të lehta në shikim të parë, por pesha e tyre para Allahut xh. sh. është mjaft e rëndë, saqë vë në pikëpyetje besimin e plotë në Allahun xh. sh.
Korrektësia nënkupton që gjithherë duhet thënë vetëm të vërtetën, në çfarëdo situate dhe rrethane. Muhamedi a.s. thotë: “Tradhti e madhe është që t’ i tregosh diçka vëllait tënd, ai të besojë, e ti ta gënjesh.” (Transmeton Ebu Davudi, ill. 4971). Gjithashtu Muhamedi a.s. thotë: “Ju duhet të jeni korrektë, sepse korrektësia udhëzon në punë të mira, e punët e mira udhëzojnë në Xhenet; dhe njeriu vazhdimisht do të jetë korrekt dhe do ta favorizojë korrektësinë, derisa tek Allahu të shkruhet korrekt … Dhe ruajuni gënjeshtrës, sepse gënjeshtra çon në ligësi, e ligësia në zjarr. Njeriu vazhdimisht do të gënjejë dhe do ta favorizojë rrenën, derisa tek Allahu të shkruhet gënjeshtar.” (Buhariu, nr. 6094).
Në aspektin teknik, korrektësi a nënkupton përdorimin e duhur të të gjitha rregullave gramatikore, shenjave të pikësimit dhe mënyrave të ndërtimit të fjalive.(6)
Parim esencial për efektivitetin e ligjërimit, e mbase edhe më i rëndësishmi është shembulli personal. Disproporcioni mes fjalës, gjegjësisht këshillës së mirë dhe veprës, mund të jetë i kundërefektshëm.
Hasan El-Basriu thotë: “Vaiz – ligjërues i mirë është ai që i këshillon të tjerët me veprat e tij, e jo me fjalët. Kur dëshiron diçka të urdhërojë, fillon nga vetja, më së pari vetë e kryen, ndërsa kur dëshiron diçka të ndalojë, pikësëpari ai vetë largohet nga ajo.”(7) Përndryshe, shpërputhja mes fjalës dhe veprës përpos se ka efekt negativ padyshim është vepër e qortuar nga Allahu i Madhërishëm. Allahu xh. sh. thotë: “Tek Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!” (Saff, 3)
Gjithashtu, edhe Pejgamberi ynë i dashur kërkon kujdes në këtë çështje. Usame bin Zejdi transmeton një hadith nga Muhamedi a.s., ku thotë: “Në Ditën e Gjykimit do të sillet një njeri dhe do të hidhet në Xhehe-nem. Do t’i dalin jashtë zorrët e barkut, sillet rreth tyre ashtu siç sillet gomari në rrotulluesen e mullirit. Banorët e Xhehenemit do të mblidhen rreth tij e do t’ i thonë: O filan, ç’ është me ty? A nuk ishe ti që urdhëroje në të mirë dhe ndaloje nga e keqja? Ai do t’u thotë: Po, gjithsesi, urdhëroj a në të mirë, por vetë nuk e bëja, dhe ndaloj a nga e keqja, por vetë e bëja.” (Muslimi, nr. 2989)

Të folurit publik dhe përgjegjësia para atyre që prezantojnë

Folësi publik duhet të jetë sa më i përgatitur që të jetë e mundur. Ai nuk duhet ta masë kohën që kalon duke ligjëruar, vetëm duke llogaritur minutat e tij që po i shpenzon duke folur para audiencës. Përkundrazi, ai duhet të llogarisë se ka marrë nga koha e prezantuesve, duke shumëzuar minutat që ka kaluar në ligjërim-me numrin e pjesëmarrësve në ligjëratën e tij. Prandaj, aq sa është dhunti që i jepet rasti për të dalë para audiencës për të mbajtur fjalim të caktuar, duhet ta bartë edhe përgjegjësinë e peshës që ka të folurit para publikut, duke pasur parasysh vlerën e kohës në Islam, si dhe kujdesin që duhet pasur në menaxhimin efikas të saj.
Gjithashtu, ligjëruesi duhet të japë maksimumin e tij gjatë elaborimit, në mënyrë që të jetë sa më efikas para audiencës. Zaten këtë e kërkoi edhe Allahu xh. sh. nga pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s., teksa i thotë:
“Thuaj: kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta e që unë thërras te Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.” (Jusuf, 108)
Prandaj këto fakte të qarta për një pjesë të shoqërisë mund të jenë të mjegullta për disa të tjerë. Roli i ligjëruesit është që t’i qartësojë sa më shumë të jetë e mundur, duke shpresuar në shpërblimin e Zotit Bujar e Fisnik.

________________
(1) Andri Koxhaj, Florian Tomini, Manaxhimi i komunikimit, Tiranë, 2011, f. 8.
(2) Dr. Abdulkerim Zejdani, Bazat e Thirrjes, Shkup, f. 568.
(3) Stephen E. Lucas, Arti i të folurit publik, Tiranë, 2011, f. 36.
(4) Hisham Et-Talib, Udhëzues përgatitor për punonjësit islamikë, Shkup, 1998, f. 15.
(5) Hisham Et-Talib, Ibid f. 157.
(6) Andri Koxhaj, Florian Tomini, Manaxhimi i komunikimit, Tiranë, 2011, f. 129.
(7) Abdul Hamid El-Bilali, Metodat e Da’vetit, Shkup, 2003, f. 43.

Eset Qerimi

(Visited 24 times, 1 visits today)




Top